Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
DËRG/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Nis një njeri që të shkojë diku; e nis dikë për të kryer një punë a një detyrë, për të mësuar etj.; çoj. E dërgoi te gjyshja (te fqinji, te mjeku). I dërgoi fëmijët në fshat (për pushime). E dërguan me shërbim. Dërgoi trupa në front. Dërgoi një përfaqësues (një delegacion). - Dërgoje të na marrë ca rrush! I dërgoi krushqit. E dërgoi në shkollë (në universitet, në kursin e patentës).
2. kal. Nis diçka me një njeri, me një mjet etj. për ta shpënë në një vend të caktuar ose për t'ia dhënë dikujt, çoj; kund. marr. I dërgoi librin (gazetën). I dërgoi një letër (një telegram). I dërgoi ca plaçka (një dhuratë). Ia dërgoi me djalin (me postë).
3. jokal. I bëj të njohur dikujt diçka nëpërmjet një njeriu ose me letër, e njoftoj dikë për diçka; i drejtoj nëpërmjet dikujt ose me letër urime, përshëndetje etj.; i shpreh nga larg, i çoj nga larg; kund. marr. I dërgoi fjalë. I dërgon të fala (urime, përgëzime). I dërguan ultimatum. U dërgoi zë shokëve.
4. libr., kal. Hedh dikë a diçka deri në një vend ose në shenje; e hedh tutje, e çoj në një drejtim. E dërgoi predhën në shenjë (plumbin në tabelë). E dërgoi topin në rrjetë (sport.). Dielli dërgon rrezet në Tokë.
5. fig., kal. E shpie dikë në një gjendje të keqe, e çoj diku të vuajë e të heqë. E dërgoi në litar (në varr). E dërgoi në atë jetë (mospërf.) e vrau, e vdiq.
✱Sin.: çoj, shpie, nis, përcjell, njoftoj, drejtoj, shpreh.
♦ E dërgoi (e çoi) prapa *diellit (dikë). Ia dërgoi *haberin (dikujt) euf. vulg. I dërgoi *pusullën (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë