Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
BÚKUR (i, e) mb. 1. Që ka tipare të rregullta, vija a lëvizje të harmonishme, gërshetim të këndshëm ngjyrash e tingujsh, brendi të shëndoshë e tërheqëse etj. dhe që me këto të jep kënaqësi e të bën ta admirosh; që është i përkryer në llojin e vet; që përputhet plotësisht me kërkesat e me shijet estetike të pranuara nga shoqëria; i hijshëm; kund. i shëmtuar. Vajzë (grua) e bukur. Djalë i bukur. Me fytyrë (sy, ballë, trup, shtat) të bukur. Kalë (zog) i bukur. Lule e bukur. Natyrë (pamje, ngjyrë) e bukur. Liqen i bukur. Qytet (fshat) i bukur. Shtëpi e bukur. Artet e bukura. Pikturë (skulpturë) e bukur. Shkrim i bukur. Rroba (këpucë) të bukura. Këngë (muzikë) e bukur. Libër i bukur. Zë i bukur. Shfaqje e bukur. Lojë e bukur (sport.). Emër i bukur. I bukur si yll (si drita). Lëpjetë e bukur (bot.). Zonjë e bukur (bot.). E bukur është edhe dëbora, por e ndotin qentë. (fj. u.).
2. Që shquhet e çmohet për përmbajtjen e lartë; që vlerësohet e pëlqehet shumë për vetitë e mira morale, për ndjenjat, për karakterin etj.; i mbushur me ngjarje e veprimtari që sjellin mirëqenie, gëzim e lumturi. Sjellje e bukur. Zakone (virtyte) të bukura. Traditë e bukur. Jetë e bukur. E ardhmja e bukur. Lajm i bukur.
3. I dobishëm, i vlefshëm; që është a që bëhet ashtu si duhet, i mirë, i mbarë; shumë i përshtatshëm. Punë e bukur. Shëndet i bukur. Rast i bukur. Ka një lojë të bukur (shah.).
4. I kthjellët, pa re, pa shi, pa shtrëngatë, pa dallgë e pa erë. Ditë (natë) e bukur. Mot (mëngjes) i bukur. Kohë e bukur. Det i bukur.
5. bised., iron. I keq, i pakëndshëm, i shëmtuar, i padobishëm, i pavlefshëm (përdoret para ose pas një emri, me kuptim të kundërt nga ai që ka zakonisht kjo fjalë). - Të bukur punë që paska bërë! - Të bukur fjalë që paska thënë! - Të bukur shok që paska! - Të bukur lojë që bënë!
♦ Një *ditë të bukur. Për *sytë e bukur (të dikujt) iron.
BÚKUR,~I (i) m. sh. ~, ~IT (të) Djalë a burrë i bukur. - I bukuri i nënës!
♦I Bukuri i Dheut folk. figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohet si një djalë shumë i bukur, i mirë dhe i dashur. I bukuri i Lumit euf. djalli; ai i lumit euf.; ai i përrenjve euf. I bukuri i unazës bised. gishti i katërt i dorës, gishti i unazës.
BÚKUR,~A (e) f. sh. ~A, ~AT (të) 1. vet. nj., filoz. Veti objektive e sendeve dhe e dukurive që janë të zhvilluara në mënyrë të harmonishme e të përkryera në llojin e tyre, që të japin kënaqësi e të bëjnë t'i admirosh; të qenët i bukur, bukuria; kund. e shëmtuara. E bukura dhe e shëmtuara - dy anët e së njëjtës medaljeje. E bukura dhe e dobishmja. Ndjenja e së bukurës. Ligjet e së bukurës. Njohja e së bukurës. E bukura pa nder është si lulja pa erë. (fj. u.).
2. Vajzë e bukur. E bukura porsi yll, / Si hëna qi ndrit në pyll. (folk.). - O moj fletë e kumbullës, / Dil foli së bukurës. (folk.).
3. vet. sh., euf., mjek. Grykët, bajamet. Iu bënë të bukurat.
♦ E Bukura e Dheut. 1. folk. Figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohet si një vajzë shumë e bukur, e mirë dhe e dashur. 2. zool. Pikëlore. E Bukura e Jetës arb. folk. shih E Bukura e Dheut1 folk. E bukura e minjve euf. shih nusja e lalës.
BÚKUR ndajf. 1. Në mënyrë të pëlqyeshme a të këndshme; me bukuri, hijshëm; kund. shëmtuar. Mirë e bukur. Vishet bukur. I rri bukur. Kërcen (luan) bukur. Shkruan (vizaton) bukur. Këndon bukur. I bie bukur (një vegle muzikore). Tingëllon bukur. Flet (lexon) bukur.
2. Shumë mirë, ashtu si duhet, mjaftueshëm. Ia punoi bukur. - Bukur e bëre!
3. bised., iron. Shumë keq, jo ashtu si duhet (përdoret me kuptim të kundërt nga ai që ka zakonisht kjo fjalë). Bukur, besa!
4. bised. Aq sa duhet, aq sa mjafton; shumë, mjaft, fort. Bukur i madh. Bukur i lartë. Bukur mirë. Bukur larg. Bukur thellë. Bukur vonë. I foli bukur rëndë. Dora e tij ishte bukur e regjur dhe e ashpër.
✱Sin.: hijshëm, bukuri, bukurazi, mrekulli, mirë, boll, goxha, sado, aq, mjaftueshëm, mjaft, fort, plot, lart, shumë, thellë, thellësisht, çuditërisht, pafundësisht, mrekullisht, jashtëzakonisht, derrçe, vendçe, fuqimisht, beter, tejet, tepër, së tepërmi, trashë, rëndë, alamet.
BUKURÁN,~E mb., përk. 1. I bukur, i pashëm. Djalë bukuran. O, moj vajzë bukurane, / Unë me ty do shkoj sevdanë. (folk.).2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKURÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT arkit. Zbukurim në mur në trajtën e një koke kau.
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKURÉ,~JA f. sh. ~, ~TË zool. Xixëllonjë. U zhduk si bukureja (dikush) iku shpejt. Bukure, bukure, / Hyn në magje, në palare. (folk.).
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKURÍ ndajf., bised. Shumë mirë, bukur, mrekulli. Foli (sillet) bukuri. Punët shkojnë bukuri.✱Sin.: hijshëm, mrekulli, bukur.
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKURÍ pasth. Mrekulli, shumë mirë. - Bukuri fare!
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKURÍ,~AI f. sh. ~, ~TË 1. vet. nj. Të qenët i bukur, vetia e asaj që është e bukur; e bukura. Bukuria në jetë e në natyrë. Bukuria vetë.2. Tërësia e anëve dhe e tipareve të bukur…
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKURÍ,~AII f. sh. ~, ~TË euf., zool. Nuselalë, nusëz.
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKUR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Zbukuroj, stolis. Ogiçi e ka bukuruar grigjën. Bukuroi kreun e bajrakut (e flamurit).2. Pëlqej ta përmend diçka, e vë në dukje. Ia bukuroi fjalën …
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKÚAR (i, e) mb. Që ka bukuar; që ka ngrënë, i ngopur me bukë.
Shfaq përkufizimin e plotë →BUKULÉR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Gogël1.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë