Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
BÚF/E,~JA f. sh. ~, ~ET përk. Vajzë e shëndetshme.
BUFÉ,~JA f. sh. ~, ~TË 1. Dollap në shtëpi ku mbahen zakonisht qelqurinat, pjatat, pijet dhe disa ushqime të thata; raft i gjatë ku mbahen pijet dhe ëmbëlsirat në një restorant, në një kafene etj. Bufeja e kuzhinës. Shishet vihen në bufe.
2. Lokal ku shiten pije të ndryshme, kafe, ëmbëlsira, meze etj. dhe ku njerëzit hanë e pinë zakonisht më këmbë.
3. Pritje me pije, me meze të ftohta e me ëmbëlsira; tryeza e shtruar me këto të ngrëna e pije. Bufe e pasur. Bëri bufenë e fejesës.
BUF,~I m. sh. ~Ë, ~ËT dhe ~ËR, ~ËRIT 1. zool. (lat. Bubo maximus) Shpend grabitqar i natës me kokë të madhe e të rrumbullakët, me sy të mëdhenj në ballë, me sqep të shkurtër e të kthyer, që rron ndër pyje e në gërmadha dhe që këndon natën sikur vajton; buvesh. Bufi veshgjatë. Bufi veshshkurtër. Bufi polar. Buf kënete. Sy bufi. Sheh si buf. Rri si buf. Bufi mburr zogjtë e tij thuhet për atë që përpiqet të mburrë punën e vet edhe kur nuk vlen. Kush e merr burrin të ve, / E gjen si buf në fole! (folk.). Mike, t’u bëfsha zog bufi, / Lërmë të më dalë dufi. (folk.). Bufi vezë vë, buf nxjerr. (fj. u.). Punët e mbrëmjes i bën të paqta vetëm bufi. (fj. u.).
2. fig., keq. Djalë a burrë me flokë të paqethur, të pakrehur e të shpupurishur; burrë i parruar prej shumë ditësh; bubuzhel, bufalaq.
3. fig., mospërf. Njeri i plogët e i trashë nga mendja; njeri matuf, i shushatur. - Ç'thotë ky bufi? - pyeti babai. (folk.).
4. bised. Njeri me faqe të fryra, bullafiq, bufalaq; diçka e fryrë.
5. Qen i madh e i murrmë.
♦ Buf kënete shar. njeri i shëndoshë, i plogët e përtac, njeri i fjetur; njeri i trashë nga mendja. E di edhe bufi! (diçka) tall. është fare e thjeshtë dhe e kuptueshme, s’ka nevojë të shpjegohet a të tregohet, të gjithë e dinë. S'të jep as *thonjtë e bufit (dikush) iron. E sheh me *sytë e bufit (dikë a diçka) iron. Me *thonjtë e bufit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë