Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
BRÉNDSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që gjendet a që kryhet brenda diçkaje, që përfshihet brenda kufijve të diçkaje; kund. i jashtëm. Pjesa (faqja, ana) e brendshme. Muret e brendshme. Oborr i brendshëm. Shkallë e brendshme. Xhep i brendshëm. Ujërat e brendshme ujërat brenda kufijve të një vendi. Det i brendshëm det që lidhet me oqeane a me dete të tjera me anë të ngushticave. Pjesa e brendshme (e një vendi) pjesa e thellë që ndodhet larg kufijve; pjesa që ndodhet larg bregdetit. Kënd i brendshëm (gjeom.). Veshje të brendshme veshje të holla që mbahen në mish (si fanella, të mbathurat etj.). Planet i brendshëm (astr.). Qark i brendshëm (fiz.). Rimë e brendshme (let.). Sekrecion i brendshëm (fiziol.). Motor me djegie të brendshme (tek.).
2. anat. Që ndodhet brenda trupit të njeriut a të kafshëve (brenda në kraharor, brenda në bark etj.). Organet e brendshme. Sëmundje të brendshme (mjek.) sëmundje të organeve që ndodhen brenda trupit të njeriut.
3. Që lidhet me anën shpirtërore dhe me veprimtarinë psikike të njeriut, që i përket kësaj veprimtarie; që ndodh në shpirtin e njeriut; kund. i jashtëm. Bota e brendshme. Gjendja e brendshme. Ndjenja të brendshme. Vrull (hov) i brendshëm. Gëzim (zemërim, shqetësim) i brendshëm. Forcë (shtysë) e brendshme. Zë i brendshëm.
4. fig. Që ka të bëjë me brendinë e diçkaje; brendior, përmbajtësor. Analizë e brendshme e romanit. Ana e brendshme e fjalës.
5. fig., libr. Që lidhet me thelbin a natyrën e diçkaje, organik, natyror. Shkaqe të brendshme. Lidhje e brendshme. Zhvillim i brendshëm. Kundërti të brendshme. Ligje të brendshme. Vlera të brendshme.
6. Që lidhet me jetën e një vendi, të një rrethi shoqëror a të një familjeje; që i përket veprimtarisë brenda një shteti, një njësie administrative, një kompanie a një institucioni, një organizate etj.; kund. i jashtëm. Jeta (gjendja) e brendshme e vendit. Organizim i brendshëm. Çështje e brendshme. Luftë e brendshme. Rezerva të brendshme. Njeri i brendshëm njeri që ka lidhje farefisi a lidhje shumë të afërta me një familje ose me një rreth shoqëror. Nxënës i brendshëm konviktor. Faktori i brendshëm është vendimtar.
BRÉNDSH/ËM, ~MI (i) m. sh. ~ËM, ~MIT (të) Ai që ka lidhje gjaku me një familje a lidhje shumë të afërta me një rreth shoqëror; ai që ka lidhje të drejtpërdrejta pune me një ndërmarrje, me një institucion etj., punonjës i tyre; njeri i brendshëm. Në dhomën e të vdekurit ndenjën vetëm të brendshmit. Këtë lajm e dinte vetëm ndonjë i brendshëm.
BRÉNDSHM/E,~JA (e) f. kryes. sh. ~E, ~ET (të) 1. Pjesa e brendshme e diçkaje, brendësia.2. vet. sh. Organet e brendshme të njeriut a të kafshës, rropullitë, përbrendësat, brendëset…
Shfaq përkufizimin e plotë →BRÉNDSHMI (së) ndajf. Nga brenda, që brenda; brendazi; kund. së jashtmi. Së brendshmi e së jashtmi. Vështrojmë së brendshmi. Mbyll së brendshmi. Gjëmonte së brendshmi.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë