Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
BRÉJTUR (i, e) mb. 1. Që është ngrënë në një vend, që është grirë vende-vende; që është dëmtuar nga brejtja; i gërryer nga faktorë atmosferikë. Jakë e brejtur. Dhëmb i brejtur. Shkëmb i brejtur. Dru i brejtur. Litar i brejtur. I brejtur nga krimbat (nga tenja, nga ndryshku, nga mola, nga insektet). Me gjunjë e bërryla të brejtur.
2. fig. I munduar nga një hall, nga një brengë etj.; që ka rënë në gjendje të keqe. Me zemër të brejtur. I brejtur nga mëkati
✱Sin.: i ngrënë, i skërmitur, i grirë, i gërmitur, i ronitur, i gërryer, i grimcuar.
BREJ vep., ~TA, ~TUR 1. kal. E bëj grimca-grimca pak e nga pak diçka të fortë (me dhëmbë a me një vegël). Brej bukën. Brej me dhëmbë. Miu bren letrën. Qeni bren kockat. Mola bren rrobat. Uria bren gurët. (fj. u.). Krimbi bren drurin. (fj. u.). Kush ka dhëmb të fortë, bren edhe kockën. (fj. u.). Konopi i butë bren gurin e fortë. (fj. u.).
2. kal., vet. v. III E ha pak e nga pak, e gërryen; e dëmton duke e kruar e duke i hequr grimca pak nga pak. Ndryshku bren hekurin. Pusi e brejti litarin. Era bren tokën. Shiu bren shkëmbinjtë. Uji që derdhet njëherësh e lan dheun, uji që bie pikë-pikë e bren gurin. (fj. u.). Dalëngadalë bren miu arrën. (fj. u.).
3. jokal., vet. v. III Më kruhet shumë, më ha. I brente trupi (koka). Më brejnë duart.
4. fig., jokal., vet. v. III (me trajtë të shkurtër përemërore). Më shqetëson a më ngacmon vazhdimisht diçka; më mundon shumë përbrenda, s’më lë të qetë; më pikon në zemër (në shpirt). E bren ndërgjegjja. Më bren malli për dikë. Më bren meraku. E bren dyshimi (smira). Më bren zemrën (shpirtin). E brejnë kontradiktat. Smira e bren zemrën e njeriut. (fj. u.).
5. fig., kal. Kuptoj, mësoj, përvetësoj; e bluaj. E brej mësimin.
✱Sin.: grij, grimcoj, thërrmoj, ha, gërryej, shkoq, bluaj, skërmit, imshtoj, gërmit (gërmis), ronit, nduk, kruhet, mundon.
♦ Bren (ha) çelikun (*hekurin) (me dhëmbë) (dikush). E bren (e ha) *krimbi (dikë). Më bren (më ha, më gërryen) *përbrenda. Më bren (më ha) *zemra (te dikush a te diçka). Më bren *zemrën (diçka).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë