Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
BÁLT/Ë,~A f. 1. Dhe i përzier me ujë, tokë e qullët zakonisht në fushë, nëpër udhë etj.; llucë, ledh, lym, tinë. Baltë e kuqe (e zezë). Baltë e bardhë deltinë e bardheme që përdoret për të larë kokën. Baltë shtambash deltinë e kuqe për të bërë enë balte. Baltë e madhe. Baltë vjeshte. Ngjyrë balte. Vend me baltë. Këpucë me baltë. Bëhet baltë. Bëhem me baltë. Zë baltë (udha). Lyej me baltë. Eci nëpër baltë. Bie (ngec) në baltë. Fshij baltën. E squllët si baltë. Fusha na bën baltë, mali bën furtunë, / Pritmë djalo, pritmë, sa të rritem unë. (folk.). Kali i huaj të lë në baltë. (fj. u.). Nuk i bie vlera floririt se hidhet në baltë. (fj. u.). I zoti e nxjerr gomarin nga balta. (fj. u.). Kur të bie gomari në baltë, lloj-lloj rrugësh të kallëzojnë. (fj. u.). Sa ka kosherja mjaltë, të gjithë të bëhen baltë. (fj. u.).
2. edhe sh. ~A, ~AT; ~ËRA, ~ËRAT Vend me dhè të përzier me ujë; copë dheu e njomur ose stërpikë uji e përzier me dhè. Pastroj baltërat. Heq baltat. Shkoq baltën.
3. Dhe (zakonisht deltinë) i përzier me ujë, i ngjeshur e i mbrujtur për të bërë enë, tulla etj., ose për të lyer murin. Baltë e pjekur. Baltë shtambash. Enë (poçe, tas) balte. Kandil balte. Mur me baltë. Kasolle prej balte. Gatuaj (përziej) baltën. Lyej me baltë.
4. Tokë në përgjithësi; truall, dhè; poet. toka mëmë, atdheu. Balta jonë. Balta arbërore. Ka lindur në këtë baltë.
5. Lëndë e butë si brumë që përdoret për punë të ndryshme; lënda me të cilën është bërë një gjë; fig. brumë. Baltë xhamash lëndë si brumë për të zënë anët e xhamave. Baltë dylli dyllë i zbutur që përdoret për të bërë qirinj. Unazë me baltë të keqe.
6. Lymi i disa ujërave minerale që përdoret si mjet kurimi. Baltë llixhe. Banjë me baltë.
7. edhe sh. ~ËRA, ~ËRAT Mbeturina të një lëngu që kullojnë në fund; fundërri, llum, llurbë; papastërti që zë diçka, zgjyrë. Baltë kafeje. Baltë vaji. Baltë duhani. Balta e kokës. Baltë veshi. Baltë dhëmbësh. Balta e dyfekut. I pastroj baltën çibukut (llullës).
8. fig. Formimi a përbërja e dikujt, brumë. Është nga e njëjta baltë.
9. fig., keq. Send a njeri pa vlerë; diçka që kushton fare lirë. U bë baltë dikush a diçka.
10. edhe sh. ~ËRA, ~ËRAT fig., keq. Diçka e ndyrë, ndyrësi, diçka e pandershme. Baltërat e shekujve. Balta e turpit. Pastroi baltërat.
✱Sin.: llucë, llum, lym, lyshtër, ledh, lerë, lëtyrë, llubatë, llapërçinë, lloç, llome, llomështi, llurbë, llurbëtirë, muzgë, tinë, fundërrinë, fundërri, zgjyrë.
♦ Ai *mur atë baltë do përçm. Ajo baltë për atë mur është përçm. ka gjetur shoku-shokun, janë të një brumi, si njëri, si tjetri; gjeti tenxherja kapakun; sipas kokës edhe festen. Baltë e dobët. 1. Njeri i dobët nga trupi, që nuk u qëndron dot sëmundjeve, lodhet shpejt etj. 2. keq. Njeri i pakarakter; njeri i paqëndrueshëm, që thyhet shpejt; njeri i lëkundshëm. Baltë e ngjitur keq. njeri i mërzitshëm, që të ngjitet nga pas e nuk të shqitet. Baltë e vjetër njeri me përvojë të madhe në punë dhe i rrahur nga jeta; ka pirë ujë në shumë burime (kroje); (është) ujk i vjetër (plak). Baltë e Zotit (e Perëndisë) njeri i thjeshtë, si gjithë të tjerët, dikush që nuk ka asgjë të veçantë nga të tjerët; njeriu me të mirat dhe të metat që ka. U bë baltë (dikush). 1. shih u bë dhè (dikush). 2. I ra vlera fare; u bë llucë. Iu bë baltë (dikujt) iu përul shumë, i vete pas i nënshtruar e i poshtëruar; i lëpihet; u bë baltë (e pluhur); iu bë lepitkë; iu bë opingë; iu bë bajgë bised.; i lëpin (i puth) këmbët. U bë baltë e bardhë (dikush) shih u bë baltë në fytyrë (dikush). I bëhet balta *flori (dikujt). U bë baltë në fytyrë (dikush) u zverdh, u zbeh shumë (nga frika, nga tronditja); u bë dhè (dikush); i ra çehrja e vdekjes (dikujt); iu zbardh buza (dikujt). Iu bë baltë pas këpuce (dikujt) keq. iu ngjit shumë dikujt sa e mërziti, nuk i ndahet fare, i shkon gjithnjë pas; iu bë bajgë pas opinge bised.; iu bë baltë; iu bë lepitkë; i lëpin (i puth) këmbët. Bëhem baltë e pluhur shkatërrohem krejt; shpartallohem; përulem përpara dikujt, i nënshtrohem tërësisht, bëj çdo gjë që do ai pa asnjë kundërshtim; i bëhem urë (e vig) (dikujt). Bën baltë (dikush) tall. rri kot, rri pa punë ose merret me diçka të padobishme; trazon baltën me shkop; tund (luan) derën; numëron qimet e postiqes; vret (numëron) miza. E bëri baltë (diku) ka shkuar dendur te dikush, e ka tepruar me hyrje-dalje të shpeshta; e bëri kalldrëm përçm. S’të bën baltë (diçka) është e nevojshme, duhet, s’të prish punë po ta kesh a të ruash. E bëri baltë e pluhur (dikë a diçka) e shkatërroi; e shpartalloi; e bëri pluhur (e hi). Bën baltë pa shi (dikush) tall. krijon probleme e shqetësime edhe kur s’ka shkak ose arsye, grindet kot së koti. Bën baltën e nuk bën vorba (dikush) nuk e çon deri në fund një punë, e lë diçka në mes; mbjell e nuk korr. E bën mjaltin baltë (dikush) është i keq nga shpirti e të prish çdo gjë, gëzimin, jetën e mirë, nderin, të vërtetën etj.; e bën të bardhën të zezë. E bëra rrugën baltë shkoj e vij tutje-tëhu për të mbaruar një punë, vete në shumë vende për të njëjtën gjë; sillem rrotull sa andej-këtej për të zgjidhur diçka, sorollatem varavinga; bëj çap e jak; hip e zbrit. Ra në baltë (dikush). 1. U fut padashur në një gjendje të keqe, ra në rrethana të vështira, ka ngecur në një punë. 2. I ra vlera; nuk ka forca e mundësi për diçka; ra në llum; ra në batak; ra në moçal; kund. doli (u ngrit) nga balta. Çan baltën për të tjerët (dikush) punon me gjithë fuqitë, derdh djersë e mundohet për botën; i vë gjoksin (diçkaje). Doli (u ngrit) nga balta (dikush) doli nga një gjendje e vështirë, e prapambetur ose poshtëruese; shpëtoi nga një hall, nga një vështirësi a nga një e keqe; doli nga bataku; kund. ra në baltë. *Flori në baltë (në pleh). Hëngri baltë (dikush) përçm. 1. Është munduar shumë në jetë; ka rrojtur me të keq, ka vuajtur në varfëri; u rropat. 2. mospërf. Vdiq; hëngri dhè; kafshoi (zuri, hëngri) gjuhën. Ha baltë me dhëmbë (dikush) vuan shumë, heq keq, u rraskapit (në jetë a në një punë); heq pikën e zezë; heq gurin e gjakut. Hedh baltë (mbi dikë a mbi diçka) e poshtëron duke shpifur, e përlyen, e njollos, ia nxin emrin e mirë; i hedh lerë (dikujt a diçkaje); i hedh gurë (dikujt); i lë hije të zezë (dikujt a diçkaje). E hedh në baltë (diçka) keq. e hedh poshtë si diçka pa vlerë, e flak; e shkel me këmbë. S’është baltë për tjegulla (dikush) mospërf. nuk ka fuqi a zotësi për të bërë diçka, nuk ka vlera për diçka të mirë. E kam gojën baltë kam një shije të keqe në gojë; më është pështirosur goja. Me *këmbë balte (argjile). E la në baltë (dikë). 1. E la në vështirësi kur duhej ta ndihmonte, nuk i dha ndihmën që priste; i doli i pabesë dhe e braktisi në rrethana të vështira; e la në llucë; e la në batak; kund. e nxori (e ngriti) nga balta. 2. Ia kaloi një tjetri, ishte më i aftë, më i zoti a më i fuqishëm se ai; qëndron shumë më lart se një tjetër. Nuk i la baltë nën thua (dikujt) ia zbuloi të gjitha të metat, veset, hilet, gabimet etj.; s’i la gjë pa ia thënë; ia nxori të palarat (në shesh). U lëshon baltë varreve (dikush) përçm. është njeri shumë i lig, nuk i lë të qetë edhe të vdekurit; nxjerr të vdekurin nga varri; ia ka shitur shpirtin shejtanit keq. Nuk mban baltë në vesh (dikush) është shumë i ndërgjegjshëm e i çiltër, nuk duron dot dyshime të kota mbi vete; e thotë hapur të vërtetën. Mbeti (ngeci) në baltë (dikush) ka mbetur në një gjendje të keqe, nuk i kapërcen dot vështirësitë e pengesat, nuk del dot nga gjendja e vështirë; mbeti (ngeci) në llucë; mbeti (ngeci) në moçal; mbeti në zall. Mbuloi balta baltën përb. thuhet kur vdes një njeri i keq, i pavlerë a i poshtër, që ka bërë shumë të liga (në kuptimin “mirë bëri që vdiq!”). E nxori (e ngriti) nga balta (dikë) e ndihmoi që të dilte nga gjendja e vështirë, e shpëtoi nga një vështirësi, nga një hall a nga një e keqe; e nxori (e ngriti) nga lluca; e nxori nga bataku; kund. e la në baltë. Nuk e nxjerr *gomarin nga balta (dikush). I qëroi baltën e thoit (dikujt) ia nxori të palarat; s’i la gjë pa thënë e pa bërë; ia numëroi një e për një të gjitha të këqijat. Trazon baltën me shkop (dikush) nuk ka punë e rri kot ose bën diçka të padobishme; bën baltë; tund (luan) derën; vret (numëron) miza; numëron qimet e postiqes; kërcet gishtërinjtë. I zuri thoi baltë (dikujt) filloi ta marrë veten nga ana ekonomike, nisi të dalë nga gjendja e keqe; doli mbi ujë1 (dikush); doli në sipërfaqe (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë