Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
AÍ (ATÍJ) përem. (tr. e shkurt. I; ATË, pas parafj. TË, tr. e shkurt. E e ATÍJ, pas parafj. TIJ) 1. vetor. Tregon një frymor a një send (të shënuar nga një emër i gjinisë mashkullore), për të cilin bëhet fjalë, por që nuk është i pranishëm; zëvendëson një emër të gjinisë mashkullore (në numrin njëjës), që është përmendur pak më parë ose që do të përmendet më pas. Ai dhe ajo. Ai vetë pikërisht ai. Atij i përket. Fola me të. I shkova.
2. përd. em., libr. Përdoret në vend të emrit të përveçëm të një njeriu të shquar (shkruhet zakonisht me shkronjë të madhe) ose të emrit të të dashurit në veprat letrare.
3. dëft. Tregon një frymor a një send (të shënuar nga një emër i gjinisë mashkullore), që ndodhet më larg folësit se një frymor a një send tjetër i njëjtë; zëvendëson një emër të gjinisë mashkullore në numrin njëjës, që është përmendur më parë se një tjetër; kund. ky. Ai atje. Ja ai. Po (gjithë) ai i njëjti njeri. Ai djalë (libër). Jo ky këtu, po ai atje.
4. dëft. Tregon njërin prej dy frymorëve ose sendeve (të shënuar nga emra të gjinisë mashkullore), që krahasohen, përqasen a kundërvihen; kund. ky. Në këtë ose në atë lëmë. Nga ky ose nga ai kënd vështrimi.
5. dëft. Përdoret me një emër për të përcaktuar më mirë kohën, që shënohet nga emri ose që është përmendur më parë. Atë vit (mot). Atë dimër. Atë mëngjes. Në atë çast.
6. dëft. Përdoret para një fjalie të varur, e cila përcakton frymorin a sendin që tregon përemri (të shënuar nga një emër i gjinisë mashkullore) ose para një fjalie kryefjalore, e cila përcakton frymorin a sendin, që zëvendëson përemri (me kuptimin «kushdo», «kush»). Ai që bie për atdheun mbetet i paharruar. (fj. u.). Ai që s’ka kokë, ka këmbë. (fj. u.).
7. dëft., bised. Përdoret para një emri të gjinisë mashkullore në numrin njëjës për të përforcuar një tipar a një vlerësim ose për të shprehur mospërfillje a përçmim. Ai farë djali. Gjithë ai qytet. Atë pak dije e humbi.
8. dëft., libr. Përdoret në vend të një emri të gjinisë mashkullore në numrin njëjës për të mos u përsëritur emri. Në atë mes. Që ç’ke me të.
♦ Ai *i hurdhave euf. Në atë *krah fli! iron. I bie një (po atij) *avazi. S’i bie atij *krahu (dikush). I bie po atij *teli (dikush) keq. Ai *i përrenjve euf. Për atë *qiell! bet. Nuk rreh në atë *krah (dikush). Ai *stan atë bulmet ka mospërf. S’dëgjon nga ai *vesh (dikush). S’i kam hipur atij *kali. *Java shtatë ai tetë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë