Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
AHÚR,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pjesa përdhese e shtëpisë a e kullës, ku mbahen kafshët dhe ushqimi i tyre; kasolle për gjënë e gjallë. Ahuri i lopëve (i kuajve, i bagëtive). I nxori nga ahuri. Meremetoj ahurin. Prishi ahurin.
2. Pjesë përdhese e shtëpisë, ku mbahen bulmeti, drutë, almiset, veglat etj. Ahuri i shtëpisë (i kullës). Fus drutë në ahur. Si kali në ahur. Lë në ahur dikë e trajtoj keq një njeri, nuk tregoj asnjë kujdes për dikë. Është bërë shtëpia ahur është fëlliqur shtëpia e është bërë rrëmujë. Ka plak (zot) ahuri ka kush i del zot një pune, ka kush e mbron një gjë. Mos i mbaj dertin lopës në ahur!
✱Sin.: katua, kasolle, ahër, plevicë, quar, pleme, patoz.
♦ Ahur bagëtish (diku) është vend i fëlliqur e me rrëmujë të madhe. *Bajgë ahuri përb. vulg. M’u bë barku ahur kam uri të madhe; kam shumë kohë pa ngrënë gjë; m’u tha barku; m’u bë barku petë; m’u bë barku gropë; m’u bë barku dërrasë; m’u ngjit barku pas shpine (me kurrizin). E ka zemrën ahur (dikush) është zemërzi, është shpirtkeq; e ka zemrën (shpirtin) katran; e ka zemrën (shpirtin) sterrë; kund. e ka shpirtin të bardhë (ka shpirt të bardhë). Pastroj ahuret e Augjisë libr. vë rregull aty ku ka rrëmujë të madhe; përmirësoj me masa rrënjësore e të shpejta një gjendje me të meta të shumta të grumbulluara prej kohësh. Nuk qas ahuri mushkë nuk mund të bëhet diçka që dëshirohet, nuk i arrihet dot një qëllimi të mirë, është e pamundur diçka që më duhet shumë.
AH pasth. 1. Përdoret kur shprehim dhembje, pikëllim, dëshpërim etj. Ah, ç’dhembje e fortë! Ah, ç’e gjeti të shkretin! Ah, ç’i plasi shpirti!
2. Përdoret për të përforcuar shprehjen e gëzimit, të lumturisë, të kënaqësisë, të admirimit etj. Ah, sa mirë! Ah, sa bukur! Ah, sa i lumtur jam! Ah sa kënaqësi! Ah ç’mrekulli ishte!
3. Përdoret kur shprehim zemërim, kërcënim, shqetësim etj. ose frikë, çudi, habi; a. Ah, më frikësove shumë! Ah, erdhe ti! Ah, në të zënça! Ah, sa të vij atje! Ah, ç’më bëre! Ah, ç’kopuk u bë!
4. Përdoret për të theksuar shprehjen e kundërshtimit, të mospranimit. Ah, jo! Ah, gjer këtu! Ah, kështu qenka puna? Ah, ashtu ndodhi?
5. Përdoret kur shprehim një mendim që na vjen papritur ose diçka që na kujtohet aty për aty në bisedë e sipër. Ah, më ra ndërmend!! Ah, sa mirë që m’u kujtua! Ah, si më shkoi mendja në atë çast!
AH,~UI m. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Fagus) Dru gjethor i pyjeve malore, me trung të trashë, me lëvore të lëmuar të bardheme ose ngjyrë mishi, lënda e të cilit përdoret për orendi, në ndërtim etj. Ah i bardhë (i kuq). Pyll ahu. Në hije të ahut. Gjethe ahu. Ah i ri. Dru ahu. Dyer ahu. Dërrasë ahu. Tryezë (dollap) ahu. Sharroj trungun e ahut.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje ahesh: Ahu amerikan ahu gjethemadh. Ahu i argjendtë (lat. Fagus menziesi, Nathofagus menziesi) ah me trung të trashë, me lëvore të lëmuar të bardheme, me gjethe të vogla, të trasha dhe thuajse të rrumbullakëta në çifte. Ahu evropian ahu i zakonshëm. Ahu i bardhë ahu damaror. Ahu bakëror ahu i purpurt. Ahu damaror (lat. Fagus nervosa, F. procera) ah me lëvore të hirtë, që plasaritet rreth moshës 25-vjeçare të saj, me kreshta të ngushta vertikale, me sytha të hollë e të gjatë konikë ngjyrë kafeje në të blertë me push në ngjyrë të kafenjtë, me gjedhe të bardheme si kurrizi i peshkut e pak të rrudhura midis damarëve kryesorë, me sytha të hollë e të gjatë konikë të kuq në të jeshilët, me gjethe qumështore, të rrumbullakosura në bazë e më pak në majë, që nxjerr me lule treshe kurorë. Ahu gjethemadh (lat. Fagus grandifolia) ah me lëvore të lëmuar me ngjyrë të blertë në të argjendtë, me sytha shumë të hollë dhe të gjatë, me gjethe të mëdha me bisht të shkurtër në ngjyrë të blertë në të errët, të thjeshta dhe të dhëmbëzuara, me lule të dy gjinive në të njëjtën pemë, që lidh fruta si një arrë të vogël të mbledhura në çifte në një shark me katër lobe me gjemba të butë. Ahu japonez (lat. Fagus japonica) ah me lëvore të lëmuar në ngjyrë të hirtë në të blertë, me gjethe të thjeshta vezake të blerta të ndërkëmbyeshme me mjaft damarë dhe me kërcell frutor të gjatë 3-4 cm, që kultivohet në malet e Japonisë, të Koresë etj.; ahu blu japonez, ahu i qenit. Ahu jugor (lat. Nothofagus) ah me lëkurë të ndritshme, me gjethe të dhëmbëzuara ose të plota, që lidh fruta si një arrë të vogël, të sheshtë ose trekëndore, në shark deri në shtatë kokrra, që gjen përdorim të gjerë në zdrukthëtari, në industrinë e letrës, në industrinë e bakrit etj. Ahu i kuq (lat. Fagus fusca, Nothofagus fusca) ah zbukurues, me gjelbërim të përhershëm, me lartësi mesatare deri 50 m e që këkon klimë të butë oqeanike, me kurorë ovale ose cilindrike në pjesën e sipërme, me gjethe të vogla vezake tringjyrëshe: në ngjyrë kuqe në të gjelbër kur janë të reja, në ngjyrë vjollcë kur rriten, që lidh fruta kubore me tri fara. Ahu lindor (lat. Fagus orientalis) ah gjetherënës me trung të trashë, me sytha të gjatë e të hollë, me gjethe të thjeshta dhe të plota e në skaje pak të dhëmbëzuara, me lule të vogla që lidh fruta si arra trekëndëshe të cilat piqen në vjeshtë. Ahu i malit (lat. Nothofagus solanderi cliffortoides) ah i pyjeve malore me gjelbërim të përhershëm që rritet në toka të thata e jopjellore, me lëvore të lëmuar ose me rrudha të imëta horizontale në ngjyrë hiri të errët, me bisqe të holla me qime të dendura në ngjyrë të kuqe në të errët, me sytha konikë të kuqërremtë, me gjethe të ndritshme vezake me majë të rrumbullakët, që lidh fruta me tri arra. Ahu mërsinor (lat. Fagus cunninshami, Nothofasus cunninghami) ah i fortë dhe i qëndrueshëm ndaj ngricave, që rritet në hije e në lugina me gjethe të vogla të thjeshta trekëndëshe e dhëmbëzore, të ndërkëmbyeshme e me ngjyrë të gjelbër në të errët, që pranverë marrin ngjyrë të theksuar të kuqe, rozë dhe portokalli, që lidh me fruta tri arra. Ahu i pjerrët (lat. Fagus obliqua, Nothofagus obliqua) ah malor gjetherënës i Amerikës Latine, me trung të trashë me lëvore të hirtë në ngjyrë kafe të errët, me gjethet që përdridhen mes damarëve dhe skajeve dhëmbëzore, me lulet të vogla të rrethuara me brakte të gjelbra, që përdoret në mobilieri, në ndërtimtari etj.; lisi patagonian. Ahu i praruar (lat. Fagus sylvatica zlatio) ah parku, me degëzime të ulëta, me kurorë rruzullore të hapur, që rritet në toka të pasura me humus me lëvore të butë e të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe të ndritshme vezake me ngjyrë të verdhë të lehtë dhe të artë në të gjelbër, që lidh arra të mëdha në një shark me qime. Ahu i purpurt (lat. Fagus sylvatica purpurea) ah me trung me lëvore të hollë, të lëmuar dhe në ngjyrë hiri, me sythat në ngjyrë të bakërt të ndërkëmbyeshme, me gjethe të kuqe në vjollcë që në vjeshtë kur ato marrin ngjyrë të bakërt; ahu bakëror. Ahu i qenit ahu japonez. Ahu i zakonshëm (lat. Fagus sylvatica) ah gjetherënës, i përhapur në pyje në Evropë, ah i zakonshëm me trung të trashë mbi një metër, me lëvore në ngjyrë hiri, të lëmuar dhe e hollë, me gjethet vezake e me lule me thekë në tufë. Ahu i zi (lat. Fagus solanderi) ah me shumë degë të holla, me lëvore në ngjyrë të hirtë të errët e të lëmueshme me rrudha të imëta horizontale, me bisqe të holla e të kuqe në të errët dhe me qime të dendura, me sytha konikë të kuqërremtë, me gjethe të gjelbra dyvjeçare vezake e me maja të rrumbullakëta, që lidh fruta zakonisht me tri fara e që rritet në toka të thata e më pak pjellore.
✱Sin.: drudet, fag, okshe.
♦ *Ashkë ahu (lisi, dushku). Prish një ah për një bisht kmese (dikush) iron. shih prish bucela (bute) e bën kënaçe (dikush).
AH,~UII m. sh. ~E, ~ET 1. Ofshamë që del nga shpirti për të shprehur një ndjenjë dhembjeje, hidhërimi, keqardhjeje etj. ose një ndjenjë habie, gëzimi, kënaqësie etj. E shkonin jetën me ahe e me ohe. Në ahun e fundit të vdekjes në grahmën e fundit.
2. fig. Nëmë, mallkim. E zuri (e gjeti) ahu. Lë në ahe lë në mjerim, në vuajtje.
♦ Me ah e me bah me rënkime të mëdha, duke u ankuar për çdo gjë. Nuk bëri as “ah” e as “oh” (dikush) e përballoi me durim diçka (një dhembje, një fatkeqësi, një vuajtje etj.), duroi shumë, e mbajti veten, nuk e lëshoi veten; bëri durim; e bëri zemrën gur.
AHURIÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që rri në ahur; ai që kujdeset për ahurin dhe kafshët që mbahen aty. Ahuriari meremetoi ahurin. I bëra zë ahuriarit.
Shfaq përkufizimin e plotë →
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë