Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►NGRÝS/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. vet. v. III Bie errësira e mbrëmjes, erret; kund. gdhihet. Në dimër ngryset shpejt (herët). Në verë ngryset vonë. Sa të ngryset. Para se të ngryset.
2. vet. v. III Kalon një ditë; kund. gdhihet. U ngrys edhe një ditë.
3. Kaloj ditën deri në mbrëmje ose në një gjendje të caktuar; më zë nata diku. U ngrysëm përjashta (në mal). U ngrys e nuk u gdhi vdiq pa aguar dita tjetër, vdiq natën. - Si u ngryse? si e kalove ditën? (përdoret si përshëndetje, kur takohemi me dikë në mbrëmje). Ngryset e gdhihet në punë (mbi libra).
4. fig. Bëhem i vrenjtur në fytyrë, vrenjtem. U ngrys menjëherë. U ngrys në fytyrë kur e pa.
✱Sin.: vrenjtem, terrtohem, vrerohem, nxihem, muget, muzget, mugëllon, murrëtehet, kalon, errem, errësohem, sterroj, sterrohem, zymtohem, vrugohem, zemërohem, serohem.
♦ Ku *gdhihet nuk ngryset (dikush). Ngrysu e gdhiu është e njëjta gjë, është po ajo gjë, s’ka ndonjë dallim; bjer e çohu; laj thaj; si lehu, si bëri ham; ngre e ul; jo bathë, po fasule. Ku ngryset nuk gdhihet (dikush) nuk qëndron në një vend, lëviz shumë, shkon nga një vend në një tjetër; ku mbillet s’korret; ku bun s’bun.
►NXÍ/HEM jovep., ~VA (u), ~RË 1. vetv. Bëhem me të zezë; lyhem a ndotem me diçka të zezë ose të errët e të papastër; kund. zbardhem. Nxihem me bojë. Je nxirë në ballë. U nxi pas murit. U nxi nga qymyri.
2. vetv., vet. v. III Bëhet i zi; merr një ngjyrë të murrme, të errët, si të zezë. I nxihen pendët (qimet). Nxihet qielli (deti). Nxihet rrushi. Nxihen fiqtë. Më nxihet buza (mishi) më mavijoset buza (mishi). U nxi koha u vrenjt, e mbuluan qiellin re të zeza. Zogjtë e korbit nxihen nga dita në ditë.
3. vetv. Marr një ngjyrë si të bronzit nga dielli, zeshkem. Nxihem në diell (nga dielli). Iu nxi lëkura. Iu nxinë krahët (këmbët).
4. fig., keq., vetv. Mbushet një vend plot e përplot me diçka jo të dëshirueshme. U nxi mali me ushtarë. Nxihej fusha me jeniçerë. U nxinë rrugët me fashistë. U nxinë ledhet me kufoma. U nxi vendi me karkaleca.
5. fig., vetv. Bëhem i zymtë e i ngrysur në fytyrë, vrenjtem. Me të dëgjuar kritikat, u nxi i tëri. Nxihet nga inati.
6. vetv. Më erret vështrimi e më duket gjithçka e zezë. M’u nxinë sytë m’u veshën sytë, m’u err vështrimi, nuk pashë më tutje. Nënës iu nxi bota kur mori lajmin e zi.
7. vetv., vet. v. III. Errësohet, ngryset. U bë vonë, ka filluar të nxihet.
8. pës. e NXÍJ1-3.
✱Sin.: nxirohem, nxirosem, sterrohem, zgjyrosem, serohem, mavijoset, vrugohet, zeshkem, zeshkohem, zezohem, mbushet, ngrysem, vrenjtem, zymtohem, irnohem, irnosem, nxij, zemërohem, vrugohem, verenikem, murrëtehem, errësohet, ngryset, muget.
♦ S’i nxihet *balli (dikujt). U nxi me *bojë (dikush). M’u nxi *dera. M’u nxi *faqja. S’i nxihet *faqja (dikujt). S’i nxihet *fytyra (dikujt). Iu nxi *hunda (dikujt). M’u nxi *jeta. S’i nxihet *lara (dikujt) vulg. M’u nxinë *sytë. M’u nxinë *vetullat. M’u nxi (m’u nxiros) *zemra (shpirti).
VETVÉT/E,~JA përem. Vetja e vet, vetja (kur përdoret për përforcim). Edukimi i vetvetes. Përmbajtja e vetvetes. Kërkesat ndaj vetvetes. Ia bëri vetvetes. Gënjen vetveten. Fliste me vetveten. Luftonte me vetveten. Grindej me vetveten. U mblodh në vetvete. Nuk i dhimbsej vetvetja. Përsërit vetveten thotë atë që ka thënë a shkruar më parë; nuk thotë gjë të re.
♦ Është dashuruar me vetveten (dikush) keq. i pëlqen shumë vetja, i duket vetja i bukur, i zoti, i zgjuar etj.; çmon a do vetëm veten e tij; është bërë mendjemadh; i ka hyrë vetja në qejf. Mbyllem në vetvete bëhem i heshtur e shumë i përmbajtur, nuk flas e nuk i tregoj mendimet a shqetësimet e mia; zymtohem.
►VRANËS/ÓHEM jovep., ~ÓA (u), ~ÚAR vetv., vet. v. III 1. Vrenjtet moti, koha, qielli mbulohet me re; kund, kthjellohet. U vranësua qielli e u bë terr i zi.
2. fig. Vrenjtem, ngrysem nga një telash, a shqetësim, marr një pamje të zymtë, zymtohem. U vranësua në fytyrë. Iu vranësua fytyra e iu bë zi (sterrë). U vranësua nga zemërimi.
►VRÉNJT/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. vet. v. III Vishet qielli me re, prishet koha; kund. kthjellohet. U vrenjt qielli. Është vrenjtur moti. U vrenjt koha.
2. fig. Rrudh vetullat, ballin, fytyrën kur kam një shqetësim, kur zemërohem ose kur bie në mendime të thella, marr një pamje të ashpër a të egër në fytyrë; shpreh një pamje të tillë; ngrysem; kund. çelem. U vrenjt në fytyrë. U vrenjt nga zemërimi. U vrenjt kur e pa. Iu vrenjt fytyra.
✱Sin.: ngrysem, serohem, errem, nxihem, murrëtohem, zymtohem, mrrolem, vranem.
►ZYMT/ÓHEM jovep., ~ ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III Bëhet më i errët e pa shkëlqim; vrenjtet, ngryset. U zymtua qielli.
2. vetv. Vrenjtem, ngrysem; më mbulon zymtësia. U zymtua në fytyrë. Iu zymtua vështrimi. Dhe në mos u zymtofsh në fytyrë, je nxirë në shpirt, sigurisht. Mos më nga që të mos zymtohem, se kjo nuk të pëlqeka ty.
3. fig., vetv., vet. v. III Bëhet pa gëzime dhe i trishtuar; bëhet i paqartë, i errët e i turbullt; nxihet. Iu zymtua shtëpia. Iu zymtua jeta. Iu zymtuan mendimet (qëllimet, shpresat).
4. pës. e ZYMTÓJ.
✱Sin.: erret, vrenjtet, ngryset, murrëtohet, nxihet, mbyllet, sterrohem, turbullohem, trishtohem.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë