Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MURRËTÍM,~I m. 1. Marrje e një ngjyre të errët si në të murrme. Murrëtimi i dheut. Murrëtimi i shkretëtirës babilonase.
2. fig. Nxirje në fytyrë, zymtim. Nuk e kuptoj murrëtimin dhe inatin që ka.
3. fig. Gjendje e zymtë, situatë pa shpresë. Disa ishin strehuar te miqtë në vise pa pushtim dhe murrëtimin e kohës e ndjenin më tepër ata pak banorë shpresëpakët.
NXÍRJ/E,~A f. 1. Veprimi kur nxij apo kur nxihem; kund. zbardhje. Nxirja e mureve. Nxirja e jetës (e realitetit).
2. sh. ~E, ~ET Vend i nxirë; ngjyra e errët që ka marrë dikush nga dielli; njollë e zezë në diçka. I iku nxirja. Nuk ikën nxirja nga pantallonat.
✱Sin.: nxirim, nxirosje, errësim, shtrembërim, njollosje, denigrim, poshtërim, zymtim, ngrysje.
TRISHTÍM,~I m. Gjendje shpirtërore e rënduar, por pa shpërthime; vuajtje shpirtërore, brengë e thellë nga vuajtjet a nga malli për dikë; mërzi pa ndonjë shkak të dukshëm; hidhërim në zemër, melankoli; kund. gëzim. Trishtim i thellë. Hije trishtimi. Ndjente trishtim. Ia largoi trishtimin.
✱Sin.: brengë, brengosje, pikëllim, vrerosje, hidhërim, helm, helmim, zymtësi, zymtim, mërzi, hall.
VRÉNJTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur vrenjt a kur vrenjtet. Vrenjtja e qiellit. Vrenjtja e qiellit tregon se po prishet koha. Vrenjtja e qiellit paralajmëron se do të bjerë shi.
2. fig. Veprimi a gjendja kur vrenjtemi nga zemërimi, inati etj. Vrenjtja e fytyrës tregonte një shqetësim a hall që kishte. Vrenjtja nga zemërimi. Vrenjtja e vetullave.
✱Sin.: errësim, zymtim, murrëtim, vrugim, muzgie, sterrim, terrim, mrrolje, turbullim, nxirje.
ZYMTÍM,~I m. 1. Gjendja që krijohet pas një errësimi të lehtë, mjegullimi ose zbehjeje të dritës; errësim. Zymtim i thellë. Zymtimi i qiellit. Një zymtim i lehtë mbuloi dhomën. Një erë e shqetësuar nga zymtimi i beftë i qiellit.
2. Ngrysje, vrenjtje a mrrolje (e fytyrës etj.). Zymtim i vështrimit. Në kulmin e zymtimit. Këtë herë ai zymtim iu duk i ndryshëm. Në fytyrën e tjetrit nuk vërejti ndonjë zymtim.
3. fig. Gjendje shpirtërore paksa e rënduar apo ndryshim i papritur emocional; trishtim, turbullim. Zymtimi i shpirtit. Ndjeu një farë zymtimi.
✱Sin.: errësim, ngrysje, zymtësi, vranësirë, mjegullim, mrrolje, trishtim.
ZYMTËSÍ,~A f. 1. Të qenët i zymtë, vetia e diçkaje të zymtë. Zymtësia e natës (e territ). Zymtësia e filmit. Zymtësi e padepërtueshme. Ndjesi që sjell dimri me zymtësinë e vet.
2. fig.Të qenët i ngrysur, i trishtuar e i brengosur; të qenët pa gëzime e plot trishtim. Zymtësia e fytyrës. Zymtësia e shpirtit. Zymtësi shpirtërore. Zymtësia e së kaluarës (e jetës). Mbizotëronte zymtësia. Nuk po e gjente dot shkakun e kësaj zymtësie. S’po e kuptonim se nga i vinte gjithë kjo zymtësi mësuesit, që kish qenë gjithnjë i qeshur me ne. Ai thotë se zymtësia vret njerëzit.
3. fig. Të qenët i paqartë, i errët e i turbullt. Zymtësia e ngjarjeve (e rrethanave).
✱Sin.: zymti, zymtim, trishtim, brengosje, ngrysje, vrenjtje, vranësi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë