Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KËPÚTUR (i, e) mb. 1. Që është këputur (për një fije peri, për një tel, litar etj.). Litar (tel) i këputur.
2. Shumë i lodhur dhe i pafuqishëm; i kapitur, i rraskapitur. Me krahë të këputur me krahë shumë të lodhur. Me sy të këputur me sy të lodhur.
3. fig. Shumë i varfër nga ana ekonomike. Familje e këputur.
4. Që është ndarë nga nëna (për pjellën). Qengj (kec) i këputur.
✱Sin.: i shkëputur, i rraskapitur, i kapitur, i ndërprerë, i zvjerdhur, varfanjak.
♦ *Fill i këputur. Me *krahë të këputur. *Pe i këputur. *Yll i këputur (i rënë) nga qielli.
PAZVJÉRDHUR (i, e) mb. 1. Që nuk i është prerë gjiri; kund. i zvjerdhur. Fëmijë i pazvjerdhur.
2. Që nuk është ndarë nga e ëma (për pjellën e një kafshe); kund. i zvjerdhur. Qengj (kec) i pazvjerdhur.
3. I pakrasitur. Hardhi e pazvjerdhur.
ZBARÍTUR (i, e) mb. 1. Që ka humbur shijen, që është bërë si bar; i zbarët (për gjellët). Gjellë e zbaritur.
2. fig. Që është bërë jo i këndshëm në shoqëri, që është bërë pa kripë e pa lezet, i shpëlarë (për njerëzit); që është bërë i pashoqërueshëm, që është larguar a është ftohur nga të tjerët; i ftohtë, i zvjerdhur. Njeri i zbaritur. Ishte i zbaritur gjer në palcë.
✱Sin.: i zbarët, i shpëlarë, i ftohtë, i zvjerdhur, i zvjerëtitur.
ZVERËTÍTUR (i, e) mb. Që është zverëtitur; që është i zvjerdhur e i larguar prej dikujt a prej diçkaje. Njeri i zverëtitur. Gjellë e zverëtitur.
►ZVÍRDHEM jovep. ZVÓRDHA (u), ZVJÉRDHUR (zakonisht me trajtë të shkurtër përemërore). 1. vetv. Më del nga zemra dikush, më ftohet, s'kam më dëshirë për të, largohem nga dikush; heq dorë nga diçka; kund. vjerdhem. Iu zvordh çdo gjë. Iu zvordh nga zemra. Është zvjerdhur nga shokët. Iu zvordh puna (shtëpia). Iu zvordh duhani. - Pse të asht zvjerdhun kaq shumë, moj bijë? - pyeti e ëma. (folk).
2. bised., vetv., vet. v. III Rrëzon lulet për të formuar kokrra, bëhet me kokrra (për pemët). Rrushi u zvordh.
3. pës. e ZVJERDH. Fëmija zvirdhet nga gjiri kur mbush vitin.
✱Sin.: zbaritem, zverëtitem, zhigmohet, shogem, ndahet, këputet, shkëputet, pështiroset, neveritet, mërzitem, ftohem.
ZVJERDH vep., ZVÓRDHA, ZVJÉRDHUR kal. 1. I pres gjirin foshnjës, nuk i jap më gji; ndaj të voglin e një kafshe nga e ëma që të mos pijë më, ndaj; kund. vjerdh. Ia zvordhi gjirin. E zvordha fëmijën nga gjoksi. I zvordhën qengjat (kecat). - Kur qengjat fillojnë të hanë bar, i zvjerdhin nga nënat, i futim në një vathë më vete. Ka ditë që kecat i zvordhëm nga gjiri.
2. fig. Ia ftoh dikujt dëshirën për diçka, bëj që t'i mërzitet a t'i neveritet; e ftoh dhe e largoj prej dikujt a prej diçkaje, zbarit. Tamam ato duar ia kishin zvjerdhur gjellët që bënte. Ia zvordhën shkollën. I ka zvjerdhur çdo dëshirë. E zvordhën djalin. I zvordhi miqtë. Këtu ma vjerdh, aty ma zvjerdh djalin ajo vajzë. Qetë e ligj të zvjerdhin arën. (fj. u.).
3. vet. v. III, krahin. Fillon të rrëzojë lulet për të lidhur kokrra (për pemët). Qershia i ka zvjerdhur lulet.
4. I pres rrënjët e tepërta a lastarët e padobishëm një bime të shartuar (zakonisht për hardhitë), krasit. I zvordhën hardhitë.
✱Sin.: ndaj, këput, shkëput, pështiros, neverit, mërzit, ftoh, zbarit, zverëtit, krasit.
ZVJÉRDHUR (i, e) mb. 1. Që i është prerë gjiri, që është larguar nga e ëma (për foshnjën); që nuk pi më gji (për të voglin e një kafshe); kund. i vjerdhur. Fëmijë i zvjerdhur nga gjiri. Qengj (kec, viç) i zvjerdhur.
2. fig. Që i është ftohur dëshira për diçka, që i është neveritur diçka; që është ftohur a është larguar prej dikujt a prej diçkaje. I zvjerdhur fizikisht. Praktika të zvjerdhura. E ndjeu veten (shpirtin) të zvjerdhur. Ishte i zvjerdhur gjer në palcë dhe asnjë pune s’i afrohej më.
3. Që i kanë rënë lulet dhe ka filluar të lidhë kokrra (për pemët). Qershi (kumbull) e zvjerdhur.
4. Që i janë prerë rrënjët e tepërta a lastarët e padobishëm (zakonisht për hardhitë). Pjergull e zvjerdhur.
✱Sin.: i këputur, i ndarë, i ftohur, i zbaritur, i zverëtitur, i krasitur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë