Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PÚLP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e mishtë më e trashë që është prapa kërcirit të këmbës nga leqet e poshtë. Me pulpa të forta (të mbushura). Pulpat e këmbëve. U gërvisht në pulpë.
2. Mollëza e gishtit. Pulpa e gishtit. E fshiu me pulpat.
3. Pjesa e tultë e gjirit të bagëtive, ku mblidhet qumështi; gjiri i bagëtive. Pulpat e lopës (e deles).
4. anat. Ind i butë lidhës, në pjesën e brendshme të dhëmbit, nëpër të cilin kalojnë enë gjaku dhe nerva; mishi i dhëmbëve. Pulpa e dhëmbit. I është dëmtuar pulpa.
5. Pjesa e tultë e pemëve, e perimeve etj.; tul pemësh a perimesh që përpunohet për ëmbëlsira, për konservim etj. Pulpa e domateve (e thanave, e panxharit, e pjeshkës, e nektarinës). Tharmëtimi i pulpës.
✱Sin.: zogth, mollëz, gji, tul.
ZO/G,~GU m. sh. ~GJ, ~GJTË 1. zool. Kafshë e vogël kërbishtore, me trupin të mbuluar me pupla, me sqep të brirtë, me dy këmbë dhe me krahë për fluturim, që shumëzohet me anë të vezëve; emër i përgjithshëm për shpendët e vegjël si trumcaku, dallëndyshja, bilbili etj.. Zog i bukur. Zogjtë shtegtarë. Zog këngëtar. U përngjajnë zogjve të egër. Vezë zogu. Fole zogjsh. Tufë zogjsh. Cicërimat e zogjve. Libër për zogjtë. Zë zogj. Vrau një zog. Si zogjtë në pyll. Zogu në kafaz këndon për maraz. (fj. u.). Një zog në dorë vlen sa për dy në drizë. (fj. u.). Çdo zog kërkon folenë e vet. (fj. u.). Zogu, ngado që të vejë, prapë kthehet në folenë e tij. (fj. u.). Kush ka frikë nga zogjtë, le të mos mbjellë. (fj. u.). Duket zogu që në vezë. (fj. u.). Nuk çelin zogj të gjitha vezët. (fj. u.). Kërko pula zogjtë e zogjtë i ka ndër këmbë. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për llojet e këtij shpendi. Zog bari (lat. Serinus) zog i vogël bojëbari. Zog blete (lat. Merops apiaster) zog sa mëllenja, me pendë të gjelbra, që rron brigjeve të lumenjve dhe ushqehet kryesisht me bletë. Zog bore (lat. Fringila coeleps) borës, zborak. Zogu çaush (lat. Alauda cristata; Galerida cristata) zog arash ngjyra-ngjyra, me sqep të kthyer e me kaçul mbi kokë. Zogu dervish (lat. Alauda cristata; Galerida cristata) çafkëlore. Zog dimri (lat. Fringila coelebs) zog bore. Zog drite bilbil. Zogu i dhenve (lat. Motacilla alba) bishtatundës. Zog ferre (lat. Troglodytes troglodytes) zog i vogël i rendit të harabelave, me ngjyrë të murrme, që rron në gjerdhe e ferra, cinxami. Zog fiku (lat. Oriolus oriolus) zog shtegtar i harabelorëve, me pupla të verdha të ndritura dhe krahë të zinj e sqep të kuq, që ushqehet me fiq. Zog gjembi (lat. Laniidae) shpend i gjatë, me pendë të përhime, kafe ose bardhezi, që dallohet nga zakoni për ta ngulur prenë në gjemb ose diçka tjetër të mprehtë para se ta hajë. Zog i deles zogdele. Zogu i dhenve (lat. Motacilla alba) bishtatundës. Zogu kardinal (lat. Richmondena cardinalis) zog sqeptrashë, kryesisht i Amerikës Veriore e Jugore, që ushqehet me fara; mashkulli i ka puplat në ngjyrë të kuqe të ndezur, ndërsa femra të përhime. Zogu i Krishtit (lat. Galerida cristata) laureshë me kaçirubë. Zogu i natës (lat. Vespertilio) gjitar i vogël si mi, i zi, me krahë të gjerë të mbuluar me lëkurë të hollë, që fluturon natën dhe ushqehet me kandrra e pemë. Zog miu (lat. Troglodytes troglodytes) cinxami. Zogë mizë (lat. Trochilidae) kolibër. Zogu i natës lakuriqësi i natës. Zog nuseje (lat. Fringila carduelis) kryeartëz. Zog qepës (lat. Ramis pendulinus) trishtil. Zog rrëfeshku (lat. Fringila carduelis) kryeartëz. Zog shtrige (lat. Troglodytes troglodytes) cinxami. Zog vejtës zog i familjes policeideve të Afrikës dhe Azisë, që jeton në koloni, i njohur si ndërtues i çerdheve të ndërlikuara.
3. I vogli i një shpendi. Zog pule (pate, shqiponje, petriti). Zogu i dallëndyshes (i korbit). Zogj inkubatori. Rritja e zogjve. Klloçka me zogjtë. Çel zogj.
4. krahin. I vogli i një kafshe, pjella. Zog maceje. Zog gomari. Zogjtë e arushës.
5. krahin. Bir. Zog malësori. Zogu i shqiptarit.
6. anat. Muskuli i gjymtyrëve, zogthi. Zogu i krahut muskuli i llërës. Zogu i këmbës pulpa.
✱Sin.: fluturak, çuç, pjellë, këlysh, zogth.
♦ Me një *gur vret dy zogj (dikush). Gjuan një zog me top (dikush) shih e vret mizën me sëpatë (dikush). I iku (i shpëtoi) zogu nga dora (dikujt) nuk arriti ta shfrytëzonte një rast të mirë si duhej, nuk qe në gjendje të përfitonte kur pati mundësinë; s’e ka më rastin e volitshëm; kund. e ka zogun në dorë (dikush). E ka zogun në dorë (dikush) është në gjendjen më të përshtatshme për të bërë diçka a për t’u marrë me dikë, ka mundësinë më të mirë të shfrytëzojë një rast e të veprojë, është në rrethana të favorshme që të përfitojë; varet nga ai vetë të arrijë diçka; kund. i iku (i shpëtoi) zogu nga dora (dikujt). (E mbaj) si zogun majë gjembit (dikë) shih (e mbaj) në pëllëmbë të dorës (dikë). Nxjerr (çel) zogj (dikush) iron. rri për një kohë të gjatë në një vend pa bërë asnjë punë, rri kot; ngroh vezë; ngrohet (theket) në diell. Me një *të shtënë vret dy zogj (dikush). Zuri zogun (dikush) shaka. ra, u rrëzua sa gjatë gjerë; zuri lepurin shaka. Zog dallëndysheje njeri fare i brishtë e i pafuqishëm, që ka nevojë për ndihmë, për përkrahje e për kujdes të drejtpërdrejtë (për fëmijët); zog klloçke. Zog gomari shar. thjeshtligj. budalla, kërriç. Zog klloçke njeri i vogël e i dobët, që ka nevojë për ndihmë, për mbrojtje e për përkujdesje të veçantë (për fëmijët); zog dallëndysheje. Zogj pa klloçkë njerëz pa mbrojtje e pa përkujdesje; njerëz që nuk ka kush të merret me ta (kryesisht për të vegjlit jetimë). Si zogjtë e korbit (e qyqes). 1. Të shpërndarë në të katër anët, kur asnjëri nuk di ku gjendet tjetri; të përhapur andej-këtej në vende të ndryshme; si vezët e qyqes. 2. Rrugëve, pa ndihmë e pa përkrahje; pa shtëpi a në vend të huaj, ku s’e njeh e s’e mbron njeri; pa plëng e pa shtëpi (pa cak). Zog pa pupla njeri fare i pambrojtur e në mëshirën e fatit; njeri i kërthinjtë, i pafuqishëm a i dobët; njeri i papërgatitur për jetën; njeri i pafuqishëm e pa përkrahje.
ZOGTH,~I m. sh. ~A, ~AT 1. anat. Muskuli i gjymtyrëve, zog. Zogthi i krahut muskuli i llërës. Zogthi i këmbës pulpa.
2. E dalë në pjesën e prapme të këmbës, mbi thundër, te disa kafshë si kali, derri etj. Zogthi i kalit. E ka zogthin të shkurtër. I takon zogthi në tokë.
3. bot. (lat. Sorbus aria; Aria nivea; Pyrus aria; Crataegus aria) Vadhëviçja e bardhë.
4. zvog. Zog i vogël. Dridhet si zogth.
5. Tufë bari e lidhur, që vihet si shenjë në arë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë