Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BYTHËPRÁP vep., ~A, ~UR bised., kal. Bythëpraps, zmbraps, zbyth.
MBRAPSHT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj të tërhiqet pas, e zmbraps. Populli rrinte në mure që t’i trembnin e t’i mbrapshtonin për ta pushtuar qytetin.
2. E pengoj dikë në punën e vet; e detyroj t’i kthehet edhe njëherë punës që ka bërë, prapësoj.
3. E bëj një punë keq e pa rregull, e bëj mbrapsht; e ngatërroj më keq një punë; e sjell mbrapsht, e bëj rrëmujë, çrregulloj, përmbys (shtëpinë etj.).
✱Sin.: prapësoj, prapështoj, pengoj, çrregulloj, zmbraps, praps, tërheq.
PRAP vep., ~A, ~UR kal. Prapakthej, praps, prapësoj, zmbraps.
PRAP/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR bised., kal. 1. E kthej diçka nga ana e prapme; e hedh prapa; përmbys. Prapoj pjatat.
2. E kthej dikë a diçka në drejtim të kundërt, e kthej mbrapsht; e zmbraps; e prapësoj. Prapoje makinën! I praponte punëkeqët e qëllimkeqët!
✱Sin.: përmbys, prapësoj, prapëtoj, praps, mbrapshtoj, prapësoj, zmbraps, kthej.
PRAPËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. E bëj dikë të shkojë andej nga ka ardhur, e kthej prapa, e shtyj prapa; e bëj që të tërhiqet, e zmbraps.
2. kal. E largoj dikë a diçka. E prapësoi të keqen.
3. kal. E bëj që t’i kthehet edhe një herë një pune a një veprimi, e detyroj që ta bëjë diçka përsëri. Prapësoi gjithë ekipin.
4. kal., edhe jokal. Heq dorë nga diçka që kam nisur ose nga diçka që kam thënë më parë; ndryshoj mendjen për diçka, kthej. E prapësoi nisjen. Nuk e prapësoi fjalën. Nuk prapëson ai.
5. kal. Pengoj kryerjen e diçkaje.
6. fig., jokal. Shkoj prapa; nuk arrij përfundime të mira. Në vend që të shkonin përpara, po prapësonin.
7. fig., jokal. Shkoj në rrugë të shtrembër a të keqe.
8. kal. E çoj dikë në rrugë të keqe, e bëj të prapë; e çrregulloj diçka, e ngatërroj, e bëj keq. Mos ma prapëso djalin! I prapësoi punët.
✱Sin.: zmbraps, praps, prapështoj, mbrapshtoj, prapoj, prapakthej, përmbys, kthej, tërheq, shtyj, zbyth, rrëbyth, largoj, rikthej, braktis, lë, pengoj, ndryshoj, anuloj, shfuqizoj.
PËRMBÝS vep., ~A, ~UR kal. 1. E kthej a e vë përmbys. Përmbysi tabletin (celularin, librin).
2. E kthej me kokë poshtë, e kthej me këmbë përpjetë a me rrota përpjetë. Përmbysi makinën. Dallgët e përmbysin lundrën.
3. E rrëzoj përtokë me forcë (zakonisht nga një vend i lartë). Përmbysi tryezën (karrigen).
4. E shtrij dikë barkas; e rrëzoj me fytyrë përdhe. E përmbysi në tapet (në ring).
5. bujq. Kthej tokën, i bëj lërimin e parë; i hedh tokës plehun dhe e punoj. Përmbysën tokën (ugarin).
6. fig. Bëj rrëmujë diku, s’lë gjë pa lëvizur nga vendi, e kthej gjithçka mbrapsht. I përmbysën shtëpinë (bibliotekën). Ia përmbysën gardërobën.
7. fig. E vendos diçka në një drejtim të kundërt me atë që ka pasur; e shpie fundin në fillim dhe fillimin në fund. Përmbys rendin e fjalëve në fjali.
8. fig. E mund keqas dikë, e vë poshtë, e mposht. E përmbysën regjimin monist.
9. fig. E ndryshoj rrënjësisht gjendjen a e kthej në të kundërtën e vet; e prish nga themelet; e rrëzoj me luftë një rend, një qeveri etj. E përmbysën situatën (gjendjen). I përmbysën marrëdhëniet e mëparshme.
10. fig. Hedh poshtë me argumente e me fakte diçka që mbahej si e vërtetë, që mbizotëronte në mendjet e njerëzve deri në atë kohë, rrëzoj. Përmbys një teori (një tezë) të gabuar.
11. bised. Bëj qejf në një dasmë a në një gosti duke kënduar e duke vallëzuar me zhurmë. E përmbysën në dasmën e djalit.
✱Sin.: batoj, batis, kthej, vithis, prapoj, prapësoj, mbrapshtoj, prapështoj, zmbraps, kapërdij, rrëzoj, rropos, shkund, anasjell, thaj, shkulloj, rrëkëllej, rrokullis, shtrij, ndryshoj, ndërroj, mund, mposht, shemb, shfronësoj, shkelmoj, shkatërroj, zhduk.
♦ Përmbys *botën (për dikë a për diçka). Përmbys (shemb) *malet (dikush). Përmbys (djeg) *shtëpinë (për dikë).
PËRPAR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. Lëviz në drejtimin përballë meje, eci a iki përpara.
2. usht. E thyej armikun dhe e zmbraps, duke pushtuar tokat që ishin më përpara në duart e tij; çaj përpara duke luftuar në një front të caktuar. Divizioni përparoi drejt veriut. Përparuan dyzet kilometra. Përparuan me shpejtësi.
3. Zhvilloj më tej aftësitë e mia, përsos mjeshtërinë dhe arrij përfundime të mira në një fushë të caktuar të veprimtarisë shoqërore etj.; shkoj më përpara nga ana politike, ekonomike, kulturore etj., kaloj nga një shkallë më e ulët në një shkallë më të lartë zhvillimi, qytetërimi etj. Kush mëson, përparon. (fj. u.).
4. vet. v. III Zhvillohet më shumë, përsoset më tej, rritet cilësia e diçkaje, përmirësohet më tej. Ka përparuar mjaft në punë. Përparon bujqësia. Përparon shkenca. Vendi ynë ka përparuar në bujqësi (në industri, në mjekësi). Kemi përparuar shumë në të gjitha drejtimet.
5. Zgjeroj dijet dhe njohuritë e mia duke mësuar në shkollë etj.; arrij përfundime të mira në mësime. Ka përparuar në matematikë (në gjuhë, në kimi).
6. vet. v. III Përhapet gjithnjë e më shumë diçka, bëhet më e rrezikshme. Kishte përparuar sëmundja.
✱Sin.: parem, avancoj, marshoj, eci, lëviz, lulëzon, shkoj, vete, mbroth, çaj, thyej, zmbraps, zhvilloj, përsos, rrit, përmirësoj, dritësoj.
SHFUQIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal., drejt. E shpall të pavlefshëm a të paqenë një ligj, një urdhëresë, një traktat etj., revokoj. Shfuqizoj kushtetutën. Shfuqizoj një ligj (një marrëveshje, një urdhër, një vendim, një nen). Shfuqizoj një paragraf. Shfuqizoj kompetencat.
✱Sin.: prapësoj, tërheq, heq, zmbraps, zhvleftësoj, kthej, anuloj, revokoj.
SHTY/J vep., ~VA, ~RË kal. 1. I vihem me forcë dikujt a diçkaje për ta lëvizur nga vendi në një drejtim të caktuar, e lëviz me forcë; i jap me forcë që ta zhvendos, ta rras a ta ngjesh diku, ta largoj a ta hedh tutje etj.; e lëviz a e zhvendos më tutje. Shtyj dollapin (tryezën, shtratin). Shtyj karrocën (vagonin, barkën në ujë). Mos e shtyj tapën brenda! Shtyj ushtarin (në lojën e shahut). Shtyj derën. Shtyj kufirin (mezhdën, gardhin) e çoj më tej kufirin (mezhdën, gardhin) për ta zgjeruar sipërfaqen e truallit. E shtyj përpara (prapa, majtas, djathtas, tutje). Shtyje edhe pak (edhe ca) E shtyu në baltë (në ujë, në det, në hendek). E shtyu në greminë. Shtyj gjylen. sport. hedh gjylen. Shtynin njëri-tjetrin. Mos më shtyj! Mos shtyni! E shtyu nga shkallët (nga ura). E shtyu pa dashur.
2. I bie lehtë dikujt që t'i jap një shenjë a t'i tërheq vëmendjen për diçka. E shtyu me bërryl që të pushonte.
3. E zmbraps dikë, e detyroj të tërhiqet. E shtynë armikun. E shtynë thellë në pyll.
4. E kaloj poshtë, e gëlltit; e përcjell me zor. Mezi e shtynin bukën me ca shëllirë.
5. E nxit dikë të bëjë, të thotë a të mendojë diçka, i shtie ndër mend diçka. E shtynë shokët (prindërit, motrat). E shtyu kureshtja. I shtynë për kryengritje. I shtynë të pajtohen. Të shtyn të punosh (të kërkosh, të mendosh). Kush të shtyu ta bësh këtë? Mos më shtyj ta them!
6. E lë për më vonë një punë; e zgjat afatin e përfundimit të diçkaje. E shtynë nisjen (mbledhjen, dasmën, lejen, afatin). I shtynë zgjedhjet (votimet). E shtyu pagesën (dërgimin, dorëzimin) e diçkaje. E shtyj një ditë (një javë, një muaj). Mos e shtyj më këtë punë! E shtyn nga dita në ditë. E shtynë për të shtunën. E shtynë për ditën e moskurrit. iron. e shtynë pa afat të caktuar.
7. Kaloj kohën në njëfarë mënyre; jetoj në njëfarë mënyre me vështirësi ekonomike a në gjendje të rëndë shpirtërore; ia dal të jetoj. Shtynte ditët në vetmi. Sa për të shtyrë kohën. Mezi e shtynë atë vit. E shtymë si e shtymë edhe atë javë. Nuk do ta shtyjë gjatë.
♦ Nuk e shtyn (nuk e shpie) më *gjatë (dikush). E shtyj me *gjoks (diçka). E shtyj (e shpoj) me *hosten (dikë). E shtyn *e liga (dikë). Një *tërhiq e një shty (diku). Të shtyn në *të përpjetë (dikush). Shtyn (shkrep, ngacmon) *urët (dikush).
THÝEJ vep., THÉVA, THÝER kal. 1. E ndaj një gjë më dysh a në shumë copa me dorë ose duke e përpjekur pas diçkaje të fortë; e bëj pjesë-pjesë a copa-copa diçka të ngurtë; e copëtoj duke e goditur me diçka a duke e përpjekur pas diçkaje të fortë. Thyej shkopin. Thyej bukën. Thyej pemën (degët). Thyej vezët (arrat). Thyej pjatën (gotën, xhamin). Thyej këmbën (dorën, dhëmbët).
2. E përkul, e lakoj a e harkoj diçka; e bëj më dysh, më tresh etj., e palos. Thyej trupin (mesin, gjunjët, duart). Mos i thyej gishtërinjtë! Thyej më dysh letrën.
3. fiz. I kthen drejtimin dritës, rrezes etj., e bën të ndërrojë drejtimin, e përthyen. Prizmi e thyen dritën. I thyen rrezet.
4. Kthej a këmbej një monedhë në disa njësi monetare më të vogla, shkoq; kthej paratë e huaja në para vendi; e këmbej një çek me para, e kthej çekun në të holla. Thyej qindëshen me dhjetëshe e pesëshe. Theu dollarët (eurot). E theu çekun në bankë. Ke të ma thyesh? S'kam të t'i thyej.
5. fig. Zmbraps diçka që pengon zhvillimin; shkatërroj diçka të keqe. Thyejmë konceptet e vjetra (paragjykimet, besëtytnitë). E thyen mitin e pandëshkueshmërisë. E thyem zakonin.
6. fig. Prish a shkel diçka të pranuar ose të vendosur që më parë, nuk i qëndroj besnik asaj, e ha, e mohoj (fjalën, besën etj.); shkel a cenoj diçka, nuk e zbatoj, e prish. Nuk e thyen fjalën (besën, marrëveshjen). Theu disiplinën. Theu urdhrin. Mos i thyej rregullat! Armiqtë nuk e thyejnë dot bashkimin tonë.
7. fig. E mund dikë në një luftë, në një betejë, në një ndeshje, në një lojë etj., e bëj që të dorëzohet, të jepet, të tërhiqet etj., e mposht diçka, e përballoj dhe e kapërcej me sukses diçka. E thyen ushtrinë armike (armikun, kundërshtarin). E theu mbrojtjen (sulmin). Nuk e thyen dot kryengritjen (qëndresën, luftën). Nuk e thyen vështirësitë. Nuk e theu dot as me para dikë nuk e bleu dot me para, nuk e bëri dot për vete me para. I thyen me forcë (me dredhi). E thyen shpejt (lehtë, plotësisht).
8. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). I pres dikujt forcat, e bëj të pafuqishëm, e dobësoj shumë; e rrëzoj shumë nga shëndeti, e vras shpirtërisht. Nuk e theu sëmundja (mosha, pleqëria). E theu moralisht. E theu keq. Nuk e thyen dot.
9. fig. E shuaj a e zhduk diçka; nuk e lë diçka të veprojë a të jetë ashtu si më parë; i pakësoj forcën, e dobësoj; e bëj të ulet a të bjerë; ia ul, ia zbres vlerësimin. I theu vullnetin (besimin, vrullin). Thyej urinë (gjumin).
10. fig. Arrij të tejkaloj diçka, kapërcej caqet e vendosura për një punë a të arritura më parë. Thyen parashikimet. Thyejnë normat. Theu rekordin.
11. jokal., vet. v. III, fig. Shkon, kapërcen në pjesën e fundit, i afrohet mbarimit (për ditën dhe natën). Po thyen dita (nata).
✱Sin.: copëtoj, çokis, çaj, copëzoj, kris, palos, përkul, përthyej, lakoj, kthej, këmbej, prish, shkoq, shkatërroj, shkreh, shkel, çart, cenoj, mohoj, mund, mposht, shpartalloj, gjunjëzoj, nënshtroj, lodh, zmbraps, përul, kapërcej, dobësoj, shuaj, zhduk, kaloj, tejkaloj.
♦ Theu (zuri) *arrëzën (dikush). Ia thyej *bririn (brirët) (dikujt). Më theu (më këputi) *brinjët (dikush) iron. I theu brinjët (dikujt) keq. E thyej *dorën (për diçka). Theu *dhëmbët (dikush). I theu *dhëmbët (dikujt) përçm. Theu *gërmicën (dikush) përb. krahin. Theu *hundët (dikush). I theu *hundët (dikujt) përçm. E theu *këmbën (dikush) përb. Nga theva *këmbën! I theu *kërbishten (dikujt). Theu *kokën (kryet) (dikush). Të thyen *kokën (kryet) (dikush). I thyen *krëndet. Theu kryet (*kokën) (dikush). Të thyen kryet (*kokën) (dikush). E theu në *mes (dikë). I theu *nofullat (dikujt) përçm. Nuk i kam thyer (nuk i kam ngrënë) *poganikun (dikujt a diçkaje). Theu (këputi) *qafën (zverkun) (dikush) përb. Theu (këputi) *rruazën (dikush) përb. Ia theu *samarin (dikujt) përb. Theu *turinjtë (dikush). I theu *turinjtë (dikujt) përçm. Thyej (këput) *vargonjtë. Thyej *veshin (me diçka). Ma theu *zemrën (dikush). Theu (këputi) zverkun (*qafën) (dikush) keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë