Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►DÍGJEM jovep., DÓGJA (u), DJÉGUR 1. vetv., kryes. v. III Merr zjarr, merr flakë; harxhohet e tretet në zjarr, bëhet shkrumb e hi. U dogjën drutë. U dogj shtëpia (kasollja, pylli). U dogj me benzinë. Benzina (vajguri) digjet menjëherë. U dogj krejt. Digjet mirë (shpejt, ngadalë). S’digjet fare. Kur m’u dogjën mullarët, njoha miqtë e kumbarët. (fj. u.).
2. vetv., vet. v. III Skuqet në zjarr jashtë mase, piqet më shumë sesa duhet, përcëllohet; shkrumbohet nga që lihet për një kohë të gjatë në zjarr. U dogj gjella (mishi, buka, lakrori). U dogj tigani (tenxherja) në zjarr.
3. vetv. Përcëllohem sa më bëhet plagë nga zjarri, nga rryma elektrike, nga ujët valë ose nga diçka tjetër e nxehtë; më zë vapa a të nxehtët, më djeg diçka. Iu dogj dora (këmba, gishti, gjuha). U dogj me vaj të nxehtë (me ujë të valë, me shkrepëse, me hekur). U dogj në diell iu skuq shumë lëkura sa iu bë plagë nga që ka ndenjur gjatë në diell.
4. vetv., vet. v. III Dëmtohet e humb njomështinë, fishket fare nga të nxehtët, nga vapa e madhe etj.; thahet shumë. U dogjën të lashtat. U dogj duhani. U dogj toka për ujë.
5. vetv., vet. v. III Harxhohet duke u përdorur për ngrohje, për ndriçim etj., mbaron. U dogj qiriri. Po digjet (kot) drita. U dogjën drutë, duhen blerë të tjera.
6. vetv., vet. v. III I prishet e i del jashtë përdorimit diçka që përçon rrymën elektrike etj. dhe nuk punon më. U dogj siguresa. U dogjën llambat. U dogj motori. U dogj makina larëse. U dogj radioja (televizori).
7. vetv. Kam shumë të nxehtë a zjarrmi, përvëlohem nga zjarrmia. Digjet zjarr. Digjet i tëri. I digjet koka (balli). I digjen faqet. Digjet si furrë.
8. fig., vetv. Kam dashuri të madhe për dikë a për diçka, vuaj shumë për të; kam mall të madh për dikë a për diçka; kam nevojë a dëshirë të madhe për diçka; përvëlohem. Digjej për vendlindjen (për fshatin). Digjej për djalin (për vashën). Digjej nga dashuria (nga malli). U dogj nga dëshira. U dogj për një fëmijë. U dogj për një pikë ujë. Digjeshin për një çikë tokë. Digjet për të marrë vesh.
9. fig., bised., vetv. Përjetoj diçka të rëndë që më dëmton, vuaj; e pësoj. Është djegur një herë. U dogj kot. - Do të digjesh!
10. fig., bised., vetv., vet. v. III Shkon dëm; bëhet i pavlefshëm e nuk mund të përdoret më për shkak se i ka kaluar afati etj. Iu dogjën biletat. U dogj fondi. Iu dogj diskutimi. U dogj pseudonimi. U dogj baza. Iu dogjën planet.
11. fig., bised., vetv. Humbas në një lojë, nuk mund të vijoj më lojën, dal jashtë loje; dështoj. U dogj edhe ai (në lojë).
12. pës. e DJEG.
✱Sin.: përflakem, shkrumbohem, zhuritem, ciknoset, përcëllohem, përvëlohem, piqem, zhuritem, përvëlohem, ciknoset.
♦ S’më digjen *bajgat (për dikë) mospërf. vulg. Nuk m’u dogj *barku (për dikë a për diçka) iron. Nuk i digjet *buka (dikujt). M’u dogj *buza (për dikë). M’u dogj *kraharori (për dikë) U dogj nga *kungulli e i fryn kosit (dikush). Po më digjet *mjekra. Digjem e piqem mundohem, robtohem, bëj ç’është e mundur për të arritur diçka, nuk lë gjë pa bërë; bëj çmos; çaj e ndaj; çahem e ndahem. Digjet (piqet) në *prush (dikush). Sa të digjet *qimja. U dogj nga *qulli e i fryn kosit (dikush). Digjem ndër *vete. M’u dogj *xhani. M’u dogj (m’u përvëlua) *zemra (shpirti) (për dikë a për diçka). *Mishi të piqet e helli të mos digjet. (fj. u.). Stambolli digjet e *kurva krihet përb. bised.
DJEG vep., DÓGJA, DJÉGUR kal. 1. I vë zjarrin diçkaje a e hedh në zjarr dhe e bëj shkrumb e hi, e shkatërroj, e asgjësoj a e prish në zjarr; e dëmtoj diçka me zjarr a me një send shumë të nxehtë, e përflak, e shkrumboj. Djeg drutë (barin, kashtën). I dogjën shtëpinë. Djeg me benzinë. Djeg në zjarr (në flakë). E dogji fare. I dogjën kufomat. Dogji flokët (vetullat). Dogji këmishën (fustanin, pantallonat). E dogji rrobën me hekur. Shqiptari për mikun djeg shtëpinë. (fj. u.).
2. Përcëlloj një pjesë të trupit në zjarr a në flakë; bëj një plagë në trup me zjarr, me hekur a me ujë shumë të nxehtë, me lëndë gërryese etj.; përvëloj. Dogji dorën (këmbën, gishtat, gjuhën, buzët). E dogji me acid. I dogji duart në gëlqere. Kur ka mashën, pse të djegë dorën. (fj. u.). Duhet t’i frysh lugës para se të të djegë. (fj. u.).
3. Skuq, ziej a pjek jashtë mase diçka në zjarr, sa merr një ngjyrë të errët a të zezë ose shije të hidhur (zakonisht për gjellët e lëndët ushqimore); ciknos; skuq shumë miellin, gjalpin etj. për të gatuar një gjellë. E dogji gjellën (bukën, mishin, tavën, lakrorin). Djeg vajin (gjalpin). Djeg sheqerin (miellin).
4. Harxhoj një lëndë në zjarr a në flakë për ngrohje, për ndriçim, për gatim etj.; konsumoj. Djeg dru (qymyr, vajguri). Djeg shumë benzinë (elektrik). - Mos e digj kot dritën! Cungu i moçëm, s’e lëshon zjarrin pa u djegur. (fj. u.).
5. Prish gjatë përdorimit një llambë elektrike, një mjet elektrik a një aparat, motor etj. që punon me rrymë elektrike. E dogji llambën (motorin, radion). E dogji kompjuterin e prishi rryma elektrike.
6. Dezinfektoj një plagë, një lugë etj. me një bar të caktuar a e përcëlloj me hekur të nxehtë për ta mjekuar. E dogji vendin e prerë me alkool (me jod). Më parë i digjnin plagët me hekur.
7. vet. v. III E than shumë, e dëmton aq shumë sa fishket a thahet dhe prishet. E dogji vapa duhanin. I dogji thatësira të lashtat.
8. Lëshon nxehtësi të madhe, është shumë i nxehtë, përvëlon. Djeg shumë dielli. Djeg hekuri. Të djeg gjella. Të djeg dielli i mesditës.
9. vet. v. III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Ta përcëllon a ta bën plagë lëkurën ose të jep djegësirë në gojë, në fyt, në stomak etj, (për disa bimë, disa lëndë e mjete gërryese, disa lloje ushqimesh etj.). E dogjën hithrat. Ia dogji duart acidi. Më djeg brisku. Qepa (hudhra, piperi) të djeg. E dogji rakia në grykë.
10. vet. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Kam zjarrmi ose ndiej djegësirë në trup a në një pjesë të tij. I djeg balli (fytyra, koka). I djegin duart. Më djegin sytë. Më djeg fyti (stomaku). Po i fryve tymit, do të të djegin sytë. (fj. u.).
11. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. k. a me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dh.). Më bën të brengosem e të vuaj shumë, më mundon, s'më lë të qetë; më vjen hidhur, s'më pëlqen diçka; më ngacmon, më ther. E dogji malli (dashuria, dëshira). I dogjën fjalët e mia. I dogji kritika (shakaja). I dogji ai shikim. - E di unë ku i djeg atij.
12. fig., bised. E marr më qafë dikë, e fik; e bëj të humbasë e të dalë jashtë lojës ose jashtë garës. E dogji, e përvëloi. E dogji keq. E dogjën pa të drejtë. E dogji kundërshtarin. Ia dogjën dy lojtarë.
13. edhe fig., bised. Bëj që diçka të shkojë dëm, e bëj të pavlefshëm; bëj t'i dështojë dikujt plani që kishte përgatitur. Ia dogjën biletat. E dogjën fondin. Ia dogji planet. Ia dogji diskutimin.
14. bised. Pi duhan, e ndez. E djeg ndonjëherë.
15. Nxeh shumë me zjarr e me flakë një furrë të re para se ta vë në përdorim; nxeh furrën para se të fut në të diçka që të piqet. Djeg furrën.
16. Pjek në furrë tullat; pjek në furrë gurin gëlqeror për të bërë gëlqere. Djeg tulla (tjegulla). Djeg gëlqere. Dogji pesë furra gëlqere.
✱Sin.: përflak, përflakoj, hijoj, frugulloj, shkrumboj, përdjeg, pjek, zhurit, zhuzhit, përvëloj, përcëlloj, fërgoj, cërrit, ndez, mbaroj, konsumoj.
♦ T’i djeg *barkat (dikush) libr. Dogji (përvëloi) *dheun (dikush). Djeg *etapat (dikush) libr. E dogji *hithra (dikë). I djeg *kësula (dikujt). Më djeg *lëkura. Ia dogji (ia përvëloi) *lëkurën (dikujt). I djeg *miza (në shapkë) (dikujt). Djeg e pjek (dikush) vret e pret këdo, bën dëm në masë, shkatërron çdo gjë e nuk do t’ia dijë nga askush. Ia dogjën *pleshtat (dikujt) tall. Djeg (përmbys) *shtëpinë ((për dikë). Më djegin *veshët. Edhe i *ha, edhe i djeg (dikujt) iron. bised. Ku të *dhemb e ku të djeg. Kujt i djeg (i ha) le të kruhet! ai që ka gabuar le ta kuptojë; nuk bëhem merak fare, se vetë ai ka faj dhe le ta kuptojë. As të *pjek e as të djeg (dikush). Ma dogji *xhanin (dikush). Ma dogji (ma përvëloi) *zemrën (shpirtin) (dikush). E djeg me *zjarr (diçka).
ÉTH/E,~JA f. kryes. sh. ~E, ~ET 1. Gjendje e sëmurë e trupit të njeriut me zjarrmi dhe zakonisht me të dridhura; temperaturë e lartë e trupit; ndezulli. Ethe me të dridhura. E zunë (e kapën) ethet. E dredhin ethet. E bluan (e dërrmuan) ethet. Më shtypin ethet më kanë zënë pak ethet. Ethe të rrasëta. Ethet e lindjes infeksion që shkaktohet te gruaja pas lindjes ose pas dështimit.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme sëmundjesh që zakonisht shkaktojnë zjarrmi e të dridhura. Ethe malarike. Ethet e verdha sëmundje ngjitëse që shfaqet përnjëherësh me temperaturë të lartë, dhembje koke e të shpinës, me përzierje dhe të vjella. Ethet e gushtit (e verës, e vjeshtës). Ethet e kënetës malaria. Ethe Malte bruceloza.
3. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme bimësh. Bar ethesh bot. trikë. Lule ethesh bot. trikë. Shkurrja e ethes.
4. kryes. sh., fig. Gjendje me ndjenja të forta, shqetësime të mëdha, dëshira të zjarrta etj.; frikë e madhe. Ethet krijuese. Ethet e lojës. Ethet e provimeve. Ethet e arit.
5. fig., krahin. Herpes. Më kanë dalë ethet. Kam një ethe në buzë.
✱Sin.: zjarrmi, ndezulli.
♦ Ethe behari njeri që s’të ndahet e të bën dëm të madh, njeri që të qepet e të prish punë; ethe e butë. Ethe e butë keq. njeri që të dëmton pa u dukur e pa u ndier; ethe behari; thëngjill i mbuluar; limë e butë. S’të fal as ethet e gushtit (dikush) përb. është shumë dorështrënguar, s’i del gjë nga dora; nuk të ndihmon në asnjë rast; s’të jep as barin e pezmit (e zgjebes); s’të jep as litar për t’u varur; s’të jep as gur për të çarë kokën; kund. ndan kafshatën e gojës (e fundit) (me dikë). I hynë ethet (dikujt). 1. Dridhet nga të ftohtit a nga frika; e zunë ethet (dikë); e zunë ethet e gushtit (dikë); i hynë të dridhurat; e zuri tartakuti (dikë) bised. 2. I erdhi një dëshirë e zjarrtë për të bërë diçka, për të marrë diçka etj., u ndez. I shtiu (i futi) ethet (dikujt) e trembi shumë, i futi frikën; e bëri të dridhet nga frika. E zunë ethet (dikë) u tremb shumë, i ka hyrë frika; i hynë ethet; e zunë ethet e gushtit; e zunë shtatë palë ethe; e zunë të dridhurat. Të zënçin ethet e gushtit! mallk. E zunë ethet e gushtit (dikë) u tremb shumë, i hyri frika, dridhet nga tmerri; e zunë ethet; e zunë shtatë palë ethe; i hynë ethet (dikujt); e zunë të dridhurat. E zunë shtatë palë ethe (dikë). 1. E zunë ethe të forta, me zjarrmi e të dridhura. 2. U tremb shumë, u tmerrua deri në palcë dikush, i hynë të dridhurat nga frika; e zunë ethet; e zunë ethet e gushtit.
FLAKËRÍM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Dritë e fortë në ngjyrë të flakës, që shfaqet menjëherë dhe të vret sytë. Flakërima e vetëtimës.
2. Zjarrmi; ethe. E shqetësoi flakërima gjithë natën.
3. Goditje me pëllëmbë, shuplakë. Mori një flakërimë fytyrës.
✱Sin.: flakërim, flakëritje, përflakje, përshkënditje, shndritje, shkëlqim, shkëndijë, zjarrmi, ethe, flakaresh, flakareshje, pëllëmbë, shuplakë, shpullë.
FRÚTH,~II m., mjek. Sëmundje ngjitëse që prek sidomos fëmijët, e cila shfaqet me puçrra ose me njolla të kuqe në lëkurë dhe që shoqërohet zakonisht me zjarrmi e me mahisjen e qepallave, të qiellzës e të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. E ka kaluar fruthin. Vaksina e fruthit. Fruth i zi (i keq) skarlatinë.
HARARÉT,~I m., bised. 1. Dëshirë e fortë dhe e papërmbajtur.
2. mjek. Sëmundje e lëkurës që shfaqet me shpërthimin e disa puçrrave nën lëkurë shoqërohet me kruajtje, me zjarrmi e siklet; kurtesh.
3. fig., shak. Ai që nuk zë vend ose që lëviz shumë. E zuri harareti nuk rri në një vend; nuk i durohet të rrijë në një vend.
✱Sin.: dëshirë, kurtesh, siklet.
KÓK/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT dhe ~A, ~AT 1. anat. Një ndër pjesët kryesore dhe ndër organet e sipërme më të rëndësishme të trupit të njeriut, ku ndodhen trutë, sytë, veshët etj.; krye; kryet. Koka e djalit (e vajzës). Kafka e kokës. Me kokë të qethur. Me kokë poshtë (lart). Nga koka deri te këmbët. Ngre (ul) kokën. U plagos në kokë. Më dhemb koka. Përshëndeti me kokë. I ra topit me kokë. Fluturon mbi kokat tona. Vuri kapelën në kokë.
2. Ky organ në pjesën e përparme të trupit të kafshëve, të shpendëve dhe të kandrrave; krye. Koka e lopës (e kaut). Koka e gjarprit (e fluturës). Kokë viçi. Mish (tru) koke. Paçe koke. Bleu (hëngri) një kokë keci.
3. Njësi për të numëruar njerëzit, bagëtinë etj.; gojë (që duan të hanë a të ushqehen). Rrogë e kokë. Kam njëqind kokë dhen (lopë).
4. fig. Ky organ i trupit të njeriut me trurin si vatër e intelektit dhe e aftësive mendore, si qendër e të menduarit dhe e të arsyetuarit; mendje, mendtë; krye. Njeri me kokë njeri me mend në kokë; njeri i mençur. E ka kokën plot është i ditur dhe i mençur. Ia mbushi kokën e bindi. Kështu i thotë koka kështu mendon. Ia bëri koka e ka fajin vetë. Kanë një kokë mendojnë njëlloj. S’ka kokë s’ka mend në kokë. S’ia pret koka nuk arrin ta kuptojë a ta mendojë mirë. E ka kokën bosh s’ka mend në kokë. E ka kokën shkëmb (të fortë) është kokëfortë. M’u bë koka çorbë (dhallë, bozë, përshesh, lëmsh, tym) më janë ngatërruar mendimet; jam krejt i hutuar. Nuk çan kokën nuk shqetësohet; nuk e lodh trurin a mendjen. S’di ku kam kokën (nga hallet ose telashet). I vjen koka vërdallë ka shumë punë a halle. Bën si i thotë koka bën siç mendon vetë.
5. fig. Kjo pjesë e trupit të njeriut si organi më përfaqësues i jetës; jeta e njeriut si gjëja më e çmuar; vetja; krye. Mik për (me) kokë mik që jep edhe jetën për dikë. Lë (jap) kokën për atdheun (për fëmijët) jam gati të vdes për të mbrojtur atdheun (fëmijët). La kokën në luftë u vra në luftë. Shyqyr që shpëtoi kokën shyqyr që shpëtoi gjallë (veten). Përgjigjem me kokë përgjigjem me jetën time; betohem. I bëri dëm kokës i bëri dëm vetes. Thyej kokën! (mallk.) shko në djall! Për kokën e babait (betim.). Rrit gjarprin të të hajë kokën (fj. u.) thuhet për një njeri mosmirënjohës.
6. Vendi i parë dhe më kryesor, më i nderuar dhe më i respektuar; kreu i diçkaje. Koka e krevatit (e djepit).
7. edhe fig. Fillimi i një radhe, i një vargu qeniesh a sendesh; kreu i një varg veprimesh a veprimtarish; kreu. Koka e kolonës (e rreshtit, e skuadrës). Koka e frontit të luftimit.
8. fig. Përgjegjës a drejtues i lartë dhe i respektuar në familje, në një ndërmarrje a sipërmarrje etj.; drejtuesi a udhëheqësi, kryetari i një qeverie, i një partie, i një organizate etj.; truri; kreu. Koka e një vendi (e një shteti, e një qeverie). Kryefamiljari (biznesmeni) është koka e familjes (e biznesit). Turmë (organizatë) pa kokë.
9. fig. Thelbi a problemi themelor i një çështjeje, i një kauze etj.; ana kryesore e diçkaje; objektivi, pikësynimi më i rëndësishëm. Koka e problemit (e çështjes në diskutim). Bisedë (muhabet) pa kokë bisedë e kotë, pa një pikësynim të caktuar.
10. bot. Zhardhoku a fryti i rrumbullakët i një bime, kokrra që shërben si ushqim, për rimbjellje a për riprodhim. Kokë qepe (hudhre). Kokë lakre.
11. Pjesë përbërëse kryesore e diçkaje, e ngjashme me këtë organ të njeriut, me kokrrën a me frytin e disa bimëve a pemëve. Koka e kandarit. Koka e gozhdës (e gjilpërës).
12. kryes. nj., bised. Flokët e kësaj pjese të trupit të njeriut dhe të disa kafshëve. Qetha kokën qetha flokët.
✱Sin.: krye, kryet, kaptinë, mendje, mendtë, jetë, vetja, fillimi, ballë, rradake, kungull, kaploqe, tutkë, udhëheqës, truri, zhardhok, objektiv, pikësynim, kokërr, flokët.
♦ Më avullon koka (kryet) kam shumë shqetësime e telashe sa nuk di ç’të bëj, s’di nga t’ia mbaj; më zien (më mizëron) koka. Bëhet *berber në kokën e tjetrit (e qerosit) (dikush) iron. I është bërë koka … shih i është bërë mendja … M’u bë koka *barut. M’u bë koka (mendja) *bozë. M’u bë koka (mendja) *çorbë. M’u bë koka *daulle. M’u bë koka (mendja) *dhallë. M’u bë koka *finjë. I bëhet një kokë nga këmbët (dikujt) është shumë i sëmurë, po vuan gjatë; s’ka (s’gjen) derman (dikush). M’u bë koka (mendja) *lëmsh. M’u bë koka (mendja) *llum. M’u bë koka (mendja) *përshesh. M’u bë koka (mendja) *tym. Ia bëri koka (dikujt) e ka fajin vetë, si bëri ashtu gjeti. I ka bërë kokën (kryet) (dikujt) e ka lindur; ka bërë që të vijë në këtë jetë, i ka dhënë jetën; i ka bërë rradaken bised. Bën kokë (krye) nga bishti (dikush) s’lë gjë pa bërë për t’ia arritur qëllimit, ia gjen mënyrën a mjetin, përmbys çdo gjë për të fituar. I bëj kokën (mendjen) *bozë (dikujt). Ia bëj kokën (mendjen) *çorbë (dikujt). Ma bëri kokën *daulle (dikush). Nuk i bën koka *def (dikujt). S’i bën koka *dimër (dikujt). Ma bëri kokën (mendjen) *dhallë (dikush). Më bën koka *miza. Ma bëri kokën (mendjen) *përshesh (dikush). Ma bëri kokën (mendjen) *sallatë (dikush). Ia bëri kokën *tullë (dikujt). Ia bëj kokën (mendjen) *tym (dikujt). Bën me kokë (me krye) të vet (dikush) vepron si mendon vetë, nuk pyet asnjeri, bën si di a si do vetë, nuk i merr mendim askujt. Bëj *pazar kokën (xhanin). Më ra *çatia në kokë. I ka rënë *dielli në kokë (dikujt) edhe iron. I bie kokës (në kokë). 1. (dikujt) E godet, e qorton ashtu siç duhet e aty ku duhet, nuk e kursen. 2. (diçkaje) Fillon ta harxhojë, ta shesë a ta hajë të gjithë pa kursim (për paratë, plaçkat, bagëtitë etj.). I ra mbi kokë (mbi krye) (dikujt) është ai që do ta përballojë diçka ose që do ta vuajë një hall etj.; atij i ndodhi, atë e gjeti e keqja, ai e pësoi. I ra në kokë (dikujt). 1. E trullosi, e zuri, e dehu (rakia a ndonjë pije tjetër); i ra në tru; ia mori mendjen. 2. E joshi, e magjepsi; u shastis pas dikujt a pas diçkaje, u bë si i marrë; iu ndez koka; i hipi (i kërceu) në kokë; ia plasi në kokë; ia mori mendjen; i pikon në zemër. Ku më ka rënë koka ku kam lindur. Më ra prapa kokës (diçka) më goditi rëndë, më preku shumë diçka e papritur, më trullosi. I bie kokës me grushte (dikush) pendohet rëndë për një veprim të gabuar a për një faj që ka bërë më parë, e dënon veten për atë që ka thënë a që ka bërë, shpreh pendim të thellë; i bie gjoksit me grushte; rreh gjoksin. I bie koka *erë hallvë (dikujt) keq. Më ka rënë *leshtë e kokës (me diçka). Bie *miu e thyen kokën (diku). Më ra *qielli në kokë. Më kanë rënë *qimet e kokës (me diçka). I bie *malit me kokë (me krye) (dikush). I bie *murit me kokë (me krye) (dikush). Më ra *tavani në kokë. Më ka rënë *vala në kokë. E bluan në kokë (diçka) e mendon mirë e mirë para se të vendosë për diçka, e shoshit mirë, e rreh me vetveten. Më buçet koka kam shumë kokëçarje e telashe, s’di nga t’ia mbaj; më zien (më mizëron) koka; më avullon koka (kryet). M’u ça (m’u hap) koka kam dhembje të madhe në kokë; kam zjarrmi të madhe; m’u hapën trutë. Më çau kokën (kryet) (dikush). 1. Më shqetësoi me zhurmën e vazhdueshme që bën, më shurdhoi; më çau veshët. 2. mospërf. Më mërziti shumë me fjalë, me këshilla, me qortime, me kërkesa ose duke përsëritur shpesh diçka të papëlqyeshme; më çau veshët; më çau trapin shpërf. vulg.; më çau bythën përb. vulg. Nuk çan kokën (kryet) (dikush). 1. Nuk shqetësohet fare për dikë a diçka, nuk tregon asnjë kujdes; nuk e prish qejfin; nuk e prish gjakun; nuk e vë ujin në zjarr; nuk iu dogj barku (dikujt) iron.; nuk i plasi barku (dikujt) iron.; nuk i hapet barku (dikujt) përçm.; e hedh pas (prapa) krahëve; aq i bën (dikujt). 2. shih nuk e lodh mendjen (dikush). 3. Nuk pyet fare për dikë a diçka, për ato që i thonë të tjerët, për qortimet që i bëjnë etj., s’ia ka frikën askujt dhe asgjëje; s’e çan kaptinën bised.; s’e zë meraku (dikë); nuk i bëhet vonë (dikujt); s’e bën qejfin qeder; s’do t’ia dijë (s’dëgjon) nga ajo anë. Çan *pishën me kokë (me krye) (dikush). Çoi kokën (kryet) (dikush). 1. U mëkëmb pas një sëmundjeje të rëndë; e mori veten. 2. U përmirësua ekonomikisht, është në gjendje më të mirë; e mori veten. I doli *huri në majë të kokës (dikujt). I doli koka (diçkaje) u shfaq, u zbulua, u duk; i dha shenjat. Më del *avull nga koka. Më del *flakë nga koka. Më del *tym nga koka. Më del *zjarr nga koka. S’i dëgjon koka (dikujt) nuk dëgjon të bëjë si i thotë dikush, nuk bindet e nuk pranon, është kokëfortë; nuk i mbushet koka; nuk merr vesh (dikush); s’i mban vesh (dikujt). S’di ku të futë kokën (kryet) (dikush) ka shumë halle e telashe sa nuk di ç’të bëjë më parë; është shumë i shqetësuar e s’di si të veprojë. S’di ku kam kokën (kryet) kam shumë halle e telashe sa nuk di ç’të bëj më parë; jam i hutuar e s’di si të veproj; e humba kokën. I di koka (dikujt) është i zgjuar e i shkathët, di shumë a kupton shpejt; nuk ia hedh dot; di të sigurojë gjithçka për vete; i di lëkura; i di rradakja bised. Ia di kokën (dikujt) shih (e njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë). M’u drodhën *leshrat e kokës. M’u drodhën *qimet e kokës. E do me *kobure (me revole) (kokës) (dikush). Me dy *farëza në kokë (dikush) mospërf. S’i dhemb koka (kryet) (dikujt) i ka të gjitha të mirat, nuk i mungon asgjë, nuk vuan për asgjë, nuk ka asnjë shqetësim, as që do t’ia dijë. I fërkon kokën (kryet) (dikujt) e mbron dhe e përkrah; e merr me të mirë, e përkëdhel për t’i marrë mendjen dhe për të përfituar diçka. Ia fërkoj kokën me *akull (dikujt). Të fërkon kokën e të nxjerr sytë (dikush) keq. shih ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët (dikush). Të fluturon (të ikën) koka (kryet) të pret dënimi më i rëndë, të ikën jeta, të pret vdekja; të fluturon (të ikën) kaptina bised. M’u fry koka. 1. Ndiej lodhje të madhe nga puna mendore. 2. Më duket vetja shumë i mençur, shumë i zoti a shumë i kulturuar, fryhem e kapardisem sikur çoç jam; m’u rrit mendja. Ia ftohu kokën (kryet) (dikujt) e bëri t’i shohë gjërat siç janë, e bëri të heqë dorë nga entuziazmi i kotë a nga bindja e gabuar dhe të bëhet më realist; e shtroi dikë, e bëri të bindet, të ulet e të shohë të vërtetën siç është. Fut kokën (diku) strehohem diku; fshihem diku. E fut kokën në *lak. Ia futi në kokë (në krye) (dikujt) e bindi dikë për diçka, e bëri që ta kuptojë e ta ngulë mirë në mendje diçka; ia kujtoi, ia përmendi që të mos e harrojë. Nuk më futet (nuk më hyn) në kokë (në krye) (diçka) s’e kuptoj dot a s’e mësoj dot diçka, nuk arrij ta rrok a ta kap e ta mbaj mend; nuk ma nxë koka; nuk më futet (nuk më hyn) në kaptinë bised. nuk më hyn në tru; nuk i gdhendet koka (dikujt). Nuk i gdhendet koka (dikujt). 1. S’e kupton a s’e mëson dot diçka, nuk arrin ta rrokë, ta kapë a ta mbajë mend; nuk ia nxë koka; nuk i futet (nuk i hyn) në kokë (në krye). 2. Nuk shtrohet, nuk bindet, nuk merr vesh çfarë i thonë; është kokëfortë. Me gurë në kokë (te koka). *Gjarpër me dy koka. E gjeti kokën e kandilit e pësoi rëndë siç e meritonte me sjelljen e vet të keqe, mori atë që meritonte. I ha (i kruhet) koka (dikujt) jep shkak vetë që ta qortojnë a ta rrahin, kruhet vetë, s’rri urtë; e kërkon vetë të keqen, s’rri rehat, nuk ruhet; i ha koka për brirë; i hanë brirët; i ha (i kruhet) kurrizi (shpina, rruaza); i hanë (i kruhen) hundët. Ia hëngri kokënI (kryet) (dikujt). 1. E mërziti shumë duke i kërkuar vazhdimisht diçka derisa ia arrin qëllimit. 2. E çoi drejt vdekjes; e shpuri në varr, e vdiq. Ia hëngri kokënII (kryet) (dikujt) ia mbushi mendjen a e zbuti duke e marrë me të mirë e me lajka të vazhdueshme, ia ktheu mendjen urtë e butë, e bindi dhe e bëri për vete; e bëri që t’ia plotësojë dëshirën a kërkesën, të pranojë diçka, të ndryshojë në sjellje etj.; ia hëngri zemrën (shpirtin). Hanë kokën (me njëri-tjetrin) zihen, grinden, nuk lënë gjë pa thënë kundër njëri-tjetrit; (shkojnë) si eshka me urorin (me masatin); shkojnë thikë e brisk. Kokën të hanë! mospërf. le të zihen e të vriten, as që bëhem merak për ta; vetë e pësofshin! I ha koka për brirë (dikujt) e kërkon të keqen vetë, kruhet vetë për sherr a për diçka tjetër të keqe; i ha koka; (e kërkon) si breshka gozhdën (dikush). Ma hëngri kokën (kryet) (me të mirë) (dikush) më bindi me fjalë të mira, ma ktheu mendjen me të butë për diçka që e kisha vendosur; nuk mund ta kundërshtoja më; më bëri për vete; ma hëngri zemrën. Më hapi kokën (dikush) më nxori telashe të mëdha; më mërziti shumë. E heq (e fshij) nga koka (diçka) nuk mendoj më për diçka, e harroj përfundimisht; e fshij (e shlyej) nga mendja; e fshij (e shlyej) nga kujtesa. I hipi një *avull në kokë (dikujt). I hipi (i kërceu) *gjaku në kokë (në tru) (dikujt). I hipi në (mbi) kokë (dikujt). 1. Nuk i ndahet; e vëzhgon dhe e kontrollon vazhdimisht; i rri (i qëndron) në (mbi) kokë. 2. E nënshtroi, e theu; e përuli; e vuri poshtë (dikë). I hipi (i kërceu) në kokë (në krye) u ndez menjëherë; iu mbush mendja për të bërë diçka dhe nuk heq dorë; ashtu iu tek e ashtu do të bëjë; i ra në kokë; iu ngul në kokë; i hipi (i kërceu) në tru; i shkrepi (i feksi) në tru; iu ngul në tru; i kërceu delli (i ballit). Më ka hipur në *majë të kokës (dikush a diçka). S’më hiqet nga koka. 1. (dikush a diçka) shih s’më hiqet nga mendja (dikush a diçka). 2. (diçka) Nuk më shkulet një bindje a një mendim i caktuar, e mbaj përgjithnjë ashtu si e di a si e besoj; m’u bë mendja havale. E humba kokën u hutova krejt, nuk e di ku jam e ç’po bëj; u trullosa, s’jam i kthjellët në të menduar; s’di ku kam kokën. Humbi kokën e pyet për flokët (dikush) shih humbi qetë e pyet për brirët (dikush). Humbi *mendtë e kokës (dikush). I hyri në kokë (në krye) (dikujt). 1. (diçka) E kuptoi dhe e përvetësoi, e kapi, e rroku, e mësoi; i hyri në kaptinë bised.; i hyri në tru. 2. (për diçka) shih i hipi (i kërceu) në kokë (në krye) (dikujt). Më kanë hyrë *miza në kokë. I iku (i shkoi) koka (kryet) (dikujt) e vranë, i morën jetën; vdiq; i iku (i shkoi) kaptina bised. Më ikën *trutë e kokës. Është *fushë nga koka (nga mendja, nga mendtë) (dikush). Është *fyell nga koka (nga mendja, nga mendtë) (dikush) mospërf. Është kokë (krye) më vete dikush që bën siç mendon vetë, ai që mendon e vepron ndryshe nga të tjerët; njeri i veçantë e disi i çuditshëm; ai që vepron sipas kokës së vet, që s’do t’ia dijë për askënd; kokëkrisur; është kaptinë më vete bised.; bën fshat më vete (dikush). (Është) *mizë pa kokë (pa krye) (dikush). Është *poç nga koka (nga mendja) (dikush). Është *qyp nga koka (nga mendja) (dikush). S’është *tamam (nga koka) (dikush). Jap kokën (për dikë a për diçka). 1. E dua shumë; jap edhe jetën për dikë; lë kokën. 2. shih pres kokën (kryet) (për diçka). S’të jep as *gur për të çarë kokën (dikush). I jep krahun e të merr (të rrëmben) kokën (dikush). S’të jep një *morr të kruash kokën (dikush) përçm. S’kam *çati mbi kokë. S’ka kokë (dikush). 1. shih s’ka tru (dikush). 2. (për dikë a për diçka) Nuk e vlen, nuk e meriton dikë a diçka, s’është aq i mirë për të. 3. (diçka) E ka humbur forcën, s’është më i fortë; nuk mban dot gjatë, ka kaluar e nuk mund të kthehet më (zakonisht për reshjet, për motin etj.). Një kokë kanë mendojnë e veprojnë njësoj, njësoj (zakonisht për të keq). Me sa ka në kokë (në krye) me sa fuqi që ka, me gjithë forcën e zërit; sa i ha zëri; sa i ha fyti; sa i ha gurmazi; sa i hanë mushkëritë; në kupë të qiellit. E ka kokën me *ashkla (dikush) përçm. E ka kokën (kryet) *bosh (dikush). E ka kokën *cangë (dikush) krahin. E ka kokën *të cekët (dikush). E ka kokën me *cepa (dikush). E kam kokën (mendjen) *çorbë. E kam kokën *daulle. E kam kokën (mendjen) *dhallë. E ka kokën *të fortë. E ka kokën *fushë (dikush). E ka kokën *gdhe (dikush). E kam kokën në *gërshërë. E ka kokën me *gunga (me xhunga) (dikush). E ka kokën *gur (dikush). S’ka as kokë e as këmbë (diçka) është pa trajtë, s’ka as fillim e as mbarim; është rrëmujë a lëmsh e nuk di nga ta kapësh (një punë). Ka kokën nga këmbët (dikush) tall. është shumë i prapë (zakonisht për një fëmijë); s’lë dy gurë bashkë; s’i rri bytha në një vend (dikujt). E ka kokën *kërcu (dikush). E kam (e mbaj) mbi kokë (në krye) e sipër (dikë) e çmoj shumë, e nderoj aq shumë sa mbi të s’vë njeri tjetër. E ka kokën *mushkë (si të mushkës) (dikush). E ka kokën (kryet) *plot (dikush). E ka kokën në *prush (dikush). E kam kokën (mendjen) *rrëmujë. E ka kokën *shkëmb (dikush). E kam kokën mbi *shpatulla. E ka kokën *shpellë (dikush). E ka kokën *tullë (dikush). E ka kokën *vare (dikush). Nuk e ka kokën (mendjen) në *vend (dikush). E ka kokën në vend *të lig (dikush) keq. E ka kokën me xhunga (me *gunga) (dikush). E kam kokën *zjarr. Ka *lakra në kokë (dikush). E kam *të lidhur në kokë (diçka). Nuk i ka mendtë në kokë (në krye) (dikush) nuk di se ç’bën, sillet a vepron si i marrë, nuk punon me mend; nuk është në rregull nga trutë; i ka mendtë në majë të thanës; i kanë dalë mendtë mbi bishtaleca (dikujt). E ka mendjen (i ka mendtë) në kokë (dikush). 1. Është në gjendje të arsyetojë vetë, gjykon vetë; është i mençur, nuk është budalla; kund. e ka mendjen (i ka mendtë) prapa kokës. 2. Është i përmbajtur, nuk flet a nuk vepron pa i matur e pa i peshuar mirë gjërat; e zotëron dhe e kontrollon veten; nuk është i rrëmbyer. E ka mendjen (i ka mendtë) prapa kokës (dikush) nuk është në gjendje të gjykojë drejt, bën punë a veprime të pamenduara mirë, është i rrëmbyer; nuk është i zgjuar e i matur, sillet si i marrë; e ka mendjen (i ka mendtë) pas qafe; e ka mendjen (i ka mendtë) pas shpine; kund. e ka mendjen (i ka mendtë) në kokë. Kam *miza në kokë. Ka *mjegull në kokë (dikush). S’kam ku të përplas (të përpjek) kokën (kryet) s’kam ku të ankohem ose të kërkoj ndonjë këshillë, jam pa mbështetje e pa përkrahje, s’kam kujt t’i drejtohem për ndihmë a t’i qahem. Ka *sy edhe prapa kokës (dikush). S’ka *tru në kokë (dikush). *Këmbë e kokë (e krye). Më këndojnë dyzet *gjela (mbi kokë). Ia këputi kokën (kryet). 1. (dikujt) E vrau dikë, e mbyti; e zhduku pa mëshirë; e dëmtoi shumë rëndë; ia shtypi kokën; ia përdrodhi kokën. 2. (diçkaje) E ndaloi prerazi diçka, nuk e la më të vijojë, të zhvillohet, të bëhet etj., ia ndërpreu rreptë zhvillimin a përparimin; e shtypi; i vuri kapak (kapakun). Më kërcyen *trutë në kokë. (Kërkon) *qimet e kokës (dikush). Koka bën e koka pëson e pëson vetë ai që gabon a që ka faj, po veprove a po u solle keq, mbi ty do të bien pasojat; kush e bën një të keqe, e pëson vetë. Pa kokë (pa krye) e pa bisht jo me formë të caktuar, i çrregullt; që s’di ku fillon e ku mbaron, që s’merret vesh si është e ku ta kapësh, jo i plotë e jo sistemor. Sipas kokës i vënë festen (dikujt) aq sa vlen ose ashtu si sillet, atë vlerësim i japin; nuk ka pse ankohet e mirë t’i bëhet nga pasojat e hidhura të veprimeve të veta të gabuara; si e kërkon e gjen; sipas brumit edhe tharmin; ashtu i do mushka drutë; ajo baltë për atë mur është; ia presin gëzofin. Kokë e këmbë. 1. Me të gjithë trupin, që nga koka e deri te këmbët, i tëri; këmbë e kokë (e krye); nga koka deri te këmbët. 2. Krejt, plotësisht, tërësisht; fund e krye; ballë e fund; ballë e kurriz (e shpinë); me bar e me gjethe. Nga koka deri te këmbët i tëri, i gjithi; kokë e këmbë; fund e krye; deri në palcë të qafës. Kokën (kryet) këtu e këmbët atje (dikush) mezi pret të niset që këtej e të vejë diku, me trup është këtu, por mendon gjithnjë të ikë sa më parë gjetkë, nuk e mbledh mendjen të qëndrojë atje ku punon; me mendje të ngritur. Kokë më kokë. 1. Të gjithë një për një; me radhë, secilit, pa lënë asnjë. 2. Fare afër, ngjitur njëri pranë tjetrit; krye më krye. 3. Fshehurazi nga të tjerët, në mënyrë të fshehtë; vetëm për vetëm. Me kokën (me kryet) lart. 1. Krenar; me ballë (me ballin) lart. 2. I papërkulur, i panënshtruar; pa u përkulur; kund. me kokën (me kryet) poshtë. Kokë e madhe njeri i shquar, mendimtar i madh a personalitet i njohur, njeri shumë i zgjuar e i ditur; mendje e ndritur. Me kokë të nxehtë shumë i zemëruar, gjaknxehtë; me inat të madh; me gjak të nxehtë. Me kokë poshtë jo ashtu siç është, tjetër për tjetër, përmbys, shtrembër. Me kokën (me kryen) poshtë. 1. Pa nder, i turpëruar, kokulur. 2. I nënshtruar, i përulur; kund. me kokën lart. Me kokë të prerë si i vrarë, shumë i mërzitur e i dëshpëruar; fare i pafuqishëm (nga një e keqe që e ka gjetur dikë a nga një goditje e rëndë që i është dhënë). Me kokë në prush shih me kokë (me krye) në torbë (në thes, në trastë). Kokë qepe mospërf. dikush që nuk vlen fare e që mund të bëjnë ç’të duan me të, që s’i dhimbset askujt, që nuk e çmojnë e nuk e kursejnë. Në kokën tënde! ur. në dasmën tënde!; në gëzime edhe tek ti!; në krye tënd! Me kokë (me krye) në torbë (në thes, në trastë) në rrezik të madh, pa e ditur s’e ç’e keqe më pret, me rrezik jete pranë; me qefin nën sqetull (në kokë); me kokë në prush. Kokë turku libr. mospërf. njeri që bëhet viktimë për dikë tjetër pa pasur faj, për të krijuar përshtypjen se u dënua fajtori i vërtetë; dashi i kurbanit. Me kokë (me krye) ulur kokulur. Ia kripi kokën (dikujt). 1. përb. E vrau; e zhduku nga faqja e dheut. 2. Ia zuri shumë shtrenjtë diçka, i mori shumë para për diçka; ia lau kokën; ia mati kokën me pe. I krisi koka (dikujt) u çmend; u bë kokëkrisur; i krisi mendja; u prish nga mendtë (mendsh) (dikush). Kruan kokën (dikush). 1. Rri e mendohet, përqendrohet që të kujtojë a të kuptojë diçka; është në mëdyshje; s’di si të bëjë, si të përgjigjet a ç’anë të mbajë; kruan veshin. 2. S’ka ç’të bëjë gjë tjetër kur ka mbetur ngushtë a gjendet keq, rri e pret ç’do të ndodhë, ka humbur çdo mundësi. Të kruan kokën e të nxjerr trutë (dikush) keq. shih të fërkon kokën e të nxjerr sytë (dikush) keq. E kthen kokën (kryet) nga lëviz qafa (dikush) bën veprime të pakontrolluara, nuk është i vetëdijshëm për atë që bën; vepron me komandën e tjetërkujt, bën si t’i thotë dikush. E kthen me kokë poshtë (diçka) e paraqet ndryshe nga ç’është ose në të kundërtën e saj; e shtrembëron të vërtetën; e përmbys. Kthej kokën (kryet) prapa shoh të kaluarën time, gjykoj e vlerësoj si jam sjellë e si kam vepruar më parë; nxjerr përfitim nga përvoja ime. Ia lau kokën (kryet) (dikujt). 1. E qortoi rëndë dikë për gabimin që ka bërë; i dha dënimin e merituar. 2. I mori gjithçka, s’i la asgjë, e rropi mirë e mirë; ia kripi kokën; ia mati kokën me pe. *Leshtë e kokës. Lë kokën (kryet) (për dikë a për diçka). 1. E dua shumë, e vlerësoj aq shumë sa jam gati të bëj çmos për të; jap kokën. 2. Jap jetën për dikë, vdes për të; sakrifikohem për të. 3. keq. Vdes; vritem; lë rrashtën; lë kaptinën bised.; lë lëkurën; lë kockat; lë rruazën. Sa të lësh kokën është aq bukur, aq mirë etj. diku, sa nuk të vjen të largohesh që andej; do me çdo kusht të rrish aty. Lë *leshtë e kokës (për diçka). S’la *lesh në kokë (dikush). La *mendtë e kokës (dikush). S’i lë *mend në kokë (dikujt). Më lëshon koka *miza. Më lëshon (më nxjerr) koka *tym. S’e lodh kokën (kryet) (për diçka) shih s’e lodh mendjen (për diçka). Më luajti *çaçka e kokës. Më luajti *kafka e kokës. Më luajti *kapaku (tabani) i kokës. (Po) më luan *mendja e kokës. Më luajti *tepja e kokës. Më luajti *tepeleku i kokës. T’i marrësh (t’i rrëmbesh) kokën (kryet) (dikujt) është shumë i bukur, ka bukuri magjepsëse; t’i presësh (t’i këputësh) kokën (kryet); për ta pirë në kupë (dikë); të merr më qafë (dikush). I ka marrë koka (mendja) *erë (dikujt). Nuk i merr vesh (nuk i dëgjon) koka (dikujt) është i pabindur, s’do që të kuptojë a të dëgjojë, është kokëfortë. Ia mati kokën me pe (dikujt) i mori një çmim të lartë për diçka, e bëri që ta paguajë shtrenjtë; asnjë lëshim nuk i bëri; ia kripi kokën; ia lau kokën. E mban kokën lart (*përpjetë) (dikush). E mban kokën *mënjanë (dikush). E mban kokën *poshtë (dikush). E mbaj kokën *prapa. (Sikur) mban *qiellin mbi kokë (dikush) tall. Mbeti pa *mend në kokë (dikush). Më mbiu në kokë (në krye) (diçka) shih më mbiu në mendje (diçka). Ia mbush kokën (dikujt) e bëj të më kuptojë e të më dëgjojë për diçka, flas shumë dhe e bind; ia mbush mendjen. Ia mbushi kokën me *ashkla (dikujt). Nuk i mbushet koka (kryet) (dikujt) nuk do të kuptojë a të dëgjojë; nuk bindet, është kokëfortë; nuk i mbushet mendja; nuk i mbushet kungulli bised.; s’i dëgjon koka. Me *mend në kokë. Për *mendtë e kokës (e kresë). *Mik për kokë. Si *miza pa kokë (pa krye). Iu ndez koka (dikujt). 1. I hipi për diçka, do që ta ketë patjetër, iu ngulit e do ta bëjë; i ra në kokë. 2. U inatos keq, u nxeh shumë, u tërbua; i hipi (i kërceu) në kokë. *Nepërkë me dy koka keq. Ngre *këmbët e i bie kokës (dikush). Ngre kokë (krye). 1. E marr veten, dal nga një gjendje e vështirë a e rëndë. 2. shih ngre krye (kokë). 3. shih nxjerr kokë (diçka). E ngriti kokën (dikush) mori guxim e nuk nënshtrohet më, është bërë krenar; tregon krenari; e ngriti qafën; kund. e uli kokën. Ngrihen *këmbët e i bien kokës. M’u ngritën *leshrat e kokës. E ngul (e ngulit) në kokë (diçka) shih e ngul (e ngulit) në mendje (diçka). Iu ngul (iu ngulit) në kokë (dikujt). 1. shih iu ngul (iu ngulit) në mendje (dikujt). 2. Ka diçka në mendje që nuk i hiqet, i është fiksuar; i hipi (i kërceu) në kokë; iu bë mendja havale. Nuk më nxë koka. 1. Nuk e marr dot me mend, nuk arrij ta kuptoj a ta pranoj si të arsyeshme diçka; s’ma nxë mendja; s’ma nxë kaptina bised.; s’ma nxë rradakja bised. 2. shih nuk më futet (nuk më hyn) në kokë (në krye) (diçka). Nxjerr kokë (*krye) (dikush a diçka). E nxori (e qiti) kokën (kryet) u zbulua, e tregoi veten se kush është e ç’qëllime ka; filloi a rifilloi të veprojë. E ka nxjerrë kokën *së prapi (dikush). Më nxori *trutë e kokës (dikush). Nxjerr *tym nga koka. *Okë e kokë. E pagoi (e lau) me kokë (dikush) e pësoi shumë rëndë për një veprim që ka bërë, humbi edhe jetën; i kushtoi shumë rëndë për një veprim. Ia përdrodhi kokën (kryet) (dikujt) përb. e vrau, e zhduku pa mëshirë; e dënoi shumë rëndë, sa nuk mund të bëjë më gjë; ia këputi kokën (kryet); ia përdrodhi qafën. Përpjek (përplas) kokën (kryet). 1. Bëj ç’është e mundur vetë për të arritur diçka, pa ndihmën e të tjerëve; mundohem me sa kam fuqi, mundohem për t’ia dalë vetë. 2. (te dikush) Vete e kërkoj ndihmë a mbështetje te dikush kur kam një hall. I pjell koka (dikujt) shih i pjell mendja (dikujt). Më plasi koka shih më dolën trutë. Ia plasi në kokë (dikujt). 1. Iu tek papritur për diçka; i hipi (i kërceu) në kokë; i shkrepi në kokë. 2. E gjeti papritur një e keqe; i ra në kokë. Pres kokën (kryet) (për diçka) jam plotësisht i sigurt, e them me bindje të plotë, të siguroj për jetën time që kështu është; pres qafën; jap kokën kryet; e vë kokën në kandar2; e vë kokën në satër; vë dorën (duart) në zjarr (në prush); shpohem në hundë. T’i presësh (t’i këputësh) kokën (kryet) (dikujt) është shumë i bukur e i mirë, sa s’bëhet (kryesisht për vajzat); t’i marrësh (t’i rrëmbesh) kokën (kryet); (është) për ta pirë në kupë (dikush); të merr në qafë (dikush). (Sikur) i ka prerë kokën (kryet) (dikujt) i ka ngjarë krejtësisht, është gjallë ai; (sikur) e ka nxjerrë nga hunda (për hundësh) (dikush). S’ia pret koka (dikujt) nuk kupton shumë, nuk e kap vetë diçka; nuk është i zgjuar; s’i hyn në kokë; s’ia pret (s’ia kap, s’ia rrok) mendja. M’u pre koka humba shpresat dhe u pajtova me gjendjen, duke hequr dorë nga diçka që e doja a që e kërkoja. I punon koka (dikujt) është i zgjuar, ka aftësi mendore; ka fantazi; i pjell koka; i punon mendja; i punon truri. Qafsh kokën tënde! mallk. 1. Vdeksh! 2. përk. Përdoret kur i lutemi dikujt me të cilin kemi afri dhe duam të na e plotësojë dëshirën. Qan me *thes në kokë (dikush). Me *qefin në kokë (nën sqetull). *Qimet e kokës. Nuk i qullet koka (dikujt) iron. shih është kokë (krye) më vete (dikush). Më rrahin shumë *çekanë në kokë. I rri *çekan mbi kokë (dikujt). I rri (i qëndroj) në (mbi) kokë (mbi krye) (dikujt a diçkaje) nuk i ndahem dikujt a diçkaje, kujdesem ditë e natë për dikë ose për një punë a për një detyrë që më kanë ngarkuar; i qëndroj afër, e mbikëqyr vazhdimisht, nuk i ndahem; i rri çekan mbi kokë (dikujt); i rri si vaji mbi uthull (diçkaje); i hipi në (mbi) kokë (dikujt); i rri përsipër; Më solli *diellin mbi kokë (dikush). E solli (e pruri) kokën (kryet) (dikush) mospërf. erdhi (për dikë që nuk e duam), më mirë të mos kishte ardhur; kund. theu (këputi) qafën. I shkrepi në kokë (diçka) shih i shkrepi në mendje (diçka). Ia shkuli nga koka (diçka) shih ia shkuli nga mendja (diçka). Na shkuli *mendjen e kokës (dikush). Ia shpëlau kokën (dikujt) ia hoqi nga koka disa mendime a pikëpamje të gabuara që kishte; ia kulloi mendjen; ia shpëlau trutë. Shpëtoi kokën (kryet) (dikush) nuk u vra; humbi gjithçka, por mbeti gjallë; jeton; shpëtoi lëkurën keq. Shtrëngoj kokën me duar jam në hall të madhe e s’di ç’ të bëj; mendohem shumë; vras mendjen; shtrydh trutë. Ia shtypi kokën (dikujt) e shkatërroi krejt, e asgjësoi pa mëshirë, e zhduku përfundimisht; e vrau me egërsi. T’i shtypësh *hudhra në kokë (dikujt). I shtyp *kripë në kokë (dikujt). I është trashur koka (dikujt) shih i është trashur mendja (dikujt). *I trashë nga koka (nga trutë, nga mendja). E thava kokën (për diçka) e vendosa një herë e mirë për diçka, jam i bindur e nuk kam më lëkundje; e bëra mendjen top; e bëra mendjen okë; i dhashë karar. Me *thes në kokë. I theu *arra në kokë (dikujt). Theu kokën (kryet) (dikush). 1. Ra e u vra keq; u dërrmua; theu (këputi) qafën. 2. Jo vetëm nuk ia arriti qëllimit, por edhe e pësoi keq nga përpjekjet që bëri. Të thyen kokën (kryet) (dikush) është shumë i pasur; ka shumë para. E uli kokën (kryet) (dikush). 1. U nënshtrua, u përul; u bind, u shtrua, nuk kundërshton më; e uli (e shtroi) qafën; kund. e ngriti kokën. 2. U turpërua; e ndien veten ngushtë. 3. Hoqi dorë nga mendjemadhësia a nga krenaria e kotë; vari kokën; i ranë pendët (dikujt); i janë varur mustaqet (dikujt). 4. U shtrua mirë për të punuar, nisi të punojë pa fjalë, me ngulm e pa nxjerrë kërkesa të tjera. *Ulërimë me thes në kokë. I varen *re të zeza (mbi kokë) (dikujt a diçkaje). Vajti për *balluke e la kokën (rrashtën) (dikush) iron. (Është) për të vënë duart në kokë shih (është) për të qarë me (dyzet palë) lot. Vari kokën (kryet) (dikush). 1. U mërzit a u zemërua, ndenji me kokën varur. 2. Hoqi dorë nga mendjemadhësia a nga krenaria e kotë; u pajtua me dikë a me diçka; uli kokën; i ranë pendët (dikujt). I vajti koka (kryet) (dikujt) u vra, vdiq; mbaroi. Vë duart në kokë (në krye) habitem a shqetësohem shumë për një gjendje të keqe, për një rrëmujë, për diçka të prishur etj.; zë kokën me dorë; vë kujën. Për të vënë duart në kokë në gjendje shumë të keqe, të çuditshme e të padurueshme, që të frikëson a të dëshpëron shumë; në gjendje të vajtueshme, që të trishton kur e sheh; për të qarë me lot. I vuri *gishtin kokës (dikush). I vë kokë (muhabetit etj.) e përmbyll duke thënë fjalën e fundit, duke nxjerrë një përfundim, duke shprehur qëndrimin për ç’ka flasim etj. E vuri (e futi) kokën në *gërshërë (dikush). E vë kokën në *kandar. E vë kokën në *satër. E vuri kokën në *trastë (në torbë) (dikush). I vë *perin kokës. I vuri *rreth (një rreth) kokës (dikush). Më erdhi në kokë (në krye) (diçka) nisa të mendoj për diçka; u kujtova; më erdhi (më vajti) në mendje; më erdhi (më shkoi) ndër mend. Më vjen (më sillet) koka *rrotull (përqark). I erdhi mendja në *vend (dikujt). Më vjen (më sillet) mendja (koka) *vërdallë. Vras kokën (për diçka) shih vras mendjen (për diçka). Vuan për *mendtë e kokës (dikush). Vuan për (nga) *trutë e kokës (dikush). I zuri çarku kokën (dikujt) ka rënë në gjendje të vështirë e pa rrugëdalje; është në hall të madh, është shumë ngushtë, e ka punën keq; i zuri rrota (qerrja) bishtin. Më zuri koka u lodha a u mërzita shumë nga zhurmat, nga fjalët ose nga kërkesat e dikujt, nga diçka shqetësuese a diçka që nuk e dua etj., më dhemb koka nga ato, nuk duroj dot më. Ia ka zënë kokën me *derë (dikujt). Zë kokën (kryen) me dorë habitem e zemërohem nga diçka e padrejtë ose e rreme; çuditem shumë, se më duket krejt e papritur a e pangjarë; vë duart në kokë; (është) për të vënë duar në kokë. I zë koka në *tavan (dikujt). Më zien (më mizëron koka) kam shumë punë, shqetësime, halle etj. e s’di nga t’ia mbaj; më buçet koka; më del tym nga koka; më del zjarr nga koka; e kam kokën zjarr; më del avull nga koka; më avullon koka (kryet); më bën koka miza; më ziejnë trutë; më zien mendja; më ka rënë vala në kokë; më rrahin (shumë) çekanë në kokë; jam në tym; më këndojnë bilbilat; më digjet rrogozi nën vete.
MURTÁJ/Ë,~A f., mjek. 1. Sëmundje ngjitëse shumë e rëndë, që shkaktohet nga një virus i posaçëm, përhapet shumë shpejt, shfaqet me zjarrmi e dobësi të madhe, me dhembje të forta në kokë, në qafë etj. dhe sjell vdekjen. Ra murtaja. Vdiq nga murtaja. I rëntë murtaja! (mallk.) E ngrëntë (e fshiftë) murtaja! (mallk.)
2. Sëmundje ngjitëse shumë e rrezikshme, që prek disa shpendë e kafshë, sidomos pulat, pëllumbat, derrat, bletët e larvat e tyre dhe që zakonisht shkakton ngordhjen e tyre; kolera e bletëve. Murtaja e pulave. Murtaja e gjedhit. Murtaja e derrit. Murtaja e bletëve. U ra murtaja. Ngordhën nga murtaja. I fshiu (i përlau) murtaja.
3. fig. Fatkeqësi e madhe, e keqe e madhe, mynxyrë. Nga u shfaq kjo murtajë?
♦ I ra murtaja (diçkaje) u zhduk, nuk e gjen më asgjëkund; i ra flaka; i ra flama. Të rëntë (të ngrëntë) murtaja! mallk. vdeksh!; të preftë (të fshiftë) murtaja!; të marrtë (të ngrëntë) mortja! I kalli (i futi) murtajën (dikujt a diçkaje) bised. e braktisi a e la fare pas dore, nuk do që të merret më me të, nuk përkujdeset fare për të; i kalli bretkun; i kalli djallin. Të preftë (të fshiftë) murtaja! mallk. vdeksh!; të rëntë (të ngrëntë) murtaja!; të preftë (të shpëlaftë) mortja!
NDÉZJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur ndez ose kur ndizem; kund. shuarje, fikje. Ndezja e zjarrit. Ndezja e minave. Ndezja e motorit. Ndezja e urrejtjes. Fitili i ndezjes. Ndezja e zjarrit nuk fillon nga trungu. (fj. u.).
2. bised. Ethe të forta, zjarrmi. Kishte ndezje fëmija.
✱Sin.: çelje, shkrepje, tymosje, hapje, lëshim, gjallërim, nxitje, ngacmim, goditje, shkrehje, djegie, kallje, skuqje, zemërim, përndezje, inat, ngridhje, zjarrmi, zjarr, teri, ethe.
NXÉHTË,~T (të) as. 1. Gjendje e ajrit a e klimës me temperaturë të lartë, nxehtësi, vapë; mjedis që të mban nxehtë a që të bën ta ndiesh veten të nxehtë. Të nxehtë i madh. Kam të nxehtë ndiej nxehtësi. E duron të nxehtët. I kullojnë djersët nga të nxehtët. Bimë që nuk duan të nxehtë. Të nxehtët e verës e than përroin.
2. Temperaturë e lartë që i krijohet njeriut nga një sëmundje, zjarrmi. Ka shumë të nxehtë. Nuk po i bie të nxehtët.
3. Gjendje gjaknxehtësie si pasojë e një ngjarjeje të rëndë a një konflikti që ka ndodhur. Të nxehtët e gjakut. Në të nxehtë e sipër.
✱Sin.: vapë, zjarrmi, nxehtim.
NXEHTËSÍ,~A f. 1. Afsh i nxehtë që vjen nga një send; gjendja e nxehtë e një sendi, të qenët i nxehtë; kund. ftohtësi. Nxehtësia e ajrit. Nxehtësia e zjarrit (e diellit). Nxehtësia e ballit (e trupit) nga ethet. Lëshon (jep) nxehtësi. E mban nxehtësinë. Shkrihet nga nxehtësia.
2. Ndjenja që kemi, kur na nxehet trupi; të nxehtë. Kam nxehtësi, digjem.
3. fiz. Formë e lëvizjes së materies, energjia që del nga lëvizja e grimcave të trupave dhe që shfaqet si temperaturë e tyre. Nxehtësia diellore. Nxehtësi e rrezatuar. Nxehtësia specifike. fiz. nxehtësia që nevojitet për të ngritur një gradë më lart temperaturën e një grami të një lënde. Burim nxehtësie. Përcjellës i mirë i nxehtësisë.
4. bised. Gjendje shpirtërore e nderë; gjaknxehtësi. Në nxehtësi e sipër. Bisedime me nxehtësi.
✱Sin.: afsh, ngrohtësi, të nxehtë, vapë, zjarr, zjarrmi, ethe, gjaknxehtësi, temperaturë.
PLÁSJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur plas ose kur plaset diçka. Plasja e murit. Plasja e minave (e granatave). Plasja e lëkurës. Plasja e luftës (e kryengritjes).
2. Forca shkatërruese dhe zhurma e një lënde plasëse, e një bombe etj. kur shpërthen; shkatërrimi i diçkaje me anë të ndonjë lënde të veçantë plasëse; shpërthim. Plasje shurdhuese. Plasje bërthamore. U dëgjuan ca plasje. Bombë me plasje të ngadalshme (të vonuar) (usht.).
3. E çarë e vogël në diçka, plasë. Plasje kocke. Ka një plasje.
4. veter., mjek. Sëmundje e rëndë ngjitëse, që zë kafshët shtëpiake (sidomos barngrënëset) e njerëzit, që shkaktohet nga një bacil dhe shfaqet zakonisht me një puçërr të zezë me qelb, me shumë zjarrmi, me shkumë nga goja e me skuqje të cipave të syve; dala e gjësë. Plasja e bagëtive. Vaksina kundër plasjes. Plasja e preftë! (mallk.) I rëntë plasja! (mallk.).
✱Sin.: pëlcitje, shpërthim, plasë, plasaritje, e padukur, mishëz, shpretkë, erëkeqe, gjëmim, ashpërsim, krisje, e krisur, çarje, e çarë.
♦ Ç’i këllet plasjen! bised. shih ç’i këllet flamën! bised. Më vjen plasje (për diçka) më vjen shumë inat që ka ndodhur ose që s’ka ndodhur diçka, s’duroj dot e po pëlcas nga inati; më vjen të pëlcas.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë