Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PATÍNGULLT (i, e) mb., gjuh. I zhurmët; kund. i tingullt. Bashkëtingëllore të tingullta dhe të patingullta.
SHURDHÚES,~E mb. 1. Shumë i lartë, shumë i fortë, që të shurdhon (për zëra e zhurma). Zë (gjëmim) shurdhues. Zhurmë (shungullimë, krismë) shurdhuese. Klithma (ulërima) shurdhuese.
2. fig. Që të merr mendjen, që të huton e të shushat, që bëhet me bujë e me zhurmë të madhe. Propagandë shurdhuese. Deklarata shurdhuese.
✱Sin.: shushatës, marramendës, gumëzhitës, i zhurmshëm, i zhurmët, piskatës, çjerrës.
TÍNGU/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JT 1. Zë i hollë e i kumbueshëm, që përftohet nga dridhja e valëve të ajrit a e një mjedisi tjetër kur godasim diçka (një send prej metali, prej xhami etj.); ndjesi dëgjimore e krijuar nga një valë akustike; ajo që dëgjojmë. Tingull i dobët (i lehtë, i fortë). Tingulli i ziles (i kambanës, i këmborës). Lëshon (nxjerr) tinguj. Dëgjohen tinguj.
2. muz. Zë që nxjerr një vegël muzikore; vëllimi, intensiteti i zërit të një pajisjeje. Tingull muzikor. Tingull i ëmbël. Tinguj të gëzueshëm. Tingujt e violinës (e kitarës, e fizarmonikës). Nën tingujt e orkestrës. Dëgjohen tingujt e pianos.
3. gjuh. Zë me një shqiptim të shkoqur, që prodhohet me anë të lëvizjeve të organeve të të folurit; njësia më e thjeshtë e të folurit. Tingujt e gjuhës shqipe. Tingull zanor (bashkëtingëllor). Tingull hundor. Tingull i zhurmët. Tingull i zëshëm (i pazëshëm). Tingull shushuritës. Tinguj fonetikë. Tingujt e të folurit. Tingull grykor-qiellzor. Shqiptoj qartë tingujt i nyjëtoj. Bashkimi i tingujve. Rënia e tingujve.
4. fig. Shprehje e përmbajtjes së diçkaje, tingëllim. Ka një tingull të ri.
✱Sin.: zë, tingëllim.
ZHÚRMSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që bën zhurmë kur lëviz, kur punon ose kur kalon diçka nëpër të; kund. i qetë. Lumë (përrua, det) i zhurmshëm. Tren (aeroplan) i zhurmshëm. Gjithë lagjja atëherë ishte e zhurmshme.
2. Që flet me zë të lartë; që bën shumë zhurmë e rrëmujë, zhurmëmadh. Turmë e zhurmshme. Nxënës (fëmijë) të zhurmshëm. - Më të zhurmshëm si ai nuk gjen. - Mos më merr për ndonjë njeri të zhurmshëm e poterexhi?
3. Që bëhet me shumë zhurmë; që shoqërohet me zhurma; që nuk ka tingëllim të rregullt e të qartë. Muzikë e zhurmshme. Lodra të zhurmshme. Mbledhje e zhurmshme. Frymëmarrje e zhurmshme.
4. Që ka shumë zhurmë e rrëmujë; që është plot gjallëri nga lëvizjet e njerëzve, të makinave etj.; që gumëzhin, zhurmëmadh. Qytet i zhurmshëm. Rrugë e zhurmshme. Jetë e zhurmshme. Panair i zhurmshëm. Ditë të zhurmshme.
5. keq. Që bëhet qëllimisht me zhurmë e bujë për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, zhurmëmadh. Deklarata (bisedime) të zhurmshme. Takim i zhurmshëm. Fushatë e zhurmshme.
6. Që bën bujë, i bujshëm. Fitore e zhurmshme.
✱Sin.: i zhurmët, i paqetë, i potershëm, zhurmues, gumzhitës, shurdhues, zhurmëmadh, zhurmëshumë, zhurmëplotë, zhurmëtar, i bujshëm.
ZHÚRMËT (i, e) mb. 1. Që është i mbushur me zhurma të ndryshme, që është plot zhurmë, i zhurmshëm; kund. i qetë. Qytet i zhurmët.
2. gjuh. Që karakterizohet nga mbizotërimi i zhurmës (për bashkëtingëlloret). Bashkëtingëllore e zhurmët.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë