Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÁMB/ËR,~RAII f. sh. ~RA, ~RAT bot. (lat. Ranunculus) bimë barishtore, me gjethe të dendura me prerje thellë, me lule ndritshme të verdha, të bardha ose të trëndafilta, që rritet edhe si bimë zbukuruese; gjembaçi i hidhur, gjembaçi me bulb, gjembaçi zvarritës, gjembaçi helmues, gjembaçi i madh i lagështirës, gjembaçi i pranverës, gjurma e ujkut, kantarioni i verdhë, lulebasani, lulja e Shën Gjonit, luleverdha mjekësore, lulja e bretkut, lulja e hakut, lulja e gjalpit, lulja paçi, lulja e verdhë.
✱Sin.: zhabinë, zhabil, zhabinok, luleverdhë.
GJÚRM/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shenjë që lë shputa e këmbës së njeriut ose thundra a putra e kafshëve; shenjë mbi diçka nga prekja nga një goditje, nga diçka që lëviz a që rrëshqet etj. Gjurmë të reja. Gjurmë këmbësh. Gjurmë kali. Gjurmët e rrotave. Shkoi pas gjurmëve. Gjurma e kërmillit.
2. Shenjë, njollë etj., që ngel mbi sipërfaqen e diçkaje nga prekja e një lënde ose nga shtypja e një sendi; diçka që ka mbetur në sipërfaqe prej një lënde. Gjurmët e gishtave. Gjurmët e goditjeve. Gjurmët e lagështirës. Gjurmë gjaku. Gjurmët e avionëve reaktivë. Mbledh këmbët për të fshehur gjurmët bëj gjoja sikur tërhiqem ose sikur pendohem për të fshehur veprimet e këqija.
3. kryes. sh. Shenja të veçanta, që dëshmojnë se diçka ka qenë a gjendet aty; shenja a dëshmi të mbetura nga diçka e së kaluarës; pasojat e një veprimi, e një dukurie etj.; shfaqje e jashtme e diçkaje; gërmadhë; rrënoja. Gjurmët e mineralit. Gjurmët e ujit. Gjurmët e qytetërimit ilir. Gjurmët e tërmetit. Gjurmët e sëmundjes. Gjurmët e lodhjes. Unë them “ja ujku”, ti kërkon gjurmët (kur ke ujkun, mos i kërko gjurmët!) (fj. u.) kërkon të fshehësh diçka që duket fare qartë; kërkon të vërtetën jo aty ku ajo duket qartë, por aty ku ajo mbulohet e errësohet.
4. kryes. sh., fig. Frytet e një veprimtarie; përshtypje, mbresa; rruga ose shembull i mëparshëm që ndiqet nga dikush. La gjurmë në shkencë (në histori). Në gjurmët e rilindësve. E drejtë e gjurmës (etnogr.) e drejtë kalimi vetëm për këmbësorë. E ndjek (e marr) gjurmën mbrapsht e nis keq një punë a diçka tjetër.
5. kryes. sh., bised. Gjurmashka. Një palë gjurmë.
6. Masë gjatësie sa shputa e këmbës, këmbë. Është dhjetë gjurmë.
7. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje bimësh. Gjurmë mushke (lat. Tussilago farfara) bimë barishtore njëvjeçare, që rritet në vende të lagështa dhe përdoret si bimë mjekësore; thundërmushkë. Gjurmë e ujkut zhabinë.
✱Sin.: fërkem, dire, trivë, vragë, mbresë, tragë, vazhdë, ravë, pasojë, përshtypje.
♦ Bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje) e zbuloj dikë a diçka, mësoj se ku ndodhet, e diktoj; i gjej gjurmët (dikujt a diçkaje); i marr gjurmën (dikujt a diçkaje); i bie në erë (dikujt a diçkaje); kund. humbas gjurmët (e dikujt a të diçkaje). I gjej gjurmët (dikujt a diçkaje) shih bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje). I humb (i mbulon, i fsheh) gjurmët (dikush) i mbulon të gjitha shenjat për të mos u zbuluar një veprim që ka kryer, fsheh çdo shenjë, çdo të dhënë etj. që mund ta zbulonte; nuk ia gjen (dot) këmbët (dikujt). I humbi gjurma (dikujt a diçkaje) nuk duket më asgjëkund, nuk është më, nuk gjendet më; i humbi traga; iu shua ylli. Humbas gjurmët (e dikujt a e diçkaje) nuk jam më në gjendje ta ndjek më tej, nuk e di më ku është, shkëputem nga lidhjet me dikë a me diçka; humbas tragën; kund. bie në gjurmë. E kërkoj në gjurmë të kalit (dikë a diçka) e kërkoj gjithandej, nuk lë vend pa kërkuar. Lë gjurmë (të thellë). 1. (diçka). Bën përshtypje (të thellë) diçka; nuk kalon pa u ndier; kujtohet. 2. (dikush). Lë prapa punë e vepra të mira, lë një shembull të mirë për t’u ndjekur; lë mbresa; lë tragë. I marr gjurmën (dikujt a diçkaje) e mësoj se ku ndodhet sipas shenjave që ka lënë, e diktoj se ku është; e ndjek pas për ta zbuluar; bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje); i bie në erë. Ndjek gjurmët (e dikujt) veproj sipas shembullit të dikujt, vijoj punën a veprën e tij, bëj si ai; eci nëpër rrugën që ka shkelur ai; shkel në gjurmët (e dikujt); shkoj (eci) pas gjurmëve (të dikujt). E ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme) (dikë a diçka) shkoj pas dikujt, e ndjek këmba-këmbës e bëj si ai; e ndjek diçka pa iu ndarë; e ndjek në çdo hap; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap. Shkel në gjurmët (e dikujt) shih ndjek gjurmët (e dikujt). Të shkelsha gjurmën! mallk. vdeksh! E shkel në gjurmë (dikë) e do, e respekton shumë dikë; e ka mbi krye e sipër. Sa shkëmben gjurmën (dikush) shumë ngadalë, me hapa të vegjël, sa nuk takon gjurma gjurmën. Shkoj (eci) pas gjurmëve (të dikujt) shih ndjek gjurmët (e dikujt). (U zhduk, humbi) pa lënë gjurmë (dikush a diçka) nuk dihet fare se ku gjendet, nuk dihet se ç’është bërë; u zhduk pa lënë asnjë shenjë, s’mbeti asgjë prej tij a prej saj; nuk i duket (i humbi) boja (diçkaje); s’i duket (s’i gjendet) binaja (dikujt a diçkaje).
LÚL/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. bot. Organi i riprodhimit të bimëve, që përbëhet nga bishti, kupa, kurora, thekët e pistili dhe që lidh kokrrën e formon farën; pjesë e bimëve që përmban organet e riprodhimit të tyre dhe që zakonisht ka petla me ngjyra. Lule mashkullore (femërore). Lule njëseksore (dyseksore). Lulet e bathës (e fasules, e duhanit, e patates). Lule kungulli (trangulli). Lule dardhe (kumbulle, molle, qershie, shege, arre). Bishti i lules. Petlat e lules. Shtrati i lules. Ka çelur shumë lule. I ka lëshuar shpejt lulet. I rrëzoi era lulet. Nuk lidhin të gjitha lulet. (fj. u.).
2. Bimë me organ të tillë riprodhimi, me ngjyra të ndryshme e zakonisht me erë të mirë, që rritet vetë në natyrë a mbillet për bukuri e për erë. Lule të egra (të buta). Lule të kuqe (të verdha, të kaltra, shumëngjyrëshe). Lule artificiale. Lule fushe (livadhesh, pylli, kënete, uji, kopshti, dhome). Lule me erë të mirë (pa erë). Dyqani i luleve. Mbajtëse (vazo) lulesh. Një tufë lule. Kurorë me lule. Mbjell (rrit) lule. Ujit lulet. Mbledh lule. U marr erë luleve.
3. zakon. sh. Zbukurime në trajtë bimësh, zakonisht me ngjyra të ndryshme, të vizatuara në pëlhurë, në mushama etj. ose të gdhendura në gur, në dru, në metal etj.; zbukurime të ndryshme të qëndisura në petk. Rroba me lule. Basmë (fustan) me lule. Mur (tavan) me lule. Tepsi me lule. Me lajle e me lule.
4. Njollë me ngjyrë të ndryshme në trup të kafshëve, balë. Lopë me lule në ballë.
5. bised., kryes. sh. Tufë thinjash në flokë; thinja. Lulet e bardha. I kanë dalë lulet në kokë. Është mbushur me lule.
6. Mesi i ballit; shenja e bulave të gishtave; bebja e syrit. Në lule të ballit. Lulja e dorës. Lulja e syrit. la dha mu në lule.
7. fig. Më i miri, më trimi a më i bukuri i të gjithëve; pjesa më e mirë a më e zgjedhur e diçkaje, ajka; koha më e bukur, pjesa më e mirë e një periudhe. Lulja e fshatit. Lulja e vajzave të krahinës. Lulja e nusërisë më e mira ndërmjet nuseve. Lulja e fisit. Lulja e ushtrisë shqiptare. Në lule të rinisë (të djalërisë, të çupërisë). Në lule të jetës (të moshës).
8. euf., vet. sh. Të përmuajshmet e grave, zakonet, gjakrat. Ishte me lulet.
9. euf., vet. sh. Organet seksuale të mashkullit; herdhet. Lulet e dashit. E goditi në lule.
10. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të llojeve të ndryshme të lules. Lule ajce bimë barishtore zbukuruese, me gjethe të këmbyera dhe lulet të verdha e të mbledhura tufë si çadër, luleradhiqja, lulja qumështore. Lule akshami bimë barishtore zbukuruese, me kërcell të lartë rreth një metër, me gjethe si zemër, që çel afër mbrëmjes lule të kuqe në trajtë hinke. Lule akulli bimë barishtore zbukuruese, me gjethe të tulta e të veshura me një cipë të bardhë dhe me lule të ashpra që nuk fishken. Lule alle bimë barishtore zbukuruese, me gjethe të gjata, të dhëmbëzuara e të tulta dhe me lule në ngjyrë të kuqe të ndezur, që rritet nëpër kopshte dhe i lëshon lehtë farat përtokë. Lule argjendi bimë zbukuruese me gjethe si të portokallit, që bën një lule të vogël të bardhë me pesë petla e pa erë. Lule arushe dorëzonjë. Lule balsami a) Bimë barishtore, me gjethe të holla dhe me lule të vogla ngjyrë portokalli e me erë të mirë, që përdoret në mjekësinë popullore për të mjekuar plagët; balç; lule gjaku; b) Bimë barishtore shumëvjeçare, me gjethe si heshtë dhe me lule të verdha me pesë petla, që del gjatë muajve prill-gusht nëpër vende me bar. Lule barbuni bimë barishtore, me gjethe si të preshit e me lule në ngjyrë manushaqe të vendosura në të dy anët e kërcellit. Lule beçke lule deleje. Lule behari lule vere. Lule blete a) Bar blete, milcë; b) Dorëzonjë. Lule bore luleborë. Lule breshke lulebreshkë. Lule bretku zhabinë. Lule bualli tatull. Lule çallme çallmare. Lule deleje luledele. Lule derri bar derri. Lule dielli bimë njëvjeçare, me kërcell të gjatë e të trashë, me lule të grumbulluara në një kokë të madhe si disk e rreth e rrotull me petla të verdha, që kthehet nga drita e diellit dhe që mbushet me fara të zeza, nga të cilat nxirret vaj. Lule dimri bimë barishtore shumëvjeçare, me gjethe të rrumbullakëta e të tulta, me lule të bardha e me erë të mirë, që rritet si bimë zbukuruese. Lule djathi bimë barishtore e egër, me gjethe si ato të fierit, me lule të verdha, që përdoret për të zënë qumështin djathë. Lule dregëze bimë me lule të verdha, përdoret kundër dregëzave. Lule dushku bimë barishtore e egër, me gjethe si ato të dushkut e të mbuluara me push, që çel lule të bardha. Lule dylli a) bimë kacavarëse, me gjethe vezake të tulta, të mbuluara me një lëndë si dyllë dhe me lule të bardha në vile, që rritet si bimë zbukuruese; b) qumështore, lulequmështore, luleradhiqe. Lule dhensh luledele. Lule dhëndri bimë barishtore, me gjethe pushatake me lule të bardha, që rritet si bimë zbukuruese. Lule ethesh trikë, bar ethesh. Lule fieri bimë barishtore, me gjethe si të fierit, që rritet edhe si bimë zbukuruese. Lule filxhani lule e madhe në trajtë filxhani, lulefilxhan. Lule floriri bimë barishtore, me gjethe të gjata anës kërcellit dhe me një boçe me lule të verdha në krye, që rritet si bimë zbukuruese. Lule fshese bimë barishtore, me gjethe në ngjyrë të gjelbër të errët e me lule të bardha, që rritet edhe i bimë zbukuruese dhe, kur thahet, përdoret për të bërë fshesa. Lule gishti luletogëz. Lule gomari qumështore, luleradhiqe. Lule gypëz që përbëhet nga lulëza me trajtë gypi. Lule gjaku lule balsami, balç. Lule gjarpri bimë barishtore zvarritëse, me gjethe të vogla, me degë të tulta dhe me lule të verdha e të kaltra, që rritet fushave e pranë gardheve, që lëshon një lëng të bardhë si qumësht, që është helmues. Lule gjeli lulëkuqe. Lule gjembi ferrë gomari, gjembaç. Lule gjize bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të drejtë e me gjethe heshtake, që çel lule të verdha dhe rritet zakonisht nëpër ara. Lule gjuhëzore lule me gypin e kurorës të zgjatur nga njëra anë në një llapë të gjatë. Lule gjyle bimë shumëvjeçare tuberoze me struktura nëntokësore të zgjeruara për ruajtjen e lëndëve ushqyese. melule i ngjajnë valerianës së kuqe, por lulëzimi është më i shkurtër, më kompakt dhe me ngjyrë rozë më të zbehtë. Lule hashashi hashash. Lule kaçalli bimë barishtore, me kërcell të hollë, me lule në ngjyrë të trëndafilit të çelët, të vendosura në fillim të kërcellit, që çel pas manushaqes e rritet në lëndina. Lule kaftani bimë barishtore, me gjethe të vogla, të dhëmbëzuara dhe me lule me ngjyra të ndryshme e të mbledhura tufë. Lule kashte bimë barishtore, me kërcell të lartë rreth një metër, me gjethe të gjata në trajtë heshte, që rritet në tokë të pastër, të lehtë e me shumë diell; lulekashtë, lulebukje. Lule kedhi bimë barishtore, me gjethe si të preshit të egër, me lule si të zymbylit, që rritet në toka me ujë. Lule këmbëpulë pullagjeli. Lule këmbore (kambanë) bimë barishtore, që kanë gjethe të dukshme në formë të ziles. Lule kolli lloj mëllage, mëllagë e butë. Lule krehri lulekrehër. Lule krishti (lat. Passifloraceae) lule sahati, e njohur edhe si lulet e pasionit ose hardhitë e pasionit. Lule lepuri bimë barishtore shumëvjeçare, me kërcell të drejtë, me gjethe vezake e me bisht të gjatë, që çel lule të kaltra. Lule maceje bimë barishtore, me gjethe të holla e të gjata, që ka lule me ngjyra të ndryshme, e njohur edhe si hithra e kuqe. Lule maji bimë zbukuruese, që kacavaret në mur dhe që çel në maj lule të bardha ose të verdha e me erë shumë të mirë. Lule majmuni bimë barishtore, petalet e së cilës kur hapen i ngjajnë fytyrës së majmunit. Lule mbrëmjeje lule akshami. Lule merimange bimë barishtiore me lule rozë ose të bardha, që çel nga mesi i verës deri në vjeshtë, që i ngjan rrjetës së merimangës. Lule mëngjesi bimë zbukuruese kacavarëse, me gjethe si zemër, me lule të bardha, të kaltra ose ngjyrë vjollce dhe me njolla e me vija të ndryshme, të cilat rrinë të çelura vetëm në mëngjes ose në ditë pa diell. Lule mosmëharro Lulemizë1. Lule mosmëprek (mosprek) bimë barishtore njëvjeçare, me gjethe të vogla si ato të mimozës, të cilat kur i prek ulen poshtë, mblidhen e rrudhen. Lule nate bimë barishtore, me gjethe si të specit, me lule të kuqe e me trajtë si ato të dredhkës, që i çel natën. Lule nure bimë barishtore pyjesh, me gjethe në trajtë zemre dhe me lule të verdha. Lule nuse lulëkuqja. Lule pashke menekshe. Lule peshku bimë barishtore dyvjeçare, me kërcell të drejtë e të lartë deri në një metër e gjysmë, me gjethe të gjata të mbuluara me push, me lule të verdha e të grumbulluara si kalli në majë të kërcellit, e cila rritet në toka të varfra e në gurishte. Lule pjate bimë barishtore zbukuruese, me lule të vogla në ngjyrë trëndafili e pa erë, e cila rritet e rrumbullakët si rreth. Lule plepi bimë barishtore rreth një pëllëmbë e lartë, me lule të verdhë, të madhe e të rrumbullakët, që i ka petlat të mbyllura si kupë. Lule pranvere aguliçe. Lule qengji luledele. Lule qeni kamomil. Lule qumështi qumështore. Lule qumështore qumështore, lulequmështore, luleradhiqe. Lule qyqeje vjollcë. Lule rezhde bimë barishtore, që rritet mbi një gjysmë metri dhe që çel lule të vogla ngjyrë jargavani. Lule rrenëse lule që lulëzon, por nuk jep kurrë fryt. Lule rrote bimë barishtore, me gjethe të dhëmbëzuara, me lule të verdha, të mbledhura tufë e me shumë petla. Lule sabahu lule që ëel në mëngjes. Lule sahati bimë kacavarëse, me lule të bukura në ngjyrë të kaltër e të bardhë, që i ngjajnë orës së xhepit. Lule sapuni shkumëz, lulesapun. Lule syri bimë barishtore me kërcell të drejtë, me gjethe të rrumbullakëta si të vjollcës, që çel lule në ngjyra të ndryshme e pa erë; menekshe e egër. Lule sharre bimë barishtore e dendur si shkurre, me gjethe të gjata, të tulta e me dhëmbëza anash, që çel lule të mëdha të bardha, ngjyrë trëndafili ose të kuqe dhe mbillet për zbukurim; gjuhë vjehrre. Lule sheboje shebojë. Lule shëngjergji bimë barishtore, me kërcell të hollë e të gjatë që është bosh përbrenda, me gjethe të holla e të gjata, me lule të vogla e të verdha përreth kërcellit. Lule shigjete shpatëz. Lule shpate shpatore, luleshpatë. Lule shqerre luledele, luleshqerrë. Lule tambli qumështore, bar tambli. Lule topi bimë barishtore gjithmonë e gjelbër, me lule të bardha e të rrumbullakëta si top, rreth së cilave ka gjemba si të ferreckës. Lule thoi bimë zbukuruese, me gjethe të grumbulluara, të holla e të shkurtra si hala pishe, por të buta, e cila çel lule të verdha. Lule varre lule që përdoret për t’i mjekuar plagët. Lule vere bimë barishtore me lule të verdha, që çel vetëm në verë. Lule vilanie bimë barishtore, me gjethe të dhëmbëzuara e me lule të bardha. Lule vjeshte a) bimë barishtore e helmët, me lule të bardha në vjollcë, e cila rritet në kullota me lagështi dhe çel në vjeshtë; bar plakash; b) bimë barishtore shumëvjeçare zbukurimi, me gjethe shumë të çara e të mbuluara me një push të imët, me lule të verdha, të mëdha e pa erë, të cilat çelin në vjeshtë. Lule vreshti dorëzonjë, lulevreshtë. Lule zogu gjuhënuse. Lulë bisheve bimë barishtore shumëvjeçare me gjethe në trajtë heshtje, e lartë, që rritet në pyje e kullota; çel lule të kuqe vishnjë me thekë të verdha, të ngjashme me trëndafilin, por me një rend petalesh dhe pa erë.; lule gjeli.
✱Sin.: llogobere, zbukurim, njollë, balë, trëndelinë, trëndafil, thinja, ajkë, ballë, bash, pikë, ballore, çelë, çikë, grykë, grykëz, majë, maja, meze, shenja, bebe, zakone, të përmuajshme, herdhe.
♦*Bahçe me lule poet. U bë lule (dikush). 1. U bë shumë mirë nga gjendja a nga shëndeti, u rregullua si jo më mirë. U shtrua, u bë i sjellshëm, i bindur, i arsyeshëm etj.; u bë bilbil; u bë nuse. U bë lule kungulli (dikush) shih u bë dyllë (në fytyrë) (dikush). E bën *fushë me lule (diçka). E bëri lule (dikë) e solli në vete, e bëri që të mblidhet, të rrijë urtë a të shtrohet, ia mblodhi si duhet; e bëri nuse. E bën *shesh me lule (diçka). Bredh (shkon, shëtit) lule më lule (dikush) keq. është tepër i dhënë pas vajzave dhe nuk ka dashuri të qëndrueshme. *Ferrë ndër lule keq. Hap lulja lulen thuhet kur dikush ndjek shembullin e mirë të një tjetri, vepron nën ndikimin e të tjerëve, siç sheh bën, merr virtytet e tyre; sheh rrushi rrushin e piqet; sheh molla mollën e piqet. Është lule fig. është shumë mirë dikush nga gjendja a nga shëndeti në krahasim me një gjendje a me dikë tjetër, është ku e ku më mirë, s’ka pse qahet; është mirë diçka (një gjendje a diçka tjetër). E kam lule në kapuç (dikë) e çmoj shumë, e nderoj aq shumë sa mbi të s’vë njeri tjetër; e kam (e mbaj) mbi krye (mbi kokë) e lart (e sipër); lë kokën (kryet) (për dikë). *Kopsht me lule poet. Lule dielli përçm. njeri i paqëndrueshëm, që merr anën e më të fortit, që kthehet e vepron sipas interesit vetjak ose të tjetërkujt. Ia numëroi (ia dha) në lule të ballit (dikujt) e qëlloi me armë për vdekje; e vrau. Ia shtron me lule (dikujt) shih e bën fushë me lule (diçka). I vuri lulen (diçkaje) e shiti, e dha, e lëshoi, nuk e ka më; e nxori nga dora (diçka).
LULEVÉRDH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bot. Zhabinë.
LULEZHABÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Zhabinë.
ZHABÍL,~II m. sh. ~Ë, ~ËT 1. bot. (lat. Ranunculus) Zhabinë, zhabinok; lule bretku, luleverdhë. Lulet e zhabilit.
2. Kashta e grurit që mbetet në arë pas korrjes. E kishtë korrur grurin në majë duke e lënë shumë të gjatë zhabilin. Arë me zhabil të shkurtër.
3. bot. (lat. Verbascum species) Bar peshku; lule peshku; netullë.
4. zool. (lat. Lacerta viridis) Zhapi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë