Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGULÍÇ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Primula veris, Primula vulgaris, Primula grandiflores) Bimë barishtore shumëvjeçare, me kërcell të hollë, me gjethe vezake, me lule të verdha, që rritet në livadhe dhe që çel në fillim të pranverës; lule pranvere. Aguliçja e parë. Çelin (dalin) aguliçet. Mbledh aguliçe.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje aguliçesh: Aguliçja alpine (lat. Primula auricula, Primula farinos) aguliçe me veti kuruese e shëruese, që përdoret si çaj dhe për të nxjerrë vaj për industrinë kozmetike, ndaj është nën mbrojtje ligjore; çaj mali, bjeshke. Aguliçja e artë (lat. Oenathera brevipes, Canissonia brevipes) aguliçe kërcellgjatë me qime, me gjethe bazale të përbëra nga disa gjethe dhe një lule që ka disa të tjera në të, me ngjyrë të verdhë të ndezur me njolla të kuqërremta në bazën e çdo petali, me një pistil me antenë në qendër të lules; që lidh fruta si kapsula të varura. Aguliçja e dhëmbëzuar (lat. Primula denticulata) aguliçe e rajoneve e lagështa alpine, me rozeta gjethesh vezake me kërcell të fortë, që çel lule të rrumbullakëta e të varura me ngjyrë vjollcë a me ngjyrë të bardhë. Aguliçja me erë (lat. Primula officinalis) aguliçe e zonave kodrinore malore, lulet e së cilës formohen në majë të një kërcelli, i cili ngrihet nga mesi i rozetës së gjetheve, me lule ngjyrë të verdhë dhe me erë të fortë mjalti, që ka veti shëruese; aguliçja e malit, aguliçja e kopshteve. Aguliçja hibride (lat. Primula grandiflora) aguliçe zbukuruese, me kërcell të gjatë e të fortë, me lule shumë të bukura në ngjyrë rozë e me erë të mirë, që rritet në hije e në toka të kulluara mirë e që lulëzon nga fundi i pranverës deri në fillim të verës. Aguliçja e kopshteve (lat. Primula elatior) aguliçe që rritet nën shkurre në shpatet e maleve dhe në livadhe, me ngjyrë të verdhë të çelët dhe që mban erë të dobët. Aguliçja kineze (lat. Primula sinensis) aguliçe e mbuluar me qime të shumta, me gjethe të radhitura si një rozetë, me lule të bukura në ngjyrë rozë dhe në ngjyrë jargavani. Aguliçja e malit aguliçja alpine. Aguliçja e rreme e kopshteve (lat. Primula vulgaris veris) aguliçe me një rozetë gjethesh të gjera e të gjata, me lule të verdha në të mbyllët, por edhe të kuqe e rozë, që lulëzon në tufë me 10-30 lule në një kërcell. Aguliçja e mbrëmjes (lat. Oenothera biennis, Oenothera amarchiana, Onagra biennis) aguliçe dyvjeçare e qëndrueshme ndaj thatësirës, me gjethe gjembore të mëdha si rripa në bazë, me më pak gjethe në kurorë, e cila mban lule të verdha me erë të këndshme limoni që hapen në mbrëmje, që lulëzon në korrik e gusht e rritet mirë në tokë ranore. Aguliçja e bardhë e mbrëmjes (lat. Oenothera albicaulis, Onagra albicaulis) aguliçe njëvjeçare vetëpjalmuese, që rritet në lartësi të ulëta mbidetare, kryesisht në toka të thata, ranore, të shkrifëta, por jo në hije, me kërcell të gjatë me degëzime e të mbuluar me qime, me gjethe të lëmuara ose me push në shtratin e lules e me lule të bardha. Aguliçja perandorake (lat. Primula imperialis) aguliçe me lule të verdha në të artë të ndezur. Aguliçja e vogël (lat. Primula minima) aguliçe shumëvjeçare, zbukuruese e kuruese, që del në kaçuba kur fillon shkrirja e borës në pranverë dhe lulëzon deri në mesin e verës, me gjedhe të mbledhura si një buqetë e me lule shumëngjyrëshe, me erë të lehtë e të mirë.
✱Sin.: gorolule, gjerdan, lakërishtë, lejthici, lulekaçe, poleska, salepi, zgorofetë, lulevera, onagër.
ÁJDËS,~I m. sh. ~A, ~AT bot. 1. (lat. Laburnum vulgare, Citysus laburnum) Dru gjetherënës i pyjeve malore, me lule të verdha në vile, lënda e të cilit është e fortë dhe përdoret për orendi, për sende a zbukurimi etj., karthë. Dru ajdësi. Ajdësi malor.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje ajdësi: Ajdësi i alpeve (lat. Laburnum alpinum) ajdës që rritet sidomos në toka gëlqerore, me lëvore të butë, me degë të gjera dhe me degëza me qime në pjesën e tyre sipërme, me gjethe të gjera vezake e me bisht të gjatë në ngjyrë të gjelbër në të mbyllët, me lule të dendura erëmira me ngjyrë të verdhë në të artë e me fara të zeza helmuese për njerëz, kuaj e dhi, që lulëzon në maj e qershor dhe që përdoret në industrinë e drurit, për djegie etj. Ajdësi jugor (lat. Laburnum anagyroides) ajdës zbukurues, që rritet në zona me diell e gjysmë hije, në shpate të ngrohta shkëmbore e gëlqerore, me lëvore të butë me ngjyrë të gjelbër në të mbyllët kah e zeza, me gjethe të gjelbra e qime të mëndafshta, me sytha vezorë e lule të verdha të mbledhura në një degë që lidhin fara helmuese, që përdoret për instrumente muzikore dhe në industrinë e drurit.
✱Sin.: ahafte, arzën, arrëz, ashkël, bobosfent, bubusfrat, donodfrat, hithkë, karthë, lin, perushan, vojës, vojmës, zgorofetë.
ZGOROFÁQ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bot. Zgorofetë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë