Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
EPTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET gjuh. 1. Veprimi kur eptoj një fjalë ose kur eptohet. Paradigma e eptimit të foljes “flas”. Pasqyra e eptimit të përemrit pronor.
2. Ndryshimi që pësojnë fjalët në trajtën e tyre gramatikore kur hyjnë në lidhje me fjalë të tjera në fjali; mënyrat e një ndryshimi të tillë dhe tërësia e trajtave të fjalës gjatë këtij ndryshimi; mbaresa e një fjale që ndryshon kur lakohet a kur zgjedhohet. Eptim emëror (foljor, përemëror). Eptim i jashtëm mbaresat e trajtave gramatikore. Eptim i brendshëm ndryshimi i trajtave gramatikore me ndryshimin e tingujve në rrënjën e fjalës. Eptim i shquar (i pashquar).
JOEPTIMÓR,~E mb. Që nuk zgjedhohet ose që nuk lakohet, që nuk eptohet; që nuk e ka sistemin e eptimit të fjalëve; kund. eptimor. Gjuhë joeptimore.
✱Sin.: i palakueshëm, i pazgjedhueshëm.
PANDRYSHÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk mund të ndryshojë; që nuk ndryshon, që mbetet ashtu siç është, i qëndrueshëm; kund. i ndryshueshëm. Nen (ligj, paragraf) i pandryshueshëm. Kushte të pandryshueshme. Parim i pandryshueshëm. Temperaturë e pandryshueshme. Sasi e pandryshueshme.
2. gjuh. Që nuk merr trajta të ndryshme gramatikore, që nuk lakohet a nuk zgjedhohet; kund. i ndryshueshëm (për disa pjesë të ligjëratës). Pjesët e pandryshueshme të ligjëratës.
✱Sin.: i palëvizshëm, i patundshëm i qëndrueshëm, i patjetërsueshëm, i ngurtë, i paapelueshëm, i pandërrueshëm, i pakthyeshëm, i vijueshëm, i palakueshëm, i paeptueshëm, i pandjeshëm.
PËRBË́RË (i, e) mb. 1. Që është i formuar nga disa njësi, pjesë, elemente etj. të ndryshme, që nuk është i thjeshtë, që është një e tërë me shumë pjesë a me shumë elemente; kund. i thjeshtë. Mekanizëm i përbërë. Substancë e përbërë (kim.) substancë e formuar nga disa lëndë. Trup i përbërë (kim.) trup i formuar nga disa elemente më të thjeshta. Gjethe e përbërë (bot.) gjethe e formuar prej disa gjethëzash që kanë një bishtak të përbashkët.
2. gjuh. Që është formuar nga bashkimi i disa pjesëve (fjalëve, fjalive etj.) të ndryshme, i pathjeshtë; kund. i thjeshtë. Fjali e përbërë. Kallëzues i përbërë. Kohë e përbërë (e foljes) kohë e formuar nga folja ndihmëse kam ose jam dhe pjesorja e foljes që zgjedhohet. Fjalë e përbërë fjalë ë formuar nga bashkimi i dy a më shumë temave në një njësi të vetme fonetike, leksikore e gramatikore; kompozitë e mirëfilltë (p.sh. atdhedashuri, besëlidhje, ballëhapët, gojëmjaltë, gurgdhendës, gushëkuq, gushtovjeshtë, tejkaloj etj.).
✱Sin.: i formuar, i pathjeshtë, i përngjitur.
THJÉSHTË (i, e) mb. 1. Që është i papërzier me diçka të një natyre a të një lloji tjetër, i përbërë vetëm nga një lëndë, vetëm nga një gjë etj., me përbërje të njëjtë; i kulluar; kund. i pathjeshtë. Verë e thjeshtë. Ar i thjeshtë. Lëndë të thjeshta. Trup i thjeshtë. kim.
2. libr. Që përbëhet nga një ose nga disa pjesë, nga një ose nga disa njësi etj., a që i ka lidhjet midis pjesëve jo të ngatërruara, që nuk ka përbërje a ndërtim të ngatërruar; kund. i përbërë, i ndërlikuar. Mekanizëm (aparat) i thjeshtë. Përdorëse (vegël, pajisje) e thjeshtë. Kafshët e thjeshta. zool. kafshë që i përkasin një faze të ulët të zhvillimit biologjik. Numërorët e thjeshtë. gjuh. numërorët nga një deri në dhjetë. Fjali e thjeshtë. gjuh. një fjali e vetme. Fjalë e thjeshtë. gjuh. fjalë që ka vetëm rrënjën e mbaresat. Kohët e thjeshta. gjuh. kohë në të cilat folja zgjedhohet pa foljet ndihmëse. Prerje e thjeshtë. spec. prerje që bëhet nga një rrafsh prerës. Gjethe e thjeshtë. bot. një gjethe e vetme. Kallëzues i thjeshtë. gjuh. kallëzues që shprehet me një folje të vetme.
3. Që nuk bëhet me ndonjë shtesë a ndryshim, që nuk pasurohet me gjëra të reja, që nuk zgjerohet ose që nuk thellohet më tej. Bëri vetëm një lexim të thjeshtë. Ishte një përsëritje e thjeshtë e mësimit të mëparshëm.
4. I lehtë për t'u kuptuar, për t'u bërë, për t'u zgjidhur, për t'u zbatuar etj., jo i vështirë për t'u kapur; kund. i ndërlikuar, i ngatërruar, i koklavitur. Problem i thjeshtë. Çështje (ide) e thjeshtë. Temë e thjeshtë. Mendime (fjalë) të thjeshta. Punë (gjë) e thjeshtë. Lojë e thjeshtë. Dukuri të thjeshta. Është shkruar me një gjuhë të thjeshtë. Në mënyrë të thjeshtë.
5. Që bëhet si zakonisht e natyrshëm, që zhvillohet pa bujë, që nuk shoqërohet me gjëra të tepërta e të panevojshme; që s'është i ngarkuar me zbukurime; që nuk dallon nga të tjerët, i zakonshëm. Darkë e thjeshtë. Dasmë e thjeshtë. Ceremoni e thjeshtë. Model i thjeshtë. Veshje e thjeshtë. Këpucë të thjeshta. Dhomë (sallë, shtëpi) e thjeshtë.
6. Që nuk i pëlqejnë mburrjet e lëvdatat, që nuk mbahet me të madh, jo mendjemadh; që nuk ka kërkesa të tepërta, që kënaqet me pak; që vepron a që sillet në mënyrë të çiltër e të ngrohtë. Njeri (burrë, djalë) i thjeshtë. Vajzë (grua) e thjeshtë. Udhëheqës (drejtues) i thjeshtë. Është i thjeshtë.
7. Që nuk ka ndonjë gradë, ndonjë titull etj., që nuk zë ndonjë vend drejtues në aparatin shtetëror, në një organizatë, në një ndërmarrje etj. Punonjës (punëtor) i thjeshtë. Anëtar i thjeshtë. Ushtar i thjeshtë. Që nga kooperativisti i thjeshtë deri te kryetari (te ministri).
8. Që nuk i përket një shtrese të privilegjuar, që nuk zë ndonjë vend drejtues diku; që bën pjesë në shtresat e gjera të popullsisë. Populli i thjeshtë. Njerëzit e thjeshtë. Fshatar i thjeshtë.
✱Sin.: i papërzier, i patrazuar, i pastër, i kulluar, i kuptueshëm, i kapshëm, i lehtë, i pandërlikuar, i parmë, i zakonshëm, i natyrshëm, i vetvetishëm, i vërtetë, kokulur, ballulur, kryekërrusur, kryeulët, hijelehtë, i sjellshëm, mitar, punëheshtur, i rëndomtë, popullor, i ulët, i vogël, miturak.
ZGJEDHÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb., gjuh. Që mund të zgjedhohet. Fjalë e zgjedhueshme.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë