Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FUNDËRRÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. kryes. nj. Llumi që kullon nga një lëng në fundin e një ene. Fundërria e kafesë. Fundërria e uthullës. Ia kulloi fundërrinë.
2. Fundërrinë. Fundërritë e shoqërisë.
✱Sin.: fundërrinë, llum, kullomë, kullosë, llurbë, llurbëtirë, zgaq, amti, baltë, gërdhomë, dra, mundërr, llome, bullëndër, handrak, lëngjerë, bërllok.
FUNDËRRÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. kryes. nj. Llumi i një lëngu në fundin e një ene. Fundërrina e vajit. Fundërrinë rakie.
2. Gjë pa vlerë që flaket poshtë, mbeturinë e pavlefshme. Hedhim fundërrinat.
3. fig., keq. Llumi i njerëzve; njeri krejt i pavlerë dhe i dëmshëm. Fundërrinat e shoqërisë.
✱Sin.: fundërri, fundërresë, llum, mbeturinë, bishturinë, hulinë, skorie, rrëzall, zgaq, dra, draskë, zgjyrë, llurbëtirë, lëngjerë, gërdhajë, gërdhomë, pleh, lëngjerë, llomështi, bigorr, shushull, bisht.
MBETURÍN/Ë,~A f. kryes. sh. ~A, ~AT 1. Ato që kanë mbetur nga diçka e shkatërruar, e prishur, e thyer etj.; diçka që ka mbetur pasi është vjetruar, është përdorur gjatë etj.; gërmadhë. Mbeturinat e shisheve të thyera. Mbeturinat e një makine të prishur. Mbeturina teneqesh e hekurishtesh. Mbeturina anijesh të vjetra. Mbeturinat e një aeroplani. Mbeturinat e një muri të rrëzuar (e një kështjelle të rrënuar). Pastroj (grumbulloj) mbeturinat e gurta një shtëpi të rrënuar nga cikloni.
2. Ato që teprojnë ose që mbeten nga gjellët, nga të ngrënat e të pirat, të mbeturat, të lënat. Pastroj tavolinën nga mbeturinat e mëngjesit. Mbeturinat e drekës (e darkës). Mbeturinat e ushqimeve (e pijeve, të mishit). Mbeturinat e gjellëve. Mbeturinat nga tryeza e gostisë. Hëngri ca mbeturina. Mbledh (fshij, hedh) mbeturinat.
3. Pjesë e vogël a copë e diçkaje, që del gjatë përdorimit të saj, gjatë përpunimit etj. e mbetet mënjanë, hedhurinë. Mbeturinat e drurit (e zdrukthit). Mbeturinat e letrës. Mbeturina metali. Mbeturinat e leshit (e pambukut). Përpunimi (shfrytëzimi) i mbeturinave.
4. Ajo që kullon nga një lëng e mbetet në fund të një ene, llurbë, fundërrinë. Mbeturina e vajit në shishe. Mbeturina kafeje.
5. kim. Lëndë e padëshirueshme a e padobishme pas përdorimit kryesor, që duhet hedhur në mënyrë të përshtatshme. Mbeturina radioaktive (organike, kimike, spitalore). Mbeturina të rrezikshme.
6. Ajo pjesë që i ka shpëtuar shfarosjes së plotë ose zhdukjes (për njerëzit). Mbeturinat e ushtrisë mbretërore. Mbeturinat e fundit të njerëzisë.
7. Ajo që ruhet ende sot si diçka e vjetër, e trashëguar nga e kaluara. Mbeturinë e miteve të lashta. Mbeturina gjuhësore të së kaluarës. Mbeturinë e një kulture të hershme.
8. Koncept, mënyrë të menduari a paragjykim i mbetur prej së shkuarës dhe që mendohet si diçka negative dhe e dëmshme. Ajo ideologji ishte mbeturinë e së kaluarës.
✱Sin.: mbetje, gërmadhë, të mbetura, tepricë, hedhurinë, zgaq, fundçe, fundajë, rrëmbythje, rrozgë, rrezhdë, furde, mbijetojë.
VUR/G,~GUII m. sh. ~GJE, ~GJET 1. Lëng i trashë e i zi që mbetet në fund të shishes a të enës pasi shtypen ullinjtë dhe nxirret vaji, llum, fundërri; murgë. Vurgu i ullinjve. Vurgu i ullinjve bie në fund.
2. Fundërri që mbeten në fund të enës pasi shkrihet gjalpi, fundërria e gjalpit, dra. Vurgu i gjalpit.
3. Llumi i verës që bie në fund të enës a të shishes, llurbë. Vurgu i verës.
✱Sin.: murgë, kuqël, alimurg, xhumare, dra, llurbë, fundërri, bram, gërdhomë, zgaq, bullëndër, mundërr.
ZHUL,~I m. 1. Lerë në trup a në rroba që bëhet nga të palarët, zdralë. Zhuli i këmishës (i jakës, i mëngëve, i jorganit). Duar me zhul. Zhuli i veshit (i kokës). Zhuli i leshit të bagëtive. Zhuli i çibukut të duhanit. Jaka e palltos i ishte bërë gjithë zhul. I hoqi zhulin. Merr zhul shpejt. Kishte zënë një gisht zhul.
2. Byk. - Ndaje grurin prej zhulit.
3. fig., keq. Këllirë, ndyrësi. Nuk ka detergjent që t’ua nxjerrë zhulin!
✱Sin.: lerë, baltë, zdralë, zdrëmë, zgaq, zhol, lëtyrë, pah, pall, llum, vrug, zgjyrë, bram, ndyrësirë, këllirë, strup, byk.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë