Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHPIRTMADHËSÍ,~A f. Të qenët shpirtmadh, vetia e njeriut që është shpirtmadh, zemërmadhësi; bujari, fisnikëri; kund. shpirtvogëlsi, shpirtngushtësi. Ndjenjë shpirtmadhësie. Tregoi shpirtmadhësi. Përfitoi nga shpirtmadhësia e saj.
ZEMËRGJERËSÍ,~A f. Të qenët zemërgjerë, vetia e njeriut zemërgjerë; zemërmadhësi, shpirtgjerësi; kund. zemërngushtësi. Zemërgjerësi e madhe (madhështore). Zemërgjerësia e popullit. Me zemërgjerësi të pakursyer. Me mjaft zemërgjerësi. Shfaqje zemërgjerësie. Falë zemërgjerësisë suaj. Ia dha me zemërgjerësi. Tregoi një zemërgjerësi si askush tjetër. Buzëqeshi me një zemërgjerësi tepër të ndjeshme. U magjeps nga zemërgjerësia e tij. Aty sikur gatuhej zemërgjerësia e njeriut. Keqpërdor zemërgjerësinë e tyre.
✱Sin.: shpirtmadhësi, zemërbardhësi, gjerësi, oborrsi, bujari.
ZEMËRMADHËSÍ,~A f. Të qenët zemërmadh, i mirë e i dashur; zemërgjerësi, shpirtmadhësi; kund. zemërvogëlsi, shpirtvogëlsi. E trajtoi (e priti) me zemërmadhësi. Gëzohem nga zemërmadhësia jote. Përfitoi nga zemërmadhësia e tij. Një krijim që i kushtohet zemërmadhësisë. U dilte shpejt inati nga zemërmadhësia e tyre e kulluar. - Të gjitha sa më ke treguar dëshmojnë qartë për fisnikërinë e saj e të njerëzve të saj. Zemërmadhësia dhe trimëria janë motra. (fj. u.).
✱Sin.: zemërgjerësi, shpirtmadhësi, fisnikëri.
ZEMËRMIRËSÍ,~A f. Të qenët zemërmirë, vetia e njeriut që është zemërmirë, shpirtmirësi; kund. zemërligësi, shpirtligësi. Shenjë zemërmirësie. Me shumë zemërmirësi. Ia shpërbleu zemërmirësinë. Folëm për zemërmirësitë e tij. Buzëqeshte me një zemërmirësi të këndshme. Thelbi i shqiptarëve është zemërmirësia dhe besa.
✱Sin.: shpirtmirësi, shpirtmadhësi, zemërbardhësi, zemërgjerësi, zemërmadhësi.
ZEMËRVOGËLSÍ,~A f. Të qenët zemërvogël, dallojë e njeriut zemërvogël, shpirtvogëlsi; kund. zemërmadhësi, shpirtmadhësi. Zemërvogëlsia e koprracit. E mori me qafë zemërvogëlsia e vet. - Ç’e kishin atë zemërvogëlsi me njëri-tjetrin? Sipas gjedhes “zemërmadhësi” krijohet dhe fjala me kuptim të kundërt “zemërvogëlsi”.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë