Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
A pj. 1. Përdoret në fillim të një fjalie pyetëse për të shquar më shumë pyetjen më së shpeshti në një fjali pyetëse retorike për të përforcuar pohimin, mohimin a dyshimin. - A do të ma thuash? - A po më dëgjon? - A e ke harruar? - A je mirë? - A mos e di? - A thua? - A ka gjë më të bukur? - A s’ke dyshuar ti? - A do të vijë ajo kohë? - A je, si je? pyetje që përdoret në vend të përshëndetjes, kur takohen dy veta.
2. Përdoret në krye të njërës prej dy fjalive pyetëse të zhdrejta, kur e dyta lidhet me lidhëzën veçuese «apo», për të theksuar kundërvënien e veprimeve. A u shtrua ajo çështje apo u la për më vonë? - Shih a u kthyen fëmijët apo do të vonohen si mbrëmë?
3. Përdoret zakonisht në fund të një fjalie pyetëse, që shpreh habi, ironi, qortim, zemërim, tallje, miratim etj. - Nuk e solle, a? - Po largohet, a? - S’e dashka, a?
4. Përdoret zakonisht në fillim të fjalisë për të theksuar përçmimin, talljen ose ironinë; ama. - A, trimi qenka! - A, ç’qenka bërë për qortim! A thua se ... sikur.
A pasth. 1. Përdoret për të shprehur habi kur gjendemi para një të papriture; ah. - A, kush na erdhi!
2. Përdoret për të theksuar shprehjen e ndjenjave: gëzim, kënaqësi, dëshirë, miratim etj.; ah. - A, sa e bukur qenka!
3. Përdoret kur shprehim zemërim, urrejtje, qortim, dhembje, keqardhje etj.; ah. - A, sa më bezdis! - A, ç’pikëllim kishte ai!
4. Përdoret për të shprehur mospërfillje, ironi, qesëndi ose kundërshtim, pakënaqësi për dikë a diçka që nuk e miratojmë. - A, mos e thuaj! A, po, ai nuk e pranon gabimin! - A, këtë zgjodhe ti!
5. Përdoret kur i drejtohemi një njeriu zakonisht të afërt a të njohur, me fjalë a shprehje të ngjyrosura emocionalisht. - Mirë, o fatbardhë! Ç’u the, a ua mbylle derën! - Ah t’u bëfsha kurban!
6. Përdoret edhe në rastet kur kujtohemi papritur për diçka gjatë bisedës me dikë; aha. - A, po, më ra ndërmend!
ACÁR,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vet. nj. Të ftohtë i madh, i thatë e me ngricë. Acar i ashpër (i egër). Acari i fillimdimrit (i fundshkurtit). Filloi acari. Na zu acari.
2. kryes. sh. Të ftohtët e dimrit, ngricat. I përballuam acaret. Kungujt ruhen për acare.
3. fig., vet. nj. Ashpërsi, zemërim, egërsi, vrazhdësi, zemërim, pezmatim, irritim, tendosje. Sillet me acar. Foli me acar. Fjalët me acar.
4. fig., vet. nj. Frikë që të ngrin zemrën, drojë, tutë, trembje, shqetësim. I hyri acari në shpirt. Nuk i hiqej acari nga koka. Rrinte me acar në zemër.
✱Sin.: acari, acarim, acarimë, të ftohtë, akull, akullimë, akullirë, ngricë, fraq, cegëm, cingërimë, thëllim, athëtimë, fërfëllizë, cakërri, cikne, cikë, cingor, avër, ftigë, babaraqe.
ACARÍ,~A f. 1. Të qenët acari.
2. Acar, acarim, të ftohtë i madh. Acaria e dimrit. Acari nate. Na zuri acaria.
3. Pastërti e madhe, kujdes i veçantë në të veshur. Acari në veshje. Mban acari në shtëpi.
4. fig. Ashpërsi, vrazhdësi; zemërim, hidhërim. Acari bisede. Acari zemre. - Mos u sill me acari!
5. fig. Shtrëngesë e madhe, rreptësi. Acaria e ligjeve (e rregullave). Acari e qëndrimeve.
ACARÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur acaroj ose kur acarohem.
2. Të ftohtë i madh, ngricë. Acarimi i motit. Bleva drurët para acarimit. - Mos u nis, të zë acarimi!
3. Përkeqësim, keqësim, rëndim, prishje. Acarimi i marrëdhënieve (i gjendjes, i problemeve...). Acarim i bisedimeve dypalëshe. Acarimi ndërshtetëror vazhdon.
4. mjek. Përkeqësim i gjendjes së një të sëmuri, i një sëmundjeje, i një plage etj. Acarimi i tiroideve. Acarim fyti. Acarimi i dhimbjeve.
5. Shtrëngesë e madhe, detyrim i ashpër, tendosje. Ia vunë me acarim të madh. Ra në acarim të madh.
6. Zemërim me kokëfortësi, inatosje, idhnim. E bën me acarim. Në acarim e sipër.
✱Sin.: acar, acarimë, akull, akullimë, ashpërsi, vrazhdësi, egërsim, kreshpërim, zemërim, pezmatim, rëndim, malcim, qelbëzim, mahitje, infektim.
ACARUESHMËRÍ,~A f. Të qenët i acarueshëm; prirje a gatishmëri për të qenë i acarueshëm, i pezmatueshëm, me plot zemërim. Acarueshmëri nervash. Acarueshmëri marrëdhëniesh. Shquhet për acarueshmëri të lartë.
✱Sin.: acari, acarim, ashpërsi, ashpërsim, vrazhdësi, egërsi, tendosshmëri.
AGRESIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET polik., usht. 1. Sulm i armatosur i një shteti kundër sovranitetit dhe integritetit të një shteti tjetër me qëllim pushtimi të tokave e për ta nënshtruar e shtypur; luftë e ashpër që bën një shtet për të depërtuar me mënyra e mjete të ndryshme në një shtet tjetër me qëllim dëmtimi nga ana territoriale, ekonomike, politike, ideologjike e kulturore. Agresion ushtarak. Agresion ajror. Agresion tokësor. Agresion detar. Agresion i hapur. Agresion shkatërrues. Agresion ekonomik (kulturor). Agresion kibernetik. Akt agresioni. Kryejnë (bëjnë, ndërmarrin) agresione. Nënshtrim nga agresioni. Përballje me agresionin. Pasojat e agresionit.
2. psikol. Sjellje ose qëndrim armiqësor, sulmues a i dhunshëm ndaj dikujt; sjellje e shoqëruar me emocione negative, si pakënaqësi, zemërim, mllef, pezëm etj. Shenjat (gjurmët) e agresionit. Agresion emocional.
✱Sin.: sulm, goditje.
AH pasth. 1. Përdoret kur shprehim dhembje, pikëllim, dëshpërim etj. Ah, ç’dhembje e fortë! Ah, ç’e gjeti të shkretin! Ah, ç’i plasi shpirti!
2. Përdoret për të përforcuar shprehjen e gëzimit, të lumturisë, të kënaqësisë, të admirimit etj. Ah, sa mirë! Ah, sa bukur! Ah, sa i lumtur jam! Ah sa kënaqësi! Ah ç’mrekulli ishte!
3. Përdoret kur shprehim zemërim, kërcënim, shqetësim etj. ose frikë, çudi, habi; a. Ah, më frikësove shumë! Ah, erdhe ti! Ah, në të zënça! Ah, sa të vij atje! Ah ç’më bëre. Ah, ç’kopuk u bë!
4. Përdoret për të theksuar shprehjen e kundërshtimit, të mospranimit. Ah, jo! Ah, gjer këtu! Ah, kështu qenka puna? Ah, ashtu ndodhi?
5. Përdoret kur shprehim një mendim që na vjen papritur ose diçka që na kujtohet aty për aty në bisedë e sipër. Ah, më ra ndërmend!! Ah, sa mirë që m’u kujtua! Ah, si më shkoi mendja në atë çast!
AMOK,~U m., mjek. 1. Reagim shpërthyes e i dhunshëm ndaj dikujt, duke humbur kontrollin; krizë e furishme; shpërthim; agresivitet i skajshëm, zemërim i pafrenueshëm. Amoku kërkon ndërhyrje urgjente mjekësore.
2. fig. Çmenduri, marrosje, tërbim. E zuri amoku. Pacienti përjetoi një gjendje amoku.
✱Sin.: çmenduri, marrosje, krizë, shpërthim, agresivitet, zemërim tërbim.
AMORTIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. ek. Ul pak nga pak vlerën ose fuqinë e një mjeti pune, të një objekti, të një pajisjeje, etj., për shkak të përdorimit të gjatë, të konsumimit, të vjetrimit ose të prodhimeve të reja. Kompania amortizoi makineritë e veta.
2. tek. Zbut ose dobësoj forcën e goditjeve, të lëkundjeve, të zhurmës etj. në makinat e aparatet e ndryshme me anë të pajisjeve të veçanta. Amortizon goditjet e zhurmës së automobilave.
3. fig. Zbus ose lehtësoj një situatë të nderë ose një konflikt a një raport të acaruar duke e bërë me kalimin e kohës më pak të ndjeshëm ose më pak të rrezikshëm; zbus një dhembje, një humbje, një pikëllim, një zemërim duke e lehtësuar atë. Amortizoj situatën (zënkën, konfliktin etj.). Arrij të amortizoj zemërimin e kolegut. Amortizova gjendjen e vështirë emocionale të të moshuarës. Deklaratat e ambasadorit amortizuan tensionet mes dy shteteve. Ndihmat e shpejta amortizuan pasojat e tërmetit.
✱Sin.: zvogëloj, pakësoj, ul, bie, zbut, dobësoj, lehtësoj, humb, harxhoj, konsumoj.
AMORTIZÚAR (i, e) mb. 1. Që i është ulur shkallë-shkallë vlera ose cilësia diçkaje për shkak të përdorimit të gjatë ose të zhvillimeve të reja. Shkalla e amortizuar. Vlera e amortizuar. Shpenzimet e amortizuara. Mjete të amortizuara. Automjet i amortizuar. Laborator i amortizuar.
2. Që është zbutur ose është dobësuar (një goditje, një zhurmë etj.). Zhurmë e amortizuar. Goditje të amortizuara. Krismë e amortizuar.
3. fig. Që është i zbutur, i dobësuar, i lehtësuar, i konsumuar (një ndjenjë, një marrëdhënie, një gjendje emocionale, një konflikt etj.). Dhembje (pikëllim, zemërim) i amortizuar. Marrëdhënie e amortizuar. Konflikt i amortizuar. Lidhje e amortizuar. Gjendje e amortizuar. Vlerë e amortizuar.
✱Sin.: i zbutur, i dobësuar, i pakësuar, i lehtësuar, i konsumuar.
►ANK/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR vetv. 1. Shpreh dhembjen me fjalë e psherëtima për një sëmundje a një të keqe. Ankohet nga barku. Ankohet për skamjen. Është mësuar të ankohet.
2. Shpreh pakënaqësi a zemërim për diçka që nuk më pëlqen ose që e shoh të padrejtë; qahem. Ankohet kot (me vend). I ankohem shokut. S’ka përse të ankohet. Nuk di të ankohet. Ankohet për trajtimin jopërkatës. U ankova për zhurmat në ndërtesë.
3. Paraqit një ankesë, bëj një ankesë me shkrim a me gojë. U ankua më lart. Ankohet pa frikë (pa të drejtë). Shkoi të ankohej.
ARMIQËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Qëndrim prej armiku, prirja e synimi për t’i bërë keq dikujt, ndjenjë e keqdashjes dhe e urrejtjes për dikë; kund. miqësi. Armiqësi e thellë (e vjetër). Armiqësi që nuk pushon. Armiqësi mes të afërmve.
2. Marrëdhënie kur dy palë urrejnë dhe luftojnë njëra-tjetrën; hasmëri; marrëdhënie kundërshtuese apo konfliktore me dikë që ka qëllime dëmsjellëse për tjetrin. Janë në armiqësi. Fut në armiqësi. Krijuan armiqësi. Pësuan nga armiqësia.
✱Sin.: dashakeqësi, dashaligësi, hasmëri, urrejtje, mëri, inat, smirë, xhelozi, zemërim.
ARMIQËSÍM,~I m. 1. Gjendje e krijimit të armiqësisë, të konfliktit midis individëve, grupeve ose vendeve; krijim i mosmarrëveshjes, i tendosjes; prishje e marrëdhënieve miqësore ose asnjanëse, të armiqësuarit; kund. miqësim. Armiqësim i dy vendeve (shteteve, grupeve, partive, individëve etj.). Ndodhi armiqësimi i dy shokëve.
2. Veprimi kur armiqësoj dikë me një tjetër ose kur armiqësohem.
✱Sin.: armiqësi, dashakeqësi, dashaligësi, urrejtje, prishje, zemërim, xhelozi,
ASHPËRSÍM,~I m. 1. Të qenët i ashpërsuar, i vrazhdësuar, i rreptë. Ashpërsimi i marrëdhënieve. Ashpërsim i qëndrimeve. Ashpërsim i situatës politike (ekonomike, sociale, shëndetësore etj.). Ashpërsimi i gjendjes (i krizës). Shkon drejt ashpërsimit.
2. Ashpërsi. Shprehet me ashpërsim. I drejtohet me ashpërsim.
✱Sin.: acarim, nderje, keqësim, plasaritje, çarje, egërsim, zemërim, kreshpërim, rrefkëtim, tendosje.
BÉFTË (i, e) mb. Që ndodh në mënyrë të papritur, i papandehur; që vjen befas, i befasishëm. Ndryshim i beftë. Gëzim (zemërim) i beftë. Mendim i beftë. Vdekje e beftë. Ngjarje e beftë. Shpërthime të befta ndjenjash. Me fjalë të befta. Në mënyrë krejt të beftë.
✱Sin.: i papritur, i papandehur, i befasishëm, i menjëhershëm.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë