Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DYLBÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT bised. 1. Mashkull që ka prirje homoseksuale, që me bukurinë e tij josh meshkujt e tjerë; bythar; dashnor. Vetullholla tek po vjen, / Dili para, mor dylber, / Mbushja grushtin me sheqer. (folk.). Burrin dylber, shpirtin zeher. (fj. u.).
2. si mb. Sipas kuptimit të emrit. Djalë dylber.
HÉLM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Lëndë e hidhur që dëmton organizmat e gjallë ose shkakton vdekjen e tyre. Helm i lëngshëm (i gaztë). Helm vdekjeprurës. Helm pluhur. Helmi i gjarprit. Helmi i grerëzës (i bletës). Qeska e helmit. Kërpudhë me helm. Nxjerr (lëshon) helm. Ka helm. Piu helmin.
2. fig. Diçka shumë e keqe, që të prish, të shkatërron a të dëmton rëndë. Helmi i kundërshtarit. Helmi i sëmundjes.
3. fig. Hidhërim i madh, pikëllim. Helm i madh. Me helmin e zemrës. Vdiq prej helmit. Helmi e plak njeriun (fj. u.) mërzia apo problemet e vazhdueshme të plakin.
4. si mb. Shumë i hidhur. Është helm. E kam gojën helm. Helm e ka fjalën. Është bërë helm gjella është bërë shumë e kripur, pothuajse e hidhur nga kripa e tepërt, është bërë aq e kripur sa s'vihet në gojë.
5. si mb., fig. Shumë i hidhëruar, i pikëlluar. Helm e pikë (helm e vrer). U bë helm.
✱Sin.: farmak, zeher, vrer, brengë, pikëllim, hidhërim. i hidhur, i hidhëruar, i pikëlluar.
♦ U bëra (jam) për të pirë helmin u dëshpërova shumë, u pikëllova pa masë; u bëra helm (e pikë); u bëra (jam) për të vrarë veten. M’u bë zemra (shpirti) helm u mërzita a u dëshpërova shumë; u pikëllova; u bëra helm (e pikë); m’u bë zemra (shpirti) vrer. U bëra (jam) helm (e pikë) jam shumë i hidhëruar; jam shumë i mërzitur e i dëshpëruar; u pikëllova shumë; u bëra (jam) pikë e vrer; m’u bë zemra (shpirti) helm; u bëra verem; kund. u bëra (jam) shend e verë. Helm i sheqerosur diçka që duket e mirë e joshëse nga jashtë, por që fsheh një rrezik të madh përbrenda; karamele me helm. *Karamele (sheqerkë) me helm. Vjell helm (kundër dikujt) shih vjell vrer (kundër dikujt). E shet helmin për *mjaltë (dikush) keq. Është zier në helm (dikush) shih ka pirë gurin e gjakut (dikush).
PELÍN,~I m. [PELÍN/Ë,~A f.] 1. bot. (lat. Artemisia absinthum) Bimë barishtore shumë e hidhur, me kërcell të mbuluar me push dhe me gjethe ngjyrë hiri të zbardhëlleme, me lule të vogla në ngjyrë si të verdhë, që përdoret në mjekësi, për prodhimin e pijeve të ndryshme etj. Gjethe pelini. Erë pelini. I hidhur si pelin.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje pelini: Pelini i alpeve (lat. Artemisia umbelliformis). Pelini i bardhë (lat. Artemisia alba, Artemisia abrotanum) bari i kamfurit. Pelini bregdetar (lat. Artemisia stelleriana). Pelini detar (lat. Artemisia maritima, Seriphidium maritimum). Pelini dyvjeçar (lat. Artemisia hiennis). Pelini i egër (lat. Artemisia vulgaris) pelini i zi, pershta, përshuta, përzhuta. Pelini i egër i bardhë (lat. Artemisia lactiflora). Pelini i fushës (lat. Artemisia campestris) fshesa. Pelini i kripërishtes (lat. Artemisia tridentata, Seriphidium tridentatum). Pelini trepjesësh i kripërishtes (lat. Artemisia tripartita, Artemisia trifida, Seriphidium tripartitum). Pelini njëvjeçar (lat. Arlemisia annua). Pelini me thekë (lat. Artemisia frigid). Pelini i zi pelini i egër.
3. fig. Hidhërim i madh, helm. Lot pelini.
4. si mb. Shumë i hidhur, helm (edhe fig.). E kam gojën pelin. I kishte fjalët pelin.
5. si ndajf. Shumë (me mbiemrin i hidhur). Pelin i hidhur (i hidhur pelin).
✱Sin.: helm, zeher, farmak, hidhërim, i hidhur.
SHAJT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. dhe jokal. 1. Vras keq një gjymtyrë a një pjesë të trupit, duke e goditur pas diçkaje të fortë, shemb. E kishte shajtuar keq krahun. Ku je shajtuar kështu?
2. kal., vet. v. III Më vret keq diçka. E shajtoi këpuca.
3. kal., fig. E pikëlloj dikë, e helmoj, e bëj pikë e vrer, i rëndoj shpirtin, i lëndoj rëndë zemrën, e vras. Më shajtoi zemrën. E shajtoi me atë fjalë që i tha. Të shajton e të helmon.
4. kal., vet. v. III E godet; e nguros, e shtang, e mbërthen në vend. E shajtoi pika. E kishte shajtuar një sëmundje e rëndë. I ftohti ia shajtoi këmbët.
5. kal., edhe fig. Hidhëroj dikë me fjalë, helmoj, farmakos. E shajtoftë e iu bëftë zeher buka! E shajtoftë pika! (mallk.)
6. kal. dhe jokal., fig. Prish nga mendtë, shkatërroj, çmend. E shajtoi krejt. E shajtoi nga mendtë.
✱Sin.: shemb, pikëlloj, helmoj, vreros, rëndoj, vras, godet, bie, ngurtësoj, nguros, shtang, mbërthen, farmakos, prish, shkatërroj, prishet, vras, shemb, mbret.
SHEQÉR,~I m. 1. Substancë e ëmbël në trajtë kristalesh të vogla zakonisht të bardha e të tretshme lehtë në ujë, që nxirret nga një lloj panxhari ose nga një lloj kallami (sukrozë) dhe që përdoret gjerësisht në industrinë ushqimore, sidomos në përgatitjen e ëmbëlsirave; kund. zeher. Përftimi i sheqerit. Nuk i hedh sheqer kafesë. Paketimi dhe përpunimi i sheqerit. Një lugë sheqer. Sheqer për diabetikët. Akullorja kishte shumë sheqer. Liker me përmbajtje sheqeri. Importimi i sheqerit. Ëmbëlsirë pa sheqer. Shurupi i sheqerit.
2. biol. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të kësaj substance ose mënyra të ndryshme të përpunimit të saj. Sheqer drusor produkt i përftuar nga përpunimi me ngrohje i drusë që shndërrohet në sheqer. Sheqer dytësor lloj sheqeri kristalor me ngjyrë kafe të verdhë që përdoret në industrinë përpunuese ushqimore. Sheqer i djegur karamel. Sheqer i kuq sheqer i parafinuar ose i rafinuar pjesërisht. Sheqer i lëngët shurup sheqeri. Kallam sheqeri përdoret si emërtim për një lloj ëmbëlsire me sheqer që ka formën e një kallami pak të përkulur. Mollë sheqeri një lloj ëmbëlsire me mollë e cila vishet me sheqer të djegur.
3. Lëndë organike e ëmbël, që gjendet në nektarin e luleve, në tulin e frutave etj.; fruktozë. Sheqeri i fiqve (i rrushit, i mjaltit). Kumbull sheqeri (bot.) një lloj kumbulle që bën kokrra të rrumbullakëta, të verdha e shumë të ëmbla.
4. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë. Panxhar sheqeri (lat. Beta vulgaris saccharifera, B. vulgaris altissima, B. Vulgaris) panxharsheqeri, rapa, rrepa e sheqerit. Kallam sheqeri (lat. Saccharum officinarum) bimë me origjinë nga Azia, kërcelli i së cilës shërben për të prodhuar sheqer.
5. mjek. Pjesë e dytë e emërtimit të pathjeshtë për një sëmundje. Sëmundja e sheqerit sëmundje e shkaktuar nga tepria e glukozës, diabeti.
6. si mb. edhe fig. Që është shumë i ëmbël, mjaltë. Mollët janë sheqer. E ka gojën sheqer.
7. si ndajf. Në një shkallë shumë të lartë, shumë; kund. pak. Ishte sheqer i ëmbël. Çarçafët i kishte sheqer të bardhë.
✱Sin.: i ëmbël, mjaltë, fruktozë.
♦ Nuk ra sheqeri në *ujë. E hëngri shapin për sheqer (dikush) shih e hëngri (e mori) sapunin për djathë (dikush). (Është) *mjaltë e sheqer (mjaltë e qumësht) (dikush). E ka *mjaltë e sheqer (mjaltë e qumësht) (me dikë). E ka gojën sheqer (dikush) është gojëmbël; nxjerr sheqer nga goja; i buron (i nxjerr, i rrjedh) goja mjaltë (dikujt); e ka gojën të ëmbël; e ka gojën llokum. Kërkon sheqer e kripë në ujë (dikush) tall. kërkon diçka të pamundur, që nuk mund të ndodhë a nuk mund të bëhet; kërkon qumësht nga delja shterpë; kërkon qumësht nga cjapi; kërkon dhallë të thartë në kollozhek. E lyen me sheqer (diçka) përpiqet ta zbukurojë e ta fshehë thelbin e keq të diçkaje, duke përdorur fjalë të ëmbla ose mënyra joshëse; e sheqeros. Ndaj *shapin nga sheqeri. Nxjerr sheqer nga goja (dikush) është gojëmbël; e ka gojën sheqer; i buron (i nxjerr, i rrjedh) goja mjaltë (dikujt); e ka gojën të ëmbël; e ka gojën llokum. Nxjerr sheqer nga ujët e detit (dikush) shih nxjerr mjaltë nga guri (dikush). *Top sheqeri.
SHPIRT,~I m. sh. ~RA, ~RAT 1. Pjesa jo fizike e qenies njerëzore, bota e brendshme e njeriut, tërësia e vetive të tij psikike, tërësia e ndjenjave, e përjetimeve të tij, e mendimeve, dhe e vetëdijes së tij. Me shpirt të gëzuar (të vrarë, të trazuar, të tronditur, të pikëlluar). Njerëz me shpirt të pasur. Në thellësi të shpirtit. Thellë në shpirt. I plagosur në shpirt. Të kënaqet shpirti. Iu gëzua shpirti. Iu bë shpirti vrer. Të ka lezet shpirti (bised.) ke kënaqësi, kënaqesh. E ka shpirtin helm (zeher) është shumë i hidhëruar. I rëndon në shpirt (një gabim a faj që ka bërë). S’dihet ç’ka (s’ka gjë të keqe) në shpirt. Shpirti im e di. Më pikoi në shpirt. Më ka prekur në shpirt. Nuk i ndahej shpirti nga djali. Nga del fjala, del shpirti. (fj. u.) fjala e dhënë nuk kthehet.
2. Tërësia e vetive dhe e tipareve (të mira a të këqija) të karakterit ose të personalitetit të një njeriu; karakteri i njeriut; tërësia e aftësive të brendshme, aftësitë mendore; gjendja e brendshme, forca morale e një njeriu a e një grupi njerëzish; frymëzim, ndjenjë, temperament. Me shpirt të lirë (të gjerë, fisnik, të bardhë). Me shpirt të ngushtë (të vogël). Me shpirt të zjarrtë (luftarak, sulmues, të paepur, të papërkulur). Me shpirt të ndjeshëm. Shpirt kërkues (krijues). Shpirti praktik aftësia për të kryer mirë e shpejt punët e detyrat e ndryshme. Shpirti i vetëmohimit (i sakrificës, i kundërshtimit). Ka shpirt të mirë (të keq). Ka shpirt poeti (artisti). Ka shpirt malësori. I madh (i gjerë, fisnik) nga shpirti. Njeri pa shpirt njeri i egër, mizor; njeri i ftohtë, njeri që nuk ka interes a dashuri për asgjë. Flet (këndon, punon) me shpirt flet (këndon, punon) me afsh, me zjarr, me të gjitha fuqitë që ka. Është dhënë me (gjithë) shpirt pas diçkaje ia ka kushtuar të gjitha forcat diçkaje, është dhënë i tëri pas diçkaje. E bën (e jep) me gjithë shpirt e bën me zemër të hapur, në mënyrë të çiltër, me bindje të plotë; e bën me të gjitha fuqitë që ka, me zjarr, me gjithë hovin e zemrës, me gjithë zemër.
3. Parim a synim themelor që përcakton mënyrën se si mendon, sillet e vepron një njeri a grup njerëzish dhe që e ka burimin te kushtet historiko-shoqërore në të cilat kanë jetuar e janë formuar këta; frymë. Me shpirt demokrati (atdhedashësi, patrioti). Me shpirt tregtari. Ka shpirt shqiptari.
4. fig. Qenia më e shtrenjtë, më e çmueshme për dikë, njeri shumë i afërt e i dashur, i dashuri i zemrës, zemër (përdoret edhe për t’iu drejtuar me dashuri e përkëdhelje një njeriu shumë të afërt); gjëja më e shtrenjtë për njeriun, jeta. E kam shpirt. E dua si shpirtin. Shpirti është i dhembshur. Jap edhe shpirtin për të. Eja, shpirti i nënës (shpirti im)! - Ç’ke, o shpirt? Shpirt i vogël!
5. fig. Gjëja më e qenësishme, thelbi i diçkaje. Shpirti i artit (i shkencës). Shpirti i punës krijuese.
6. Forca kryesore frymëzuese a lëvizëse në një punë a në një veprimtari, shtylla e një pune a e një veprimtarie; ai që frymëzon, organizon e udhëheq një grup njerëzish; njeriu më i dashur në një grup a në një rreth njerëzish; zemër. Shpirti i skuadrës (i brigadës). Shpirti i shoqërisë. Shpirti i shtëpisë.
7. filoz., psikol. Ndërgjegjja, forma më e lartë e veprimtarisë psikike të njeriut.
8. fet. Ana jomateriale te njeriu, që ka prejardhje hyjnore e është i pavdekshëm, që i jep njeriut jetën, e dallon atë nga kafshët dhe e lidh me Zotin. Shpirtrat e të vdekurve. I ndrittë shpirti! (ur.) I vajttë shpirti në ferra! mallk. Për shpirt të nënës! betim. Ndanin për shpirt.
9. mit. Qenie e patrupëzuar, që ka fuqi të mbinatyrshme dhe vepron në jetën e njerëzve e në natyrë duke bërë të mira e të këqija. Shpirtrat e këqij. Shpirtrat e pyllit (e kënetës).
10. fet. Fryma e Shenjtë.
11. bised. Jetë. E gjetën pa shpirt. Shpëtoi me shpirt shpëtoi, mbeti gjallë. Ra (u rrëzua) pa shpirt.
12. bised. Njeri, vetë, frymë (zakonisht e shoqëruar me fjalë që tregojnë sasi). Ishin (bëheshin) njëzet shpirt. Sa shpirt qenë? Nuk kishte shpirt të gjallë rreth e rrotull. Në fshat nuk kishte mbetur shpirt njeriu.
♦M’u bë *plagë (lungë) në shpirt (në zemër). M’u bë shpirti *derr. M’u bë shpirti *gomar bised. M’u bë shpirti (zemra) *helm. M’u bë shpirti (zemra) *vrer. E bëj *bir për shpirt (dikë). Bën hesap shpirtin (xhanin) (dikush) është shumë i sëmurë; i ka ditët të numëruara. Ma bëri shpirtin (zemrën) *copë (dikush). Ta bën shpirtin *derr (dikush). Ma pruri (ma solli) shpirtin ndër *dhëmbë (dikush a diçka). Ma pruri (ma solli) shpirtin në *fyt (dikush a diçka). Ma pruri (ma solli) (shpirtin) në *majë të hundës (dikush). M’u copëtua shpirti (*zemra) (për dikë a për diçka). Ma copëtoi shpirtin (*zemrën) (dikush). I doli shpirti (dikujt). 1. Vdiq dikush, mbaroi; i doli fryma. 2. U lodh e u këput dikush, u rraskapit; u mundua shumë; vuajti shumë; i doli qumështi i nënës; i doli shkumë nga goja; hoqi të zitë e ullirit (dikush); hoqi gurin e gjakut (dikush). Dil o shpirt të dalësh! u lodha shumë, u raskapita, jam aq i këputur sa s’mbahem dot në këmbë; më rënkojnë eshtrat e trupit; u çava shpatullash (më katërsh); u bëra për ujë me kripë. M’u dogj (m’u përvëlua) shpirti (*zemra) (për dikë a për diçka). Ma dogji (ma përvëloi) shpirtin (*zemrën) (dikush). Më dridhet (më përpëlitet) shpirti (*zemra) (për dikë a për diçka). Ma do shpirti (*zemra) (dikë a diçka). Më dhemb (më ther) shpirti (*zemra, në shpirt, në zemër) (për dikë a për diçka). M’u err shpirti u hidhërova shumë, u brengosa, u pikëllova; m’u bë zemra pus. Më ka fjetur në shpirt (në *zemër) (dikush). Më ftohet shpirti (*zemra). E fut në shpirt (në *zemër) (dikë a diçka). Më gërryen shpirtin (*zemrën) (diçka). Më gufon shpirti (*zemra). Me gjithë shpirt (me gjithë *zemër). Me *gjysmë shpirti (dikush). Më hëngri shpirtin (dikush) më bezdisi e më mërziti shumë, m’u qep për diçka e s’më ndahet; s’e duroj dot më; më plasi shpirtin (zemrën); më hëngri zorrët. Më helmoi shpirtin (*zemrën) (dikush a diçka). Heq në shpirt (në *zemër) (për dikë a për diçka). Më ka hyrë në shpirt (në *zemër) (dikush a diçka). Janë dy *kufoma e një shpirt. (Janë) *lot e shpirt. Janë dy *trupa e një shpirt. Jam me shpirt (pas dikujt a pas diçkaje) e dua shumë dhe i përkushtohem me gjithë forcat, nuk kursehem për të, jepem i tëri, me dëshirë e me gjithë forcat pas tij ose pas saj. Është me shpirt në gojë (dikush) është shumë i lodhur, është i rraskapitur, s’ka më fuqi fare; ta zësh (ta kapësh) për hunde, i del shpirti (dikujt). Jam me shpirt (me zemër) *të vrarë. (Është) në *valë të shpirtit (dikush). I jap shpirt (diçkaje) e gjallëroj, e bëj të gjallë; e mbaj gjallë me pahir; e fuqizoj; e bëj të prekshëm. Jap shpirtin (për dikë a për diçka) e dua shumë dhe mund të sakrifikoj çdo gjë për të, jap edhe jetën për të. Po jep (po heq) shpirt. 1. (dikush). Është duke vdekur, është në grahmat e fundit; është në shtratin e vdekjes; e ka të shpejtë; është në shtratin e vdekjes; iu sos vaji në kandil (dikujt). 2. (diçka). Është duke u shkatërruar plotësisht, po rrënohet, po mbaron; e ka të shpejtë. S’ia jap dot shpirtin (dikujt) bëj gjithçka që mundem, nuk kam ç’t’i bëj më shumë; jam i pafuqshëm për ta mbajtur në jetë (thuhet për dikë që kujdeset shumë për të sëmurin dhe s’ka ç’i bëjë më shumë se aq). Nuk ia jap shpirtin *shejtanit. E kam *brengë në shpirt (në zemër) (diçka). E kam *dregëz në shpirt (në zemër) (diçka). E kam *gozhdë në shpirt (në zemër) (diçka). E kam *gur në shpirt (në zemër) (diçka). Më ka *lezet shpirti. E kam *peng në shpirt (në zemër) (diçka). E kam *pikë në shpirt (në zemër) (diçka). E kam *plumb në shpirt (në zemër) (diçka). E kam shpirt (dikë) e dua shumë, është njeriu më i shtrenjtë për mua; e kam në (për) zemër; e kam xhan fëm. Nuk ka shpirt (*zemër) (dikush). Ka shpirt (zemër) të bardhë (dikush) është zemërbardhë; kund. ka shpirt të zi (zemër të zezë). E ka shpirtin *të bardhë (ka shpirt të bardhë). E ka shpirtin (zemrën) *barut (dikush). Ka shpirt (*zemër) të butë (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *të butë (dikush). Ka shpirt (*zemër) të dobët (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *të dobët (dikush). S’ka shpirt (s’ka pikë shpirti) ndër dhëmbë (dikush) ka vdekur, aq e pati, iu sos jeta; ka dhënë shpirt; ka ndërruar jetë; iu këput peri (dikujt). Ka shpirt (*zemër) të fortë (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *të fortë (ikush). E ka shpirtin në *fyt (dikush). E ka shpirtin në *gushë (dikush). Sa ta kem shpirtin *gjallë. Ka shpirt (*zemër) të gjerë (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *të gjerë (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *katran (dikush). Ka shpirt të keq (*zemër të keqe) (dikush). E ka shpirtin *të keq (zemrën të keqe) (dikush). E kam shpirtin (zemrën) *të lehtë. E ka shpirtin të (lig zemrën *të ligë) (dikush). Ka shpirt të madh (zemër të madhe) (dikush) është shpirtmadh; kund. ka shpirt (zemër) të vogël. Ka *shpirt (zemër) të mirë (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *të mirë) (dikush). Ka shpirt (*zemër) të ngushtë (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *të ngushtë (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *të pastër (të kulluar) (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *qelibar (dikush). Ka shpirtin e qenit (dikush) përçm. shih ia ka shitur shpirtin shejtanit (dikush) keq. E kam shpirtin (zemrën) *të qetë. E ka shpirtin (zemrën) *të qëruar (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *sterrë (dikush). E ka shpirtin *të thellë (dikush). Ka shpirt (zemër) të vogël (dikush) është shpirtvogël; kund. ka shpirt të madh (zemër të madhe). E ka shpirti (zemrën) *të vogël (dikush). E kam shpirtin (zemrën) *të vrarë. Ka shpirt të zi (*zemër të zezë) (dikush). E ka shpirtin *të zi (zemrën të zezë) (dikush). Më kënaq shpirtin (zemrën) (dikush a diçka) më gëzon, më jep kënaqësi të madhe shpirtërore; më bën të lumtur, më kënaq shumë. Më kënaqet shpirti (zemra) (nga diçka) ndiej një kënaqësi shumë të madhe, gëzohem; ndihem i lumtur, kënaqem shumë; më ka lezet shpirti. Më këndon shpirti (*zemra). Më këput shpirtin (zemrën) (dikush a diçka) më bën të më vijë shumë keq dikush, më prek thellë, më mallëngjen, më shkakton keqardhje të madhe, më pikëllon shumë (kur është në gjendje të vajtueshme, i sëmurë, shumë i varfër etj.); më trondit shumë diçka; më këput frymën; më gërvisht në zemër; ma bën barkun ujë. M’u këput shpirti (zemra) (për dikë). 1. Më erdhi shumë keq për dikë, u preka thellë, u mallëngjeva, kam keqardhje të madhe, u pikëllova shumë (kur është në gjendje të vajtueshme, i sëmurë, shumë i varfër etj.); m’u ça (m’u çor) zemra; m’u hap zemra; m’u bë barku ujë; m’u bë zemra ujë. 2. Kam shumë mall për dikë, më këputi malli, e dua shumë, vuaj shumë shpirtërisht për të; m’u ça (m’u çor) zemra; m’u hap zemra. E kam kyçur në shpirt (në *zemër) (dikë a diçka). E ka shpirtin *të bardhë (ka shpirt të bardhë) (dikush). M’u lehtësua shpirti (zemra) u çlirova nga një ankth a nga një brengë, m’u zbut vuajtja shpirtërore; u qetësova shpirtërisht; kund. m’u rëndua shpirti (zemra). Ia la *plagë në shpirt (në zemër) (dikujt). Ta lë shpirtin në *dorë (dikush). M’u lëndua shpirti (*zemra). Më lëndoi në shpirt (në *zemër) (dikush). Më lëngon shpirti (zemra) vuaj shumë shpirtërisht, kam një plagë të madhe e të vazhdueshme në shpirt. M’u ligështua (m’u lig) shpirti (*zemra). Më ligjëron shpirti (*zemra). Lip për *derë e ndaj për shpirt. Më mori *flakë shpirti. Marr shpirt (*zemër). Ia mori shpirtin (dikujt). 1. E mundoi shumë; e rraskapiti, e sfiliti; i mori frymën; i nxori shkumë (nga goja); i nxori qumështin e nënës. 2. E shfrytëzoi deri në palcë; i rropi (i hoqi, i mori) lëkurën; e rropi të gjallë (dikë). 3. E rrahu keq dikë, e shqepi, e zhdëpi; e bëri për vdekje (dikë); i mori frymën; e hëngri të gjallë (dikë); e futi (e vuri) të gjallë në varr (në dhe) (dikë); i nxori shkumë (nga goja); i nxori qumështin e nënës; i nxori dhëmbë e dhëmballë; e bëri të përmjerrë (të vjellë) gjak (dikë); ia nxiu jetën; ia mori avullin. S’e kam marrë shpirtin me *qira. Sikur e ka marrë shpirtin me *qira (hua) (dikush) keq. Sa për të mbajtur shpirtin sa për të jetuar, sa për të mos vdekur urie; shumë pak (për ushqime etj.); sa për të mbajtur frymën. Nuk ia mbaj dot shpirtin (dikujt) nuk e shpëtoj dot, nuk e mbaj dot në jetë një të sëmurë rëndë; i kam bërë të gjitha përpjekjet, s’kam lënë gjë pa bërë për ta mbajtur gjallë. Mbaj shpirtin (frymën) *gjallë (me diçka). Më mbeti *brengë në zemër (në shpirt) (diçka). Më mbeti *peng në shpirt (në zemër) (diçka). Më mbeti *plagë në shpirt (në zemër) (diçka). I ka mbetur shpirti në *fije të perit (dikujt). Ma mbushi shpirtin (*zemrën) (plot) (dikush a diçka). M’u mbush shpirti (*zemra) me helm. M’u mbush shpirti (*zemra) (plot). Me mish e me shpirt. S’u ndahet shpirti rrinë gjithnjë bashkë, ngaqë e duan shumë njëri-tjetrin. I ndrittë shpirti! thuhet për një të vdekur në shenjë nderimi a respekti për veprën e tij; mos u harroftë kurrë! Ma ngopi shpirtin (zemrën) (dikush a diçka) më kënaqi shumë, më dha kënaqësi të plotë; më lumturoi; ma mbushi shpirtin (zemrën) (plot). M’u ngop shpirti (zemra) u kënaqa plotësisht, e plotësova një dëshirë a një kërkesë; u lumturova; m’u mbush shpirti (zemra) (plot). Ma ngroh shpirtin (*zemrën) (dikush a diçka). Më ngrohet shpirti (*zemra). Më është ngulur (më është ngulitur) në shpirt (në *zemër) (dikush a diçka). Më ngjeth shpirtin (*zemrën) (dikush a diçka). Më ngjethet shpirti (*zemra). M’u ngjit në shpirt (në*zemër) (dikush a diçka). M’u nxi (m’u nxiros) shpirti (*zemra). Ma nxiu (ma nxirosi) shpirtin (*zemrën) (dikush). E nxjerr nga shpirti (nga *zemra) (dikë a diçka). I pikon shpirti nga hundët (dikujt) shih ta zësh (ta kapësh) për hunde, i del shpirti (dikujt). Më pikon në *zemër (në shpirt) (për dikë a për diçka). Më plagosi shpirtin (*zemrën) (dikush a diçka). M’u plagos shpirti (*zemra) (nga dikush a nga diçka). Më plasi shpirti (zemra) vuaj thellë nga hidhërimi a nga një fatkeqësi e madhe dhe e papritur, nuk më duron dot shpirti një dhembje të tillë; vuaj thellë nga një dëshirë e zjarrtë, u këputa nga malli për dikë, kam dhembje shpirtërore për dikë a për diçka që e dua shumë dhe e pres prej shumë kohësh; m’u zu shpirti ngjak; m’u fry (m’u enjt) zemra. Më plasi shpirtin (zemrën) (dikush a diçka) më mërziti shumë; më dëshpëroi shumë, më helmoi; më mundoi shumë; më plasi buzën; më plasi shpretkën; ma pruri (ma solli) në majë të hundës; më bëri verem; m’u bë gur në opingë; pëlcet edhe gurin (dikush); ma zuri shpirtin ngjak (dikush). Më preku në shpirt (në *zemër) (dikush a diçka). U preka në shpirt (në *zemër). Më qan shpirti (*zemra) (për dikë a për diçka). Ku i qëndron shpirti! (dikujt) është shumë i dobët, është tretur fare; është bërë kockë e lëkurë (dikush). M’u rëndua shpirti (*zemra). Me rëndon në shpirt (në *zemër) (diçka). Më sëmbon (më ther) në shpirt (në *zemër) (për dikë a për diçka). Ia sjell shpirtin (zemrën) në *vend (dikujt). Ia ka shitur shpirtin *shejtanit (dikush) keq. Nuk ia shes shpirtin *shejtanit. Për shpirt të babait falas, për asgjë (për diçka që nuk dua ta jap). Me shpirt (me *zemër) të bardhë. Shpirti binjak njeri shumë i ngjashëm e shumë i lidhur me një tjetër. Me shpirt (me *zemër) të copëtuar. Me shpirt (me *zemër) të djegur (të përvëluar). Me shpirt ndër dhëmbë (në gojë). 1. Me mundim të madh, me shumë vuajtje, me zor të madh, duke shtrënguar dhëmbët. 2. (dikush). Gati për të vdekur, sa mezi mbahet; si i mbyturi nëpër shkumë. Me shpirt (me *zemër) në fyt. Për shpirt të gomarit! iron. kot, duke shkuar mundi humbur, kur s’ia vlen të punosh; pa fituar gjë vetë. Me shpirt (me *zemër) të gjerë. Me shpirt (me zemër) të helmuar shumë i dëshpëruar, i helmuar, që ka vuajtur një hidhërim të thellë a një fatkeqësi të madhe; me shpirt (me zemër) të vrerosur. Me shpirt të keq (me zemër të keqe) zemërkeq; me keqdashje; kund. me shpirt (me zemër) të mirë. Me shpirt (me *zemër) të lënduar. Me shpirt të madh (me *zemër të madhe). Sa për shpirt të miut iron. fare pak, sa për ta lagur gojën; me dorë të shtrënguar (me dikë që ka nevojë. Me shpirt (me *zemër) të mirë. Me shpirt (me *zemër) të ngushtë. Shpirt njeriu shumë i mirë, i njerëzishëm e i dhembshur; i butë e i dashur. Me shpirt të njomë që preket lehtë, shumë i ndjeshëm; delikat. Me shpirt (me *zemër) të pastër (të kulluar). Me shpirt (me *zemër) të plagosur. Me shpirt (me *zemër) të plasur. Me shpirtin (me *zemrën) plot. Me shpirt (me zemër) të qëruar çiltërisht, pa prapamendime; i çiltër, i kulluar; me shpirt (me zemër) të pastër (të kulluar). Me shpirt të trazuar i shqetësuar; me dyshime e me frikë për diçka; i turbulluar. Shpirtra të vdekur libr. përçm. njerëz pa asnjë vlerë e pa kurrfarë rëndësie, që kanë marrë fund e s’bëjnë dot asgjë. Me shpirt (me *zemër) të vogël. Me shpirt (me *zemër) të vrarë. Me shpirt të vrerosur shih me shpirt (me zemër) të helmuar. Me shpirt të zi (me zemër të zezë) shpirtzi, zemërzi; me të keq; kund. me zemër (me shpirt) të bardhë. Me shpirt (me *zemër) të zjarrtë. Ma thau shpirtin (zemrën) (dikush a diçka). 1. Më la të vetëm e të shkretë, m’i mori a m’i zhduku gjithë të afërmit; më vrau edhe djalin e vetëm. 2. Më bëri të pandjeshëm, të mos shijoj të bukurën e të mirën, të mos gëzohem e të mos dëfrej. Nga *thelbi i shpirtit (i zemrës). Në *thellësi të shpirtit. I erdhi shpirti (dikujt) u përmend pas një humbjeje të ndjenjave; i erdhi fuqia përsëri, u gjallërua; erdhi në vete. Më erdhi shpirti (zemra) në *fyt. Më erdhi shpirti (qumështi i nënës) në *majë të hundës. Më erdhi shpirti (zemra) në *vend. Më vlon në shpirt (në zemër) (diçka) e përjetoj thellë diçka, e ndiej shumë dhe dua ta shfaq; kam një dëshirë të madhe që dua ta shpreh a dua ta plotësoj; më vjen me forcë e s’më lë të qetë një dëshirë e zjarrtë a një qëllim i lartë; më flakëron zemra2 (shpirti) (për diçka). Ta zësh (ta kapësh) për *hunde, i del shpirti (dikujt). Ma zuri shpirtin *ngjak (dikush). M’u zu shpirti *ngjak.
TË́MB/ËL,~LI m. 1. anat. Fshikëz e ngjitur me mëlçinë e zezë, e mbushur me një lëng shumë të hidhur me ngjyrë të verdhë në të gjelbër, i cili kullon në zorrë dhe ndihmon për të tretur ushqimet; lëng i kësaj fshikëze, vrer, tëmth. Fshikëza (qeska) e tëmblit. Ka gurë në tëmbël. Vuan nga tëmbli. I plasi tëmbli. I hidhur si tëmbli shumë i hidhur; helm, zeher, farmak, shtarë. Të plastë tëmbli! (nëmë) vdeksh!
2. si mb. Shumë i hidhur, helm. E kam gojën (gjuhën) tëmbël.
✱Sin.: tëmth, idhcë, vrer, helm.
♦ Më plasi tëmblin (dikush a diçka) më mundoi shumë, më plasi shpirtin.
VJELL vep., VÓLLA, VJÉLLË 1. kal. Nxjerr jashtë nga goja ushqimin që më përzien e nuk ma mban stomaku; nxjerr nga goja një ushqim, vrer ose gjak (kur jam i sëmurë ose kur më vjen ndot). Volli ushqimin. Volli ushqimin fëmija. Volli vrer (gjak). Më vjen për të vjellë.
2. fig., jokal., vet. v. III Nxjerr nga gryka tym, gazra a diçka tjetër me shumicë (për oxhakun, për një armë etj.). Oxhaqet vjellin tym. Pusi villte gaz. Pushka (mitralozi, topi) vjell zjarr (predha, plumba).
3. kal., vet. v. III E lëshon, e nxjerr ngjyrën e mëparshme (për një petk, kur lahet ose kur përdoret). Ajo basmë e villte bojën.
4. fig., keq., kal. dhe jokal. Flas shumë keq për dikë a për diçka, nxjerr gjithçka të keqe që mbaj përbrenda; them fjalë të këqija a shpif për dikë për të nxjerrë inatin, shfryj. Vjell vrer (helm, helm e vrer, zeher) kundër dikujt. E volli atë që kishte në bark. Vollën shumë gojët e këqija.
✱Sin.: villem, pështillem, guskoj, lëshon, nxjerr.
♦ E bëri të vjellë (të përmjerrë) *gjak (dikë) thjeshtligj. Vjell *helm (kundër dikujt). Vjell (nxjerr, hedh) *vrer (kundër dikujt). Më vjen për të vjellë (nga dikush a nga diçka) nuk e duroj dot diçka të ndytë, më vjen ndot; kam neveri
VRER,~I m. 1. Lëng me ngjyrë të verdhë në të gjelbër, shumë i hidhur, që del nga mëlçia e zezë, mblidhet në tëmth e kullon në zorrë dhe ndihmon për të tretur ushqimet; sëmundje që shfaqet me të vjella të shpeshta. Të vjella me vrer. I plasi vreri. Vdiq nga vreri.
2. Helm. Vreri i gjarprit.
3. Lëng i hidhur që kanë disa bimë. Vreri i duhanit. Vreri i shtarave.
4. fig. Hidhërim i madh, pikëllim; helm; urrejtje e madhe, inat. Vrer i madh. Lot vreri. E mban vrerin përbrenda.
✱Sin.: gulçi, gulfë, helm, farmak, zeher, hidhërim, pikëllim, dëshpërim.
♦ M’u bë zemra (shpirti) vrer u hidhërova shumë, u pikëllova, u helmova, u vrerosa; u bëra vrer; m’u bë zemra (shpirti) helm. U bëra (jam) *pikë e vrer. U bëra vrer. 1. U hidhërova shumë, u pikëllova; u helmova, u vrerosa; u mërzita a u dëshpërova shumë; m’u bë zemra (shpirti) vrer. 2. U inatosa shumë, u mbusha me urrejtje, s’përmbahem nga zemërimi. Më bëri vrer (dikush a diçka) më hidhëroi shumë, më pikëlloi; më helmoi, më vrerosi; më mërziti a më dëshpëroi shumë; ma helmoi zemrën. Më pikon zemra vrer kam një dhembje shpirtërore të madhe; brehem nga dëshpërimi, nga zemërimi etj.; jam shumë i brengosur; më pikon në zemër (në shpirt) (për dikë a për diçka). Vjell (nxjerr, hedh) vrer (kundër dikujt) flet shumë keq kundër dikujt, e shan me fjalë të ndyta e shpif kundër tij, shfryn me shpirtligësi, s’lë gjë pa thënë nga urrejtja për të; vjell helm; nxjerr lerë nga goja.
ZEHÉR,~I m. sh. ~E, ~ET bised. Helm; kund. mjaltë. Piu zeherin. I hodhi zeher. Vjell zeher kundër tij. E hidhur zeher. E kam gojën zeher. U bë zeher u pikëllua, u hidhërua shumë. Sa të qajmë hallet, të qajmë qederet, / Bashkë, bandill, bashkë t’i pimë zeheret. (folk.). Goja qet sheqer, goja qet zeher. (fj. u.). Mjaltin në gjuhë e zeherin në zemër. (fj. u.). Fëmija është një dorë me sheqer e një dorë me zeher. (fj. u.). Ca janë gatuar me sheqer dhe ca me zeher. (fj. u.).
►ZEHER/ÓHEM jovep. ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III Bëhet e hidhur, hidhërohet. Zeherohet gjella.
2. fig., vetv. Pikëllohem.
3. pës. e ZEHERÓJ.
ZEHERTÍSUR (i, e) mb. 1. I helmuar; i bërë zeher. Gjellë e zehertisur.
2. fig. Shumë i hidhëruar, i pikëlluar, pikë e vrer. Me zemër të zehertisur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë