Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NDRIT (NDRIS) vep., ~A, ~UR jokal. 1. vet. v. III Lëshon dritë, ndriçon fort; shkëlqen në dritë të fortë, shndrit. Ndrit dielli (hëna). Ndritin yjet. Ndrit si pasqyrë. Çdo gjë që ndrit nuk është ar (flori). (fj. u.).
2. vet. v. III Shkëlqen nga pastërtia, nga rregulli, është shumë i pastër e i rregullt, shndrit. Ndrit shtëpia (dhoma). Ndrit nga pastërtia.
3. vet. v. III Merr një shprehje të jashtme, që tregon një ndjenjë të fuqishme, frymëzim ose gjallëri të brendshme. Vajzës i ndriti fytyra nga ngazëllimi. Vogëlushit i ndritën sytë nga befasia.
4. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më ecën një punë, më shkon mbarë; ia arrij qëllimit (zakonisht me mohim). Nuk i ndriti me të. S’i ndrit tek unë. I ndriti fati.
5. kal. I jap dritë, ndriçoj. Doli hëna e ndriti dheun. Një rreze dielli ia ndriti fytyrën.
6. fig., kal. I tregoj rrugën e drejtë; i zbuloj të vërtetën dikujt duke e mësuar, ndriçoj, shndrit. I ndritën rrugën popullit. Ia ndriti mendjen (trurin).
7. iron., kal. E bëj keq një punë, e prish. E ndriti punën! Ç’na ndrite dhe ti me këto! E ndritën për shumë vjet me radhë.
✱Sin.: pastroj, spërndris, shkëlqar, shkëlqej, feks, ndriçon, ndrin, përndrit, rrezaton, rrezit, rrezon, rrëzëllen, vezullon, vetëtin, shkëndijon, shndrit, shkëndit, shkreptin, ndizet, xixëllon, zbardh, zbardhet, zbardhëllon, zdrit, llamburit, llapëtin, llaps, qeshet, gëzohet, sqaroj, shpjegoj, ecën, drejtoj, përshkëndit, udhëheq, shquhet, prish.
♦ I ndrit *fytyra (dikujt). I ndrit (i qesh) *nuri (dikujt). I ndrit *sytë (dikujt). I ndritin (i shkëlqejnë) *sytë (dikujt). I ndrittë *shpirti! I ndrit *ylli (dikujt).
SHKËLQ/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER 1. jokal., vet. v. III Lëshon dritë të ndritshme e vezulluese, rrezaton dritë; shndrit. Shkëlqen hëna (dielli). Shkëlqejnë yjet. Shkëlqen drita. Shkëlqen si yll. Shkëlqen si dielli i pranverës.
2. jokal., vet. v. III Reflekton dritë të fortë, është si i larë në dritë, bëj të ndritë diçka duke e pastruar me kujdes; llamburit, vezullon. Shkëlqen në diell. Shkëlqejnë të artat (perlat, rruazat, florinjtë, gurët e çmuar). Shkëlqejnë gotat (pjatat, lugët, enët). I shkëlqenin xhamat. Shkëlqen bora. Shkëlqen oqeani (lumi, liqeni, deti). I shkëlqejnë këpucët (çizmet). I shkëlqejnë dhëmbët. I shkëlqejnë faqet (flokët). Shkëlqen si kristal (si ar).
3. jokal., vet. v. III Ndrin nga pastërtia, vetëtin. Shkëlqen dhoma (shtëpia). I shkëlqejnë rrobat.
4. jokal., Duket sikur shndrit nga një ndjenjë e brendshme e fortë (për sytë dhe fytyrën); shpreh gëzimin, lumturinë etj. me pamjen e fytyrës e të syve. I shkëlqejnë sytë nga gëzimi. I shkëlqen fytyra nga lumturia. Shkëlqen nga dashuria. Shkëlqen i tëri. Shkëlqen e qesh.
5. jokal., fig. Bie në sy për cilësi të veçanta, shquhet mbi të tjerët në një fushë, në një punë të caktuar etj.; ka famë. Shkëlqen me zgjuarsinë (me talentin) e tij. Shkëlqen në matematikë (në mësime). Shkëlqen në ekran. Shkëlqen si shkrimtar. Shkëlqen në të gjitha fushat. Emri i Skënderbeut shkëlqen në çdo kohë. Shkëlqen nga goja flet bukur. Shkëlqen me stilin e tij.
6. kal. I jap shkëlqim diçkaje. I shkëlqeu enët.
✱Sin.: shndrit, ndrit, llamburit, vezullon, llapëtin, zdrit, dritëson, shkëndit (shkëndis), përshkëndit, rrëngjen, flakërin, flakëron, flakërit, flakon, rrezaton, rrëzëllen, rrezit, rrezon, shkëlqeron, shkëndis, përshkëndis, praron, shkreptin, ndizet, llaps, llapëtin, praron, prarohet, farfurit, zbardh, zbardhëllon, zbardhëllen, qesh, feks.
♦ I shkëlqejnë *faqet (dikujt). I shkëlqejnë (i ndritin) *sytë (dikujt).
ZDRIT (ZDRIS) vep., ~A, ~UR 1. kal. E mbuloj me dritë e me shkëlqim, e ndriçoj. E zdriti dhomën (shtëpinë, vendin). Fishekzjarrët e zdritën qiellin. Zdritnin oborrin e gjelbër të larë prej vesës. Një hov flakërues ia zdriti fytyrën. Kurrë n’at’ bjeshkë hana mos zdrittë! (mallk.). Bukurinë, në e mbajtsh me nder, e zdrit përherë. (fj. u.).
2. jokal., vet. v. III Ndrit, shkëlqen. Zdriti mali (vendi). I zdrit ylli në ballë. Zdriti dielli. Nuk zdritnin pishat me kristal nën hënë. I zdrit gjaku i fytyrës.
3. jokal., vet. v. III Kalon drita nëpër të, përshkohet nga drita. Po ende nuk ka zdritur dita që të solli në jetë. Shëndeti i saj më në fund zdriti në fund të tunelit.
4. fig., kal. E bëj të qartë e të kuptueshme diçka, e sqaroj, e ndriçoj. E zdriti mendimin . E zdriti me shembuj (me të dhëna). Ua zdriti mendjen. - Zdrite çështjen! Këto dokumente shërbejnë me zdritë jetën e kombit tonë. Vërejtjet që bante zdritshin kuvendimin. Ta zdritim peshën e vlerën e fjalës së tij shqipe.
✱Sin.: ndriçon, shkëlqen, sqaron, qartëson, shpjegon.
►ZDRÍTEM jovep. ~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Mbushet me dritë, ndriçohet. U zdrit mali. U zdrit qielli. Errej e zdritej. U zdrit sabahi e ata hala tuj flejtë. Fytyra e tyne u zdrit para syve të mi. Diellës i ishte zdrit fytyra. Zdritet bota mbarë ku kalon. Koshi plot me kallamboqë të verdhë zdrit si diell. Zdritet rishtazi skena. Muzgu zdritej nga xixëllonjat.
2. fig., vetv. Sqarohem. Tashti u zdrita. U zdrit dhe kjo çështje.
3. pës. e ZDRIT.
✱Sin.: sqarohem, qartësohem, ndriçohet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë