Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LITÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Tufë fijesh kërpi, liri, zhuke etj., të përdredhura së bashku në një fill të vetëm të trashë, i cili përdoret për të lidhur kafshët, për të shtrënguar diçka etj.; tërkuzë, konop. Litar i linjtë. Litar zhuke (çeliku). Litari i pusit (i samarit). Tërheqje litari (sport.) Lidh me litar. Kërcej me litar. E varën në litar. E shpunë (e çuan, e dërguan) në litar e dënuan me varje. E shkuan (e vunë) në litar e varën.
2. fig. Diçka e gjatë a e zgjatur; varg i gjatë, vargan. Litar uji. Bie shi me litarë bie shumë shi. Një litar njerëz.
3. Masë gjatësie rreth dhjetë-dymbëdhjetë metra ose shtatë-tetë pashë. Një litar kali larg. U ngrit dielli një litar. Arritën me një litar diell.
4. si ndajf. Me pika të trasha, të dendura dhe pa ndërprerje, me rrëshekë. Shiu binte litar.
5. si ndajf. Shumë. Dita është litar e gjatë kur s’ke punë.
✱Sin.: tërkuzë, konop, fërtomë, krahëz, lidhës, pliq, ballamar, cimë, zdrale, pallasartë, galc, tortë, tojë, vargan, varg, i gjatë, shumë.
♦ Aq i arrijnë litarët (dikujt) tall. aq mend ka, aq mendon, mos iu zemëro për çfarë thotë a bën; kur u ndanë, aq i ranë; është i lehtë nga mendja (dikush). U bë litar (*tërkuzë) (diçka). E bëri litar (*tërkuzë) (diçka). Bën litar me rërë (dikush) iron. përpiqet të bëjë diçka të pamundur, ia hyn një pune që s’bëhet, sajon gjëra të çuditshme; bën petulla me ujë (pa vaj); ngarkon vezë në lak. E bëri litar vrahu (diçka) shih e bëri litar (tërkuzë) (diçka). Ma drodhi litarin (dikush) ma prishi punën, im ngatërroi e ma vështirësoi; ma bëri lëmsh; ma bëri lesh e li. Nuk e duroj litarin në fyt nuk i nënshtrohem dikujt; nuk e pranoj dhunën a të keqen; nuk e duroj zgjedhën e huaj. I hodhi (i vuri) litarin në qafë (në grykë) (dikujt) shih i hodhi (i vuri) lakun në qafë (në grykë) (dikujt). I *hurit e i litarit (dikush). Hyn në *pus me litarin e botës (dikush). S’të jep as litar për t’u varur (dikush) është shumë dorështrënguar, është koprac i madh e shpirtlig, s’i del gjë nga dora; nuk të ndihmon në asnjë rast, edhe kur vetë nuk dëmtohet fare nga kjo; s’të jep as gur për të çarë kokën. E kam litarin (lakun) në *fyt. E kam litarin (lakun, thikën, halën) në *grykë. I kam litarët nëpër *këmbë. E ka litarin në *qafë (në grykë) (dikush). Kërkon litar prej rëre (dikush) iron. shih kërkon qiqra në hell (dikush). I lë litarët *zvarrë (dikush). I lëshoi litarin (dikujt) i bëri lëshime, e la të bëjë diçka a e fali për diçka; i lëshoi pe; ia hoqi hallkën; kund. ia mblodhi litarin. Të lëshon litarin nëpër këmbë (dikush) të nxjerr ngatërresa a pengesa në një punë, të krijon vështirësi për të të penguar. E lidh *kohën me litar (dikush) iron. Me litar në qafë (në grykë). 1. Përpara një rreziku të madh; përpara varjes a pushkatimit. 2. Në hall të madh, përpara një nevoje a një vështirësie të madhe ose përpara një detyrimi të madh; me lak në qafë. E luan në litar (dikë) e tall; e përqesh; e sorollat pa i mbaruar punë; e luan në tel; e vë në lojë; e luan (e sjell) në majë të gishtit (të gishtave). Iu mblodh litari (dikujt). 1. E ka punën keq, është në vështirësi të madhe; e ka pisk. 2. Po i afrohet fundi; po i vjen vdekja; iu mblodh laku; iu mblodh (iu mbështoll) lëmshi. Ia mblodhi litarin (dikujt) e shtrëngoi a e kufizoi për diçka, e bëri të përmbahet a të sillet si duhet; ia mblodhi (ia shtrëngoi) rripat (rripin); kund. i lëshoi litarin. Ia preu (ia hoqi, ia këputi) litarin (dikujt) e çliroi nga një pengesë; e shpëtoi nga një gjendje shumë e vështirë, ia zgjidhi një hall të madh që kishte; ia preu lakun; ia hoqi (ia zgjidhi) lakun; kund. i hodhi (i vuri) litarin në qafë (në grykë). Shkoi në litar (dikush) e varën; i morën jetën (dikujt). Nuk e vë qafën në litar. 1. Nuk i nënshtrohem dikujt; nuk e duroj zgjedhën e dikujt. 2. Nuk ia hyj një rreziku të madh; e ruaj veten.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë