Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►HÁP/EM jovep., ~A (u), ~ÚR 1. vetv., vet. v. III Lëviz dera, kanati etj. dhe krijohet vendkalim i lirë për të hyrë diku a për të dalë prej andej ose për t'u lidhur mjedisi i brendshëm me të jashtmin; çelet; kund. mbyllet. U hap dera. U hapën dritaret. Hapet nga jashtë (nga brenda). U hap vetë. U hap me vrull.
2. vetv., vet. v. III I hiqet tapa, mbyllësja a mbështjellja e diçkaje. U hap shishja. U hap karfica.
3. vetv., vet. v. III Çelet, zbërthehet a shqitet diçka e mbyllur, e mbërthyer ose e ngjitur. U hap zinxhiri i çantës. U hap zarfi.
4. vetv., vet. v. III Çlirohet nga pengesat, pastrohet; bëhet i tillë për të lënë të lirë kalimin; kund. zihet. U hap rruga nga bora. U hap gypi (qyngji) U hap pipthi. Iu hap fyti (gryka). M'u hapën veshët. U hap rruga (kalimi).
5. fig., vetv., vet. v. III Krijohet mundësia për të ecur përpara, mënjanohen pengesat ose vështirësitë për të arritur diçka; çelet. Hapen horizonte të reja (perspektiva të mëdha). U hapën rrugë të reja.
6. vetv., vet. v. III Shpaloset diçka e mbledhur a e mbyllur, shtrihet e drejtohet diçka e përthyer. U hap perdja. U hap çadra.
7. vetv., vet. v. III Ndahen e largohen dy gjëra ose anët e puthitura a të afruara të diçkaje, shkon mënjanë; kund. mbyllet. Nuk i hapen sytë (gishtat). Iu hap goja për gjumë. U hap thesi. U hap çanta. Është hapur muri. U hapën dërrasat.
8. vetv., vet. v. III Përhapet ose shpërndahet diçka e mbledhur a e grumbulluar. U hapën fletët nëpër oborr.
9. vetv., vet. v. III Shtrihet diçka ose një grumbull njerëzish a kafshësh. Ushtarët u hapën për luftë. U hapën njerëzit nëpër arë. U hapën lojtarët në fushë. U hap bagëtia nëpër livadhe.
10. vetv., vet. v. III Shprishet, lënuret (leshi etj.). Iu hapën flokët në erë. I hapej boja. Hapet lehtë. Ky lesh mezi hapet.
11. vetv., vet. v. III Shtrihet përpara a zgjerohet më tej; rritet, shtohet, zmadhohet diçka. Përpara hapej qyteti. Nga Veriu hapet fusha. Shtëpitë hapen në faqen e kodrës. Është hapur pjergulla. Hapet në të djathtë (në të majtë).
12. edhe fig., vetv., vet. v. III Shtohet, zmadhohet a përhapet diçka. U hap sëmundja (epidemia, gripi, kolera). U hap puna.
13. fig., vetv. Merrem me shumë punë njëherësh pa u përqendruar në njërën prej tyre a në një fushë të caktuar; e shtoj punën tej mundësive; përhapem. Është hapur shumë.
14. vetv. Largohem prej dikujt a mënjanohem në një vend për të lënë të lirë kalimin. Hapem mënjanë.
15. vetv., vet. v. III Lejohet kalimi, lihet i lirë një vend për të kaluar. U hap kufiri. U hap vendi. Hapet rruga. U hap shtegu.
16. fig., vetv. Bëhem më i gjallë e i zhdërvjellët në jetë; gëzohem, më qesh fytyra, çelem. Është hapur ca. U hapën njerëzit. U hap në fytyrë.
17. fig., vetv. Ia zbuloj një tjetri mendimet, ndjenjat, të fshehtat ose hallet e mia, i hap zemrën. Nuk hapet me këdo. S'më është hapur kurrë. S'hapet lehtë ai.
18. vetv., vet. v. III III Çel burbuqja, sythi etj.; shpalosen petlat ose gjethet duke u rritur; lëshon lule, lulëzon, çel. U hap trëndafili (zambaku). U hapën pemët.
19. vetv., vet. v. III Nis të zbardhë, agon (për dritën e ditës). U hap drita (dita). U hap mëngjesi (agimi).
20. vetv., vet. v. III Kthjellohet, pastrohet nga retë, çel. U hap moti.
21. vetv., vet. v. III Më vritet, më çahet a më ngacmohet; më dhemb shumë nga lodhja, nga një plagë etj. Iu hapën duart nga sapuni. Iu hap plaga.
22. pës. e HAP.
✱Sin.: çelet, zbërthehet, çlirohet, zbyllet, shkyçet, shtrihet, shpaloset, çmblidhet, çmbështillet, pastrohet, përhapet, shprishet, lënuret, zgjatet, zgjerohet, çahet, shtrohet, zmadhohet, rritet, largohet, gëzohet, lulëzon, agon, kthjellohet, pastrohet, zbërthehet, rrëfehet, zbrazet, shtyhet.
♦ M’u hap (më iku) *barku. Nuk më hapet *barku (për dikë) përçm. Iu hap *dera (dikujt). T’u haptë *dera! shaka. Iu hapën *dyert (dikujt). Iu hap (iu çel) *goja (dikujt). S’i hapet *goja (dikujt). Iu hap *gryka (dikujt) bised. U hap *koha shaka. M’u hap (m’u ça) *koka. Iu hap *oreksi (dikujt). U hap *qielli. M’u hapën *qiejt. M’u hap *syri (për diçka). Iu hap *syri (dikujt). Iu hapën (iu çelën) *sytë (dikujt). M’u hapën *shpatullat. M’u hap *toka (nën këmbë). M’u hapën *trutë. M’u hap *zemra. I thotë burgut hapu! (dikush) bised. vulg. nuk do t’ia dijë nga rreziqet që e presin; nuk mendon për pasojat e atyre që bën, nuk merr parasysh asgjë; është kokëkrisur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë