Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KRÁH,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secila prej dy gjymtyrëve të sipërme të trupit të njeriut nga supi deri te kyçi i dorës. Krahu i majtë (i djathtë). Hapi (uli) krahët. Me krahë jashtë me krahë të zhveshur.
2. Pjesë e veshjes që mbulon këto gjymtyrë; mëngë. Krahë këmishe (xhakete).
3. Secila nga gjymtyrët anësore të trupit të disa shpendëve dhe të disa kandrrave, që shërbejnë kryesisht për të fluturuar; fletë, flatër. Krahët e zogjve (e dallëndyshes, e fluturës, e lakuriqit të natës).
4. Diçka e ngjashme me këto gjymtyrë kryesisht të shpendëve ose të kandrrave; flatër. Krahët e avionit. Krahu i vinçit (tek.).
5. Pjesë e një ndenjëseje ku njerëzit mbështetin bërrylin dhe këto gjymtyrë. Krahët e kolltukut (e divanit).
6. Pjesa e sipërme e shpinës së njeriut, që shërben për të mbajtur një barrë a një ngarkesë; sup. Me pushkë (me torbë) në krah.
7. Ngarkesa me sende aq sa mund të përfshijë ose të mbajë njëra prej gjymtyrëve të sipërme të njeriut. Një krahë dru (shkarpa).
8. Secila nga dy anët e trupit të njeriut; vendi a drejtimi i lëvizjes anës brinjëve të këtij trupi. Në (nga) krahët e mi përbri meje. I erdhi dikush (iu afrua) nga krahu i majtë.
9. Ana e majtë ose e djathtë e një ndërtese, e një mali a e një sendi tjetër, në raport me vendin ku ndodhemi ose ku zhvillohet një veprim, një veprimtari etj. Në krah të pallatit (të shtëpisë). Luan (sulmon) me krahët (sport.) luan me lojtarët e krahut të majtë a të djathtë të sulmit (në një ndeshje futbolli, basketbolli etj.).
10. Forcë pune; punë me dorë e një individi; fuqi fizike. Krahë pune. S’kemi krahë na mungojnë forcat e punës, na mungojnë punëtorët.
11. fig. Përkrahje a ndihmë që i japim dikujt për ta mbështetur, për ta mbrojtur, për t’i dhënë mundësinë që ai të kalojë një pengesë a një hall; anësi. E kam krah të djathtë e kam ndihmësin kryesor. Iu bë krah e ndihmoi.
✱Sin.: mëngë, fletë, flatër, sup, fuqi, shpinë, kurriz, ijë, anë, anësi.
♦ (Me) sa më arrin krahu aq sa të mundem; me sa të kem mundësi; me të gjitha përpjekjet e mundshme; me sa më arrin dora. Aq i ha krahu (dikujt) aq fuqi ka, aq mund të bëjë; aq e ka vrapin. Në atë krah fli! iron. mos shko me atë mendje, shihi ndryshe punët; mos prit atë që mendon ti; në atë anë fli! iron. në atë brinjë fli! iron. I bëhem (i dal) krah (dikujt) e ndihmoj a e mbështes dikë, e përkrah; e marr në mbrojtje, bëhem me të; i fut krahun; i jap krah; i jap (i hedh) dorën (një dorë); marr anën (e dikujt). U bëra me krahë u gëzova shumë nga një lajm, nga një fitore etj., fluturova nga gëzimi, ndihem i lumtur; mora guxim e forca të reja; mora krahë; më dolën krahë; u bëra me fletë. Bëri krah (diçka) iron. shih bëri këmbë (diçka). E bëj me krahë (dikë) e gëzoj shumë, i jap kënaqësi të madhe, e bëj të fluturojë nga gëzimi, e lumturoj; i jap krahë (dikujt); i jap zemër (dikujt). I bie krahëve (dikujt) e merr me të mirë, e përkëdhel, i bëj qejfin; e meriton dhe e nxit për diçka; i rreh krahët; i bie supeve. Më ranë krahët *copë. Ra (u hodh) në krahët (e dikujt). 1. E përqafoi me vrull e me mall të madh dikë, iu hodh me gëzim. 2. U pajtua me dikë dhe iu besua atij; u bashkua e bashkëpunon me të. S’i bie atij krahu (dikush). 1. Bën sikur s’merr vesh për atë që i thonë, s’del aty ku është fjala, hesht ose dredhon. 2. shih nuk rreh në atë krah (dikush). Më dolën krahë m’u shtua hovi për të bërë diçka, m’u rrit dëshira e besimi; mora krahë; u bëra me krahë; më dolën fletë. I fërkon krahët dikujt keq. e merr me të mirë e i bën lajka, përpiqet ta zbutë e ta bëjë për vete; ia miraton atë që ka bërë; i fërkon shpatullat; i fërkon shpinën (kurrizin); i bën qejfin; i kreh bishtin. Fle në një krah (dikush) i ka punët në rregull, s’ka halle e shqetësime; e ka mendjen të fjetur; nuk çan kokën. M’u ftohën krahët s’më punohet, nuk kam dëshirë për punë; u lodha shumë; m’u këputën krahët; më ranë (m’u këputën) kryqet; më ranë duart. I fut krahun (dikujt). 1. Fejohem a martohem me dikë. 2. I jap ndihmë, e mbështet, i gjendem në të keq; i jap (i hedh) dorën (një dorë); i bëhem (i dal) krah. Sa i ha krahu me të gjithë fuqinë, me sa forcë që ka. Hap krahët. 1. Tregoj se nuk di gjë për diçka, jap të kuptohet se s’di gjë ç’ka ndodhur, se nuk e njoh dikë etj.; mbledh (rrudh) krahët; mbledh (rrudh) supet. 2. E pres dikë a diçka shumë mirë, e pranoj me dëshirë; (e pres) me krahë hapur (dikë). Hodhi krahë (dikush) shih hodhi (lëshoi) shtat (dikush). E hodhi pas krahëve (diçka) vendosi ta harrojë (zakonisht diçka të keqe), nuk e kujton më; nuk e quan më të rëndësishme ose mendon që nuk ia vlen ta ruajë a ta kujtojë; e hoqi fare nga mendja (një ngjarje të hidhur, një grindje që kishte pasur me dikë, të kaluarën e hidhur etj.); e hodhi pas shpinës (pas kurrizit); e hodhi (e la) pas mendsh; nuk çan kokën (për diçka); e vuri në xhepin e pasmë. I jap *dorën e të merr (të rrëmben) krahun (dikush). I jap krahë (dikujt). 1. E gëzoj shumë, i jap kënaqësi të madhe dhe e bëj ta ndiejë veten të fortë për një punë, e mbush me shpresa, me besim e me guxim; e trimëroj; e bëj me krahë (dikë); i jap fletë; i jap zemër. 2. E ndihmoj dikë, e përkrah, e mbështet; i bëhem (i dal) krah. I jap krahun e të merr (të rrëmben) kokën (dikush) shih i jap gishtin e të merr (të rrëmben) dorën (dikush). E ka benë pas krahut (dikush) keq. është gënjeshtar, është njeri që nuk mund t’i zësh besë; të lëshon dhe të bën be; të rren në këmbë e në dorë. I ka krahët *të ngrohtë (dikush). E kam prapa krahëve (dikë) iron. jam fare i largët me dikë, s’kam të bëj fare me të, nuk jam as fis, as soj; jam ngrohur në një diell iron.; e kam presh në kopsht. I ka krahët *të prerë (duart të prera) (dikush). I ka krahët *të tharë (dikush) përb. M’u këputën krahët. 1. U lodha shumë; s’kam më fuqi, u këputa; më ranë krahët. 2. shih m’u prenë krahët2. Krahu i djathtë (i dikujt) ndihmësi kryesor, ai që ndihmon më shumë drejtuesin e një pune, ai që mban barrën më të rëndë pas tij, njeriu më i sigurt, të cilit mund t’i besosh shumë; dora e djathtë. Me krahë hapur me dashuri e me ngrohësi, me dëshirë e me përzemërsi të madhe, me gjithë zemër; krahëhapur; me kraharor hapur; me zemër të hapur; me bukë e kripë (e zemër të bardhë). Me krahë të këputur. 1. Shumë i lodhur; i pafuqishëm, i këputur. 2. shih me krahë të prerë. Krah për krah së bashku; në të njëjtën kohë, me të njëjtin ritëm, në të njëjtën shkallë; sup më sup; dorë për (më) dorë. Me krahë të lehtë! ur. dalsh mirë e pa mundime!, e bëfsh lehtë e pa vështirësi diçka! (kur dikush nis një punë). Me krahë të prerë i pashpresë e i dëshpëruar, ngaqë s’kam asnjë ndihmë a mundësi për të jetuar ose për të bërë diçka (kur vdes a ikën dikush ose kur humbet a prishet diçka); me krahë të këputur. Kthehet në krahun tjetër (dikush) nuk shqetësohet për diçka që i thonë a që ndodh, s’do t’ia dijë; nuk e prish gjumin; nuk e prish gjakun. I ktheu krahët (dikujt a diçkaje) e la a e braktisi dikë atëherë kur ai kishte nevojë për diçka ose kur duhej ta përfillte, ta vlerësonte a të kujdesej për të; nuk e përfill më, e ka shpërfillur, s’do t’ia dijë më për të; i ktheu shpatullat; i ktheu shpinën (kurrizin); ia ktheu nga myka. E la në krahët e erës (dikë) nuk i dha asnjë ndihmë e përkrahje, e braktisi atëherë kur kishte nevojë; i ktheu krahët (dikujt); i ktheu shpinën (kurrizin) (dikujt); kund. i dha dorën (dikujt). M’u lehtësuan krahët jam i lirë a m’u krijuan kushte më të mira për të bërë diçka; jam i shkarkuar disi nga një barrë, e kam më të lehtë. E la pas krahëve (dikë a diçka) shih e la pas dore (dikë a diçka). Mori *këmbët në krahë (dikush). I marr krahët (dikujt). 1. I dal prapa krahëve, e sulmoj nga prapa (në luftë). 2. E mund jo haptas e drejtpërdrejt, por me dredhi; e shtie në dorë pak e nga pak e duke e mashtruar; i marr anët. Mora krahë mora guxim, u trimërova, ndihem më i sigurt; u bëra me krahë; më dolën krahë. E marr nën krahë (dikë) e mbroj, e përkrah e kujdesem për dikë; i bëhem (i dal) krah (dikujt). E mbaj në *cep të krahut (diçka). Mbaj (marr) krahun (e dikujt) e përkrah dikë, bëhem me të; marr anën (e dikujt). Mbeta me *stap në krahë. Mbledh (rrudh) krahët. 1. Tregoj se nuk di gjë për diçka ose se nuk e kuptoj diçka; bëj si i paditur për diçka; mbledh (rrudh) supet. 2. Çuditem për diçka që ka ndodhur, më duket krejt e papritur; hap krahët; mbledh (rrudh) supet. Iu ndodh (iu gjend) në krah (dikujt) shih iu gjend (iu ndodh) pranë (dikujt). Nget në një krah (dikush) shih është kokë (krye) më vete (dikush). I ngul *thikën prapa krahëve (pas shpine, prapa kurrizit) (dikujt). Përvesh krahët ia hyj punës me zell e me të gjitha forcat, i futem me dëshirë një pune; përvesh llërët; përvesh mëngët; shtroj (ul) kurrizin). Më preu (më shkurtoi) krahët (dikush a diçka). 1. Më pakësoi fuqinë, ma uli forcën, më këputi sa s’punoj dot më. 2. Më iku çdo mundësi për punë, për ndihmë etj. (kur vdes a ikën dikush ose kur humbet a prishet diçka); më bëri dëm të madh që s’e kam më, më prishi punë; më këputi krahët; më preu duart; më theri në grykë; më bëri hatanë bised. M’u prenë krahët. 1. M’u pakësuan fuqitë, gati sa s’më ra të fikët, u këputa nga lodhja. 2. Më iku çdo shpresë; rashë në dëshpërim, se m’u hoq çdo ndihmë a çdo mundësi për të jetuar ose për të bërë diçka, për punë, për ndihmë etj. (kur vdes a ikën dikush ose kur humbet a prishet diçka); nuk ka më fuqi, m’u prenë fuqitë; m’u këputën krahët; m’u prenë krahët; më lëshoi (më la) zemra; m’u lig (m’u ligështua) ora. Punon prapa krahëve (dikush) sillet e vepron fshehurazi, është tinëzar; punon nën dhe; punon nën rrogoz; punon nën gunë. Ia punoi prapa krahëve (dikujt) ia bëri një të keqe fshehurazi, ia hodhi; ia punoi pas shpine; ia çoi (ia shkoi) ujin nën rrogoz. I ka qitur krahët *batall (dikush) keq. I rreh krahët (dikujt) e përgëzon dhe i shpreh miratimin për një punë të mirë; e merr me të mirë, i bën lajka; i përkëdhelet; i rreh shpatullat; i rreh supet. Nuk rreh në atë krah (dikush). 1. Nuk e ka fjalën aty, nuk rreh aty; nuk i shkon mendja të flasë për atë gjë. 2. shih s’i bie atij krahu (dikush). I ra në krah (dikujt) e mbron a e përkrah dikë, i gjendet pranë në çdo rast për ta ndihmuar; i ndodhet (i gjendet) në krah. *Shpend pa krahë. Shtriu (zgjati) krahët (dikush) shih shtriu (zgjati) dorën (duart) (dikush). Tërheq në një krah (dikush) mban anën (e dikujt), nuk është njeri i drejtë; mban hatër; mban pajë. Me *veshë në krahë. I vë krahët (diçkaje). 1. shih i vë gjoksin (diçkaje). 2. E vesh dhe nuk e heq më, e mbaj derisa të griset (për një veshje të sipërme).
MUT,~I m. sh. ~RA, ~RAT bised. 1. Mbetjet e ushqimit që njeriu i nxjerr jashtë nëpërmjet zorrës së trashë, nevoja e madhe, jashtëqitjet, të pëgërat.
2. shar. Njeri i keq, i poshtër, i ndyrë.
♦ I *biri i mutit bised. përçm. vulg. Mbulon mutin me shurrë (dikush) keq. vulg. përpiqet të mbulojë një faj, një gabim a një të keqe tjetër të madhe me diçka që s’e mbulon dot, do që ta zbutë të keqen me një mënyrë të dobët. *Punë muti vulg.
MËSHÍR/Ë,~A f. 1. Ndjenjë e thellë dhembshurie e keqardhjeje për një njeri të mjerë a fatkeq dhe dëshira për t’i ndihmuar atij. Ndjeu mëshirë për të. E pa me mëshirë.
2. Dëshira a prirja e dikujt, që nga dhembshuria e butësia shpirtërore përpiqet t’ia falë a t’ia zbutë fajin a gabimin një tjetri, të bëjë lëshime etj. Kërkoi mëshirë. Tregoi mëshirë për dikë. S’ka mëshirë për të tjerët. Ishin në mëshirën e tij.
3. Me parafjalën pa formon një shprehje ndajfoljore, me kuptimin ‘rreptë, ashpër, keqas, egërsisht, mizorisht’. E rrahu pa mëshirë. Shfrytëzoheshin pa mëshirë.
4. fet. Dhembshuria, ndihma dhe përkrahja e Zotit; hir.
✱Sin.: keqardhje, dhembshuri, zemërbutësi, shpirtbutësi, përdëllim, mëshirim, hir.
♦ E lë në mëshirë të fatit (dikë a diçka) e lë jashtë, e lë pa gjë në rrugë të madhe; e braktis pa treguar asnjë kujdes për të; e luan në kumar.
SOCIALREFORMÍZ/ËM,~MI m. Qasje që synon përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike të individëve dhe grupeve në shoqëri, që mund të përfshijë ndryshime në sistemin ligjor, politik, ekonomik dhe edukativ dhe zakonisht ka si qëllim të zbutë pabarazitë dhe problemet sociale. Nismat e socialreformizmit në sistemin arsimor synonin të ofronin qasje më të barabarta në edukim për të gjitha grupet sociale, përfshirë ata që janë më pak të privilegjuar.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë