Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMORTIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. ek. Ul pak nga pak vlerën ose fuqinë e një mjeti pune, të një objekti, të një pajisjeje, etj., për shkak të përdorimit të gjatë, të konsumimit, të vjetrimit ose të prodhimeve të reja. Kompania amortizoi makineritë e veta.
2. tek. Zbut ose dobësoj forcën e goditjeve, të lëkundjeve, të zhurmës etj. në makinat e aparatet e ndryshme me anë të pajisjeve të veçanta. Amortizon goditjet e zhurmës së automobilave.
3. fig. Zbus ose lehtësoj një situatë të nderë ose një konflikt a një raport të acaruar duke e bërë me kalimin e kohës më pak të ndjeshëm ose më pak të rrezikshëm; zbus një dhembje, një humbje, një pikëllim, një zemërim duke e lehtësuar atë. Amortizoj situatën (zënkën, konfliktin etj.). Arrij të amortizoj zemërimin e kolegut. Amortizova gjendjen e vështirë emocionale të të moshuarës. Deklaratat e ambasadorit amortizuan tensionet mes dy shteteve. Ndihmat e shpejta amortizuan pasojat e tërmetit.
✱Sin.: zvogëloj, pakësoj, ul, bie, zbut, dobësoj, lehtësoj, humb, harxhoj, konsumoj.
BALSÁM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Lëng i trashë si rrëshirë me erë të mirë, që kullon nga disa drurë dhe që përdoret në teknikë e në mjekësi. Balsam bredhi. Balsam manxurane. Bar balsami. Bimët e balsamit. Enë me balsame.
2. Lëng i trashë i përgatitur me lule balçi (lule balsami), të mbajtura në vaj ulliri, që përdoret në mjekësinë popullore për plagë dhe si qetësues; melhem. Balsam buzësh. Një pikë balsami. Vaj balsami. Nxjerr balsam. Të lyera me balsam. I vinin balsam mbi plagë.
3. fig. Mjet që zbut a që qetëson dhembjen shpirtërore, që zbut hidhërimin etj., ngushëllim. Balsami i shpirtit. Fjala iu bë balsam. Balsam për zemrën e lënduar. Të shëron me balsamin e buzëve. Do t’i vinin një balsam ndërgjegjes së tyre.
♦ I vuri (i derdhi) balsam (dikujt) e qetësoi; e ngushëlloi; ia fashiti plagën e shpirtit.
BANALITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. vet. nj. Të qenët banal, cilësia e asaj që është banale. Bie në banalitet. Larg (jashtë) banalitetit. Banalitet i dekorit. Zbut banalitetin.
2. Diçka banale, ajo që është banale (ide, mendim etj.); fjalë ose shprehje banale. Banalitetet e kohës. Thotë banalitete. Nuk duron banalitete të tilla.
BRUMÓS vep., ~A, ~UR kal. 1. Gatuaj brumin për bukë etj., bëj brumë; mbruj. Brumos me duar. Shumë shtëpi tymosin, po pak dinë të brumosin. (fj. u.).
2. E bëj diçka të butë si brumë. I brumosi lakrat për bagëtinë.
3. fig. E formoj dikë nga karakteri, e përgatit dhe e edukoj siç duhet, e kalit. Shkolla brumos të rinjtë për të ardhmen e kombit.
4. fig. Përgatit, vë themelet e diçkaje; e forcoj, e bëj të pathyeshëm. Me gjakun e tyre brumosën demokracinë.
✱Sin.: brumoj, mbruj, ngjesh, ngjiz, brumëzoj, zbut, brydh, squll, ndulk, tutëloj, gatuaj, përgatit, edukoj, formoj, forcoj, fuqizoj, mëkëmb, përmirësoj.
BRÚM/Ë,~I m. 1. Miell gruri i gatuar me ujë e i tharbëtuar, që përdoret si tharm për të zënë bukë. Brumë i thartë. Brumë i ardhur. Brumë i shurdhuar brumë që nuk ka ardhur dhe që nuk vlen si tharm. Kulaç me brumë. Zë me brumë.
2. Miell i njomur, i përzier a i ngjeshur, që gatuhet për bukë, për petë, për makarona etj. Brumë buke. Brumë makaronash. Brumë për petulla. Brumi i biskotave (i pastave). Gatuese brumi. Ngjesh brumin. Vjen brumi. Dita (nata) e brumit (etnogr.) e enjtja, dita kur zihet brumi për të gatuar bukët e dasmës. Kur merr petësin në duar, / Petët për t’i holluar, / Brumi të ngjitet në duar! (folk.). Si të jetë brumi, del edhe buka. (fj. u.). Kush zë brumë, do të gatuajë. (fj. u.). Pa brumë nuk bëhen kuleçtë. (fj. u.). Po gatove shumë brumë, mbeten kuleçtë pa bërë. (fj. u.).
3. sh. ~ËRA, ~ËRAT Ushqim i gatuar kryesisht me miell të njomur e të ngjeshur (bukë, makarona, petë, byrekë etj.). Brumërat të shëndoshin. I pëlqejnë brumërat.
4. Masë e trashë dhe e ngjeshur, që formohet nga përzierja e një lënde të fortë me një lëng; lëndë e squllët. Brumi i qelqit. Brumi i drurit. Brumi i gëlqeres (i çimentos). Brumi i gomës. Brumi i letrës (i kartonit). Brumi i shkrepëseve. Brumi i ullirit. Brumë thjerrëzash.
5. fig. Përmbajtje, formim mendor e shpirtëror, përgatitje shoqërore e morale; lëndë, përbërje; trupi a shëndeti i njeriut. Brumë i vjetër (i ri). Brumë i mirë. I gatuar nga tjetër brumë. Njerëz të një brumi. Vepër me brumë. S’ka brumë (për një shkrimtar të dobët).
6. fig. Lëndë me të cilën është bërë diçka, ajo që përbën diçka. Brumi i gjuhës amtare.
7. fig., shar. Njeri i qullët, që e heq kushdo për hunde. Çfarë brumi që është!
♦ U bë brumë. 1. (diçka). U zbut; u squll. 2. (dikush). Humbi vendosmërinë e qëndresën, nuk guxon të kundërshtojë, i nënshtrohet gjithkujt, mund të bëjnë të tjerët si të duan me të. Brumë i ardhur bised. shumë i shëndoshë; tul e dhjamë; për ta ndarë (për ta çarë) më katërsh; si top me dhjamë. Brumë i një mielli njerëz të njëllojtë, si njëri edhe tjetri, me të njëjtin formim, me të njëjtat mendime, virtyte a vese; buka e një mielli; një bathë e një kokërr; janë të një dore. Sipas brumit tharmin sipas njeriut gjejnë atë që i përshtatet; ashtu si është, ashtu e trajtojnë; sipas kokës (i vënë) festen. *Bukë pa brumë. *Gjumë e brumë keq. Janë të një brumi janë njësoj, nuk kanë dallim nga njëri-tjetri; janë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, i përshtaten njëri-tjetrit (zakonisht për keq); janë të një sahani keq.; janë pe për një gëzof. I ka ngrënë macja (derri) brumin (dikujt) është shumë i mërzitur, i dëshpëruar e i zymtë, sikur i kanë bërë një të keqe padrejtësisht; sikur i ka ngrënë gomari bukën; sikur i ka vrarë demin. Vuri brumë (dikush) u pasurua, vuri pasuri a kapitale; vuri dhjamë. Zuri brumë (dikush) nisi një punë që të sigurojë një farë pasurie; nisi ta ndreqë gjendjen ekonomike; u mëkëmb; zuri cergë. Zë brumin natën e gatuan ditën (dikush) e nis çdo punë me rregull e me kohë, i del punës përpara. Zë *kuleçë pa brumë (dikush) iron.
BRYDH vep., ~A, ~UR kal. 1. E bëj të butë sa mund të pritet, të copëtohet a të hahet lehtë, e zbut (kryesisht për pemët), zbruj; bëj të butë diçka të fortë, butësoj. E brydh ftoin me dorë. E brydhi koren. Brydh brumin.
2. E bëj diçka në kokrra të vogla; e thërrmoj a e shndërroj në kokrriza; shkrifëroj, shkërmoq (për tokën). Ngrica (të ftohtat) e brydhi tokën.
3. fig. E qetësoj dikë, ia heq frikën a ankthin; e bëj të ndihet mirë; e ndihmoj ta marrë veten, të këndellet e të gjallërohet (për dikë që ka mërdhirë shumë e ngrohet pranë zjarrit, që është i uritur dhe shuan urinë, që është trembur shumë e i largoj frikën etj.); ia sjell zemrën (shpirtin) në vend, e sjell në vete. Ia brydhi shpirtin me fjalë të ngrohta.
BRÝDHËT (i, e) mb. 1. I butë, që pritet, që copëtohet a që hahet lehtë, i ndulkët (për pemët, për mishin, për gatesat etj.); që punohet lehtë, i shkrifët, i butë (për tokën); kund. i fortë, i ashpër. Pemë të brydhëta. Dardhë (hurmë) e brydhët. Mish i brydhët. Bakllava e brydhët. Tokë e brydhët. Dhe i brydhët. Sapun i brydhët. Llaçi u zbut e u bë i brydhët.
2. Që nuk është fishkur a nuk është tharë; jo i fortë e jo i ashpër; i butë e i njomë; kund. i tharë, i thatë, i ashpër. Dorë e brydhët. Lëkurë e brydhët. Bebe me krahë e me këmbë të brydhëta.
3. fig. Që nuk ka shumë forcë, që ndriçon pak; i butë, i dobët; kund. i fortë, i fuqishëm, verbues. Dritë e brydhët. Rreze e brydhët. Shkëlqim i brydhët. Flakë e brydhët. Ëndrrat tona janë të brydhëta.
4. Që vjen i dobët e i mekët nga natyra a nga ndonjë sëmundje, i brishtë; kund. i shëndetshëm, i shëndoshë. Trup i brydhët. Fëmijë i brydhët. Me krahë të brydhët.
5. fig. Që është shumë i ri në moshë dhe nuk e ka përvojën dhe forcën e nevojshme për ta përballuar vetë jetën. Djelmosha ende të brydhët.
6. fig. Që preket shpejt, që ndikohet lehtë; që është i mirë, i bindur e i afruar me të tjerët. Fëmijë i brydhët. Tipat e brydhët preken shpejt.
7. fig., mospërf. I squllët, i ngathët. Njeri i brydhët.
BÚK/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ushqim që bëhet me miell drithi të gatuar me ujë e të pjekur në furrë a në saç; një copë e veçantë e këtij ushqimi e gatuar me forma të ndryshme dhe e pjekur; brumë i ngjeshur e i nderë në tepsi për t’u pjekur. Bukë e grunjtë (e misërt, e thekërt). Bukë e pjekur (e papjekur). Bukë e zezë bukë me miell gruri të pasitur; bukë thekre. Bukë e ardhur. Bukë e ndorme bukë pa brumë të tharbtë. Bukë e mbrume bukë me brumë të zënë. Bukë e lashtë bukë që gatuhet me miell të lashtash. Bukë e shuguruar (fet.) naforë. Bukë meli. Bukë himesh. Bukë çerepi (saçi). Bukë shtëpie bukë e gatuar dhe e pjekur në shtëpi. Bukë qeni bukë e gatuar me krunde (për qen etj.). Bukë me brumë. Bukë me qiqra. Bukë me djathë (me gjalpë). Bukë thatë. Kore (thembër, tul) buke. Thërrime buke. Brumë (maja) buke. Vetull buke një copë nga pjesa e anës së një buke të rrumbullakët. Një gjysmë (një çerek) buke. Një copë (një kafshatë) bukë. Thikë buke. Tepsi buke. Magjja e bukës. Dollap buke. Furrë buke. Dyqani i bukës. Fabrika e bukës. Shitësja e bukës. Drithëra buke. Rrezja e bukës cilësia e miellit të bukës. Myku i bukës. Zia e bukës. Për atë bukë! (bet.). Pasha bukën! (bet.). Zë (ngjesh, mbruj) bukën. Vjen buka. Hedh bukët në furrë. Pres (thyej, ndaj) bukën. Bukë derri bimë barishtore shumëvjeçare me gjethe vezake e me lule në ngjyrë trëndafili a të bardha, që rritet nëpër shkurre e çel në vjeshtë. Bukë mali (bot.) një lloj lakre e ëmbël fletët e së cilës bëhen gjellë. Nuk piqet buka me shkarpa. (fj. u.). Buka pa përtypur nuk kapërcehet. (fj. u.). Kush ha bukë, bën edhe thërrime. (fj. u.). Buka që thyhet, s'ngjitet më. (fj. u.). Shpjer gojën te buka e jo bukën te goja. (fj. u.). Më mirë bukë e hi e në shtëpinë tënde, se revani e në shtëpi të botës. (fj. u.). Kush ka turp punën, mbetet pa bukë. (fj. u.). Nuk hahet buka e bardhë me faqen e nxirë. (fj. u.).
2. vet. sh. ~ËRA, ~ËRAT Copa të vogla buke të mbetura ose të thara. Papare (përshesh) me bukëra.
3. vet. nj. Ushqimi që hamë në mëngjes, në drekë a në darkë, të ngrënët; ushqimi i përditshëm. Koha e bukës. Dhoma (shtëpia) e bukës. Tryezë buke. Bukë e pa bukë herë i ngrënë e herë i uritur. Më hahet (ha) bukë. S’më shkon buka. Jam pa bukë nuk kam ngrënë. Shtroj (ngre) bukën. Lë bukën përgjysmë. Jam (ulem) në bukë. Bëj bukën gati. Ngrihem nga buka. E gjeta në bukë. E la pa bukë. Vuanin për bukë. Më gërryen barku (më gërryejnë zorrët) për bukë. S’kishte as një darkë bukë. Buka e mirë e ka gjellën me vete. (fj. u.). Zanati nuk të lë pa bukë. (fj. u.).
4. vet. nj. Drithë nga i cili bëhet mielli; të korrat e një viti; prodhimi i drithit që mjafton për një vit. Buka e re. Buka e vitit. Tokë buke tokë e punueshme. Nga buka në bukë nga një vit në tjetrin, nga një korrje në tjetrën. E bëjnë bukën vetë. Mbledhin (sigurojnë) bukën. E futën bukën në hambar.
5. vet. nj. Lënda që përbën kokrrën e drithit; palca a zemra e disa drurëve, tuli i disa frutave etj. Buka e arrës. Buka e ullirit. Buka e shtogut. Kalli me (pa) bukë. Lidh bukë. Zë (merr) bukë misri (gruri). Ka bukë. Niseshteja bëhet nga buka e kokrrës së grurit. Kalliri me bukë s’i ngre kryet përpjetë. (fj. u.).
6. Ushqim ose një lëndë a send tjetër që ka trajtën e një rrotulle. Bukë dylli pite dylli. Bukë djathi. Bukë dhjami. Bukë fiku. Buka e lules së diellit koka me fara e lules së diellit. Bukë blete (grerëzash) hoje të rrumbullakëta. Bukë dheu plis dheu në rrënjën e një fidani a të një bime të shkulur.
7. fig. Mjetet më të domosdoshme për jetesë. Mezi nxirrnin (fitonin) bukën. I prenë bukën.
8. vet. nj., fig., vjet. Detyra, shërbimi a nëpunësia që jepte mjetet e jetesës; vendi i punës që jepte një pagë sa për të mbajtur frymën. Në bukë të qeverisë. Hyri në bukë të tjetrit. E nxorën nga buka.
9. vet. nj., fig. Përmbajtje e shëndoshë, thelbi i dobishëm i diçkaje; vlera që jep një punë, vlerë, dobi. Punë (mbledhje, fjalë) pa bukë. Shumë fjalë e pak bukë. (fj. u.).
10. vet. nj., fig. Lënda e parë a lënda kryesore që nevojitet për një degë prodhimi. Buka e industrisë qymyri, nafta etj. Buka e ndërtimit (ndërt.) druri, çimentoja etj.
11. fig., bised. Moshë, vit; koha që nga lindja e një njeriu. I hëngri pesëdhjetë bukë. Është tetëdhjetë vjeç e ca bukësh.
12. etnogr. Gosti, tryezë e mbushur plot. Shtroi një bukë të madhe.
13. etnogr. Besë. Ishte në bukë (të dikujt) ishte në besë të dikujt.
✱Sin.: bukëz, drithë, bereqet, palcë, lëndë, zemër, vlerë, dobi, fryt, bulmet, përfitim.
♦ *Arrë pa bukë mospërf. Për një *bark bukë. Iu bë buka *murriz (dikujt). Bëj bukën kam prodhime a të ardhura të mbara; e siguroj jetesën. E bën bukën *gur (dikush) keq. M’u bë zemra bukë. 1. shih m’u bë zemra mal. 2. U mallëngjeva, u preka shumë; m’u zbut zemra. I bie bukës (së mirës) me *shkelm (me këmbë) (dikush). Bukë pa brumë diçka pa shije; njeri që nuk të tërheq, njeri pa lezet; si gjellë pa kripë. Bukë dylli shumë i verdhë. Bukë egjre diçka e pakëndshme, diçka e pashijshme, gjë bajate; bukë me krunde; gjellë pa kripë. Me bukë të ëmbël! ur. me jetë të lumtur!; me dashuri!; me miqësi të mirë! Për bukën e gojës sa për të jetuar, sa për të mbajtur veten gjallë; për kafshatën e gojës; për një kafshatë bukë; sa për të mbajtur frymën. Buka e një gruri shih buka e një mielli. Si buka që ha me siguri të plotë, pa asnjë dyshim. Buka e kripa (e diçkaje) gjëja më kryesore, gjëja më e domosdoshme; thelbi i diçkaje. Me bukë e kripë (e zemër të bardhë) me ç’të më ndodhet, por me dashuri e me bujari të madhe; me zemër të hapur; me krahë hapur. Bukë me krunde shpërf. diçka e pakëndshme a e pashijshme, diçka e shpëlarë; gjellë pa kripë shpërf. Buka e një mielli njerëz të njëllojtë, të një brumi, si njëri dhe tjetri, me të njëjtin formim, me të njëjtat mendime, virtyte a vese; brumë i një mielli; një bathë e një kokërr; janë të një dore. Buka e përditshme. 1. Mjetet më të domosdoshme për të jetuar, gjithçka e nevojshme për të mbajtur frymën gjallë. 2. Gjëja më e rëndësishme, diçka thelbësore a kryesore, për të cilën kemi nevojë vazhdimisht. Bukë mbi pogaçe diçka e mirë mbi të zakonshmen; diçka më tepër sesa i japin a i takon dikujt; diçka që s’bëhet a që s’i takon dikujt që e kërkon; e mirë mbi të mirat; çaçë mbi bukë; thelë mbi bisht; qiqra në hell. Bukë e thyer shoqëri e miqësi e prishur. Buka e verës astr. ylberi; brezi i qiellit; shoka e kumbarës krahin. Bukë e vjetër mik i vjetër, shok i njohur prej kohësh, me të cilin kam kaluar halle e gëzime së bashku. Një *copë bukë. Për një *copë bukë. *Çaçë mbi bukë krahin. Ka dalë në bukë të vet (dikush) është rritur, ka nisur jetën e vet; është martuar, ka krijuar familjen e vet; është i pavarur nga ana ekonomike. Nuk i digjet buka (dikujt) është i shkathët, i zoti e i kujdesshëm në çdo punë, e bën çdo gjë në kohën e duhur; nuk lë t’i dëmtohet diçka. S’më hahet buka (me dikë) nuk shkoj mirë me dikë, s’më pëlqen të rri a të bëj shoqëri me të. Ha bukë. 1. (diçka) Ka vlerë, sjell dobi, shkon; të siguron mjetet e jetesës. 2. (dikush) Punon diku, ia del të punojë. Nuk ha bukë (diçka) nuk shkon më, nuk ka më vlerë, nuk ecën; nuk e do njeri, nuk e pranojnë; nuk pi ujë. I ha bukën (dikujt) i merr diçka që i takon; ia heq diçka të domosdoshme; i hyn në pjesë. Ka ngrënë bukë e gjak (dikush) e ka kaluar jetën me mundime dhe me vuajtje të mëdha; ka hequr lëngun e ullirit; ka hequr pikën e zezë; ka hequr gurin e gjakut. E ha bukën me *lot. Kam ngrënë bukë e mjaltë (me dikë) kam shkuar shumë mirë me dikë, jam puqur me të e duhemi. Ia ha bukën gomari (dikujt) tall. është shumë i ngathët e i mefshtë, s’i jepet për asgjë; ia merr pula (macja) bukën nga dora; ia ha përsheshin macja; ia ha pula qurrat. E ha bukën *kot (dikush) keq. Sikur ha bukën (gjënë) e vakëfit (dikush) keq. është shumë i dobët në trup e i pafuqishëm; i numërohet uji në gurmaz (dikujt); sikur ka ngrënë egjra; sikur ka ngrënë grera; si i varur në hënëz; ta zësh (ta kapësh) për hunde, i del shpirti (dikujt); është bërë kockë e lëkurë. Ha bukën e përmbys kupën (dikush) nuk ta di të mirën, është mosmirënjohës, është bukëshkalë; ta shkel bukën (me këmbë); i bie bukës (së mirës) me shkelm; ha mjaltin e prish kosheren; të ha shalqinin e të rreh me lëkura; këtej të pi verën e andej të shan derën; kund. e ruan bukën ndër dhëmbë. S’e ha bukën me qime (dikush) është njeri me sedër e i ndershëm. Ha bukën time rroj me djersën time e nuk i bie më qafë njeriu; nuk përzihem me të tjerë, shoh punën time. Ha bukë veç (dikush) është më i mirë a më i zoti se të tjerët, dallon shumë nga të tjerët, as që mund të krahasohet me të tjerët. I ka ngrënë gomari *bukën (dikujt) është shumë i mërzitur, i dëshpëruar e i zymtë, sikur i kanë bërë një të keqe padrejtësisht; sikur i ka ngrënë macja (derri) brumin; sikur i ka vrarë demin. E hëngri *të ëmën e bukës (dikush) përçm. E ka ngrënë turpin me bukë (dikush) nuk turpërohet fare për gjërat e pahijshme që bën, është bërë i pacipë; i ka plasur cipa (e ballit) (dikujt). Ha bukën e vet e bën davanë e botës (dikush) mbahet me punën e vet, por qan hallin e tjetërkujt; përzihet në një punë në të mirë të dikujt tjetër, merret me një punë që nuk i duhet e nuk i përket, futet kot në hallet e në punët e tjetërkujt; ha bukën e turkut e bën duanë e kaurit keq. vjet. Ha bukën e turkut e bën duanë e kaurit (dikush) keq. vjet. përzihet në një punë në të mirë të dikujt tjetër, mbron, përkrah a ndihmon jo atë që duhet, por dikë tjetër; futet kot në hallet e në punët e tjetërkujt; ha bukën e vet e bën davanë e botës. S’e ha bukën *thatë (dikush). Kemi ngrënë një *furrë bukë (bashkë). Hajde bukë të të ha, hajde ujë të të pi tall. thuhet për dikë që nuk bën asnjë punë; pret që çdo gjë t’ia sjellin të tjerët, është dembel; është shtromë të fle, shtymë të bie (dikush); shkofsha në arë e mos gjetsha qetë! tall.; i rëndon kapa mbi kokë (dikujt) iron. I hoqi (i preu) bukën e gojës (dikujt) e la pa punë e pa të ardhura për të jetuar; i hoqi (i preu) kafshatën e gojës. Jam bukë e djathë (me dikë) jam i lidhur fort me dikë, jam mik i ngushtë me të; shkojmë gjithnjë bashkë, nuk ndahemi nga njëri-tjetri; bëhem (jam) bark e shpinë (me dikë). Është tetëdhjetë bukësh, veç kuleçëve (dikush) shaka. është i vjetër në moshë, është tetëdhjetë vjeç e disa muaj mbi të. Të jep bukë (dikush a diçka) është burim të ardhurash për të jetuar, të siguron mjetet e jetesës; të ndihmon, të shërben, vlen; të jep dorë. Për një *kafshatë bukë. E kam bukë e djathë (diçka a dikë) e kam shumë të lehtë ta bëj diçka, mund ta bëjë pa ndonjë vështirësi; e mund lehtë dikë; e kam një kafshatë bukë; nuk e kam për gjë; nuk e kam për gajle (diçka). E ke bukë në çerep (diçka) është punë e mbaruar, do të bëhet patjetër; është plotësisht e sigurt, mos ki asnjë merak; i ka vdekur nëna (diçkaje) bised.; e ke në xhep (diçka). E kam bukë e kripë (dikë a diçka) e dua, e dëshiroj shumë, s’rri dot pa të; mezi e kam; jam me shpirt (pas dikujt a pas diçkaje). I ka *dhëmbët me bukën time (dikush). E ka gojën për bukë (dikush) nuk di të flasë a t’i japë përgjigjen e duhur tjetrit, nuk është i shkathët e i zoti i gojës; nuk është i aftë të kërkojë të drejtën e vet a të kundërshtojë një padrejtësi. (E ka) një *kafshatë buke (dikë a diçka). I ka të pakta bukët (dikush) shih i ka ditët të numëruara (dikush). *Kalli pa bukë mospërf. Për një *krodhë bukë krahin. Kthej bukë etnogr. shkoj për drekë a për darkë te krushku, pasi më ka ardhur ai së pari. Nuk e lidh bukën në torbë (dikush) është zemërmirë e bujar; ndan kafshatën e gojës (e fundit) (me dikë); e ndan bukën në zjarr; e ndan bukën në çerep; kund. lidh macen (kur ha bukë) (dikush) tall. Lidh *macen (kur ha bukë) (dikush) tall. Ia merr pula (macja) bukën nga dora (dikujt) mospërf. është i squllët, i ngathët e i humbur; është fare i pazoti; ia ha bukën gomari; ia ha përsheshin macja; ia ha pula qurrat; i shkon miu në mustaqe. E ndaj bukën (me dikë) i pres marrëdhëniet me dikë, e prish miqësinë, prishem me të. E ndan bukën në *çerep (dikush). E ndan bukën në *zjarr (dikush). Nxjerr bukën e gojës siguroj jetesën me punë; fitoj diçka sa për të jetuar; nxjerr kafshatën e gojës. Përziej bukën etnogr. hyj e ha drekë a darkë për herë të parë te krushku i ri. Pjekin bukë në një *çerep edhe keq. Nuk pjek dy bukë në një hi (dikush) vdes shpejt, nuk i zgjatet agonia, s’e zë e nesërmja. E preu në bukë të vet (dikë) e tradhtoi, nuk e mbajti besën, i doli nga fjala; e hëngri fjalën; e preu (e hëngri) në besë; nuk ka besë. (Iu qep) me bukë në torbë (në trastë) (dikujt) iu qep nga pas pa iu ndarë, iu qep me ngulm, i vendosur për t’i bërë diçka. E ruan bukën ndër dhëmbë (dikush) është mirënjohës, s’e harron nderin që i bën; kund. ha bukën e përmbys kupën. Iu sosën bukët (dikujt) keq. është gati në të vdekur, i erdhi fundi, nuk i ka të gjata, po mbaron; i ka të pakta bukët (dikush); i ka ditët të numëruara (dikush). Të shkel bukën (me këmbë) (dikush) tregohet mosmirënjohës, është bukëshkalë, ta kthen të mirën me të keqe; ha bukën e përmbys kupën. Shkon në bukë të vet (dikush) rritet e nis jetën e vet; martohet e ngre familjen e vet. Shpie *gojën te buka. *Thekër pa bukë keq. Ku i thonë bukës bukë ku flitet shqip; kudo ku ka shqiptarë. U thye buka (me dikë) u prish miqësia me dikë, nuk e dua më si më parë (për shkak të një grindjeje, të një pakënaqësie etj.); u thye zemra. Unë me bukë (me grurë) e ti me gurë unë me të mirë e ti me të keq, nuk je mirënjohës. Do vrarë me bukë në gojë (dikush). 1. keq. Meriton dënimin më të rëndë e pa mëshirë. 2. shaka. Është shumë i shkathët, është dreqi vetë; të argëton me ato që thotë a që bën. E zuri buka (ime) (dikë) e pësoi ashtu si e meritonte, pasi më bëri keq ose nuk qe mirënjohës kur unë e kisha mbrojtur, e kisha ndihmuar, i kisha bërë veç të mira. I zë *dhëmbi bukë (dikujt). Të zëntë *sytë buka! mallk.
BUTËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Zbut. Butësoj brumin. Butësoj flokët.
2. fig. E bëj të urtë, të shtruar e të dashur, urtësoj (për njerëzit); e zbut, e stërvit (për kafshët). Butësoj ftohtësinë e shpirtit. Kalin e butësojmë edhe me thupër, njeriun e butësojmë me fjalë. (fj. u.).
✱Sin.: zbruj, brumëzoj, zbrumoj, brydh, squll, dyllëçit, qulltoj, tutëloj, sqaq, lehtësoj, qetësoj, urtësoj, urtoj.
BËLTÚC vep., ~A, ~UR kal. 1. Ngjesh shumë; shtyp fort diçka sa të bëhet si qull a si pelte. Bëltuci bukën. - Ta bëltuca kryet!
2. Shtyp ose godit diçka në një vend dhe e bëj me gropë. Bëltuc një enë metalike.
3. fig. I shtie frikën dikujt menjëherë e papritur; tremb, tromaks. - Mos i bëltuc fëmijët!
✱Sin.: zbut, butësoj, brumëzoj, zbrumoj, brydh, mbrydh, squll, dyllëçit, qulltoj, tutëloj, sqaqet.
DAMÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. anat. Çdonjëri nga gypat, nëpër të cilët qarkullon gjaku në trupin e njeriut a të kafshëve. Damarët e gjakut. Damari i qafës. Damari i ballit. Iu frynë damarët. I bënë një gjilpërë në damar. Preu damarët.
2. bot. Çdonjëri nga gypat, nëpër të cilët kalojnë lëndët ushqyese në trupin e bimës, në gjethet etj. Damarë kryesorë. Damarët e drurit (e gjethes). I ka ngrënë krimbi damarët.
3. zakon. sh. Vija të degëzuara në mermer etj. që u ngjajnë degëzimeve të gypave të gjakut te shtazët a të gypave ushqyes te bimët. Mermer (gur, shkëmb) me damarë. Damarët në kërcellin e bimëve.
4. gjeol. Shtresë e nëntokës, zakonisht e hollë, që përmban një mineral të dobishëm etj.; vijë a rremb uji që kalon nën tokë. Damar i nëndheshëm. Damar shkëmbor. Damar qymyrguri (floriri, bakri). Damari i ujit. Damarët e tokës. Ranë në damar. Gjetën një damar të pasur. U mbyll ky damar. - Ku e ka damarin ky burim?
5. bised. Plasë, e çarë që bëhet në një send të ngurtë. Mori damar. U bë tërë damarë.
6. tek. Secili nga telat e kabllos. Damar përcjellës.
7. fig. Lidhje farefisnie a gjaku; diçka që e mban të lidhur njeriun me një mjedis të caktuar shoqëror; tipar që përcaktohet nga një lidhje e tillë. Damari i fisit. Damar miqësie. Nuk ka damar nga ajo familje. E ka një damar nga fshati.
8. fig., bised. Burim. Damarët e ekonomisë. Hapën damarë të rinj. Thashethemet kanë damarë të vjetër.
9. fig. Aftësi a prirje natyrore, dhunti e lindur. Damar poetik. E ka një damar për muzikë.
10. fig. Tekë. Njeri me damar. Punon me damar.
11. fig. Gjendje shpirtërore e dikujt në një çast të caktuar. Është në damar të mirë. E gjeti në damar të keq.
✱Sin.: arterie, plasë, e plasur, e çarë, plasaritje, krisje, rremb, burim, vendburim, prirje, dell, dhunti, trill.
♦ Ia gjeti damarin (dikujt) ia gjeti pikën e ndjeshme dhe e bëri për vete, e preku aty ku duhet; e preku në tela (dikë). E ka damar pas bythe (dikë) bised. iron. nuk e lidh asgjë me dikë, nuk ka asnjë lidhje fisnore me të; e ka lakra në kopsht. Ka një damar (dell) marrëzie (dikush) është pak si i marrë; është ca kokëkrisur, i kërcen nganjëherë. E ka dellin e marres në shteg të ballit (dikush) keq. shih i ka plasur delli (damari) (i ballit) (dikujt) keq. I kërceu (iu ngrit) delli damari (*delli) (i ballit) (dikujt). I ka mbetur *qafa në damarë (në dej) (dikujt). I ka plasur damari (*delli) (i ballit) (dikujt) keq. I zbriti (i ra) damari (dikujt) i ra zemërimi, u zbut, i iku inati.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë