Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►BUTËS/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III Zbutem. U butësua toka nga shiu. Dardha në kashtë butësohet.
2. fig., vetv. Bëhem i urtë, i shtruar e i dashur, urtësohem. I flet fjalë të ëmbla, derisa të butësohet.
3. pës e BUTËSÓJ.
✱Sin.: butësohet, zbruhet, brumëzohet, baltet, zbrumohet, brydhet, squllet, dyllëçitet, qullohet, tutëlohet, sqaqet, qetësohem, urtohem, tulatem, ulem.
►BËLTÚC/EM jovep., ~(u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Zbutet shumë, shtypet e bëhet si qull a si pelte, squllet. U bëltucën dardhat.
2. vetv., vet. v. III Shtypet në një vend, bëhet gropë nga një goditje (për enët e metalta). U bëltuc kusia.
3. vetv. Bie nga shëndeti, më ka ikur fuqia (nga pleqëria, nga ndonjë sëmundje etj.), nuk më bëjnë gjunjët, rrëgjohem, plakem. Është bëltucur e tretur në fytyrë.
4. pës. e BËLTÚC.
✱Sin.: zbutet, butësohet, brumëzohet, baltet, zbrumohet, brydhet, mbrydhet, squllet, dyllëçitet, qullohet, tutëlohet, sqaqet.
►ZBRÚ/HEM jovep. ~JTA (u), ~JTUR 1. vetv., vet. v. III Bëhet i butë si brumë, zbutet diçka e fortë a e thatë. Zbruhen dardhat (ftonjtë). Edhe pjeprin, po ta lesh shumë kohë në diell, zbruhet dhe s’hahet më. Iu zbrujtën duart.
2. fig., vetv. Ligështohem, bëhem i dobët e i pafuqishëm; bëhem më i butë, zbutem. I është zbrujtur karakteri (vullneti). Është zbrujtur ca kohët e fundit. Ç’më je zbrujt e ligështue, / Moj e mira e nanës-o. (folk.). Muzgu u zbrujt krejt. Poeti u zbut e u zbrujt si rrallëherë. U zbrujta prej ngashërimeve.
3. pës. e ZBRUJ. Është zbrujtur nga shiu. Toka u zbrujt shpejt. Gruri zbruhet me ujë.
✱Sin.: brumëzohet, brumohet, zbrumohet, zbutet, brydhet, mbrydhet, ndulket, baltet, squllet, dyllëçitet, sqaqet, tutëlohet, lëshohem, shkrehem, ligështohem.
►ZBÚT/EM jovep. ~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Bëhet më e butë në të prekur, i hiqet ashpërsia; bëhet më e butë një gjë e fortë a e thatë, zakonisht duke u njomur me një lëng, bëhet si brumë, zbruhet; bëhet i butë një metal a diçka tjetër, duke u nxehur në zjarr e përpunohet më lehtë; kund. ashpërsohet. U zbut pëlhura. U zbutën lëkurët. Oktapodi zbutet duke e përplasur për guri. U zbutën koret (biskotat). U zbut llaçi (toka). U zbut dylli. Iu zbut plaga. Zbutet vetvetiu. U zbut shumë. Këto pemë zbuten me kohë. - Lëre dardhën në kashtë, zbutet, po nuk prishet, bëhet më e mirë.
2. vetv., vet. v. III Bëhet më i këndshëm e më i pëlqyeshëm për veshin a për syrin; bëhet i shtruar e i ëmbël, i hiqet vrazhdësia; i ulet forca, bëhet më pak i ashpër; kund. ashpërsohet. U zbut drita. U zbutën ngjyrat. U zbutën zhurmat.
3. fig., vetv., vet. v. III I ulet forca diçkaje; bëhet më pak i ashpër; pakësohen dallimet ndërmjet gjërave të ndryshme; kund. ashpërsohet. Iu zbutën ndjenjat. Iu zbut dhembja (urrejtja, inati). Punët u zbutën. U zbutën grindjet (mëritë). Ligësia nuk mund të mbulohet e të zbutet. (fj. u.).
4. vetv., vet. v. III Bëhet i butë e i afrohet njeriut (për kafshët e egra); kund. egërsohet. U zbut vetë ariu.
5. vetv. Bëhem i urtë, i shtruar e i dashur, bëhem i arsyeshëm e i bindur; qetësohem, më ikën zemërimi, bëhem dashamirës; kund. egërsohet. U zbutën e u pajtuan. U zbut e u bë vaj.
6. vetv., vet. v. III Bëhet më pak i pjerrët; vjen me sipërfaqe më të sheshtë, sheshohet. Këtej kodra fillon të zbutet. E përpjeta sa vinte e zbutej.
7. vetv., vet. v. III Bëhet më e ngrohtë, bëhet më e butë (për kohën, për klimën etj.); kund. ashpërsohet. U zbut koha (moti). U zbut të ftohtët. Dimri nisi të zbutej. Pastaj tufani i egër bie dalëngadalë e zbutet.
8. vetv., vet. v. III I ulet grada, i bie fortësia, bëhet më i butë (për pijet alkoolike); kund. forcohet. Vera u zbut vetë.
9. pës. e ZBUT.
✱Sin.: butësohet, zbruhet, brumëzohet, zbrumohet, brydhet, squllet, dyllëçitet, sqaqet, tutëlohet, shtrohem, qetësohem, urtësohem, tulatem, sheshohet, shuhet, fashitet, fishket, porritet.
♦ Iu zbut *gjaku (dikujt). M’u zbut *zemra.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë