Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FÝE/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JT 1. Vegël muzikore si gyp i hollë e i gjatë, prej druri a prej metali e me disa vrima, së cilës i bien duke i fryrë me gojë. Fyelli i bariut. Melodi me fyell. I bie fyellit.
2. anat., bised. Eshtër e madhe, e gjatë dhe e drejtë e gjymtyrëve të njeriut a të kafshëve. Fyelli i këmbës kërciri. Fyelli i dorës (i krahut) eshtra e llërës.
3. sh. edhe FÉJE,~T Kanali i brendshëm i diçkaje të shpuar tejpërtej; vrimë në trajtë kanali. Fyelli i kockës. Fyelli i veshit. Fyell i hundës.
4. Send a diçka tjetër që ka trajtën e një gypi të shpuar tejpërtej. Fyelli i kazanit të rakisë. Fyelli i gjakut. anat., bised. damari i gjakut.
✱Sin.: xhura, zamare, longar, duduk, kallam, cyle, fejzë.
PÍPËZ,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Lloj fyelli, i hollë e i shkurtër, me tytën prej kallami ose prej kashte gruri a tërshëre. Pipëz dyshe pipëz me dy tyta. Melodi me pipëz. I bie pipëzës.
2. kim. Gyp i vogël prej qelqi, që përdoret për të marrë pak lëng nga një enë, zakonisht duke e thithur. Pipëz e shkallëzuar.
3. Pipi i një vegle muzikore frymore.
✱Sin.: pipizane, pizgë, pilipizgë, pipë, pipiranxhë, pitiqe, picigone, cingonë, filizë, filikaçkë, torolingë, duduk, glyrë, pip, pipth, kllapë, biule, camunzë, gjuhëz, zamare, fyell, bigë, gypth.
♦ I bëri veshët pipëz (dikush) nisi të dëgjojë me vëmendje të madhe, u përqendrua e u përpoq të mos i shpëtonte asgjë pa dëgjuar; hapi veshët; i ngriti (i bëri) veshët bigë; i bëri veshët katër; i mban veshët përpjetë. I ranë pipëzat (dikujt) iron. hoqi dorë nga krenaria dhe nga mburrja e kotë, nuk krekoset më; u bë më i shtruar, më i bindur e më i thjeshtë; i ra hunda; i ranë pendët; i ranë veshët; i vari (i uli) veshët (dikush); e uli bishtin (dikush); kund. e ka çuar (e ka ngritur) hundën (përpjetë) (dikush). I gjetën pipëzat (pipat) (njëri me tjetrin) shih i gjetën telat (njëri me tjetrin). I kanë pipëzat (pipat) bashkë janë të lidhur ngushtë njëri me tjetrin, kanë diçka të përbashkët, përputhen e pajtohen njëri me tjetrin (zakonisht jo me ngjyrim miratues). I ka veshët pipëz (pipë) (dikush) dëgjon shumë mirë, ka dëgjim të mprehtë, kap edhe zëra të ulëta; dëgjon me vëmendje të madhe, që të mos i shpëtojë asgjë; i ka veshët bilbil. I mban veshët pipëz (dikush). 1. Është njeri i zgjuar e i shkathët, që i kap shpejt e shpejt gjërat. 2. keq. Rri e përgjon se ç’thonë të tjerët; merret me thashetheme. I prishën pipëzat (pipat) u zunë e u ndanë, i prishën lidhjet e marrëdhëniet e mira që kishin njëri me tjetrin, nuk i kanë më punët mirë ndërmjet tyre; kund. i puqën pipëzat. I puqën pipëzat (pipat) merrem vesh mirë ndërmjet tyre, pajtohem e shkojnë mirë; i puqën fitilat; kund. i prishën pipëzat (pipat).
ZAMÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET muz. 1. Vegël e vogël frymore, me dy tyta paralele e me gjuhëz, që bëhet zakonisht prej kashtës së grurit, të thekrës, prej kallami etj. Gjuhëza e zamares. Melodi me zamare. Grupi i zamareve. Bien fyej e zamare. I bie zamares. Dëgjohen zamaret. Një çoban sipër në mal, / Bjer e bjer zamares-o. (folk.). Ai që dha paret, i bie zamares. (fj. u.).
2. Fyell. Mos i bjer zamares gjithnjë në një vrimë. (fj. u.).
✱Sin.: pipë, duduk, fyell, dyjare.
ZUMÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Zamare.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë