Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BALASTRÍ,~A f. sh. ~, ~TË libr., arb. Gjendje ku mungon rregulli; rrëmujë ku s’e merr vesh i pari të dytin; pështjellim, çrregullim, tollovi, zhurmë. Balastri e madhe. Për një gjë kaq të vogël bënë aq balastri.
✱Sin.: rrëmujë, pështjellim, çrregullim, trazirë, tollovi, zallahi, rrungajë, çarravi, paçariz, rrëmet, çatrafilim.
PANAÍR,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pazar i madh, ku paraqiten e shiten mallra të ndryshme, zakonisht për disa ditë me radhë. Panairi kombëtar i librit. Panairi i verës. Ditë panairi. U hap panairi. Ishte si në panair.
2. Ekspozitë e madhe, ku paraqiten prodhime bujqësore e industriale të shteteve a të krahinave të ndryshme dhe ku mund të lidhen marrëveshje për blerjen e shitjen e tyre. Panair ndërkombëtar. Pavijoni shqiptar në panair.
3. fig., bised. Vend ku ka zhurmë e rrëmujë dhe nuk merret vesh se çfarë bëhet, pazar. Atje ishte panair.
✱Sin.: pazar, rrëmujë, potere, zhurmë, zallahi, gjullurdi.
POTÉR/E,~JA f., bised. 1. Zhurmë e madhe; shamatë; gurgule. Potere e madhe. Bënin potere. Dëgjohej një potere. Plasi poterja.
2. krahin. Thirrje, kushtrim. Qiti (lëshoi) poteren.
✱Sin.: zhurmë, shamatë, bujë, gurgule, trazirë, gulm, zallahi, zallamahi, zhurmërimë, llazurë, rrëmujë, turrahi, zburim, batërdi, gjullurdi, thirrje, kushtrim, shurukamë.
♦ Bëri potere (dikush) vjet. shih bëri zhurmë (për diçka).
PËSHTJELLÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur pështjelloj diçka ose kur pështjellohem. Pështjellimi i çështjes.
2. Grumbullim pa rregull e pa kriter njerëzish a gjërash në të njëjtin vend; rrëmujë ku s’e merr vesh i pari të dytin, tollovi, trazirë. Pështjellim i madh në sallë. Pështjellim në stadium. Mbillnin (shkaktonin) pështjellim.
3. Mungesë lidhjeje a bashkërenditjeje midis pikëpamjeve e qëndrimeve, kontradikta të brendshme të thella e pa ndonjë rrugëdalje, mungesë rregulli e njësimi; paqartësi e madhe në teori e në veprimet praktike; rrëmujë. Pështjellim politik (ideologjik).
4. elektr. Pështjellje. Pështjellime të veçuara (të izoluara). Pështjellimet e elektromotorëve. Tel bakri për pështjellime.
✱Sin.: ngatërrim, ngatërresë, çrregullim, koklavitje, turbullim, çaprazim, çatrafilim, shthurje, çoroditje, trazirë, tollovi, zallahi, zallamahi, rrungajë, çarravi, paçariz, rrëmet, paqartësi, çorbë, pështjellje, grumbullim, përzierje, trazim, vërdallë, zhurmë, gurgule, rrëmujë, shamatë, turbullirë, hutim, kontradiktë.
TURBULLÍR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Të qenët i turbullt; pjesa e turbull e ujit a e një lëngu tjetër, ujë i turbullt a diçka tjetër e turbullt; lluburdinë. Kulloi turbullira në fund. Kanë rënë turbullirat e lumit. Ajo ishte turbullirë, jo raki. I iku turbullira u kthjellua.
2. Kohë e keqe me re a me mjegull, kohë e trazuar, kohë e turbullt. Ka qenë turbullirë sot. Tërë javën turbullirë ka bërë.
3. Gjë e paqartë, diçka që mezi duket, diçka e turbullt. Dukej një si turbullirë atje tutje.
4. fig. Gjendje shpirtërore e shqetësuar, mungesë qetësie shpirtërore; gjendje e qetësuar e organizmit kur nuk flemë mirë, kur nuk hamë me rregull, kur jemi të sëmurë etj.; çrregullim në një organ të trupit. Turbullirë nervore (mendore). Turbullirë në të parë. Kam një turbullirë në stomak.
5. kryes. fig. Lëvizje e paorganizuar e një grupi të veçantë, që bëhet për të shprehur pakënaqësinë ndaj regjimit në fuqi dhe që sjell pështjellim; trazirë. Turbullira politike. Turbullira të brendshme (të reja). Periudhë me turbullira. Bënë (shkaktuan) turbullira.
6. fig. Rrëmujë, çrregullim me zhurmë. U bë pak turbullirë në klasë. Bëri turbullirë.
✱Sin.: lluburdinë, mjegull, tym, mjegullnajë, trazirë, rrëmujë, errësirë, çrregullim, gjullurdi, zallahi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë