Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BUJËMÁDH,~E mb. 1. Që bën bujë të madhe, i bujshëm. Bëma (beteja) bujëmëdha. Pranverë bujëmadhe.
2. keq. Që bën zhurmë rreth vetes ose rreth veprimeve të tij për t’u dukur e për të bërë përshtypje tek të tjerët, zhurmëmadh.
3. fig. Që ka famë të madhe, që lë përshtypje te shumë njerëz. Shtëpia më bujëmadhe në qytet. Një mendje bujëmadhe.
4. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Bujëmadh i pashoq.
✱Sin.: i bujshëm, i zhurmshëm, zhurmëmadh, zulmëmadh, gjëmëmadh, poteremadh, i famshëm, lavdimadh, emërmadh, zëmadh.
NJÓHUR (i, e) mb. 1. Që e njohim, që është njohur nga ne a nga të tjerë, që e dimë kush a cili është, si është ose i kujt është; kund. i panjohur. Fytyrë e njohur. Një fshatar i njohur. Rrugë e njohur. Krahinë e njohur. Hapa të njohur. Zë i njohur. Shkrim i njohur. Markë e njohur. Sëmundje e njohur. Bëj të njohur njoftoj, vë në dijeni, bëj të ditur, shpall botërisht.
2. Që është njohur ligjërisht; kund. i çnjohur.
3. fig. Që e njohin mirë të gjithë, që është bërë popullor me vetitë e cilësitë e mira që ka, që ka bërë emër, i dëgjuar, i shquar; keq. që e njohin të gjithë si të tillë, që është me damkë. Shkrimtar (kompozitor, këngëtar, artist, dijetar) i njohur. Melodi e njohur. Vepër e njohur. Vjedhës (hajdut, kriminel) i njohur. Agjent i njohur. Është i njohur. U bë i njohur.
✱Sin.: i ditur, i shkelur, i rrahur, i shquar, i dëgjuar, i përmendur, zëmadh, derëmadh, popullor.
ZULMËMÁDH,~E mb. 1. Që është i mbuluar me lavdi, që ka fituar famë; famëmadh, i ndritshëm, i lavdishëm. Luftëtar (kalorës) zulmëmadh. Qytet zulmëmadh. Emër zulmëmadh. Kohëra zulmëmëdha. E kaluara zulmëmadhe. Folkloristi zulmëmadh. Armata zulmëmadhe. Heronjtë zulmëmëdhenj.
2. I bujshëm1. Fjalim zulmëmadh. Histori zulmëmadhe.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Zulmëmëdhenj e trima. Figura e zulmëmadhit Skënderbe ishte burim frymëzimi për të gjithë.
✱Sin.: zëmadh, emërmadh, bujëmadh, famëmadh, i ndritshëm, i lavdishëm, i bujshëm, i famshëm.
ZËMÁDH,~E mb. 1. Që bëhet me zë të lartë; që ka zë të fortë, që i dëgjohet zëri a zhurma deri larg; i potershëm, zhurmëmadh. Thirrje zëmadhe. Përgjigje zëmadhe.
2. fig. Që është shumë i njohur, që i ka dalë nami anembanë, që është në zë, famëmadh. Poet zëmadh. Udhëheqës zëmadh. Krahinë zëmadhe. Me në krye plakun zëmadh për faljen e gjaqeve. Familja zëmadhe e Idriz Seferit. Sipas historianit zëmadh frëng. - Për kujtim të Skënderbeut zëmadh! Vepra e tij është zëmadhe në gjithë lëmin e studimeve shqiptare.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimit 2 të mbiemrit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë