Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AUTORITÉTSH/ËM (i), ~ME (e) mb., libr. 1. Që nderohet e që vlerësohet nga të gjithë, që ka autoritet, që është i respektuar për shkak të njohurive, kompetencës, besueshmërisë, aftësisë ose legjitimitetit të tij, që është i pranuar gjerësisht. Person i autoritetshëm. Shkrimtar i autoritetshëm. Mësues i autoritetshëm. Prindër të autoritetshëm.
2. Që mund t’i besohet pa e vënë në dyshim, plotësisht i besueshëm. Burim i autoritetshëm. Zëdhënës i autoritetshëm. Figurë e autoritetshme.
ELÇÍ,~U m., krahin. Lajmëtar, zëdhënës, përfaqësues diplomatik. Në fillim dërgonte elçinë. Do ta çonte si elçi.
INTERPRET/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. Shpjegoj a shkoqit diçka të errët e të vështirë për të tjerët; e paraqit a e sqaroj diçka ashtu si e kuptoj ose si e mendoj unë. Interpreton një çështje (një dukuri, një ligj, një vendim). Interpreton faktet. Interpretoj një mbishkrim. E interpretoi drejt (keq). E interpreton ndryshe.
2. Jap mendimet, ndjenjat, dëshirat a kërkesat e një tjetri; flas në emër të një tjetri, duke u bërë zëdhënës i tij. Interpretoj dëshirat (vullnetin) e një tjetri.
3. Luaj një rol në një dramë ose luaj një pjesë muzikore; këndoj një këngë a luaj një valle në një shfaqje. Interpreton rolin e punëtorit. Interpreton bukur. E interpretoi me mjeshtëri të rrallë (në mënyrë origjinale).
✱Sin.: shpjegoj, luaj, ekzekutoj, këndoj.
PARALAJMËTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që me punën a me veprimtarinë e tij bën hapat e para në një fushë të pashkelur ose bëhet zëdhënës i së ardhmes. Paralajmëtarët e lirisë. Paralajmëtarët e Rilindjes.
2. Dikush a diçka që shërben si tregues se së shpejti do të ndodhë një ngjarje, do të shfaqet një dukuri etj., shenjë paralajmëruese. Paralajmëtari i pranverës. Paralajmëtari i furtunës.
PËRFAQËSÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që flet e vepron në emër të dikujt; ai që përfaqëson e mbron të drejtat dhe interesat e një shteti, të një organizate, të një grupi njerëzish etj. Përfaqësues diplomatik. Përfaqësues i ministrisë. Përfaqësues i shtetit. Përfaqësuesi i Shqipërisë në OKB. Dërgoj si përfaqësues.
2. Ai që shpreh mendimet, vullnetin dhe dëshirat e një grupi njerëzish. Përfaqësues i dëshirave të popullit. Përfaqësuesit e studentëve (e emigrantëve).
3. Ai që paraqit në veprimtarinë a në veprën e vet tiparet themelore të një rryme ideologjike, politike etj., të një drejtimi shkencor, artistik etj. Përfaqësues tipik i romantizmit.
4. drejt. Ai që është i ngarkuar të veprojë në gjyq në emër dhe në interes të një tjetri. Përfaqësues ligjor.
✱Sin.: zëdhënës, zëvendës, delegat, veqil.
TELLÁLL,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. vjet. Ai që lajmëronte me zë të lartë në pazar, në qendër a në rrugët kryesore të qytetit njoftimet e qeverisë; kasnec. Tellalli i qytetit (i bashkisë). Lajmëronin me tellall.
2. Ai që shet në pazar mallin a plaçkat e një tjetri, duke thirrur blerësit me zë të lartë. Thërret si tellall. I shitën me tellall. I zoti e shet, tellalli s’e jep. (fj. u.).
3. keq. Ai që përhap lajme me zhurmë e me bujë në interes të një tjetri; zëdhënës. Mos u bëj tellall i kësaj çështjeje të padrejtë! U bë tellall i të tjerëve.
4. Ai që nuk di të mbajë një të fshehtë, ai që, me të marrë vesh diçka, ua thotë të tjerëve; përpallës. Mos ia thuaj atij se është tellall.
♦ U bë për tellall (dikush) e tallin të gjithë; u bë gazi i botës. Vë tellallin (dikush) e bën diçka me zhurmë e me të thirrura sa e marrin vesh të gjithë; s’e mban të fshehur diçka, e përhap një lajm në të katër anët; flet në çdo udhëkryq.
✱Sin.: njoftues, kasnec, zëdhënës, përpallës.
ZËDHËNËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që është i ngarkuar zyrtarisht të njoftojë a të japë sqarime për diçka në emër të dikujt a të një institucioni. Zëdhënës zyrtar (ushtarak). Zëdhënësi i shtypit. Zëdhënës i lartë. Zëdhënës i palodhur. Një zëdhënës i qeverisë (i ushtrisë). Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Zëdhënësi i Kuvendit. Zëdhënës i Bshkimit Europian (i NATO-s). Zëdhënës politik. Zëdhënësi i një partie. U bë zëdhënësi i tij kryesor.
2. fig. Ai që është a që bëhet përhapës i mendimeve, i ideve etj. të dikujt tjetër; ai që pohon a që mbron një mendim, një ide etj. Zëdhënës i zellshëm. Zëdhënës i ideve (i ndjenjave) të autorit. Zëdhënës i ideve të reja. Zëdhënës i grevistëve. Ishte një zëdhënës i fuqishëm. Zëdhënës i shqetësimit të zgjedhësve.
ZËDHËNËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ajo që është i ngarkuar zyrtarisht të njoftojë a të japë sqarime për diçka në emër të dikujt a të një institucioni. Zëdhënëse e Bashkisë. U zgjodh si zëdhënëse e televizionit kombëtar. Zëdhënëse e parë e kësaj marke. Zëdhënëset kryesore të reklamave informative.
2. fig. Ajo që është a që bëhet përhapëse e mendimit të tjerëve; ajo që pohon a mbron një mendim a ide. Zëdhënëse e lirisë. Zëdhënëse e Rilindjes. Ky është një absurditet i zëdhënëseve të botës së vjetër.
3. Agjenci lajmesh, gazetë, media televizive, portal etj., që njoftojnë ose që japin sqarime rreth çështjeve të ndryshme shtetërore, shoqërore, private etj. Zëdhënëse besnike (e denjë). ATSH-ja është zëdhënëse zyrtare. “Dielli” është zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë