Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KALÚAR ndajf. 1. Hipur në kalë; kalëshalë, kalthi. Shëtiste kaluar.
2. Kaliqafë, kaliboç; kaluarthi.
3. Duke kaluar (zakonisht më këmbë), kalimthi. E pashë kaluar.
4. fig. Lehtësisht, lehtë e lehtë dhe pa vështirësi; pa shtrëngesa, pa halle; në gjendje pothuajse të mirë. Jetonte (fliste, ishte) kaluar.
✱Sin.: kalthi, kaluarthi, kalëshalë, kaliqafë, kaliboç, lehtësisht.
♦ I bën hesapet kaluar (dikush) mendon se nuk do të ketë vështirësi e shtrëngesa për diçka, i llogarit gjërat shumë i shkujdesur ose shumë i sigurt, pa u shqetësuar, pa përgjegjësi dhe pa u bërë shumë merak, duke menduar se është mirë e në rregull; i sheh punët nga lart; i bën hesapet pa hanxhinë. Është (flet) kaluar (dikush) është mirë për vete e nuk shqetësohet shumë për të tjerët, nuk ua di hallet dhe nuk e vret mendjen për ta; i duket se nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar kur vetë është në një gjendje më të mirë se të tjerët; është (hipur) në kalë; është në shalë të kalit; është në majë të kalit; i ka këmbët në yzengji.
KËMB/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secila nga gjymtyrët e poshtme të njeriut, të kafshëve, të shpendëve dhe të disa kandrrave, që u shërbejnë për të ecur. Këmba e majtë (e djathtë). Këmbë kali me thundër. Këmbë buburreci. Këmbë viçi (derri). Me këmbë të gjata. Eci më këmbë eci, baras. Rri më këmbë nuk rri ulur. Me këmbë mbi këmbë këmbëkryq. Gishtat e këmbëve. Luani këmbët! ecni më shpejt! Vrava këmbën.
2. Pjesa e fundit e këtyre gjymtyrëve të njeriut dhe të disa kafshëve; shputë (tek njerëzit); putër (tek kafshët). Gjurmë këmbe. Me këmbë të zbathura.
3. Gjurma që lë në tokë kjo pjesë e fundit e gjymtyrëve të poshtme të njeriut dhe të kafshëve; gjurmë shpute a putre. Pashë këmbë njeriu (ariu, kali).
4. Çorapja, këpuca etj., si mbathje të pjesës së fundit të këtyre gjymtyrëve tek njerëzit. Mbaroi (së thururi me shtiza) njërën këmbë.
5. Të ecurit ose mënyra e të ecurit me gjymtyrët e poshtme të njeriut dhe të kafshëve kur ato përplasen në tokë; zhurma që dëgjojmë kur dikush ecën më këmbë. Dëgjoheshin këmbë.
6. Secila nga mbështetëset e një tryeze, e një karrigeje etj. Katër këmbët e tavolinës (e karriges). Këmbët e urës. Këmba e kërpudhës.
7. Shkallare a këmbëz. Shkallë me pesë këmbë.
8. Rrëza e një kodre a e një mali. Në këmbë të malit.
9. fig., bised. Vendi i punës ku dikush punon për dikë tjetër. Punoi dy vjet në këmbë të babait.
10. fig., bised. Zgjedhë; sundim. Nën këmbën e pushtuesit.
11. let. Masë vargu me një grup rrokjesh, të cilat përsëriten ritmikisht. Këmbë jambike (daktilike) në poezinë greke e latine.
12. Masë gjatësie a thellësie e barabartë me rreth 30 – 40 centimetra.
13. edhe fig. Pengë. Më vuri këmbën.
✱Sin.: shputë, putër, shkallare, shkelm, zgjedhë, stërkëmbës, pengë.
♦ U bë këmbë e dorë (dikush) u martua, u bë me familje. Është bërë këmbë e krye (diçka) është ngatërruar shumë, është bërë rrëmujë; është ndërlikuar keq; është përzier sa nuk ia di fillimin e fundin; është bërë lesh e li. I bëhet një *kokë nga këmbët (dikujt). Bën këmbë (dikush). 1. Ecën, niset për diku. 2. Hyn i pari në një shtëpi, kalon i pari pragun në një ditë të caktuar. 3. (diçka) Vjen, hyn, duket. Ka bërë këmbë (diçka) iron. e kanë vjedhur, e kanë marrë; është zhdukur, ka humbur. Nuk më bëjnë këmbët. 1. Nuk kam fuqi të eci, nuk mund të vete diku; m’u prenë këmbët; nuk më bëjnë (nuk më punojnë) gjunjët. 2. Nuk kam dëshirë a guxim të vete diku, s’më shkohet diku. I bëri këmbët *baras (dikush). I bëri këmbët *çift (dikush). E bëj këmbë e dorë (dikë) e martoj (për një djalë). E bëri këmbën *kobure (dikush) përçm. I bëri këmbët *të lehta (dikush). E bëri të kërcejë me një këmbë (në njërën këmbë) (dikush) ia mblodhi, bëri si deshi me të; e bëri të hedhë valle në tepsi. Bën *kryq me këmbë (dikush) iron. I bie bukës (së mirës) me këmbë (me *shkelm) (dikush). Më ra (më shkoi) *gjaku në fund të këmbëve. I ra këmbës (dikush). 1. U përpoq më kot për të arritur diçka; këmbënguli me forcë e bëri çdo përpjekje. 2. mospërf. Vdiq. I ra ndër këmbë (dikujt) iu lut me përulje, iu përgjërua; i ra në gjunjë. Më ranë këmbët (copë) s’lashë vend pa e kërkuar dikë a diçka; u këputa së kërkuari; u çapëlova së ecuri. Ra me këmbë nga dielli (dikush) mospërf. vdiq; i bëri këmbët çift; i mblodhi këmbët; iu mblodhën këmbët (dikujt); i ndeu (i ngriti) këmbët. Bie me këmbët në *tokë (dikush). I bie *lëkura te këmbët (nga dikush). I ra *nenit të këmbës (dikush). Me *bisht ndër këmbë keq. Me *brekë nëpër këmbë (zvarrë) tall. vulg. Çalon nga të dyja këmbët (diçka) ka të meta shumë të rënda; është keq nga të gjitha anët, nuk vete mbarë në çdo anë. *Ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët (dikush). I digjet (i ndizet) *toka (trualli) nën këmbë (dikujt). *Djepi plot e këmbët jashtë (dikush) iron. *Doç i dalë (i pjellë) me këmbë bised. përçm. Me *duar e me këmbë. E drodhi këmbën (i drodhi këmbët) (dikush) përçm. vdiq; ngordhi; tundi këmbën (këmbët); e drodhi (e përdrodhi) bishtin. I dridhen këmbët (dikujt) ka shumë frikë, i ka hyrë tmerri, s’mbahet dot; i dridhen gjunjët; i dridhen këllqet. I dridhen *leqet e këmbëve (dikujt). I dridhet (i rrëshqet) *toka (trualli) nën këmbë (dikujt). Ecën me këmbët e veta (dikush a diçka) punon e jeton vetë, pa ndihmën e të tjerëve; është i pavarur nga të tjerët, përparon vetë. Fle në këmbë (dikush) është i ngathët e i plogët nga trupi e nga mendja, është i fjetur e i humbur; nuk e nxjerr dot qimen nga qulli. Të fryn nga këmbët (dikush) të mërzit shumë, sa s’e duron dot; ia marr shpirtin (dikujt). E fryu në *lak të këmbës (dikë). I fsheh këmbët (dikush) punon e vepron fshehurazi; është dinak; nuk shfaqet siç është, i mbulon qëllimet; hedh gurin e fsheh dorën; i fsheh brirët keq. Fshij këmbët (te dikush) përçm. nuk e vlerësoj fare; nuk e vë as te thembra (dikë); e shumëzoj me zero (dikë). I futet detit më këmbë (dikush) nis një punë që nuk mund të bëhet ose që është jashtëzakonisht e vështirë; ka guxim të tepruar, ndërmerr një punë shumë të vështirë pa u menduar gjatë; e kalon (e hedh) detin më këmbë; e than detin me lugë; e mat detin me lugë. Fut (kall) këmbët (diku) hyj diku, arrij të futem; vij e ngulem diku si me zor a pa u ndier. E futi këmbën në *çark (dikush). Ia futi (ia vuri) (të dyja) këmbët në një *këpucë (në një opingë) (dikujt). Ia futi (ia vuri) këmbët në *rrip të dyfekut (dikujt). Nuk ia gjen (dot) këmbët (dikujt). 1. Nuk e zbulon dot dikë ku është fshehur, është diku i fshehur dhe nuk e gjen dot. 2. Nuk e zbërthen dot dikë, nuk e kupton dot ç’mendon e ç’ka ndërmend të bëjë; nuk e merr vesh ç’bën; i humb (i mbulon, i fsheh) gjurmët (dikush). *Gjyle në këmbë. E ha arën në këmbë (pa korrur) (dikush) iron. i shpenzon të ardhurat para kohe; nuk di të bëjë ekonomi; nuk di të kursejë kur duhet e atje ku duhet; e ha grurin që në arë. Të ha (ta rrëmon) *dheun nën këmbë (dikush). Sa i hanin këmbët me shpejtësinë më të madhe, sa mundej më shpejt, aq sa mund të vraponte; ia mbathi me të katra (dikush). I hanë këmbët për gjemba (dikujt) e kërkon vetë të keqen, kërkon shkak që të grindet a të bëjë sherr; kërkon gjemb për këmbë (dikush); lëshon brezin (i pari) (dikush). Ha këmbët e veta (dikush). 1. Vuan shumë sa s’duron dot më; s’di ç’të bëjë, hahet me vetveten. 2. Mundon a sakrifikon veten dhe s’pranon të bëjë diçka. Nuk të hahen këmbët nuk duhet të të vijë rëndë të shkosh diku; nuk duhet të kursehesh për të bërë diçka; nuk do të mundohesh shumë e nuk do të pësosh gjë. Iu hap *dheu nën këmbë (dikujt). M’u hap *toka (nën këmbë). Po i hapet *varri nën këmbë (dikujt). Hedh këmbët (kërcen, i shpie këmbët) siç bie *daullja (sipas daulles) (dikush) përb. E hedh (e vë) këmbën mbi këmbë rri i qetë e nuk e vras mendjen më, se i kam siguruar të gjitha; jam shumë i kënaqur e pa fare meraku; e hedh (e vë) festen (kësulën, qeleshen, kapelën, takijen) mbi sy; e fle mendjen. I hedh këmbët (kërcen) sipas *avazit (dikush). I hedh këmbët sipas *valles (dikush). E hodhi *lumin pa lagur këmbët (pa u lagur) (dikush). E hoqi këmbën *zvarrë (rrëshqanë) (dikush). Të heq (të merr) opingat nga këmbët (dikush). Ua hipi këmbëve shaka. shkoj më këmbë, nisem për diku më këmbë, nuk pres a nuk përdor ndonjë mjet udhëtimi; me kalin e babait shaka. Nuk i hyn *ferrë në këmbë (dikujt). Nuk i hyn *gjemb në këmbë (dikujt). Është më (në) këmbë (dikush) është në gjendje të mirë shëndetësore, nuk është i sëmurë; është në gjendje të tillë saqë mund të jetojë e të punojë, mbahet; mbahet më këmbë. (Është) me këmbë në *kapërcyell (dikush). (Është) me një këmbë në *varr (dikush). (Është) me një këmbë në *yzengji (dikush). Është pa *opinga në këmbë (dikush). S’është *tamam nga koka (dikush). E jep me *dorë dhe e merr me këmbë (diçka). U jap (u grah) këmbëve shpejtoj, nxitoj; nis të eci më shpejt a të vrapoj. E kalon detin më këmbë (dikush) mburret se mund të bëjë gjithçka, i duket se nuk ka pengesë që ta ndalojë në qëllimet e veta se mund të bëjë edhe diçka të pamundur; nis diçka shumë të vështirë a të pamundur pa i bërë llogaritë mirë; i futet (ia hyn) detit më këmbë. Sikur ka *botën (tërë botën) nën këmbë (dikush) përb. E kam *ferrë nëpër këmbë (dikë a diçka). E kam *gjalmë nëpër këmbë (dikë a diçka). E kam nëpër këmbë. 1. (dikë) E kam fëmijë fare të vogël e duhet ta rrit, duhet të merrem me të, t’i rri pranë. 2. (diçka) Kam një punë në dorë e duhet ta mbaroj; kam diçka që më pengon e duhet ta kryej sa më parë. 3. (dikë) Më pengon a më prish punë dikush, që nuk më ndahet e më përzihet në punët e mia. S’ka këmbë (diçka) nuk humbet vetë, s’ka ku shkon vetë; e ka humbur dikush. Sa të kem këmbë e dorë (e duar) sa të kem fuqi për të ecur vetë e për të punuar; sa të jem i fuqishëm; sa të jem gjallë e zot i vetes; sa të më punojë (të më luajë) këmba e dora. I ka këmbët *të lehta (dikush). I kam këmbët *të lidhura. E ka këmbën *të prapë (dikush). I ka këmbët *të thara (dikush). I ka këmbët në *yzengji (dikush). Ka *kokën nga këmbët (dikush) tall. S’ka as *kokë e as këmbë (diçka). I kam litarët nëpër këmbë jam i zënë me punë e s’kam mbaruar ende, nuk kam shpëtuar ende nga një barrë që kam pasur; më pengon ende diçka. I ka mendtë në këmbë (dikush) iron. nuk di se ç’bën, sillet a vepron si i marrë, nuk punon me mend; nuk është në rregull nga trutë; nuk i ka mendtë në kokë (në krye); i ka mendtë në majë të thanës; kund. e ka mendjen (i ka mendtë) në kokë (dikush). I ka trutë në *fund të këmbëve (dikush). Edhe me një këmbë … doemos, do apo nuk do, detyrimisht, pa kundërshtime, madje me qejf (për të bërë diçka). Me këmbë balte (argjile) i fuqishëm në dukje, por me mbështetje të dobët; i paqëndrueshëm (për dikë, të cilit më kot ia kemi pasur frikën). Nga këmbët *borroviq, nga mendja eksiq mospërf. Me këmbë e me duar. 1. Me të gjitha forcat e mundësitë për ta bindur dikë; me pasion, me shpirt, me zjarr. 2. Duke përdorur të gjitha fuqitë e mundësitë për të bërë diçka; me çdo mjet e mënyrë. Në këmbë e në dorë (në duar) shpejt e shpejt, pa u shtruar, si më këmbë; si shkarazi; hundë e buzë. Si këmbët e dhisë mospërf. ashtu si nuk merret vesh se kush është më i madh e kush më i vogël, kush është në krye e kush vjen pas etj., sikur jemi të gjithë njëlloj. Këmbë e kokë (e krye). 1. Që të gjithë, i madh e i vogël. 2. Tërësisht, krejtësisht; kokë e këmbë. Në këmbë e në krye hollësisht; fill e për pe. Me këmbë të lehta! ur. dalsh mirë e pa u lodhur!, mos u mundofsh shumë!, e kalofsh lehtë! (kur dikush niset për udhë). Këmbët e lehta faqja e bardhë! iron. i shpëton rrezikut dikush duke ikur me vrap; nuk është trim, i shmanget rrezikut e shpëton veten duke ia mbathur. Me këmbë të mbarë! ur. sjellsh mbarësi me ardhjen tënde!, paçim të mira paskëtaj (kur na vjen dikush për së pari). Me këmbë plumbi shumë ngadalë, por me hapa shumë të sigurt; i rëndë në të ecur. Me këmbët e pulës tall. 1. Shumë keq, jo qartë e jo bukur; pa rregull e pa kujdes, si nga një njeri që s’merr vesh; me thonjtë e bufit. 2. Shumë i keq, shumë i ngatërruar, i palexueshëm e jo i bukur (për shkrimin). Këmba (këmbëza) e *urës. Me *këpucë në këmbë. Kërcen (i hedh këmbët) sipas *avazit (të dikujt) keq. Kërcen (hedh këmbët) siç bie *daullja (sipas daulles) keq. Kërkon *gjemb për këmbë (dikush). Kërkon këmbë për gjemb (dikush) kërkon njeri me të cilin të grindet, do që të grindet me dikë; kërkon gjemb për këmbë; lëshon brezin i pari. Kërkon këmbë për murriz (dikush) shih kërkon këmbë për gjemb (dikush). *Kokë e këmbë. Nga *koka deri te këmbët. *Kokën (kryet) këtu e këmbët atje (dikush). *Kolos me këmbë argjile shpërf., libr. E ktheu (e hodhi) me këmbë përpjetë. 1. (dikë) mospërf. E vrau, e shtriu përtokë të vdekur. 2. (diçka). E përmbysi, e bëri rrëmujë a e prishi fare (duke kërkuar diçka a duke dashur të bëjë diçka tjetër). S’i ka lagur këmbët (dikush). 1. Ka shpëtuar mirë, nuk ka pësuar gjë, s’ka pasur asnjë të keqe; nuk ka pasur asnjë vështirësi ose fatkeqësi në jetë. 2. Nuk është munduar e nuk është lodhur as për vete e as për të tjerët, nuk ka lëvizur, nuk është përpjekur fare. T’i lash këmbët e t’i pish ujin (dikujt) është njeri shumë i mirë, nuk e ka shokun e meriton nderimin më të madh, është aq i mirë sa çdo gjë duhet t’ia pëlqesh e t’ia pranosh. Më kanë lënë këmbët s’kam më fuqi, më kanë lënë forcat, u plaka e s’jam më në gjendje të punoj, të eci gjatë a të vrapoj etj.; më kanë lënë gjunjët. Më ka lënë këmba e dora shih më kanë lënë këmbët. M’i la këmbët e arushës në dorë (dikush) shpëtoi vetë duke ma lënë mua rrezikun, barrën a kokëçarjen; ma hodhi, ma punoi. E lanë (e lëshuan) *leqet e këmbëve (dikë). La *leshtë e kokës (për diçka). I lëpin (i puth) këmbët (dikujt) keq. i përulet shumë dikujt, i shkon pas qejfit; i lutet e i përgjërohet, i bën lajka dhe i nënshtrohet plotësisht; i lëpin (i puth) çizmet; i puth gjunjët; i puth prehrin; i bëhet lepitkë; iu bë baltë; iu bë baltë pas këpuce. Të lëshon *litarin nëpër këmbë (dikush). Ia lëshoj *samarin nëpër këmbë (dikujt). Ia lidhi (ia zuri) këmbët. 1. (dikujt) Nuk e lë të shkojë gjëkundi, e ka zënë dhe e pengon të lëvizë a të bëjë një punë; e lidhi këmbë e duar (dikë). 2. (diçkaje) Po ia pengon zhvillimin, nuk e lë të përparojë. E lidhi këmbë e duar (dikë). 1. Nuk i la asnjë liri veprimi, i hoqi çdo mundësi për të bërë diçka, e prangosi, e bllokoi; ia lidhi (ia zuri) këmbët (dikujt). 2. I hoqi çdo të drejtë; e robëroi, e skllavëroi. M’u lidhën këmbët nuk kam më mundësi të shkoj gjëkundi, jam i zënë me dikë a me diçka për një kohë të gjatë e s’lëviz dot nga shtëpia; i kam këmbët të lidhura. Nuk i lodh këmbët (dikush) përton a nuk ka dëshirë të shkojë diku; nuk e vë veten në mundim. Luaj këmbët. 1. Nxitoj, shpejtoj; eci. 2. Përpiqem për të arritur diçka, lëviz; interesohem; shpie gojën te buka. Të lumshin këmbët! ur. mirë se erdhe; të lumtë që erdhe! Nga *maja e flokut te thonjtë e këmbëve. I marr *dorë e këmbë (dikujt). E ka marrë *frerin nëpër këmbë (dikush). Mori këmbë (diçka). 1. U përhap gojë më gojë gjithandej; mori dheun. 2. Filloi të marrë për mbarë, nisi të ecë si duhet. Mori këmbët (dikush). 1. U ngrit dhe ecën vetë; mësoi të ecë. 2. Iku me vrap; ua mbathi (ua dha, ua theri) këmbëve. I mori këmbën (dikujt) veproi në vend të një tjetri, zëvendësoi një tjetër, shkoi në këmbë të një tjetri; i zuri këmbën; zuri këmbën (e dikujt). E mori nga këmbët (diçka) nuk e kuptoi si duhet, e keqkuptoi, e kuptoi mbrapsht; e mori së prapthi. E merr nëpër këmbë 1. (dikë). Nuk e nderon e nuk e vlerëson si duhet; e përdor keq; e trajton keq; e mori zvarrë; e ka bërë shtupë (enësh); e ka bërë fshesë mospërf. 2. (diçka) Nuk e përfill, e shpërfill, e shkel, e nëpërkëmb (për parimet, të drejtat etj.). E ka marrë këmbën në *gojë (dikush). Mori këmbët në krahë (dikush). 1. shaka. U nis menjëherë, u largua shpejt e pa u vonuar, ia mbathi; iku më këmbë; ua mbathi (ua dha, ua theri) këmbëve. 2. U lodh shumë nga një rrugë e gjatë, saqë nuk mund të ecë dot, nuk i punojnë më këmbët, u këput. Mbahet më këmbë. 1. (dikush a diçka). Qëndron më këmbë dikush, nuk është rrëzuar, nuk ka rënë; nuk është prishur diçka, nuk ka rënë ende; mezi mbahet. 2. (dikush). Rron ende, jeton, megjithëse i dobët e i pafuqishëm, mbahet disi; është më (në) këmbë. Mbaj këmbët nis të eci më ngadalë; ndalem, qëndroj; kund. ngas këmbët. Nuk më mbajnë këmbët më është prerë fuqia fare, nuk qëndroj dot më këmbë, më janë dobësuar këmbët (nga një sëmundje, nga frika etj.); m’u prenë këmbët; m’u shkurtuan këmbët; nuk më mbajnë gjunjët; m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. E mbaj më këmbë (dikë a diçka) e bëj dikë që të jetë a të rrojë ende, të ruajë gjendjen që ka, duke u përkujdesur për të; kujdesem për diçka dhe e forcoj, nuk e lë të bjerë, të prishet ose të bëhet më keq; arrij me përpjekje të ruaj diçka në gjendjen siç është. I mban këmbët në *hi (dikush) keq. Ua mbathi (ua dha, u ra, ua theri) këmbëve (dikush) iku me vrap, ia dha vrapit, iku me të katra, fluturoi; iku e u zhduk shpejt (zakonisht nga frika); mori këmbët; mori këmbët në krahë; i bëri këmbët të lehta; ia mbathi me të katra; mbathi opingat; mori arratinë; çau ferrën. Mbeta *qiri në këmbë. Mbështetet në (me) të dyja këmbët. 1. (dikush) Është shumë i sigurt, mbështetet fort e plotësisht diku për një punë, e nis a bën diçka duke qenë i përgatitur plotësisht ose duke pasur mbështetjen e plotë të dikujt. 2. (diçka) Mbështetet plotësisht mbi parime, teori e baza të shëndosha. Mbështetet në (me) një këmbë. 1. (dikush) Nuk është shumë i sigurt, nuk mbështetet si duhet e plotësisht diku për një punë; nuk është plotësisht i përgatitur për të nisur a për të bërë diçka ose nuk ka mbështetjen e plotë të dikujt. 2. (diçka) Ka mbështetje të dobët a të njëanshme mbi parime ose teori të caktuara; nuk është plotësisht e mbështetur. Mbjell *ferra nëpër këmbë (dikush). Mos mbiftë këmbë! mallk. mos shkeltë kurrë! I mblodhi këmbët (dikush). 1. mospërf. Vdiq; iu mblodhën këmbët (dikujt); i ndeu (i ngriti) këmbët; i bëri këmbët çift; ra me këmbë nga dielli. 2. Pakësoi shpenzimet, nisi të kursejë; pakësoi kërkesat; u bë më i thjeshtë; u mblodh, u shtrëngua. Iu mblodhën këmbët (dikujt). 1. U shtrëngua të pranojë a të ngulet diku, s’është më i lirë a s’lëviz dot si do vetë. 2. mospërf. Vdiq; i ndeu (i ngriti) këmbët (dikush); ra me këmbë nga dielli (dikush); i bëri këmbët çift (dikush). I ndeu (i ngriti) këmbët (dikush) mospërf. vdiq; i bëri këmbët çift; ra me këmbë nga dielli; e drodhi (e përdrodhi) bishtin; e mbështeti brinjën. I ndeu (i bëri) këmbët *çift (dikush) mospërf. Ngas këmbët nis të eci; eci shpejt, nxitoj; kund. mbaj këmbët. Më ngatërrohet (më futet) nëpër këmbë (dikush) më pengon në punët e mia, më bëhet pengesë a më bezdis; nuk më lë të lirë e të qetë të bëj diçka. U ngrit (u çua) në (më) këmbë (dikush). 1. Filloi të ecë me këmbët e veta, u mëkëmb (për fëmijën); doli në jetë. 2. U ngrit nga shtrati, u shërua, e mori veten dhe është në gjendje të punojë (për një të sëmurë rëndë, që është dergjur për një kohë të gjatë). 3. Filloi një punë me rëndësi; mblodhi të gjitha fuqitë e u gatit për të kryer një punë të madhe a për të përballuar diçka të vështirë, të rëndë, të rrezikshme etj. 4. U hodh në kryengritje a në protesta; u ngrit (u çua) peshë. E ngriti (e çoi) në (më) këmbë. 1. (dikë) E shëroi, e bëri të ngrihet nga shtrati e ta marrë veten plotësisht. 2. (dikë) E rriti dhe e edukoi derisa u bë i zoti për të punuar vetë, e përgatiti për jetën; e nxori në jetë. 3. (diçka) Ndërtoi një shtëpi, një vegël etj., rregulloi diçka të prishur dhe e vuri në punë. 4. (diçka) Organizoi diçka, e krijoi, i dha formë (një pune, një veprimtarie etj.). 5. (dikë) E bëri që të hidhet në veprim a në kryengritje, e nxiti për kundërshtim e protestë; i dha shpirt e entuziazëm; e ngriti (e çoi) peshë. 6. (dikë) E shqetësoi a e mërziti shumë, e bëri që të alarmohet. Ngre këmbët e i bie kokës (dikush) pendohet thellë për një veprim të gabuar që ka bërë a që nuk e ka shfrytëzuar një rast të volitshëm, e dënon veten për këtë shkak. I ngriti (i bëri) këmbët *bigë (dikush) mospërf. E ngriti këmbën si *breshka (dikush) keq. Ngriti këmbën e nguli gozhdën (dikush) bëri një veprim në dëm të vet pa u menduar thellë, e kërkoi e ia bëri të keqen vetes; shkoi (vajti) si breshka te nallbani. Ngrihen këmbët e i bien kokës ngrihet i vogli e godet të madhin; më i varfri kundërshton dhe sulmon të pasurin; fundi godet kreun. Ngul këmbë. 1. Nuk luaj nga vendi, nuk eci, nuk lëviz; ngul thembrat. 2. (për diçka). Kërkoj me të madhe që të më plotësohet një kërkesë a një dëshirë; mbroj me ngulm mendimin tim për diçka, këmbëngul; nuk tërhiqem, ngulmoj; tund këmbët; ngul thembrat; nuk heq dorë. Ngul këmbët në *akull (dikush). Ka nxjerrë këmbët më parë (dikush) tall. është shumë i prapë; s’lë dy gurë bashkë. Nxjerr *prush me këmbët e maces (dikush) keq. Përplas (përpjek) këmbët (përdhe) (dikush) e kërkon diçka me këmbëngulje, e do patjetër (zakonisht për fëmijët); këmbëngul me forcë që të bëhet si do ai, e kërkon me inat e domosdo. (E priti) me këmbët e para. 1. E priti keq, ashpër, me të egër, jo miqësisht; e priti me (tërë) hundë (hundë e buzë). 2. (diçka) Nuk e pranoi, e kundërshtoi prerazi, e hodhi poshtë menjëherë e me zemëratë (një kërkesë, një propozim etj.). M’u prenë këmbët. 1. Nuk eci dot më; u këputa nga lodhja, nga një lajm i keq etj., më iku fuqia; nuk më mbajnë këmbët; m’u shkurtuan këmbët; m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. 2. Nuk kam më as fuqi e as guxim të veproj; u tremba e u tërhoqa; u trondita shumë; nuk më bëjnë këmbët; nuk më mbajnë këmbët; m’u shkurtuan këmbët; m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. Sa të më punojë (të më luajë) këmba e dora sa të kem fuqi për të ecur vetë a për të punuar; sa të jem zot i vetes; sa të kem këmbë e dorë (e duar). I puth këmbë e dorë (dikujt) keq. shih i lëpij (i puth) këmbët (dikujt) keq. I qan hallin *kalorësit se i varen këmbët (dikush) iron. Qëndron më (në) këmbë. 1. (dikush a diçka) Nuk është rrëzuar dikush a diçka, nuk ka rënë përtokë; nuk është prishur diçka. 2. (diçka) Është e drejtë, e vërtetë a e shëndoshë dhe nuk bie, jeton, pranohet e nuk mohohet (një ide, një pikëpamje, një tezë, një akuzë etj.). I rri më këmbë (dikujt a diçkaje) jam gjithnjë gati për t’i shërbyer dikujt a për të bërë diçka; përkujdesem shumë për dikë, e vështroj dhe i shërbej me merak. Rri këmbë mbi (përmbi) këmbë (dikush) rri i qetë, pa kokëçarje, i shkujdesur; kapardiset; s’e prish qejfin dhe rehatinë e vet për asgjë, nuk shqetësohet fare. I rri *qiri më këmbë (dikujt). (Iku) nga (ku) *sytë këmbët (dikush). I shkau (i rrëshqiti) këmba (dikujt). 1. Ka gabuar, bëri një gabim (zakonisht pa dashje). 2. Ra nga pozita; u largua nga një post ose u ul në detyrë; ra (zbriti) nga fiku (dikush). Të shkel *bukën me këmbë (dikush). E shkeli me të dyja këmbët (dikush) gaboi rëndë, ka gabuar tërësisht; është plotësisht fajtor, vetë e me vetëdije nuk i është përmbajtur diçkaje. E shkel me këmbë. 1. (diçka). E hedh poshtë, nuk e zbatoj (një parim, një ligj etj.); nuk e pranoj, e shpërfill; e përlyej; e hedh në baltë. 2. (dikë) E përbuz a e urrej dhe e shtyp; e nënshtroj me dhunë. Nuk i ka shkelur këmba (diku) nuk ka vajtur asnjëherë atje, nuk ka qenë kurrë atje. I shkel këmba shesh (dyst) (dikujt) nuk ka pengesa në rrugën e vet, i ecën çdo gjë si në vaj; e ndien veten të sigurt e zot kudo. Ku shkon *mbreti në këmbë euf. Shkund me *duar e shtyp me këmbë (dikush). M’u shkurtuan këmbët nuk eci dot ose nuk qëndroj dot më këmbë nga lodhja, nga pleqëria, nga një lajm i papritur etj., m’u pre fuqia fare; m’u prenë këmbët; m’u thanë këmbët; nuk më mbajnë këmbët; m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. Ia shkurtoj këmbët (dikujt) e ndëshkoj rreptë dhe nuk e lejoj më të shkelë diku, që të mos bëjë më dëme a të këqija. Kur të shohësh këmbët e gjarprit (e bollës) shih kur të shohësh bythën e mizës përb., vulg. Nga (ku) më shpien këmbët pa e ditur se ku, pa një qëllim, kuturu; pa e pasur mendjen dhe pa vetëdije. I shpie këmbët (kërcen, hedh këmbët) siç bie *daullja (sipas daulles) (dikush) përb. Më shtiu këmbët (dikush) e kërkova gjithandej, mezi e gjeta a e arrita; rraha (çava) dheun. Shtriji këmbët sa ke jorganin! 1. Shpenzo aq sa ka mundësi; mos i kapërce mundësitë e tua! 2. Vëri vetes detyra sa ke aftësi e mundësi t’i kryesh, mos merr përsipër më shumë sesa mundesh. E tërheqin këmbët *poshtë (dikë). Tundi këmbën (këmbët) (dikush) mospërf., iron. shih e drodhi këmbën (i drodhi këmbët) (dikush) përçm. Tund këmbët (dikush). 1. E kërkon diçka me këmbëngulje e kokëfortësi, nuk lëshon; grindet, bën sherr e kërcënon; ngul këmbë. 2. Lëviz e përpiqet për të siguruar diçka, nuk pret t’i vijë diçka vetë, çallëstis. M’u thanë këmbët. 1. shih m’u shkurtuan këmbët. 2. Bëra gabim që nuk vajta diku, më mirë të kisha vajtur; ç’pata që s’vajta! T’u thafshin këmbët! mallk. mos ecsh dot kurrë! (kur s’bën diçka që duhet bërë ose anasjellas). Si s’m’u thanë këmbët! ç’desha që erdha a që vajta diku, më mirë të mos vija; nga theva këmbën! I thirri këmbës (dikush) iku, u zhduk, nuk u pa nga vajti; iku nga (ku) sytë këmbët; ua theri këmbëve. E theu këmbën (dikush) përb. 1. shih theu (këputi) qafën2 (dikush) përb. 2. Vdiq. Nga theva këmbën! ç’m’u desh që dola a që vajta diku, më mirë të mos vija; si s’m’u thanë këmbët! Theu këmbën e shejtanit (dikush) shaka. nuk kishte ardhur prej kohësh, erdhi më në fund për vizitë pas kaq kohësh. *Ujk me dy këmbë iron. *Urë pa këmbë mospërf. Varet nga këmbët e veta (dikush) e bën çdo gjë vetë dhe përgjigjet vetë për atë që bën; nuk mban sytë e nuk pret ndihmë nga të tjerët, gjithçka e ka me forcat e veta. Ia vuri (ia futi) (të dyja) këmbët në një *këpucë (dikujt). Vdes në këmbë (dikush) është trim i madh, nuk mposhtet e nuk gjunjëzohet para askujt; s’i trembet asnjë rreziku. Vë këmbë (diku) vete diku, shkoj, shkel. I vuri këmbën (dikujt) keq. 1. E përzuri, e dëboi; e shkelmoi. 2. shih i vuri shkelmin në bark (dikujt). 3. (diçkaje) E fshehu, e mbuloi; e mohoi, e braktisi. E vuri nën këmbë (dikë) e mundi, e mposhti dhe e nënshtroi; e gjunjëzoi. I vuri këmbën (*shkelmin, gjunjët) në bark (dikujt). I ka vënë këmbën në fyt (në grykë) (dikujt) shih i ka vënë shkelmin në fyt (në grykë) (dikujt). Vë këmbët në *kamare (dikush). Ia vuri (ia futi) (të dyja) këmbët në një *këpucë (dikujt). I vuri këmbën në qafë (dikujt) shih i vuri shkelmin në qafë (dikujt). Vë pleshtin ndër këmbë (dikush) tall. është dorështrënguar, është cingun i madh; nxjerr dhjamë nga pleshti. Nuk i vjen as te *gishti i këmbës (dikujt). Nuk i vjen as te *thembra e këmbës (dikujt). Nuk i vjen as te *thonjtë e këmbëve (dikujt). I zuri ferra këmbën (këmbët) shih i zuri rrota (qerrja) bishtin (dikujt). I zuri këmbën (dikujt) u zu ngushtë, s’kishte nga t’ia mbante; diçka e rëndë a e keqe e pengoi; i zuri rrota (qerrja) bishtin. Zuri këmbën (e dikujt) shih i zuri këmbën (dikujt). I zuri këmbën (dikujt) u vu në një punë a në një detyrë në vendin e një tjetri që u largua, bën punën e dikujt që ka qenë më parë; zuri këmbën (e dikujt); i mori këmbën; i zuri vendin. S’e zë këmba nuk shkelet shumë nga njerëzit diku, nuk rrihet (një rrugë etj.); është i pakalueshëm. Ia zuri këmbët me *derë (dikujt). S’i zënë këmbët *dhè (dikujt). Më zë këmba *rrafsh. S’i zënë këmbët *vend (dikujt).
SHTÍE vep., SHTÍVA, SHTËNË kal. 1. Hedh në një enë një lëng ose një lëndë tjetër, që është zakonisht si pluhur a në trajtë kokrrizash; i shtoj diçkaje një lëng a një lëndë tjetër; fut, hedh. Shtie ujë (verë, raki, qumësht, çaj) në gotë. I shtiu ujë verës. I shtie vaj (uthull) sallatës. I shtie kripë gjellës. I shtie sheqer qumështit. Nuk i shtie piper. I shtie edhe një gotë. Shtie grurin në thasë (në hambar). Shtie ullinjtë në kosh. Shtie rrushin në voza. I shtie dy filxhanë oriz supës. U shtie pleh luleve. Shtie duhan në çibuk. Gëlqeres i shtiem ujë (rërë).
2. I jap dikujt për të ngrënë, i hedh ushqim. U shtie fëmijëve të hanë. Shtjerna supën (gjellën). U shtie tagji kuajve. I shtie bar gomarit. U shtie pulave. Shtjeru qeve!
3. Hedh, fut a vë diçka brenda në një vend të mbyllur ose të rrethuar, në një enë, brenda diçkaje etj.; fut dikë a diçka në një vend; e përfshij brenda diçkaje, e vë a e shtoj diku; kund. nxjerr; vet. v. III e lejon të kalojë diçka, e lë të hyjë. Shtie bukët (tavat, byrekët) në furrë. Shtie plaçkat (rrobat, enët) në dollap. Shtie librat në çantë. Shtie shaminë (duart) në xhep. Shtie krahun në mëngë. I shtie dru sobës. Shtie patatet në dhe. E shtinë në burg. E shtinë në dhe e varrosën. E shtifsha në dhe! (mallk.) Mikun e shtien në odën e mirë. E shtinë në listë. Shtjere brenda! Shtie këmbët në yzengji. Çatia na shtie shi çatia pikon. Na shtie tym oxhaku.
4. Vë për të zier (për ushqimet që janë kokrra a kokrriza, për makaronat etj.). Sot kemi shtënë fasule (thjerrëza). Do të shtie ca makarona (ca petë).
5. Kaloj diçka nëpër diçka tjetër, shkoj, fut, vë. Shtie perin në gjilpërë. Shtie duhanin në varg. I shtie shulin derës. I kishte shtënë krahun. I shtiu stërkëmbësin dikujt. Kush ka nge, shtie rruaza në pe. (fj. u.).
6. Lëviz dorën a një gjë tjetër drejt diçkaje, e shpie në një drejtim për të rrokur diçka, e çoj me vrull. Shtiu dorën në kobure. I shtiu thonjtë në fyt.
7. Vë diçka mënjanë për ta ruajtur për një kohë tjetër, përgatit e ruaj për dimër, vë zahire; grumbulloj a mbledh diçka; fut. Shtie drutë e dimrit. Shtie bukën e re. Shtiu zahire. Shtie ushqim për bagëtinë. Shtie lekë në arkën e kursimit. Shtimë të gjithë nga dhjetë lekë. Kishte shtënë shumë gjë e mall. Ka shtënë shtatëqind ditë-punë sivjet.
8. E fut dikë në punë, në shkollë etj., e vë të punojë, të mësojë etj. Shtie djalin në shkollë. I shtinin djemtë në zanat. E shtinë në punë (në fabrikë). E shtinë si ndërtues.
9. Fut, vë; hedh (edhe fig.). E shtie në punë diçka e përdor për diçka. E shtie në qarkullim një mall (një libër, një fjalë të re). E shtie në harresë e lë në harresë, e harroj. 10. I shtoj diçkaje një pjesë duke e qepur, duke e mbërthyer a duke e ngjitur. I shtie çarçafin jorganit. U shtie gjysma këpucëve. I shtiu një arnë.
11. edhe fig. E bëj dikë që të ndiejë diçka, i fut diçka në shpirt, e shpie në një gjendje shpirtërore të caktuar (zakonisht jo të mirë); fut, kall (edhe në një varg njësish frazeologjike). I shtiu frikën (tmerrin, lemerinë, datën). Më shtiu krupën (të keqtë). I shtiu ethet. Na shtiu të zezat. I shtiu zilinë. I shtiu besim në shpirt. U shtiu (u hodhi) shpirt u dha guxim. E shtiu në merak (në bela). E shtiu në mendime. E shtiu në ngasje e tundoi. Ka shtënë dashuri ka rënë në dashuri. Më shtinë të besoj se... Mos i shtjer hidhërim vetes! mos u hidhëro!
12. Vë një njeri të bëjë diçka për mua, fut, kall; i ngarkoj a i besoj dikujt një punë. Shtinin dorëzënë. Shtinë ndërmjetës. Shtinë pleqtë. Shtiu dikë për ta vrarë. Shtinë ustallarët për të bërë shtëpinë.
13. kryes. jokal. Gjuaj me gurë, me shkop etj.; qëlloj me shkelm, me pëllëmbë etj.; qëlloj me armë, i bie me pushkë. Shtiu me gur (me shkop). Shtinte me shkelma (me pëllëmbë, me grushte). Ajo mushkë shtie (shkelma). Shtie me pushkë (me revole, me çifte, me mitraloz, me mortajë, me top). Shtinin me shigjeta. Shtinin pa pushim. Shtiu nga larg (nga afër). Shtie në erë. Kjo pushkë shtie mirë. Di të shtiesh? Mos shtini! Pse i shtie ?
14. jokal., vet. v. III Bie diku, godet, gjuan, qëllon (për rrufenë). Rrufeja shtie në pyje. Shtiu afër.
15. I drejtoj diku (për sytë). Shtinte sytë në të katër anët. Mos i shtjer sytë andej.
16. Ia ngarkoj dikujt, ia bëj përsipër, ia hedh (fajin etj.). Ia shtinë fajin atij.
17. edhe jokal., vet. v. III Pjell para kohe, dështon. Shtiu lopa. Shtinë dhentë (dhitë). Shtiu pela një mëz.
18. Hedh poshtë, rrëzoj përtokë; vras; vet. v. III nuk i mban kokrrat; i rrëzon gjethet (për pemët e drurët). Kjo mushkë të shtie. Breshri e shtiu fare grurin. E ka shtënë era. I shtiu fiku (molla) kokrrat. I shtiu përdhe. Shpardhi i shtie gjethet në vjeshtën e dytë.
19. vet. v. III Lëshon a nxjerr diçka nga vetja. Mani ka shtënë degë të reja. Me shi shtie rrënjë duhani.
20. krahin., jokal., vet. v. III Roit, luzmon, lëshon. Shtinë bletët.
21. Shkrif a shprish lesh. Shtie lesh. Shtie dyshekët (jastëkët).
22. Përdor fallin për të gjetur diçka (sipas besimeve të kota); përdor shortin a lotarinë për të vendosur ose për të fituar diçka. Shtinin fall. Shtinë short (shkurtën). Shtien çift a tek. Shtinte (në) lotari (me letra).
23. bised., jokal., kryes. v. III Ngjan, shëmbëllen, anon, merr. Djali shtie nga e ëma. Këto vende këtej nuk shtien me vendet tona.
24. Përdoret së bashku me emra, zakonisht prejfoljorë e të paraprirë nga një parafjalë, dhe formon me ta togfjalësha me kuptimin e foljeve që kanë lidhje fjalëformuese me këta emra (edhe në një varg njësish frazeologjike). E shtiu nën kontroll e kontrollon, e zotëron. E shtie në be e vë të betohet, e detyroj të bëjë be, e përbej.
♦E shtie në *amë. Ç’i shtie *bar! (dikujt) përb. Më shtiu *barkun (dikush a diçka) keq. Shtie me *bathë (dikush) tall. E shtie (e fut) në *bigë (dikë). Shtira (më ranë, m’u këputën) *brinjët. Të shtie (të kall, të jep) *datën (dikush a diçka). E shtiu (e vuri) në *dorë (dikëa diçka). I shtiu dridhmën (dikujt). I shtiu (i futi) të dridhurat (dikujt). I shtiu (i futi) *ethet (dikujt). Shtie (hedh) *fall (dikush). E shtiu (e futi) në *grackë (dikë). E shtiu (e vuri) në *gropë (dikë). Shtie *keq (dikush). Më shtiu (më shpiku) *të keqtë (dikush). Më shtiu *këmbët (dikush). E shtiu (e futi) në *kllapë (dikë). Më shtie (më ngjall, më kall) *krupën (dikush a diçka) përb. E shtiu (e futi) në *kurth (dikë). E shtiu (e futi) në *lak (dikë). E shtie (e çon) *marrja (diku) mospërf. Ia shtie (ia fut) në *mend (diçka). Ia shtie (ia fut) në *mendje (diçka). I shtiu (i futi) *mizat (dikujt). S’e shtie (s’e vë, s’e zë, s’e fut) në *numër (dikë). I shtie *pishat (dikujt). Më shtiu *pleshtat (dikush). E shtiu (e futi) në *rreth (dikë). E shtiu në *rrjetë (dikë). Nuk ia shtie (nuk ia hedh) *sytë (dikujt a diçkaje). Shtie *tek a çift. E shtiu (e futi) në *thes (dikë) keq. E shtiu (e vuri) në *varr (dikë). E shtiu (e futi) në *vathë (dikë). Më shtiu (më futi) *veremin (dikush a diçka) vjet. Ia shtiu (ia futi) në *vesh (dikujt). I shtiu (i futi) *xixat (dikujt). I shtiu (i futi) *zekthin (dikujt).
STÁF/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Secili prej dy harqeve të vegjël prej metali me paftë nga poshtë, që varen me rrip në të dyja anët e shalës ku vë këmbët kalorësi; yzengji. Kalorësi vuri këmbën në stafë dhe u ngjit vërtik mbi kalë. Gjatë natës kishin dëmtuar stafat e kalorësve që të vononin kalërimin për në fushëbetejë.
YZENGJÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Secili prej dy harqeve të vegjël prej metali, me paftë nga poshtë, që varen me rrip në të dyja anët e shalës e që i shërbejnë kalorësit për të vënë këmbët. Yzengjia e majtë (e djathtë). Rripi i yzengjisë. Vuri këmbët në yzengji.
2. anat. Njëra prej tri kockave të vogla që ndodhen brenda veshit të mesëm dhe që shërbejnë për të përçuar tingujt. Çekani, kudhra dhe yzengjia.
♦ (Është) me një këmbë në yzengji (dikush) është gati për të ikur, po niset për diku; vetëm për një kohë të shkurtër është diku, shpejt do të ikë; i ka këmbët në yzengji3. I ka këmbët në yzengji (dikush). 1. Ka mbështetje dhe është i sigurt, e mbron dhe e ndihmon një njeri i fuqishëm e nuk ka rrezik të pësojë gjë. 2. Jeton e punon në kushte shumë të mira, pa telashe e pa vështirësi; është (flet) kaluar. 3. shih është me një këmbë në yzengji (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë