Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
YLL,~I m. sh. ÝJE, ÝJET dhe YJ, ÝJTË 1. astr. Trup qiellor i ngjashëm me Diellin, që ndodhet shumë larg Tokës dhe që duket natën në qiell si pikë e ndritshme; çdo trup qiellor, përveç Diellit dhe Hënës, që ndrit natën në qiell. Yll i largët (i ndritshëm, i madh). Yjet e qiellit. Drita e yjeve. Harta e yjeve. Grumbull yjesh. Natë me yje (pa yje). Dolën yjet. Xixëllojnë yjet. U shua ylli i fundit. Shkëlqen si yll. I bukur si yll.
2. bised. Meteor që ndriçon në qiell gjatë rënies në Tokë. Ra një yll. U këput një yll.
3. fig., vjet. Fat, lumturi (sipas besimit se ka një yll që ndikon në jetën a në fatin e secilit). Ka lindur me yll ka shumë fat, është fatlumtur. Lindi në yll të mirë (të keq). E ndihmoi ylli i vet. Ishte njeri me yll. Ylli si dylli. (fj. u.) fati është i paqëndrueshëm. Të humbtë ylli! (mallk.) vdeksh! T’u shoftë ylli! (mallk.) u shofsh!
4. fig., bised. Emri i mirë i një njeriu, famë. Ylli i tij. Ka yll në rreth të burrave.
5. fig. Njeri që shquhet në një veprimtari të caktuar; artist me emër të madh në kinematografi etj. Yll i kinematografisë. Ylli i baletit. Ylli i futbollit.
6. Figurë me pesë a me më shumë cepa, që ka kënde dhe brinjë të barabarta. Yll me pesë cepa. Cepat e yllit. Vizatoj një yll.
7. Shenjë dalluese në trajtën e kësaj figure, me pesë cepa, që vihet në veshje a diku tjetër si simbol, që përdoret në gradat ushtarake ose që i jepet dikujt për merita të veçanta në një veprimtari të caktuar. Ylli i artë. Me yll në kapele.
8. Send, qëndismë ose diçka tjetër që ka trajtën e kësaj figure. Ylli i mollës lulja e mollës; zemra e mollës kur pritet si rreth. Qëndisi një yll.
9. fig. Diçka që ndriçon rrugën. Yll ndriçues. Është yll për Shqipërinë.
10. shtypshkr. Yllth, asterisk.
11. bised. Lez, lyth.
12. përd. mb. Shumë i bukur. E ka vajzën yll.
13. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje yjesh dhe planetësh që perceptohen si yje: Ylli i Dritës planeti Afërdita. Yll i dyfishtë (astr.) sistem prej dy yjesh që ushtrojnë një forcë tërheqëse mbi njëri-tjetrin dhe rrotullohen rreth një qendre të përbashkët. Ylli i Mëngjesit planeti Afërdita. Ylli i Mbrëmjes planeti Afërdita. Ylli i Karvanit planeti Afërdita. Ylli Polar ylli në bisht të Arushës së Vogël, i cili shënon gjithnjë Veriun.
14. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë: Ylli i alpeve (lat. Leonlopodium alpinum, Gnaphalium leontopodium) bimë e viseve alpine me kërcell të ulët, me gjethe si luspa me push të dendur dhe lule të vogël me dy palë petla pesëshe të bardha. Ylli i artë (lat. Bloomeria aurea, Bloomeria Crocea aurea, Nothoscordum aurea) bimë me lule të verdha, me zhardhok të plotë, me gjethe të holla e të gjata që rritet më shumë në Kaliforni. Ylli kalorës (lat. Hippeastrum) bimë me lule në ngjyrë të kuqe ose vjollcë, në formën e konit. Ylli i këputur (lat. Dodecatheon) bimë që rritet më shumë në Amerikën e Veriut dhe në Azi, me gjethe në fillim të kërcellit dhe me lule në majë që përkulen drejt tokës. Ylli i mbrëmjes (lat. Oenothera) bimë me lule që çelin në mbrëmje, që përdoren në barna natyrore dhe për vajin që fitohet nga farat e tyre; aguliçja e mbrëmjes. Ylli i ndezur (lat. Mentzelia albicaulis) bimë me lule zakonisht me pesë petale me ngjyrë të verdhë të shndritshme. Ylli shqiptar (lat. Aster alpinus) bimë me lule në ngjyrë violetë, blu dhe të bardhë, që rritet më shumë në malet e Evropës, përfshirë edhe Alpet shqiptare; astera shqiptare Ylli i tokës (lat. Geastrum triplex) lloj kërpudhe, muri i jashtëm i së cilës hapet si yll me katër deri në tetë cepa. Ylli i ujit (lat. Callitriche hermaphroditica, Callitriche Autumnalis) bimë barishtore, që rritet zakonisht në ujëra të ëmbla, me kërcell të hollë e të gjatë, me gjethe të vogla në formë heshtash ose vezake, të vendosura në tufëza, që duken si yll.
15. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa kafshë: Ylli i brishtë (lat. Ophiuroidea) yll deti i brigjeve koralore me koracë në shtresën e sipërme e mbuluar me thjerra mikroskopike. Ylli i çukës bishtbardhë (lat. Urochroa bougueri) lloj kolibri me sqep të zi, të drejtë e të gjatë, me pjesët e sipërme në ngjyrë të blertë të errët. Ylli i çukës bolivian (lat. Oreotrochilus estella bolivianus) lloj kolibri me pendë të errëta, me sqep të gjatë dhe me gushë me pulla të bardha, që përshtatet në temperatura të ulëta e që gjendet në Bolivi. Ylli i çukës gjokszi (lat. Oreotrochilus melanogaster) lloj kolibri me gushë në ngjyrë të gjelbër të errët, me gjoks e me bark në ngjyrë blu, që gjendet më shumë në zonën e Andeve të Amerikës Jugore. Ylli i detit (lat. Astropecten aurantiacus) kafshë jokërbishtore deti me trup të shtypur, që ka pesë a më shumë rreze. Ylli i detit i kuq (lat. Echinaster sepositius) kafshë jokërbishtore deti me trup të shtypur, që ka pesë rreze në ngjyrë të kuqërremtë. Ylli i detit i rërës (lat. Astropecten irregularis) kafshë jokërbishtore deti me trup të shtypur, me pesë rreze, që qëndron kryesisht nën rërë gjatë ditës, ndërsa pasditeve dhe gjatë natës ushqehet me molusqe. Ylli i detit thepak (lat. Astropecten spinulosus) kafshë jokërbishtore deti me trup të shtypur, me pesë rreze, në ngjyrë kafe ose kafe të çelët, që qëndron kryesisht nën rërë gjatë ditës, ndërsa pasditeve dhe gjatë natës ushqehet me molusqe.
✱Sin.: meteor, fat, lumturi, zë, emër, fener, yllth, lez, lyth, i bukur.
♦ U bë yll e pyll (dikush) u vesh bukur; u zbukurua shumë, i ka rënë nur. Sa të ketë *hënë e yje në qiell. Ka lindur me yll (dikush) shih ka lindur me këmishë (dikush). I ndrit ylli (dikujt) i del fati, i vjen e mira, po i ecën gjithçka mbarë. Numëroj yjet rri pa gjumë, s’më zë gjumi gjithë natën, rri gjithë natën me sytë hapur; nuk mbyll sy1; e kam syrin filxhan; i kam sytë xham2. I perëndoi (i ra) ylli (dikujt). 1. Po e mbyll jetën dikush, edhe pak kohë i ka mbetur për të jetuar; e hëngri çairin (dikush). 2. I ka kaluar koha dikujt, e kapërceu kulmin e vet e tani shkon drejt rënies; po i bie autoriteti. 3. (diçkaje). Nuk vlen më, i ka kaluar koha dhe i kanë humbur vlerat. Më pjek ylli (me dikë) kam një natyrë ose të njëjtat zakone, dëshira e synime me dikë, shkojmë mirë njëri me tjetrin; kemi gjetur njëri-tjetrin, pajtohemi në shumë gjëra; më piqet (më ujdis) gjaku. Rrëzon yjet (dikush) shih shtie (rrëzon) hënën përdhe (dikush). Sheh yllin e merr pyllin (dikush) nuk matet e nuk përgatitet para se të bëjë diçka, nuk i mendon mirë gjërat më parë; rrëmbehet e ngutet, kuturiset me të parën; shkon pas berihasë. Iu shua ylli. 1. (diçkaje). U sos fare diçka, mbaroi krejt, s’ka më asnjë pikë prej saj; është zhdukur diçka, s’gjendet më; i humbi gjurma. 2. (dikujt). S’ka më fat dikush, e ka marrë jeta për keq; nuk është më në pozitë të mirë; i ka rënë vlera. Me yll në ballë i shquar midis të tjerëve për bukuri, për trimëri etj.; i shkëlqyer, i jashtëzakonshëm. Yll i rënë (i këputur) nga qielli njeri me bukuri të veçantë, që s’e ka askush mbi dhe; yll me bisht. Yll me bisht njeri shumë i bukur, që shquhet mbi gjithë të tjerët nga pamja, njeri me bukuri të rrallë; yll i rënë (i këputur) nga qielli. Yll drite shumë i bukur, shumë i pashëm; me yll na ballë. Ylli i karvanit dikush a diçka që përcakton rrjedhën e ngjarjeve dhe që është si shembull a si orientim për të tjerët; dikush që prin e përçon të tjerët atje ku duhet, prijës; ylli i mëngjesit; ylli polar libr. Ylli i mëngjesit shih ylli i karvanit. Ylli polar libr. shih ylli i karvanit.
YLLTH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. shtypshkr. Shenjë grafike në trajtë të një ylli të vogël, që përdoret në botime të ndryshme për shënimet bibliografike e sqaruese ose për qëllime të tjera, asterisk. Vë yllthin. Ndaj paragrafin me tri yllthe.
2. gjuh. Shenjë që përdoret në gjuhësi përpara një fjale a një trajte të rindërtuar, asterisk. Fjalë me yllth.
✱Sin.: yll, asterisk.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë