Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FAREFÍS,~I m. 1. përmb. Tërësia e njerëzve që kanë lidhje gjaku ose gjinie, njerëzit e afërm. U mblodh farefisi. Erdhi gjithë farefisi.
2. Ai që ka lidhje gjaku a gjinie me dikë tjetër. Është një farefisi im. E kam farefis.
✱Sin.: farefisni, fis, gjak, gjini, farësi, gjiri, rreth, soj, klan, gjindje, taraf, farkë, afri, derë, rregulli, njerëzi, oxhak, rod, xhins, fisanak, i afërm, kushëri, gjë.
FIS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. hist. grup shoqëror në shoqërinë primitive me njerëz të një gjaku, me gjuhë të përbashkët e me zakone të njëjta, që formonin njësinë bazë të organizimit të jetës e të prodhimit; bashkësi njerëzish në Mesjetë që vetëqeveriseshin sipas së drejtës zakonore. Fiset ilire. Fiset eskimeze. Fise primitive.
2. etnogr. Grup njerëzish me gjuhë dhe zakone të përbashkëta, që jetojnë si një bashkësi me një prijës në krye; bajrak, flamur; oxhak. Gjuha e fisit. Udhëheqësi i fisit.
3. Grup njerëzish që rrjedhin nga një stërgjysh i përbashkët; njerëz të një gjaku, farefis; ai që ka stërgjysh të përbashkët me një tjetër, ai që ka lidhje gjaku a afrie me dikë tjetër; farefis. Fis i hershëm. Ishte fis i madh ai i gruas së tij. Fis i afërt (i largët). E kam fis. Është një fisi im.
4. Kombësi, komb. Fis i mirë. Fis shqiptari.
5. hist. Familje e pasur, që kishte një pozitë të privilegjuar në shoqërinë feudale; familje që mbahej si e mirë. Grua (vajzë, djalë) prej fisi.
✱Sin.: klan, farefis, soj, racë, derë, rod, bajrak, flamur, oxhak, skotë, farkë, xhins, komb.
♦ As *farë e as fis, as degë e as lis. Me *farë e me fis. Pa *farë e pa fis. E ka për fis (dikush) e ka zakon të trashëguar, bën si fisi i tij; ajo sjellje i shkon; i shkon për farë (dikujt); i shkon për gjak (dikujt); ia heq oxhaku (dikujt). Far e fis kushërinj. Vajti në fis (dikush) keq. sillet a vepron si i një fisi të ulët ose sipas edukatës së keqe që ka marrë; e tregon veten se nga vjen, ç’është e sa vlen.
RÁC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Grup kafshësh, zakonisht shtëpiake, që, përmes përzgjedhjes artificiale, zhvillohen nga nënndarja e të njëjtit lloj biologjik dhe kanë një numër tiparesh të përbashkëta të trashëgueshme nga një brez në tjetrin. Racë kuajsh (lopësh, dhensh, pulash...).
2. Grup kafshësh shtëpiake me tipare të jashtme dhe me cilësi prodhimi shumë të mira, lloj i zgjedhur. Kalë (dele, qen...) race. Racë e pastër (e përzier, e mirë, e keqe). Kafshë race. Përmirësim i racës.
3. Kategorizim i vjetruar e pa baza shkencore i qenieve njerëzore në popullsi me tipare të jashtme të përbashkëta, si ngjyra e lëkurës, forma e fytyrës, e hundës, e syve etj., pavarësisht nga kombësia, gjuha, zakonet, i cili ka shërbyer si mbështetje për racizmin dhe zbatimin e tij në praktikë. Racat njerëzore. Raca e bardhë (e verdhë, e zezë). Diskriminimi në bazë të racës është i dënueshëm.
4. Grup njerëzish që kanë lidhje gjaku në vijë atërore; pasardhës, farë; etni. Ia humbi (ia shkimi, ia shoi, ia treti) racën e shfarosi, e qiti fare. E vrau e ia humbi racën. I humbtë (iu shoftë, iu trettë) raca! (mallk.) daltë fare, mos lëntë farë pas!
✱Sin.: skotë, xhins, farkë, rasat, fis.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë