Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DAMARDÁLË mb. 1. Që i ka damarët të dalë a të fryrë (nga ndonjë sëmundje, nga dobësia trupore etj.). Plakë damardalë e heshtur.
2. fig. I inatosur; me nerva të ngritura (të acaruara). - Mos u mpleks me atë, është damardalë.
✱Sin.: damarfryrë, i zemëruar, i nxehur, i acaruar, i egërsuar, i tërbuar, i xhindosur, i nervozuar, i indinjuar, i hidhëruar, i pezmatuar, i ashpërsuar.
TËRBÚAR (i, e) mb. 1. Që e ka zënë sëmundja e tërbimit, i sëmurë nga tërbimi. Qen i tërbuar. Njeri i tërbuar.
2. I zemëruar aq shumë me dikë a me diçka sa nuk e përmban dot veten, që është bërë si i marrë nga inati, shumë i egërsuar. Armik (kundërshtar) i tërbuar. Hyri (erdhi) si i tërbuar.
3. fig. Që është i papërmbajtur në shfaqjen e dëshirave a të tekave; që sillet e vepron në mënyrë të papërmbajtur; i shfrenuar, i harbuar; i llastuar a i përkëdhelur tej masës. Fëmijë i tërbuar.
4. fig. Që lëviz a shpërthen me vrull e me forcë, që vërshon pa u përmbajtur, që lëshohet me rrëmbim; që ka dallgë të mëdha e të furishme. Erë e tërbuar. Tufan (murrlan) i tërbuar. Det (oqean) i tërbuar.
5. fig. Që është i përgjakshëm e shumë i ashpër; që bëhet pa mëshirë, i egër, mizor, barbar; që bëhet me tërbim. Luftë e tërbuar. Sulm i tërbuar. Fushatë (garë) e tërbuar. Terror i tërbuar.
✱Sin.: i ndërkryer, i trenuar, i çmendur, i shkalluar, i marrosur, i xhindosur, i papërmbajtur, histerik, i çartur, i harbuar, i harlisur, i shfrenuar, i azdisur, i llastuar, i përkëdhelur, i papërmbajtur, i vrullshëm, i përgjakshëm, gjakatar, barbar, i egër, mizor.
♦ *Ujë i tërbuar (i bekuar) shak.
XHINDÓSUR (i, e) mb., bised. 1. Që është zemëruar shumë, që është bërë si i tërbuar nga diçka; i ndërkryer. Kalë i xhindosur. U bë si i xhindosur.
2. Që shpreh zemërim e tërbim; i tërbuar, i marrë. Me zë të xhindosur. Erë e xhindosur.
✱Sin.: i tërbuar, i ndërkryer, i nevrikosur, i çmendur i zemëruar.
ZEMËRÚAR (i, e) mb. 1. Që e ka pushtuar zemërimi, që është nxehur, i inatosur. Ishte shumë i zemëruar. Bërtiste (çirrej) i zemëruar. Fytyra e tij e zemëruar tregonte se i kishte ardhur në majë të hundës e mund të shpërthente.
2. Që është i pakënaqur me të drejtë, që është mbushur me zemërim nga veprimet e padrejta ose jonjerëzore të dikujt. Turmë e zemëruar. E mora me të mirë, se ishte i zemëruar e donte një fjalë të ëmbël.
3. Që shpreh zemërim. Vështrim i zemëruar. E la ashtu të zemëruar.
4. Që i ka prishur marrëdhëniet e mira me dikë dhe nuk flet me të. Ishin të zemëruar e nuk flisnin.
✱Sin.: i inatosur, i nevrikosur, i pakënaqur, i mërzitur, i prekur, i xhindosur, zemërak, gjakhidhur, i mërishëm, i mëritur, buzëvarur, ballërrudhur, fytyrëvrenjtur, fytyrëmrrolur, kokëmënjanë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë