Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NGRÍRË (i, e) mb. 1. Që është kthyer në akull; i mbuluar me akull; që është ngurtësuar nga të ftohtët; kund. i shkrirë. Ujë (vaj ulliri) i ngrirë. Borë e ngrirë. Xhama të ngrirë. Tokë e ngrirë nga ngrica.
2. Që është ngurtësuar e mbajtur në temperaturë të ulët për ta ruajtur nga prishja. Mish (peshk) i ngrirë. Fruta (perime) të ngrira kryesisht për dimër.
3. Që ka humbur ndjeshmërinë dhe aftësinë për të lëvizur nga të ftohtët. Me duar (me këmbë) të ngrira.
4. Që ka humbur aftësinë për të lëvizur; fig. që ka humbur shprehjen e gjallë, i pajetë. Shprehje (buzëqeshje) e ngrirë. Rri si i ngrirë. - Mos e mbaj trupin të ngrirë!
5. I shtrirë mirë e i bërë me kollë, që të rrijë drejt e pa rrudha; i hekurosur mirë (për veshjet). Me jakë të ngrirë. Me pantallona të ngrira.
6. I larë me ar e me argjend; i qëndisur me fije ari a argjendi. I ngrirë në ar (në argjend). Kobure e ngrirë në serm (në argjend).
7. fig. Që është ngrirë, që është bllokuar, që ia kanë ndaluar aktivitetin. Asete të ngrira. Faqe të ngrira përkohësisht.
✱Sin.: i akullt, akullor, i acartë, i cingërimtë, i akulluar, i ngritë, koçan, i kallkantë, i fortësuar, i ngurtësuar, i hupët, i mpirë, i goditur, i xhamtë, i gurtë, i pajetë, akull, acar, i topitur, i shtangur, i ngurtë, i shtangët, i shastisur, mermer, statik, i ngurosur, i pikur, i hekurosur, i mbërthyer, i kollarisur.
♦ Me *gjak të ngrirë. Me *zemër të ngrirë.
NGÚRTË (i, e) mb. 1. fiz. Që ruan të pandryshueshme trajtën dhe përmasat për shkak të lidhjes së ngushtë midis molekulave të veta dhe që nuk merr trajtën e enës ku shtihet si lëngjet, as nuk shpërndahet si gazet. Trup i ngurtë. Lëndë të ngurta. Në gjendje të ngurtë.
2. Që është i fortë e i paepshëm si guri; që nuk është i butë a elastik. Brumë i ngurtë. Pëlhurë e ngurtë. Gjinj të ngurtë. Lopë e ngurtë lopë që i ka gjinjtë të fortë në të mjelë. Bëhet i ngurtë.
3. fig. Që ngul këmbë në qëndrimin e vet a në bindjet e veta dhe nuk pranon të bëjë asnjë lëshim ose ndryshim sipas kushteve a rrethanave; që kërkon zbatim të rreptë pa asnjë shmangie ose ndryshim, i pandryshueshëm. Njeri i ngurtë. Qëndrim i ngurtë. Pikëpamje të ngurta. Normë e ngurtë. Metoda të ngurta.
✱Sin.: i gurtë, gur, i ngrirë, i fortë, shkëmb, i thatë, i pandryshueshëm, i pandjeshëm, i ftohtë, i akullt, i thyeshëm, i xhamtë, i hupët, i paepshëm, i shtangur, gërdec.
PAJÉTË (i, e) mb. 1. Që nuk jeton më, që nuk është më i gjallë; i vdekur. Trup i pajetë.
2. Që nuk është frymor ose qenie e gjallë. Send i pajetë.
3. Që nuk ka kushte të përshtatshme për të jetuar qeniet e gjalla, i tillë ku nuk ka fare qenie të gjalla ose ku këto janë shumë të rralla. Sipërfaqja e pajetë e Hënës. Shkretëtirë e pajetë.
4. fig. Që ka humbur gjallërinë e jetës, që është i palëvizshëm, që është si i ngurosur. Sy të pajetë. Fytyrë e pajetë. Vështrim i pajetë.
5. fig. Që nuk ka lëvizje e gjallëri. Qytet (fshat) i pajetë. Lagje (rrugë) e pajetë. Natyrë e pajetë.
6. fig. Që nuk lidhet me jetën dhe nuk i shërben asaj i thatë; që nuk mund të zbatohet a të vihet në jetë. Teorizime të pajeta.
✱Sin.: i vdekur, i pashpirt, i ngrirë, i ngurosur, i akullt, i plogët, i thatë, i ngathët, i humbur, i tretur, i zbehtë, i shuar, i pabanueshëm, i xhamtë, ikonë.
PÁSTËR (i, e) mb. 1. Që nuk ka pluhur, plehra, baltë, lyrë, bojë etj., që nuk është i fëlliqur, që i janë hequr, i janë fshirë a i janë larë pluhuri, balta, lyra etj. kund. i ndyrë; i fëlliqur. Shtëpi (dhomë) e pastër. Oborr i pastër. Rroba të pastra. Shami e pastër. Lesh i pastër. Me duar të pastra. Me fytyrë (qafë) të pastër. Me dhëmbë të pastër. Enë (lugë) të pastra. Xhama të pastër.
2. Që lahet mirë e rregullisht, që mban përherë veshje të lara; që e mban mirë, të larë e të fshirë vendin ku jeton e punon, pastërtor; kund. i ndotur, i papastër. Njeri i pastër. Grua (amvisë) e pastër.
3. Që nuk ka mbeturina, pengesa e gjëra të tjera, të cilat ta zënë, ta ndalojnë, ta prishin etj. Tub i pastër. Kanal i pastër. Rast i pastër (sport.) mundësi për të gjuajtur e për të shënuar pa e penguar asgjë (në futboll).
4. Që nuk ka puçrra, dregëza ose shenja të ndonjë sëmundjeje, i qëruar. E ka fytyrën të pastër. I ka mushkëritë të pastra.
5. Që është pa re, i kthjellët. Qiell i pastër.
6. Që nuk ka lëndë të huaja, pluhur etj. të tretura a të përziera me të, i kulluar; i përbërë thjesht prej një lënde. Ujë i pastër. Lesh i pastër. Grurë i pastër. Ar i pastër. Mineral i pastër. Dal në ajër të pastër dal jashtë një dhomë të mbyllur.
7. fig. Që nuk të ndot. Punë e pastër.
8. fig. I ndershëm e i çiltër në jetë, i sjellshëm në punë e i panjollë; që nuk e errëson asgjë e pandershme a e shtrembër. Njeri i pastër. Vajzë e pastër. E ka ndërgjegjen të pastër.
9. fig. Që nuk ka djallëzi e prapamendime dhe nuk udhëhiqet nga interesa të ngushta e të rastit; i dëlirë, i kulluar, i çiltër. Ndjenjë (dashuri) e pastër. Miqësi e pastër. Me zemër (me shpirt) të pastër.
10. Që është bërë me kujdes, me cilësi të lartë dhe pa të meta; që është pa ndreqje e gabime. Punë e pastër. Kopje e pastër. Në faqe të pastër.
11. Që i përket një lloji të mirë dhe nuk është për zier me lloje të tjera (kryesisht për racat e kafshëve). Racë e pastër.
12. Që nuk është e mbushur me fjalë, me shprehje e me ndërtime të huaja dhe është tërësisht në përputhje me normën letrare (për gjuhën). Gjuhë e pastër. Fliste një shqipe të pastër.
13. Që tingëllon rrjedhshëm, pa u shoqëruar me zhurma e gërvishtje, i qëruar (për zërin). Tingull i pastër. Ka një zë të pastër.
14. sport. Që zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat, jo i rëndë, pa të shtyra, pa grindje e goditje. Lojë e pastër. Futboll i pastër.
✱Sin.: i paqmë, i papërlyer, i panjollë, i dëlirë, i panjollosur, i pandotur, steril, pastërtor, i qëruar, qelibar, i kthjellët, i kulluar, higjienik, akull, dritë, pasqyrë, xham, xixë, tullupan, i hapët, i hapur, i larë, i kristaltë, qelq, kristal, i paqmë, i papërzier, i paprishur, i thjeshtë, i vërtetë, safi, shqeto, i çiltër, i ndershëm, i virgjër, i padjallëzi, i padjallëzuar, i pacen, i pacenuar, faqelarë, i shëndoshë, i qartë, acar, i xhamtë, vetëtimë, i papengesë, i tingëllueshëm, i paprekur, i drejtë, i arsyeshëm, i sjellshëm, i shkoqur, i virtytshëm, zemërartë, zemërbardhë, zemërdëlirë, shpirtbardhë, shpirtpastër, shpirtkulluar, i mirë, i shenjtë, i bardhë, i ndrequr, i kujdesshëm, i zgjedhur.
♦ Me *duar të pastra. *Gjak i pastër. E ka zemrën të pastër (dikush) nuk i bën keq askujt, nuk ka djallëzi e ligësi në shpirt, është shpirtmirë; nuk rëndon mbi të asnjë faj; është i çiltër e pa hile; e ka zemrën të kulluar; e ka zemrën (shpirtin) qelibar. Me *zemër (me shpirt) të pastër (të kulluar).
XHÁMTË (i, e) mb. 1. Që është prej xhami, i qelqtë. Enë e xhamtë.
2. Që ka faqe të veshura a të mbuluara me xham, që është bërë me xhama të vënë. Dollap i xhamtë. Derë e xhamtë. Vitrinë e xhamtë.
3. spec. I ngurtë dhe i thyeshëm si xham; që i ngjan xhamit. Lëndë e xhamtë. Në gjendje të xhamtë.
4. fig. I shkëlqyeshëm dhe i pastër, i kthjellët; i tejdukshëm si xham. Qiell i xhamtë.
5. fig. I ngrirë e i pajetë, i ftohtë, i akullt. Sy të xhamtë. Vështrim i xhamtë.
✱Sin.: i qelqtë, qelq, i pastër, i kthjellët, i tejdukshëm, i ngrirë, i pajetë, i ftohtë, i akullt.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë