Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PASHPËRBLÝESH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk paguhet, që bëhet pa pagesë; kund. i shpërblyeshëm. Punë e pashpërblyeshme.
2. fig. I dobishëm e i çmuar jashtë mase, që s’ka të paguar, që s’mund të shpërblehet kurrsesi. Shërbim i pashpërblyeshëm. Kujdes i pashpërblyeshëm.
✱Sin.: i çmueshëm, i çmuar, i dobishëm, i vyeshëm, i vyer.
VLÉFSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka vlerë, që hyn në punë, i çmueshëm, i dobishëm. Punë (vepër) e vlefshme. Gjë e vlefshme. Mendim i vlefshëm. Është i vlefshëm.
2. Që vlen, që i plotëson kërkesat e duhura, që pranohet. Ndeshje e vlefshme për Kupën e Republikës. Seminar (konferencë) e vlefshme.
3. zyrt. Që është bërë e plotësuar sipas rregullave dhe kërkesave të duhura; që ka vlerë të plotë e që pranohet si i tillë sipas ligjeve e rregullave në fuqi. Dokument i vlefshëm. Çek i vlefshëm. Fletëvotime të vlefshme.
✱Sin.: i vlershëm, i vlertë, i vyer, i vyeshëm, i çmueshëm, flori, xhevahir, i dobishëm.
VÝER (i, e) mb. I vlefshëm, i çmuar; i shtrenjtë. Libër i vyer. Mendim i vyer. Mësime të vyera. Përvojë e vyer. Tradita të vyera. Gjë e vyer. Bijtë me të vyer të popullit. Nga zbulimet arkeologjike u zbuluan shumë sende të vyera. Punë e vyer.
✱Sin.: i vyeshëm, i vlefshëm, i çmueshëm, i çmuar, i zoti.
VÝESH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. I vyer. Vajzë e vyeshme. Bashkëpunëtor i vyeshëm.
2. Që është i zoti, i aftë për të bërë diçka dhe që e bën shumë mirë. Usta (mjeshtër) i vyeshëm. Punëtor i vyeshëm. Njeriu i vyeshëm nuk goditet (pajtohet) rrogëtar. (fj. u.).
✱Sin.: i vyer, i vlefshëm, i çmueshëm, i çmuar, i zoti.
ZÓTI (i), ZÓNJA (e) mb. 1. Që është i aftë për të bërë diçka; që e zotëron shumë mirë një profesion, një lëndë etj., që e kryen shumë mirë një punë; i shkathët, i fortë e trim. Punëtor (nxënës, specialist) i zoti. Djali i zoti. Mjeke e zonja. Është i zoti i punës (e zonja e punës). Është i zoti i gojës (i fjalës). Është shumë i zoti (shumë e zonja). Grua e zonja ka qenë e ëma dhe sa rroi, ndere pati. Kush është i zoti, s'i shkon zi moti. (fj. u.). Dita-ditës shkoi moti, mjerë ai që s’qe i zoti. (fj. u.). U nxi rrushi, u mbyll moti, mjerë ai që s’qe i zoti. (fj. u.).
2. keq. Që ka prirje për të bërë diçka të keqe, që s'e ka për gjë të bëjë një të keqe. I zoti për ngatërresa (për mashtrime).
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. I zoti e nxjerr farën prej gurit. (fj. u.). I zoti ia di pleshtit kërthizën. I zoti mbyll dymbëdhjetë dyer me një shul. (fj. u.). I zoti hyn në pus e del pa lagur. (fj. u.).
✱Sin.: i aftë, i fortë, i shkathët, dorëdjathtë, i vyeshëm, shqiponjë, vitore.
♦ Është (i zoti) i *gojës (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë