Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NJÓLL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Një vend i vogël me ngjyrë pak më të ndryshme nga pjesa tjetër e një sipërfaqeje njëngjyrëshe, pullë. Njollë e ndritshme (e errët). Me një njollë të bardhë në ballë. Njolla drite. Njollë e verdhë. anat. pjesë e retinës së syrit ku ndjeshmëria ndaj dritës arrin shkallën më të lartë. Njollat e Diellit (e Hënës, e një planeti) pjesë që na duken me ngjyrë pak si në të errët në sipërfaqen e këtyre trupave qiellorë. Njollat e barrës preka a pikla që i dalin në fytyrë një gruaje shtatzënë. I dolën njolla. Njolla myku.
2. Pjesë e vogël e fëlliqur në sipërfaqen e diçkaje, shenjë që mbetet në vendin e ndotur, zakonisht me yndyrë, me pije, me lëngje pemësh, me bojë etj. Njollë e fortë (e zbehtë, e re, e vjetër, e dukshme, e padukshme). Njollë yndyre (vaji, nafte, frutash, vere, boje). Njolla gishtash (këmbësh). Është bërë me njolla. Heq njollat. I doli (i iku) njolla.
3. fig. Veprim a sjellje që cenon emrin e mirë të dikujt; gjurmë a pasojë morale që lë diçka e pandershme, një faj që dënohet nga shoqëria etj. Njollë turpi. Njeri pa njollë. Njollat e së kaluarës. Ai veprim i mbeti njollë për tërë jetën. I mbeti një njollë e pashlyeshme.
✱Sin.: blanë, follë, leqe, zhibël, llackë, larë, pullë, pllangë, vurratë, damkë, balë, zhibël, hije, lerë, prekë, ngardhe.
♦ Me njollë në ballë me turp. I vë njollë (dikujt a diçkaje) e turpëroj, ia prish përshtypjen e mirë që kishte, e poshtëroj para të tjerëve; e njollos, e damkos; i vë bojë; hedh baltë (mbi dikë a mbi diçka); i vë damkën; i hedh pluhur (faqes). I vë njollë me bojë (dikujt) e bëj me turp përgjithnjë, e njollos. njollë e bardhë vend që nuk njihet a në të cilin nuk është shtrirë një dukuri; / çështje e panjohur në një fushë të dijes a në veprimtarinë shoqërore.
PLÁG/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Vend në trup i çarë, i prerë a i shpuar me plumb, me thikë ose me ndonjë send tjetër; vend i vrarë nga një goditje e fortë; vend i operuar që nuk është mbyllur ende; vend i infektuar a i qelbëzuar. Plagë e rëndë (e lehtë). Plagë e hapur (e gjallë) plagë që nuk është mbyllur. Plagë e mbyllur (e përtharë). Plagë plumbi. Shenjë plage. Lidh (mjekoj) plagën. U shërua (u mbyll, vuri kore) plaga. I rrjedh plaga. Iu acarua plaga. I dhemb plaga. Plaga shërohet, po fjala e hidhur s’harrohet. (fj. u.). Plaga e ligë (veter.) plasja e gjësë së gjallë. Tërfil plagësh (bot.) luleleshe. Më zi plaga e gjuhës se plaga e pushkës. (fj. u.).
2. E prerë a e çarë në trungun e një bime; vendi i dëmtuar në një bimë, që shkaktohet nga goditja me diçka të fortë. Plagët e trungut (e rrënjës). Iu mbyll plaga qershisë. Nga plaga e breut derdhet rrëshira erëmirë. (fj. u.).
3. fig. Dhembje e madhe shpirtërore, brengë; diçka që të lëndon zemrën, të pikëllon a të shkakton vuajtje; vuajtje e thellë. Plagë e vjetër. Ia hapi (ia lëndoi, ia ngacmoi, ia trazoi, ia cingërisi) plagën dikujt. Më ka mbetur plagë. Ia la plagë në zemër. E preku në plagë. Dhembjet bëhen plagë e plagët zënë kore. (fj. u.).
4. fig. Diçka e keqe, nga e cila vuan tërë shoqëria, e keqe shoqërore që zgjat e mezi zhduket. Plagë shoqërore. Plagë shekullore (e pashërueshme). Plaga e emigrimit.
5. si mb. I plagosur, me plagë; si plagë. E ka kurrizin plagë. I kishte këmbët plagë. Ia bëri trupin plagë.
✱Sin.: varrë, plagomë, lavomë, e vrarë, zdrëmë, brengë, vragë, çarje, prerje, e prerë, e çarë, shembje, e shpuar, vurratë, dëmtim, traumë, dhembje, pikëllim, vuajtje, fatkeqësi.
♦ M’u bë plagë (plaçkë) në sy (dikush a diçka) nuk mund ta shikoj dot, nuk e duroj dot; e kam halë në sy. M’u bë plagë (lungë) në zemër (në shpirt) u brengosa shumë; u preka thellë; m’u bë zemra (shpirti) plagë. M’u bë zemra plagë vuaj shumë, jam vrarë shpirtërisht nga një humbje, nga një fatkeqësi etj.; më vjen shumë keq; m’u bë zemra (shpirti) copë; m’u bë plagë (lungë) (në zemër); e kam zemrën plagë; m’u bë zemra shpellë. Ma bëri zemrën plagë (dikush a diçka) shih ma plagosi zemrën (dikush a diçka). I gërvishti (i ngacmoi) plagën (dikujt) i kujtoi dikujt një fatkeqësi a një ngjarje të hidhur, që ai e kishte fashitur; e ngacmoi aty ku i dhemb e s’duron, e preku në diçka që e shqetëson; e preku në plagë (dikë); ia lëndoi plagën; i ngacmoi dregëzën. I hap plagën (dikujt) e lëndoj duke i kujtuar diçka të hidhur, që e ka vuajtur më parë dhe që është fashitur disi; i çel jaki të keqe; kund. i mbyll plagën. Është *melhem për plagë (dikush). E kam plagë (në zemër) (diçka) më ka shqetësuar shumë, më ka hidhëruar shumë dhe e kujtoj gjithnjë, më ka lënë një mbresë të thellë e nuk e harroj kurrë (një humbje, një fatkeqësi etj.); m’u bë zemra plagë (nga diçka); e kam dregëz në zemër; e kam peng (në zemër); e kam thikë në zemër; e kam gozhdë në zemër; e kam pikë në zemër; nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja. E kam zemrën plagë kam pësuar një tronditje të thellë shpirtërore nga diçka që më bën të vuaj, jam shumë i brengosur e i pikëlluar; m’u bë zemra plagë; e kam zemrën (shpirtin) të vrarë; e kam zemrën pleh. Ia lehtësoi plagën (dikujt) ia zbuti dhembjen shpirtërore, ia lehtësoi vuajtjet; e qetësoi, e ngushëlloi. Ia la plagë në zemër (në shpirt) (dikujt) e bëri dikë të ketë një dhembje shpirtërore a brengë të madhe, e bëri të vuajë thellë e për një kohë të gjatë. Ia lëndoi plagën (plagët) (dikujt) ia shtoi brengën a dhembjen shpirtërore, duke i kujtuar fatkeqësinë që i ka rënë, e preku dikë atje ku i dhemb; i gërvishti (i ngacmoi) plagën. Lëpijnë plagët (çibanët) (e njëri-tjetrit) keq. mbulojnë të metat a fajet e njëri-tjetrit, mbrojnë a qetësojnë njëri-tjetrin. Mori një plagë (të rëndë) (dikush) pësoi një fatkeqësi të rëndë dhe ka një brengë të madhe a një vuajtje shpirtërore të thellë, u plagos rëndë shpirtërisht nga një ngjarje e hidhur. Më mbeti plagë në zemër (në shpirt) (diçka) më la mbresë të thellë në shpirt, më pikëlloi a më bëri të vuaj, jam i plagosur rëndë shpirtërisht; e kam brengë (në zemër). I mbyll plagën (dikujt) e qetësoj, duke ia zbutur pasojat e këqija ose të rënda, ia përmirësoj gjendjen; e bëj të harrojë një fatkeqësi; ia fashit një dhembje shpirtërore; i shëroj plagën; kund. i hap plagën. M’u mbyll plaga u qetësova, m’u zbut a m’u fashit dhembja e madhe shpirtërore a brenga që kisha, i harrova vuajtjet a fatkeqësitë; m’u përtha plaga. M’u përtha plaga m’u zbut një dhembje shpirtërore; m’u fashit një kujtim i hidhur; m’u mbyll plaga. Plagë e hapur dhembje shpirtërore a fatkeqësi që nuk ka kaluar e nuk është mbyllur, vuajtje e thellë a brengë që nuk është fashitur; kund. plagë e mbyllur. Plagë e mbyllur dhembje shpirtërore a fatkeqësi që ka kaluar dhe është mbyllur, vuajtje e thellë a brengë që është fashitur; kund. plagë e hapur. Si plaga qelbin me vështirësi të mëdha, me shumë lodhje e mundime (zakonisht për të mbledhur para e ushqime). Preku në plagë (dikush) përmendi atë që është më e rëndësishme, më thelbësore a më e dhimbshme për dikë, preku aty ku duhet; preku pikën më delikate të një çështjeje, zbuloi gjënë më shqetësuese; gjeti pikërisht atë që e mundon dikë; vuri gishtin në plagë. E preku në plagë (dikë) i përmendi a i kujtoi atë dobësi ose atë fatkeqësi të rëndë, që i ka shkaktuar një dhembje të madhe shpirtërore a një brengë, e preku atje ku s’duron dot; i gërvishti (i ngacmoi) plagën (dikujt); e preku në dregëz; i shkeli në kallo (dikujt); e goditi në zemër; i ra nenit të këmbës (dikujt). I shëroj plagën (dikujt) ia heq një dhembje shpirtërore e ia largoj një brengë që e mundon; i mbyll plagën. Vuri *gishtin në plagë (dikush). Ka zënë *dregëz (plaga). Ka zënë *kore (plaga).
VÁRR/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Plagë e bërë me plumb, thikë a që është goditur me mjete të forta. Varrë e lehtë (e rëndë). Varrë pushke (thike). Iu infektua varra. I lau varrën. Ia lidhi varrën...
2. fig. Brengë, hidhërim, diçka që të lëndon dhe të bën të vuash. Më ka mbetur varrë. E kam varrë në zemër (në shpirt). Varra e fjalës është më e rëndë se varra e pushkës. (f.u).
✱Sin.: çarje, lëndim, lavomë, vurratë, plagomë, vragë.
♦ Të ha *arrat e të bën varrat (dikush) keq.
VRÁG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Rrugë e ngushtë nëpër një pyll ose në fushë për kafshë a për kalimtarë; dhiare. Vragë e parrahur. Vragë e verbër udhë e ngushtë në pyll a në mal që mezi dallohet, që herë duket e herë zhduket a që nuk të nxjerr gjëkundi. Hapi një vragë (nëpër dëborë...). Ndjek vragën.
2. Vija që lë rrota e qerres a diçka tjetër në sipërfaqen e tokës. Vragat e qerres. Vragat e biçikletës. Vraga e kërmillit.
3. Shenjë në trupin e njeriut a të kafshës nga një plagë, nga të goditurit me shkop etj.; gjurmë. Vragat e plagëve. Ia bëri një vragë me shkop. Në kurrizin e lopës dukej një vragë e thellë dhe e gjatë e bërë nga brirët e kaut.
4. fig. Mbresë, përshtypje, gjurmë; plagë. Lë vragë të thellë. I çeli një vragë në zemër. Mbetet vragë e pashlyer.
✱Sin.: dhiare, monopat, gjurmë, vijë, shenj, vrajë, plagë, vurratë, përshtypje, mbresë.
VRÁRË (i, e) mb. 1. Që është qëlluar me armë a me diçka tjetër dhe ka vdekur (për njerëzit) ose ka ngordhur (për kafshët). Njeriu i vrarë. Kafsha e vrarë.
2. Që është goditur me diçka dhe ka dëmtuar një pjesë të trupit, që i është bërë një plagë a një vurratë; që është vrarë ngaqë e ka shtrënguar diçka. Me dorë të vrarë. Me këmbë të vrarë. Erdhi me sy të vrarë.
3. Që është goditur a është dëmtuar dhe ka filluar të prishet (për pemët, perimet etj.). Pemë (mollë) të vrara. Gjethe të vrara. Heq pjesët e vrara.
4. fig. Që është prekur shumë, që ka një dhembje të thellë shpirtërore, i lënduar, i pikëlluar; që shpreh një gjendje mërzie të madhe, dëshpërimi a pendimi. I vrarë shpirtërisht. Njeri i vrarë. Me zemër të vrarë. Me ndërgjegje të vrarë. Me pamje të vrarë.
5. fig. I lodhur e i rraskapitur, me trup të dërrmuar; që shpreh lodhje, rraskapitje a këputje. E ndiente veten të vrarë. Të shoh të vrarë. Me pamje të vrarë.
✱Sin.: i vdekur, i pushkatuar, i vrarë, i mbytur, i shajtuar, i shituar, i ganduar, i lënduar, i shituar.
♦ Barrë e vrarë (në bark të nënës) shih barrë e mallkuar etnogr. *Bollë e vrarë. Jam me zemër (me shpirt) të vrarë shih e kam zemrën (shpirtin) të vrarë. E kam zemrën (shpirtin) të vrarë jam shumë i pikëlluar, jam i brengosur; jam me zemër (me shpirt) të vrarë; e kam zemrën plagë; më dhemb (më ther) zemra. *Morr i ngordhur (i vrarë) përb., thjeshtligj. Me *zemër (me shpirt) të vrarë.
VRÁSJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur vras a vritem. Vrasje me armë. Vrasje për hakmarrje. Vrasje me të pabesë. Vrasje pa (me) dashje. Vrasje në masë. Bënte vrasje vriste. Shpëtoi nga vrasja. U bë vrasje e madhe u vranë shumë veta, u bë gjak i madh. Vrasja e njerëzve të pafajshëm. Vrasja e kafshëve është e ndaluar me ligj.
2. Pjesa e parë e emërtimeve për lloje të ndryshme vrasjesh. Vrasje mizore mënyrë e rëndë dhe brutale e kryerjes së vrasjes duke i shkaktuar viktimës dhembje, torturë dhe vuajtje fizike ose psikike. Vrasje e paramenduar vrasje për të cilën autori është menduar dhe e ka planifikuar (shoshitur) mirë që më përpara; e që është bërë me paramendim. Vrasje në afekt vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore. Vrasje nga pakujdesia vrasje aksidentale. Vrasje pa paramendim vrasjes por e paqëllimshme e një personi tjetër; vrasje për të cilën autori nuk është menduar dhe nuk e ka planifikuar (shoshitur) mirë që më përpara, por është pasojë e një situate të krijuar aty për aty. Vrasje e privilegjuar konsiderohen si të privilegjuara, ose forma të lehta të vrasjeve. këto tri lloje të vrasjeve: vrasje e kryer në gjendje të afektit mendor, vrasje nga pakujdesia dhe vrasja e foshnjës gjatë lindjes.
3. Veprimi kur dikush është goditur me diçka dhe ka dëmtuar një pjesë të trupit dhe i është bërë një plagë a vurratë. Vrasja e krahut (dorës, syrit).
3. Veprimi kur është goditur nga vrasa, vrugu dhe është kalbur (për pemët, perimet), etj. Vrasja e mollëve. Vrasja e frutave. Vrasja e gjetheve. Vrasja e perimeve. Vrasja e gjelbërimit.
4. bised. Shtytje e madhe e shumë njerëzve, që e shtrëngojnë keq njeri-tjetrin. Ishte vrasje e madhe. Ishte vrasje për bileta sporti.
5. bised. Çdo rast kur vritet dikush. Numri i vrasjeve.
6. fig. Gjendja kur lëndojmë a pikëllojmë dikë duke e prekur thellë në ndjenja a në sedër a kur lëndohemi e pikëllohemi. Vrasja e shpirtit. Vrasja e ndërgjegjes. Vrasja e mendjes.
✱Sin.: vrasë, vrasi, vrarje, pushkatim, kërdi, kasaphanë, masakër, gjakderdhje, gjakësi.
VRÉG/ËN, ~NA f. sh. ~NA, ~NAT 1. Kamxhik. I ra me vregën. Është i mirë për një vregën. I dha disa vregna të mira.
2. Shkop i gjatë, që përdoret për të shtyrë lundrën në një cekëtinë lumi, kënete a liqeni. U thye vregna. Vregna e lundrës. E shtyri varkën me vregën.
3. Vraga e kamxhikut, e thuprës a e shkopit në trupin e një kafshe a të një njeriu që e kanë rrahur; pjesa e lëkurës e ënjtur dhe e murrëtyer nga të rrahurit me kamxhik. I dukeshin vregnat në kurriz. Ia bëri trupin gjithë vregna.
✱Sin.: kamxhik, shtagë, vrajë, vurratë.
►VRÍTEMI jovep., VRÁVA (u), VRÁRË 1. vetv. Vras veten; sh. qëllojmë për vdekje njëri-tjetrin me armë, vrasim njëri-tjetrin. U vra me revole. Vriteshin me njëri-tjetrin.
2. vetv. Bie në fushën e betejës a në një përleshje me dikë. U vra në luftën e Vlorës. U vra në përpjekje me fashistët. U vra për çlirimin e atdheut. U vra për lirinë e Kosovës.
3. vetv., vet. sh. v. III Zihen duke goditur njëri-tjetrin me kokë (për disa kafshë). Vriten deshtë.
4. vetv. Goditem keq duke u përplasur me diçka të fortë sa më bëhet një plagë a një vurratë dhe ndiej dhembje. U vrava në ballë (në këmbë...). U vrava pas derës.
5. fig., vetv. Prekem thellë në ndjenja a në sedër, lëndohem; hidhërohem shumë, pikëllohem. U vra shumë kur mori vesh lajmin e hidhur.
6. fig., vetv. Lodhem shumë në një punë, rraskapitem e ligështohem; e ngarkoj veten më shumë punë a me punë të rënda që më mundojnë shumë. Vriteshin në punë.
7. pës. e VRAS.
✱Sin.: vras, ngel, mbes, lëndohem, hidhërohem, gjakosem, gandohem, rraskapitem, ligështohem, vdes.
♦ Ku *rafsha mos u vrafsha! Shembem, gandohen. Iu vranë *dhëmbët! (dikujt) iron.
VÚL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Mjet i vogël zyre, ku është gdhendur emri a ndonjë shenjë tjetër e një institucioni, kompanie biznesi, sipërmarrje, partie, shoqate etj., e cila zakonisht ngjyhet me bojë dhe vihet mbi shkresat për të dëshmuar vërtetësinë e tyre e për t’u dhënë fuqi zbatimi; pajisje e tillë që përdoret për të lënë shenjë në dyllë të kuq, në plumb etj.; shenja që lë ky mjet në letër, në dyllë etj. Vulë zyrtare. Vulë postare. Vulë datare. Vulë vetjake. Vulë plumbi. Vulë druri (gome). Vula e ndërmarrjes, sipërmarrje (e ministrisë, e shkollës). I vuri vulën. I mungon vula. Nuk pranohet pa vulë. Vulë e thatë vulë që nuk ngjyhet në bojë, por lë shenjë me anë të trysnisë. Vulë aspostile vulë e standardizuar në përmasa dhe përmbajtje, me këtë vulë vërtetohet autenticiteti i nënshkrimit, vërtetësia e të dhënave, si dhe legalizimi i dokumentit të lëshuar nga gjendja civile dhe regjistrimi civil.
2. Pullë a njollë e vogël me një ngjyrë të veçantë që kanë zakonisht bagëtitë. Dhi (lopë) me vulë të bardhë në ballë.
3. Shenjë që bën njeriu te disa sende për tʼi dalluar. U vuri drurëve nga një vulë.
4. Shenjë që mbetet në trup nga një plagë, nga një goditje etj., mbresë, vurratë. I mbetën ca vula në trup. Dhi (lopë) me vulë të bardhë në ballë.
4. fig. Gjurmë a shenjë e shënuar në mënyrë të dukshme me vulë mbi produktet shtazore ose mbi ambalazhet e tyre pas kontrollit veterinar, që tregon lejen për konsumimin ose moskonsumimin e tyre. Veterineri ia vuri vulën mishit. Produktet e qumështit ishin me vulën e veterinerit.
5. fig. Gjurmë a shenjë që tregon tiparet thelbësore të diçkaje a të dikujt; damkë, njollë. Ka vulën e kohës. Ruan vulën e epokës historike. I vumë vulën e tradhtisë. Ka vulën e marres. Ia kanë vu vulën. I mbeti vulë.
✱Sin.: myhyr, blatë, damkë, njollë, damkues, shtypël, shtypje, mbresë, gjurmë, shenjë, njollë, vurratë.
♦ E humbi vulën (dikush) u hutua fare, s’di ku është a ç’duhet të bëjë, u shastis; e humbi toruan; e humbi busullën. I humbi vula (dikujt) shpërf. 1. U zhduk pa lënë gjurmë, u shua, u fik, s’i gjendet as nami e as nishani; ra nga pozita e nuk duket më. 2. shih iu shua (iu harrua, i humbi) emri (dikujt). Nuk i shkon vula (dikujt) nuk e dëgjojnë të tjerët, nuk i shkon fjala, s’ka më fuqi e respekt. I vuri vulën (diçkaje) e plotësoi me diçka të fundit që i mungonte; e përfundoi diçka, i dha fund; e miratoi përfundimisht; i vuri kapak (kapakun).
VURRÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shenjë që bëhet a mbetet në trup nga një plagë, nga një goditje etj.; vrajë, e vrarë. Vurratë mavi. Me trupin tërë vurrata. Vurratat e plagës. I dukej vurrata.
2. Njollë, gjurmë e fëlliqur. Vurratat e gishtërinjve. Pantallona me vurrata. U bë me vurrata.
✱Sin.: vrajë, vregën, njollë, gjurmë, shenjë, rogë, çikë, prekë, llackë, brokë, pullë, balë, qukë, cytë, follë, shibël, zhibël.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë