Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BIR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I bëj vrimë a e bëj me vrima diçka; shpoj. Biron drurin. Biroj dërrasën me gozhdë. E biroi teneqenë. Pika e shpeshtë e biron gurin. (fj. u.).
2. Vras me shumë plumba dikë, duke ia bërë trupin bira-bira; e bëj shoshë. Ia biruan shtatin anembanë. Ia biroi jetën (dikujt) ia nxiu jetën.
3. fig., keq. I sulem dikujt me fjalë e nuk i lë gjë pa thënë, ia thyej samarin; e bombardoj me pyetje. Iu lëshuan dhe e biruan të gjithë.
✱Sin.: shpoj, vrimoj, brimoj, zhbiroj, shporoj.
BLÉT/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Apis mellifica) Mizë me krahë, me trup të vogël e të murrmë, të mbuluar me push të verdhë, e cila mbledh nektarin dhe polenin e luleve dhe bën mjaltin e dyllin. Bashi i bletës ama e bletës, matka. Mizë blete. Mbretëresha e bletëve. Meshkujt e bletëve. Familje bletësh. Thumbi i bletës. Zgjua (koshere) bletësh. Hoje bletësh. Bar blete (bot.). Bukë blete pite dylli. Qumështi i bletëve lëng shumë i ushqyeshëm që nxjerrin bletët punëtore nga disa gjëndra të posaçme dhe që ua japin larvave të tyre. Lule blete (bot.). Zog blete (zool.). Rritja e bletëve. Zukasin bletët. Bletë e egër bletë e pazbutur ose bletë e ikur nga zgjoi që vendoset në ndonjë zgavër druri ose shkëmbi. Bletë mjaltëse bletë e zbutur që prodhon mjaltë dhe dyllë. Bletë punëtore bletë shterpë që mbledh ushqim dhe mirëmban zgjoin. Bletë bij, bletë, bij, / Hajde hyrë në zgjua të ri. (folk.). Ai që ka mizën në kësulë, ka vjedhur bletën. (fj. u). Miza nuk bëhet bletë. (fj. u). Edhe bleta është mizë, po bën mjaltë. (fj. u). Bleta, para se të bëjë mjaltin, bën dyllin. (fj. u.).
2. përmb. Tërësia e këtyre mizave që rrojnë si familje në një zgjua; zgjoi ku rrinë këto miza. Lëshon (roit, hedh) bleta. Pres (mbyt, vras, qeth) bletën. Gumëzhijnë si bleta. Vjen si bletë e plotë.
✱Sin.: mjalcë, mjaltëz, zgjua.
♦ Kur të bëhet grerëza bletë kurrë, asnjëherë; kur të bëhen dy ditë bashkë. Ia bëri bletë (dikujt) e trullosi, duke ia ngatërruar keq diçka; ia mori mendtë; ia bëri lëmsh. Bletë e plotë. 1. Plot, me të gjithë ata që duhen; së bashku dhe të pasur e të lumtur (për një familje etj.). 2. Me shumicë; me bollëk të mirash. Bletë shkëmbi njeri i padobishëm, që nuk jep fryte në punë; kalli pa bukë. Bletë e vjetër njeri me përvojë të madhe në jetë, njeri që vepron me maturi e pjekuri; (burrë) katërqind dërhemë. Bletë e vulosur njeri në gjendje shumë të mirë ekonomike, me shumë kamje, i pasur e i sigurt. Sa çon bleta me flatër shumë pak; sa mban miza me dy krahë; ç’mban gallofi me dy krahë. *Koshere (zgjua) bletësh. S’e marr arëzën për bletë s’e ngatërroj të ligun me të mirin; s’e marr të keqen për të mirë; nuk ma hedh dot dikush, nuk mashtrohem nga diçka; s’e ha (s’e marr) sapunin për djathë. Mbledh me *bar blete. *Zgjua (koshere) bletësh.
COPËT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E ndaj, e thyej ose e gris diçka në shumë copa, e bëj copa-copa; e ndaj në shumë pjesë (për sende të ngurta); e bëj thela-thela a e grij imët; e zbërthej në copat që e përbëjnë; e bëj copë-copë me shpërthim; e bëj copë-copë duke e përplasur diku a duke e shqyer; e pres copa-copa me thikë, me sakicë etj. Copëtoj bukën (djathin). Copëtoj një letër. Copëtoj tullat (gurët).
2. edhe fig. E plagos, e vras keq, e dërrmoj. Copëtoi gishtin. Copëtoi këmbën (dorën).
3. fig. E ndaj në pjesë (diçka); e ndaj në pjesë me të tjerë.
✱Sin.: copëzoj, copëloj, thërrmoj, brishtoj, bërlut, çokanis, grimcoj, cukëloj, çikëloj, çikëtoj, ndaj, pjesëtoj, thelëmoj, theloj, përshesh, kurmoj, matushoj, capërloj, dafryej, lakanis, lakëroj, zbërthej, prish, shprish, shkreh, shpërthej, shpartalloj, shpandkoj, thyej, shqyej, gris, shkalafit, shkafanjit, shkalavesh, sakicoj, dërrmoj, shemb.
♦ Ma copëtoi *zemrën (shpirtin) (dikush).
DJERR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. dhe jokal. 1. Mendoj a bisedoj për diçka pa pasur asnjë fryt a dobi, marr nëpër gojë dikë a diçka më kot e pa dobi; vras mendjen e s’nxjerr gjë në krye, e kaloj kohën me shestime të kota. – Ç’po djerron? Djerron punët e hallkut (e të tjerëve). Djerron për sot e për mot.
2. Sajoj, bluaj me mend diçka për t'i bërë keq dikujt; trilloj ndonjë ndodhi dhe e rrëfej si të vërtetë. - Kushedi se ç’djerron. Unë ua kisha forcuar krahun e ato të zeza djerrojnë kundër meje!
DRÁP/ËR,~RI m. sh. ~ÍNJ, ~ÍNJTË [DRÁP/ËR,~RI m. sh. ~ËRÍNJ, ~ËRÍNJTË] 1. Vegël bujqësore e dorës, që përbëhet nga një presë si hark, e dhëmbëzuar lehtë, e nga një dorezë prej druri dhe që përdoret për të korrur të lashtat, barin etj. Drapër gruri (misri, bari). Drapër lejlek drapër me presë më të hapur e me bisht të gjatë. Koha e draprit koha e të korrave. Mpreh draprin. Korr me drapër. I vë draprin barit (grurit) e korr, e pres me drapër. Është bërë për drapër është bërë për t'u korrur. Bie (nis, fillon) drapri fillon korrja e të lashtave. I ka këmbët si drapër i ka këmbët të harkuara. I vë draprin (keq) vras shumë veta njëherësh; korr, grij. Nuk futet drapri në thes. (fj. u.). U poq elbi, duhet drapri. (fj. u.).
2. fig. Diçka e harkuar si presa e draprit. Drapri i hënës hëna e ngrënë si vetull.
♦ I drejtë si drapri iron. 1.(diçka). E shtrembër, në trajtë harku a e lakuar; me dredha, jo e drejtë. 2. (dikush). Që nuk vepron drejt, që të mashtron, i padrejtë, dredharak; gjoja i drejtë; i drejtë si laku iron. Mban draprin në thes e majën jashtë (dikush) është njeri i djallëzuar, që kërkon të bëjë një të keqe fshehurazi, por nuk fshihet dot.
DËMT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. I sjell a i shkaktoj dëm dikujt a diçkaje, i bëj dëm; e prish a e çoj dëm diçka, bëj dëme; prish; kund. zhdëmtoj. Dëmton shëndetin. Dëmton shoqërinë. Dëmton punën E dëmtoi rëndë (shumë). E dëmtoi fizikisht (materialisht, ekonomikisht). I dëmtoi lufta. I dëmtoi shiu (breshri, era, vrugu, thatësira, ngrica) të lashtat (bimët, pemët, perimet). Duhani (alkooli, dhjami i tepërt) të dëmton. Bagëtia dëmtoi arat. Dëmtoi shtëpinë (makinën). Dëmtoi pronën. Dëmtoi rrugën.
✱Sin.: prish, shkatërroj, prek, vras, dokëndis.
DËRRM/ÓJI vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj diçka copa-copa të vogla, e bëj copë e grimë, e bëj thërrime, e thërrmoj. Dërrmoj bukën (djathin). E dërrmoi duhanin. Dërrmojnë plisat. Dërrmoj grurin (misrin) në mokër.
2. bised. Shkoq misrin, grurin etj. Dërrmojnë misrin. E kanë dërrmuar grurin në lëmë.
3. Vras keq a plagos një pjesë të trupit, duke e përplasur diku etj.; e shemb, e copëtoj. E dërrmoi dorën (këmbën). I dërrmoi gishtat. Ia dërrmoi nofullat (hundët).
4. fig. I jap dikujt a diçkaje një goditje të fortë shkatërruese, e mund a e thyej keqas, e shpartalloj krejt; prish, shkatërroj. E dërrmuan armikun. I dërrmoi kundërshtarët.
5. E lodh a e dobësoj shumë dikë, e këput, e rraskapit, e mundoj shumë. Jeta në mërgim e kishte dërrmuar fare. E dërrmoi pagjumësia.
6. fig. E trondit shumë dikë, e vras shpirtërisht. Ia dërrmoi shpirtin (zemrën). E dërrmoi vdekja e të birit.
✱Sin.: thërrmoj, copëtoj, shkoq, bluaj, përshesh, vras, plagos, shemb, shkatërroj, shpartalloj, prish, lodh, dobësoj, rraskapit, capërloj, handakos.
♦ I dërrmoi (i theu) *hundët (brinjët, turinjtë, dhëmbët, nofullat) dikujt (përçm.).
EKZEKUT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. libr. Zbatoj një ligj, vendim, urdhër etj. Ekzekutoj vendimin. Ekzekutoj urdhrin. Ekzekutoj me përpikëri. Mënyra se si do të ekzekutohet urdhri nuk thuhej. Organet që ekzekutojnë këto vendime.
2. drejt. Zbatoj dënimin me vdekje të dikujt. E ekzekutuan me pushkatim (me varje).
3. Vras. Ekzekutoi në mes të lokalit. Ekzekutoi me armë zjarri. E ekzekutoi për hakmarrje.
4. muz. Luaj a interpretoj një pjesë muzikore. Ekzekutoj një valle. Ekzekutoj me violinë. Ekzekutoj në piano. Ndonjëri nga burrat di të ekzekutojë, i vetëpërcjellë me çifteli e lahutë, këngë të ndryshme. Vetëm kitaristët më me përvojë mund ta ekzekutonin si duhej.
5. sport. Kryej, bëj lëvizje të caktuara të teknikës së një sporti. Ekzekutoj një ushtrim gjimnastikor. Ekzekutoi goditjen e dënimit me mjeshtëri. Ekzekuton penalltinë. Mesfushori ekzekuton një goditje nga këndi.
✱Sin.: zbatoj, realizoj, luaj, interpretoj, kryej, performoj, vras.
ELIMIN/ÓJ vep.,~ÓVA, ~ÚAR kal., libr. 1. Heq, mënjanoj a shmang diçka. Eliminoj rrezikun (dëmin). Duhet të eliminojnë sheqerin nga dieta e tyre. Detergjent për të eliminuar gjurmët e ADN-së. Të eliminojnë pengesat e mbetura për zhvillimin e tyre.
2. Vras. Kishin marrë udhëzime të eliminonin rojën. Të parin do të eliminonin dëshmitarin okular.
3. sport. E bëj dikë të humbasë të drejtën për të vijuar më tej një garë. E eliminoi kundërshtarin. Eliminuan skuadra të forta për të ardhur deri në finale. Hyri në botëror duke eliminuar skuadrën gjermane.
✱Sin.: heq, mënjanoj, zhduk, vras, shmang.
FAR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal., bised. 1. I zhduk a i vras të gjithë; shfaros. I faroi armiqtë.
2. Shkatërroj në shkallë të gjerë, prish, rrënoj krejt; shkretoj. I faroi e ftohta pemët.
3. E mbaroj diçka, e ha të tërë, s'lë asgjë pa ngrënë. E faroi mishin. I faroi dhitë ujku.
4. I nxjerr a i marr farat një fryti, kallirit të drithërave etj. Faroj misrin.
✱Sin.: zhduk, vras, shfaros, shkatërroj, prish, rrënoj, shkretoj, vendos, faros.
FUT (FUS) vep., ~A, ~UR 1. kal. E shtie a e vë diçka brenda në një vend (në një orendi, në një vend tjetër të mbyllur); e shpie dikë a diçka në një vend të mbyllur, të rrethuar, të mbrojtur a të fshehtë; kund. nxjerr, qit. E futi në sirtar. I futi rrobat në dollap (në valixhe). I futi librat në raft. Fut në xhep. I futi dhentë në vathë. E futi nga dera (nga dritarja).
2. kal. E zhyt në ujë etj., e kredh diku në thellësi; kund. nxjerr. E futi në ujë (në liqen, në pus). I futi këmbët deri në gju.
3. kal. Ngul në tokë a në një trup; e shtie diçka në një vrimë a në zbrazëtinë e një sendi; vë. E futi gozhdën thellë. Fut krahun në mëngë. Fut çelësin në derë. Fut gishtin në unazë (unazën në gisht).
4. kal., edhe fig. Bëj që të hyjë e të zërë vend midis njerëzve a sendeve; bëj që dikush të ndërhyjë për diçka. E futën në mes. Futi ndërmjetës (dorëzanë).
5. kal. Hedh diçka në një gjë tjetër; shtie. I futi ujë verës. I fut kripë gjellës.
6. kal., fig. Bëj që ta njohë e ta kuptojë më thellë diçka ose të ketë të qartë thelbin e një çështjeje; bëj që të marrë vesh diçka të fshehtë a të panjohur; e bëj të rrahë diçka në mendje, e zhyt. E futi në thelbin e çështjes. E futi në mendime të thella.
7. kal., fig. Bëj që të hyjë thellë e të zërë vend diku, bëj që diçka të kuptohet e të përvetësohet mirë nga dikush. E kanë futur në jetën e përditshme.
8. kal., bised. Vendos një arnë, një copë etj. në një rrobë, në këpucë etj.; vë, hedh. I futi një arnë këmishës. U futi gjysma këpucëve.
9. kal. Vë mënjanë para, prodhime, ushqime etj. dhe i ruaj për t’i përdorur më vonë ose për një qëllim të caktuar, shtie në shtëpi; jap një sasi të hollash bashkë me të tjerët për një qëllim të caktuar; vë. I futën zahiretë e dimrit. Futën nga një mijë lekë secili.
10. kal. Vë dikë në një punë, e caktoj në një detyrë; e bëj anëtar të një organizate, e pranoj të marrë pjesë diku; kund. heq, nxjerr, përjashtoj. E futi në punë (në shkollë). E futi djalin në zanat. E futën në kategorinë e parë.
11. kal., fig. E përfshij brenda diçkaje, e vë a e shtoj diku; kund. heq. E futën në rendin e ditës. Nuk e kanë futur në këtë numër të revistës.
12. kal., fig. E shpie dikë në një gjendje të caktuar; bëj që dikush a diçka të vijë në një gjendje të veçantë; i kalit dikujt një ndjenjë etj. I futi në grindje (në sherr). E futi në kurth (në grackë).
13. kal., bised. Veproj shpejt me një mjet, kryej një punë a një veprim me një mjet; i heq, i shkoj; vë diçka në një makinë ose në një aparat që të punohet a të përpunohet. Ia futi me fshesë oborrit e fshiu shpejt e shpejt. I futi një përdaf murit e sheshoi murin me përdaf. I futi një të larë me makinë.
14. kal., bised. I bie me diçka, e godas fort; i jap, ia këput; i vë. Ia futi me pëllëmbë. I futi një të sharë. Ia futi një vulë (një firmë).
15. kal., fig. Bëj që dikush të nisë e të veprojë ose të marrë pjesë në diçka; hedh, vë. E futi në veprim (në lëvizje). E futi në garë.
16. kal., fig., bised. Nis diçka, e përdor a e vijoj më tej; vë; kund. heq. E futi rakinë (duhanin). E fut në përdorim (në qarkullim).
17. kal., bised. Flas në njëfarë mënyre; them diçka; flas kot; kryej diçka në tym. Ia futi qorrazi (në tym, në erë). Mos ia fut kot!
18. kal., bised. Ha ose pi diçka me një frymë a me shumicë; bëj diçka që më kënaq. Ia futi një pilaf. Ia futi një gjumi të mirë fjeti mirë e mirë.
19. kal., bised. Iki me të shpejtë e si të mundem; çaj diku. Ia futi fushës (pyllit, rripave). Ia futën përpjetë (tatëpjetë).
20. jokal., v. III, bised. Bie me shumicë (për reshjet); fryn papritur, me forcë (për erën etj.). Ia futi një shi. Ia futi një erë.
✱Sin.: shtie, vë, kall, këllas, rras, trus, zhulat, cit, zhap, shkoj, vë, qit, mbjell, marr, jap, heq, hyj, ngop, përfshij, këput, godit, hedh.
♦ E futi në batak (dikë). E fut (e shtie) në *bigë (dikë). E fut (e vë) në *brazdë (në hulli) (dikë). E futën (e rrasën) brenda e futën në burg. S’e fut (s’e vë, s’e ka) në *defter (dikë a diçka) mospërf. S’di ku të futë *kokën (kryet) (dikush). Fut *duart (diku) keq. I futi (i kalli) dreqin (*djallin) (dikujt a diçkaje). I futi (i shtiu) *të dridhurat (dikujt). Ia fut *dushk (dikush). I futi (i shtiu) *ethet (dikujt). Fut *fite (dikush). Fut *fitila (dikush). Fut *flakën (dikush). I futi (i vuri) *gërshërën (diçkaje). Fut gishtin (duart) diku përzihem në një punë që nuk më takon. E futi (e shtiu) në *grackë (dikë). Është futur deri në *grykë (dikush). Ia ka futur në *gjak (dikujt). Fut *gjemba (dikush). I fut *gjilpërat (dikujt). Ia fut (ia këput) *gjumit (dikush). Fut hundët në diçka ndërhyn në një çështje që s’të takon. E fut (e vë) në hulli (në *brazdë) (dikë). Fut *hundët (hundën) (dikush) keq. I futi *hundëzën (dikujt). I fut në një *kallëp. E fut në *kallëpe (dikë a diçka). Ia fut *katundit (dikush) vulg. Fut (kall) *këmbët (diku). *Këput e fut (rras) (dikush) keq. E futi (e shtiu) në *kllapë (dikë). S’di ku të futë *kokën (kryet) (dikush). Ia fut katundit flas pa u menduar mirë. Ia fut si kau pelës ia këput tjetër për tjetër. Fut *kokën (diku). Ia futi në *kokë (në krye) (dikujt). E fut në *kornizë (dikë a diçka) libr. Ia fut kot flas kuturu. I fut *krahun (dikujt). I futi *krimbin (dikujt). Ia futi në krye (në *kokë) (diçka). Fut *kunja (dikush). E futi (e shtiu) në *kurth (dikë). E futi (e zuri) në *lak (dikë). Ia fut (ia shtie) në *mend (diçka). Ia fut (ia shtie) në *mendje (diçka). I futi (i shtiu) *mizat (dikujt). I futi (i kalli) *murtajën (dikujt a diçkaje). S’e fut (s’e vë, s’e zë, s’e shtie) në *numër (dikë). Fut *pyka (dikush). Ia fut *qorras (dikush). E futi (e shtiu) në *rreth (dikë). E futi (e vuri) në *sirtar (diçka). Fut *spica (dikush). I fut *spicat (dikujt). E fut nën sqetull dikë e marr në mbrojtje. Fut (shtie) shejtanin (djallin) në shishe është shumë i zoti, i shkathët e dinak. I fut (i vë) shkopinj në rrota i nxjerr pengesa e ngatërresa. Ia fut (ia lëshon) *shpatit (dikush). E fut në shpirt (në *zemër) (dikë a diçka). E futi në *shtrungë (dikë). E futi në *torbë (dikë). Ia fut në *tru (diçka). Fut *turinjtë (dikush) keq. Ia fut në *tym (dikush). E futi (e shtiu) në *thes (dikë) keq. I ka futur (i ka ngulur) *thonjtë. E ka futur ndër *thonj (dikë). I fut thumba dikujt e bëj të dyshojë a të shqetësohet për diçka. E futi në *valle (dikë). E futi (e shtiu) në *vathë (dikë). Më futi (më shtiu) *veremin (dikush a diçka) vjet. Ia futi (ia shtiu) në *vesh (dikujt). Fut ujkun në vathë fut armikun në shtëpi. Ia fut vetes vras veten; dëmtoj veten. I fut (heq, vë) vizë (vijë) dikujt a diçkaje nuk e përfill më; e fshij nga defteri. E fut në *zemër (në shpirt) (dikë a diçka). I futi (i shtiu) *xixat (dikujt). E futi në *xhep (dikë). E fut (e vë) në *xhep (diçka). E futi në *zdrukth (dikë). I fut në një *zdrukth. I futi (i shtiu) *zekthin (dikujt). E fut në *zemër (në shpirt) (dikë a diçka). E futi e vuri (e vuri) në *zgjedhë (dikë). Fut *zjarrin (dikush). Fut *zjarrin në kashtë (dikush).
GAND/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Godit dikë me diçka në trup ose në një pjesë të trupit; vras diku një pjesë të trupit; gjymtoj dikë, e lë me cen. Gandoi dorën. E gandoi në këmbë.
2. fig. Lëndoj; fyej, cenoj. I gandoi zemrën. I gandoi nderin. E gandoi me fjalë.
✱Sin.: lëndoj, godit, vras, cenoj, gjymtoj, fyej.
GJA/K,~KUIII m. 1. Afri e ngushtë që vjen prej një paraardhësi të përbashkët, farefisni, i afërm; etnogr. lidhje farefisnie nga ana e babait; familje. Lidhje gjaku. Njerëz të një gjaku. Jemi (biem) gjak me të. I shkon për gjak e ka në fis. Gjaku s’bëhet ujë (fj. u.).
2. fig. Prejardhje e përbashkët e njerëzve nga një popull, nga një komb. Ka gjak shqiptari. Është shqiptar prej gjaku. Bashkatdhetarët të një gjaku.
✱Sin.: farefis, farefisni, i afërm, prejardhje.
♦ Është bërë gjak. 1. (diçka). Është skuqur shumë; është bërë plagë (dora, faqja etj.). 2. (dikush). I skuqin faqet nga shëndeti. U bënë gjak u bashkuan fort, u lidhën ngushtë njëri me tjetrin, u shkrinë; u bënë mish e gjak. M’u bë gjaku (zemra) *bozë. T’u bëftë gjak e dhjamë! ur. të bëftë mirë!; t’u bëftë shëndet! M’u bë gjaku *lëng (armeje). M’u bë gjaku *mavi. M’u bë gjaku *petull. M’u bë gjak në sy shih m’u bë halë në sy (dikush). M’u bë gjaku *ujë. S’bëhet gjaku *ujë. S’bën delli gjak nuk bëjnë kurrë të mira njerëzit shpirtligj e dorështrënguar. Bëri *gurin e gjakut (dikush). Bëri gjak (dikush). 1. Theri një kafshë a një shpend për kurban, kur nis një ndërtim etj. 2. Vrau a bëri një dëm të madh. E bëri gjak (diçka) shih e bëri mish e gjak (diçka). Ma bëri gjakun *lëng (armeje) (dikush a diçka). Ma bëri gjakun *ujë (dikush). S’e bëj gjakun *ujë. E bëri *mish e gjak (diçka). E bëri të përmjerë (të vjellë) gjak (dikë) mori hak me dhunë kundër dikujt, u hakmor rëndë duke e rrahur për vdekje; ia mori shpirtin (dikujt); e bëri për vdekje. I ra gjaku (dikujt) u qetësua, u shtrua, nuk është më me inat. Bie në gjak (me dikë) bëhem armik me dikë dhe kam të drejtë të hakmerrem. Më ra (më shkoi) gjaku në fund të këmbëve. 1. U lodha shumë duke ecur ose duke qëndruar më këmbë. 2. U frikësova nga diçka e papritur; u tremba shumë e menjëherë, u tmerrova nga frika, ngriva; u trondita pa masë; më ngriu (m’u pre) gjaku; m’u prish (m’u turbullua) gjaku; m’u ngjiz (m’u mpiks) gjaku. Më ra gjaku në sy. 1. U mundova tepër, u lodha shumë, u këputa, u rraskapita. 2. U inatosa shumë, u tërbova nga zemërimi; më hipi gjaku (në fytyrë); më hipi gjaku në kokë (në tru). I buçet gjaku (dikujt). 1. Është i ri, i shëndetshëm e shumë i gjallë, ka forca e energji të mëdha; i vlon (i zien, i gufon) gjaku. 2. Është gati të shpërthejë për diçka, sa mezi e përmban veten; ka energji e vrull; ka dëshirë të madhe për të bërë diçka, do që të hidhet menjëherë në veprim; i vlon (i zien, i gufon) gjaku; i flakëron gjaku; zien (vlon) përbrenda (dikush). Derdh gjak. 1. Vras a plagos rëndë dikë. 2. shih derdh gjakun (për dikë a për diçka). Derdh gjakun (për dikë a për diçka) sakrifikohem për dikë a për një çështje të madhe, vdes për dikë a për diçka të shenjtë, flijohem; jap (fal) jetën. Është derdhur gjak është bërë luftë e madhe e janë vrarë njerëz; është mbrojtur me gjak diçka; janë bërë përpjekje të mëdha, përleshje e sakritica për të mbrojtur ose për të fituar diçka; shkoi (rrodhi) gjaku lumë; shkoi (rrodhi) gjaku rrëke. As *dhjamë e as gjak. I etur për gjak keq. kriminel, gjakësor, që ka shpirt prej gjakatari. E fali gjakun (dikush) etnogr. hoqi dorë nga vrasja për hakmarrje, e fali gjakësin, nuk kërkon më të marrë hak. I flakëron gjaku (dikujt). 1. Zien e vlon nga zemërimi, është gati të shpërthejë; iu ndez (iu avullua) gjaku; iu nxeh gjaku. 2. Është guximtar i paduruar për t’u hedhur në një rrezik, s’e përmban dot veten, s’pyet; i vlon (i zien, i gufon) gjaku; i buçet gjaku. I ftohu (i uli) gjakrat (dikush) i qetësoi njerëzit që ishin duke u zënë a duke u grindur ashpër me fjalë, bëri që t’u bjerë zemërimi, e qetësoi gjendjen; kund. i ndezi (i nxehu) gjakrat. Iu ftoh gjaku (dikujt). 1. I ra zemërimi, u qetësua; kund. iu ndez (iu avullua) gjaku. 2. Nuk e do më aq shumë dikë ose nuk është më aq i dhënë pas diçkaje. U ftohën (u ulën) gjakrat u qetësuan e u shtruan njerëzit që ishin duke u zënë a duke u grindur ashpër me fjalë, u iku zemërimi, u ra inati; u qetësua gjendja, nuk ka më aq egërsi; kund. u ndezën (u nxehën) gjakrat. Ia ka futur në gjak (dikujt) ka bërë që ai ta kuptojë e ta përvetësojë mirë diçka, t’i hyjë thellë në mendje a në zemër, t’i zërë vend mirë; ia bëri zakon a edukatë; e ka bërë që të dojë e të dëshirojë tepër diçka. Me gjak të butë. 1. I urtë e i shtruar, gjakbutë. 2. Shtruar, pa u nxehur e pa u acaruar; me të urtë. Me gjak të ftohtë. 1. I qetë, i përmbajtur, që nuk nxehet e nuk rrëmbehet, gjakftohtë; kund. me gjak të nxehtë. 2. Me gjakftohtësi, duke u përmbajtur; qetësisht; me gjak të qetë; kund. me gjak të nxehtë. Gjaku i gjakut fëmija i fëmijës tim, që është shumë i dashur dhe i ëmbël për mua; mishi i mishit; mjalti i mjaltit. Me gjak të helmuar shumë i hidhëruar, i pikëlluar sa s’ka; me gjak të prishur. Me gjak e me lak shih me lak e me gjak. Me gjak të ndezur me zemërim të madh, shumë i nxehur, i inatosur; i papërmbajtur; me gjak të nxehtë. Me gjak të ngrirë me frikë të madhe a me shqetësim të thellë, me tmerr (kur presim diçka të keqe a të panjohur); me zemër të ngrirë; me frymën pezull; si dhia thikën. Me gjak të nxehtë. 1. I rrëmbyer e inatçor, që nxehet shpejt e nuk përmbahet, gjaknxehtë; kund. me gjak të ftohtë. 2. Me gjaknxehtësi, duke qenë shumë i inatosur; pa e përmbajtur veten, në zemërim e sipër; me gjak të ndezur; me kokë të ndezur (të nxehtë); kund. me gjak të ftohtë. Gjak i pastër. 1. Kafshë e një lloji, e papërzier me lloje të tjera. 2. Njeri prej dere a prej fisi të mirë, fisnik. Me gjak të prishur shumë i shqetësuar; i trembur, i frikësuar, i tronditur; me gjak të turbulluar; me gjak të helmuar. Me gjak të qetë me gjakftohtësi, pa shqetësim, pa zemërim e pa inat; pa u ngutur, shtruar; me gjak të ftohtë; kund. me gjak të turbulluar. Gjak i ri njeri a grup njerëzish që sapo janë pranuar në një organizatë a në një shoqatë për ta përforcuar ose për ta gjallëruar atë. Me gjak të turbulluar me gjaknxehtësi, me shqetësim, me zemërim a me inat; i shqetësuar; i trembur, i frikësuar, i tronditur; i mërzitur; me gjak të prishur; kund. me gjak të qetë. Me gjak të zemrës me të gjithë forcën e pa kursyer asgjë; me përgjërim, me shpirt; me gjithë zemër; me gjithë shpirt. Ka ngrënë *bukë e gjak (dikush). Ia helmoi gjakun (dikujt) e hidhëroi shumë, e pikëlloi. Heq *gurin e gjakut. E heq gjaku (dikë) bën një veprim të ngjashëm me paraardhësit a sillet njëlloj me ta; janë një gjak. Kam hequr gjakun (me dikë a me diçka) më ka munduar shumë dikush a diçka, kam vuajtur shumë nga dikush a nga diçka; më ka marrë shpirtin (dikush a diçka); kam hequr të zitë e ullirit (nga dikush a nga diçka); kam hequr pikën e zezë (nga dikush). I hipi gjaku në fytyrë (dikujt) u zemërua a u turpërua shumë sa u skuq në fytyrë; u inatos keq; i hipi gjaku në kokë (në tru); i ra gjaku në sy. I hipi (i kërceu) gjaku në kokë (në tru) (dikujt) u inatos shumë e menjëherë, u zemërua shumë e nuk di se ç’bën; u tërbua; i hipi gjaku në fytyrë; i ra gjaku në sy; i kërcyen trutë në kokë; i hynë mizat; mori zjarr (dikush); mori avull (dikush); iu bë koka barut; i hyri zekthi. Iu hollua gjaku (dikujt). 1. U plak e u bë më i ndjeshëm (ndaj të ftohtit, ndaj një sëmundjeje, ndaj një dhembjeje shpirtërore etj.). 2. E humbi guximin, trimërinë a këmbënguljen e mëparshme. Hyj në gjak (me dikë) etnogr. i vras dikë dikujt dhe ai ka të drejtë të hakmerret për të. I ka hyrë (i është futur) në gjak (diçka) i është bërë dikujt pjesë e pandashme e mendimeve dhe e ndjenjave të tij, i është ngulitur mirë e i është bërë natyrë e dytë; e ka përvetësuar thellë diçka; i është rrënjosur në gjak. I iku gjaku nga fytyra (dikujt) u zverdh krejt në fytyrë (nga një sëmundje, nga tronditja etj.); u trondit shumë, u tmerrua, ngriu; s’i mbeti gjak (pikë gjaku) në fytyrë; u pre në fytyrë (dikush); u prish në fytyrë (dikush); i iku fytyra; kund. i erdhi gjaku në vend. Janë *mish e gjak. (Është) në *valë të gjakut (dikush). E ka në gjak (diçka) e ka zakon, veti a ves të ngulitur thellë, nuk ia heq dot; është pjesë e pandashme e mendimeve a e ndjenjave të tij, është natyrë e dytë e tij, është edukuar në atë mënyrë. E ka gjakun *akull (dikush). E ka gjakun *të ëmbël (dikush). Ka gjak të ftohtë (dikush). 1. Është njeri i ftohtë, është i paafrueshëm; e ka gjakun akull; kund. ka gjak të ngrohtë (të ëmbël). 2. Është gjakftohtë. Ka gjak në fytyrë (në faqe) (dikush) është i ndershëm, është njeri me cipë, ka sedër; preket nga diçka e turpshme; ka cipë. Ka gjak lepuri (dikush) tall. është frikacak i madh, dridhet nga frika; s’ka pikë burrërie; ka lepurin në bark; i tutet hijes së vet. Ka gjak të ngrohtë (të ëmbël) (dikush) është njeri shumë i mirë e tërheqës, është gjakëmbël, e duan të gjithë; kund. ka gjak të ftohtë. E ka gjak në sy (dikë) shih e ka halë në sy (dikë). E ka gjakun *shpuzë (dikush). E ka gjakun në *vetull të syrit (dikush). Me *lak e me gjak. Në *lak e në gjak. E lanë me gjak (diçka) luftuan shumë për diçka, e mbrojtën duke derdhur gjak për të; vunë edhe jetën në rrezik. *Lisi i gjakut etnogr. I ka lyer duart me gjak (dikush) ka vrarë, ka marrë pjesë në një a në disa vrasje; ka bërë krime. E mori (e lau) gjakun etnogr. u hakmor për një vrasje në familje a në fis, bëri gjakmarrje. Të merr gjak në vetull (dikush). 1. Është trim i madh; është guximtar e s’i trembet askujt e asnjë rreziku. 2. Është shumë i zoti, ia arrin çdo qëllimi; s’ia ha qeni shkopin (dikujt); të shkel hijen (prapa); të ha (të qëron) të bardhën e syrit; noton në një (në dy) gisht ujë. S’i mbeti gjak (pikë gjaku) në fytyrë (dikujt) u zverdh shumë, u zbeh krejt (nga një sëmundje, nga frika etj.); u tremb pa masë, u trondit shumë; i iku gjaku nga fytyra; ndërroi fytyrë (dikush); u pre në fytyrë (dikush); i iku fytyra. S'i mbeti gjak në rremba (dikujt) shih s’i mbeti gjak (pikë gjaku) në fytyrë (dikujt). Me *mish e me gjak. I ndez gjakun (dikujt) e nxit dhe e bëj që të jetë i hedhur e i papërmbajtur; i jap guxim e trimëri; i jap zemër. I ndezi (i nxehu) gjakrat (dikush) i nxiti njerëzit për ta ashpërsuar grindjen a zënien, e acaroi gjendjen më tej; kund. i ftohu (i uli, i shoi, i shtroi, i zbuti) gjakrat. Iu ndez (iu avullua) gjaku (dikujt) u inatos, u zemërua shumë, u nxeh keq; iu nxeh gjaku1; i flakëron gjaku; e mori me valë (dikush); kund. iu ftoh gjaku. U ndezën (u nxehën) gjakrat filluan të zihen e të grinden keq me fjalë të ashpra e me gjaknxehtësi; u acarua gjendja; kund. u ftohën (u ulën, u shuan, u shtruan, u zbutën) gjakrat. Më ngriu (m’u prish) gjaku u frikësova nga diçka e papritur; u tremba shumë e menjëherë, u tmerrova nga frika, ngriva; u trondita pa masë; m’u prish (m’u turbullua) gjaku; më ra (më shkoi) gjaku në fund të këmbëve; m’u bë gjaku ujë; m’u bë gjaku mavi; m’u ngjiz (m’u mpiks) gjaku; më shkoi (më vajti, më ra) zemra te thembra1; më ngau shkuma; kund. më shkriu gjaku. Më ngriu gjakun (dikush a diçka) më trembi shumë, më futi një frikë të madhe sa më ngurosi; kund. më shkriu gjakun. Iu nxeh gjaku (dikujt). 1. U zemërua keq, u inatos, e humbi gjakftohtësinë; iu ndez (iu avullua) gjaku; e mori me valë (dikush); kund. iu ftoh gjaku. 2. Iu shtuan energjitë e mori vrull, i hipi inati për të bërë diçka dhe ia hyri me të gjitha forcat. Pështyu gjak (dikush) përçm. u tremb shumë, e mori vesh se çfarë e keqe e pret; i mbushi brekët (dikush) përb. vulg. Pi *gurin e gjakut. I pi (i thith) gjakun (dikujt) e shfrytëzon pa mëshirë e deri në palcë; e mundon tepër, e bën që të vuajë shumë, e sfilit për vdekje; i rrjep (i heq, i merr) lëkurën; i pi djersën. Deri në *pikën e fundit të gjakut. I pikon syri gjak (dikujt) e bën diçka duke u munduar shumë, lodhet jashtë mase për të arritur diçka, sfilitet. Më pikon (më kullon, më rrjedh) zemra gjak (për dikë a për diçka) më vjen shumë keq për dikë që ka pësuar një fatkeqësi; jam shumë i hidhëruar e i mërzitur për dikë a për diçka që ka ndodhur, e ndiej thellë dhe vuaj shumë. Më piqet (më ujdis) gjaku (me dikë) me puqet karakteri me dikë, duhemi, shkoj mirë me të; më pjek ylli. Më prish (më turbullon) gjakun (dikush a diçka) më tremb shumë dikush duke më thënë diçka të keqe, më trondit me një lajm të hidhur ose më zemëron me fjalët a me sjelljen e tij; më frikëson diçka e keqe që ka ndodhur, më shqetëson shumë diçka që nuk e prisja ose që nuk doja të ndodhte; më trazon gjakun. Nuk e prish (nuk e çart, nuk e turbullon) gjakun (dikush) nuk trembet a nuk frikësohet nga askush e nga asgjë; nuk preket e nuk trazohet nga askush e nga asgjë, nuk pyet për çfarë ka ndodhur a për të tjerët; nuk shqetësohet e nuk mërzitet fare se u bë a s’u bë diçka, është i qetë e indiferent, i merr punët shtruar e me gjak të ftohtë; nuk e prish gjumin; nuk do t’ia dijë; aq i bën (dikujt); nuk çan kokën; nuk e vë ujin në zjarr; s’e bën qejfin qeder; s’i djersin veshi (dikujt); nuk i hiqet asnjë ashkël (dikujt). M’u prish (m’u turbullua) gjaku u tremba a u frikësova shumë nga diçka e keqe; u shqetësova shumë, u trondita thellë; më ngriu (m’u pre) gjaku; m’u bë gjaku ujë; më ra (më shkoi) gjaku në fund të këmbëve. I është rrënjosur në gjak (diçka) i është ngulitur fort e në mënyrë të qëndrueshme, ka zënë vend thellë, i është bërë shprehi, nuk i hiqet më; i ka hyrë (i është futur) në gjak; ka lëshuar (ka zënë, ka hedhur) rrënjë. Ia sjell gjakun në *vend (dikujt). I shkon për gjak (diçka) shih e ka për fis (dikush). Shkoi (vajti) gjaku gjer në *gju (diku). Shkojnë gjak e lak shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, hahen e zihen vazhdimisht, kanë marrëdhënie shumë të acaruara; (shkojnë) si macja me miun; (shkojnë) si qeni me macen; shkojnë thikë e brisk; shkojnë majë më majë (majë e brisk); i kanë (i kanë vënë) gjilpërat majë më majë. Shkoi (rrodhi) gjaku *lumë (rrëke) (diku). Më shkriu gjaku u qetësova pas një shqetësimi të madh, kur mora vesh se s’ka ndodhur gjë e keqe etj., më iku tronditja a frika; erdha në vete; kund. më ngriu (m’u pre) gjaku. Më shkriu gjakun (dikush a diçka) më qetësoi pas një shqetësimi të madh, ma hoqi frikën a tmerrin, ma largoi tronditjen; kund. më ngriu gjakun. Më trazoi gjakun (dikush a diçka). 1. shih më prishi (më turbulloi) gjakun (dikush a diçka). 2. Më futi një dyshim a drojen se a do të bëhet ajo që dua, më prishi qetësinë e sigurinë; më futi (më shtiu) mizat. Pa u tharë gjaku (mirë) fill pas vrasjes së dikujt ose pa kaluar shumë kohë nga një luftë me shumë të vrarë; pa u harruar ende një fatkeqësi e rëndë, jo larg nga një e keqe e madhe që sapo ka ndodhur. I ujdis gjaku (me dikë) e duan njëri-tjetrin, shkojnë shumë mirë bashkë. Vë gjak. 1. Shëndoshem, ngjallem; fuqizohem mirë; vë dhjamë1. 2. Kënaqem shumë; gëzohem; vë dhjamë2. Më erdhi gjaku në *faqe. I vlon (i zien, i gufon) gjaku (dikujt) është plot gjallëri, ka shumë forca për të bërë diçka, s’përmbahet nga vrulli; është gati të hidhet për çdo gjë; i buçet gjaku; është në valë të gjakut (dikush). Iu zbut gjaku (dikujt) iu ul ca zemërimi, i ra pak inati; u bë i urtë e i butë, nuk është më i ashpër a i egër; u bë më i ndjeshëm. Ia zuri gjak (jetën) (dikujt) ia bëri jetën shumë të vështirë; ia nxiu jetën. S’i zë gjaku *vend (dikujt).
GJAKÓS vep., ~A, ~UR kal. 1. Vras a plagos një pjesë të trupit sa del gjak, përgjak. Gjakosi dorën. I gjakosi ballin.
2. E plagos a e vras dikë; vras e pres, përgjak. E gjakosi keq.
3. Përlyej diçka me gjak, përgjak. Gjakosi rrobat. Gjakosi këmishën.
✱Sin.: përgjak, gjakoj, gjakësoj, lakanis, lakëroj, njollos, përlyej, plagos.
GODÍTI vep., ~A, ~UR 1. kal. I bie dikujt a diçkaje me dorë, me këmbë a me një send tjetër, qëlloj dikë; e rrah. E goditi me dorë (me grusht, me pëllëmbë). E goditi me këmbë (me shkelm). E goditi me gurë. E goditi me kamxhik. E goditi në fytyrë (në kokë). Godit fort (rëndë, lehtë).
2. usht., kal. Shtie a qëlloj me armë zjarri kundër dikujt a diçkaje; sulmoj dikë a diçka. Godit armikun. Godit me artileri. Godit aeroplanin me kundërajror.
3. sport., kal. I bie topit me forcë (me dorë, me këmbë ose me kokë) në një drejtim të caktuar. Godit topin. Godit me dorë (me këmbë, me kokë).
4. kal., kryes., vet. v III Prek diku a diçka me forcë, rreh diçka; i bie, e merr (plumbi etj.). Topi goditi shtyllën (në shtyllë). Plumbi e goditi në shpatull.
5. kal. Lëndoj a plagos një pjesë të trupit, duke e përplasur a duke e përpjekur pas diçkaje; vras. Goditi dorën (këmbën). Goditi kokën (ballin).
6. kal., vet. v. III E lë në vend, e vret; i bie rrufeja; i bie një sëmundje e rëndë dhe e papritur etj., e cila bën që të humbasë vetëdijen ose i shkakton vdekjen menjëherë. E goditi rrufeja. E goditi dielli. E goditi. bised. i ra pika; i ra damllaja. E goditi në zemër vdiq menjëherë nga zemra.
7. fig., kal. Qortoj rreptë dikë për gabimet e të metat e tij, për qëndrimin a sjelljen ë tij me qëllim që të ndreqet; vë në dukje me forcë gabimet e të metat për t’i zhdukur këto; kritikoj rëndë. Godit dembelët (parazitët, rrugaçët). Godit gabimet (dobësitë, veset). Godit pikëpamjet e gabuara (zakonet prapanike). Godit ashpër. E goditi pas shpine (prapa krahëve).
8. fig., kal. Dëmtoj rëndë a shkatërroj krejt dikë a diçka; i jap dërrmën, e shpartalloj. Godit sektorin privat. Godit pa mëshirë.
9. kal., vet. v. III E prek, e kap një e keqe, që i shkakton dëm të madh. E goditi thatësira. E goditi tërmeti. I goditi kriza ekonomike. E kanë goditur shumë fatkeqësi (të këqija).
10. kal. (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) Më prek thellë në ndjenja, më ther. Më goditi në zemër.
11. jokal., vet. v. III Rreh me një trokitje (për zemrën, për damarët, për tëmthat ose për një mekanizëm). Godet zemra. Goditin damarët (tëmthat).
12. bised., jokal., vet. v. III Bie (për orën e murit). Ora goditi dymbëdhjetë.
13. fig., jokal. E kam qëllimin diku, synoj diku, rrah. E di ku godet ai. Aty godet ajo fjalë. Godet larg ai me këto fjalë.
14. jokal., njëvet. Ndodh, rastis, qëllon. Godit të vijë. Goditi që u ndodha në shtëpi.
✱Sin.: godas, qëlloj, mëshoj, grushtoj, shpartalloj, flakëroj, vras, rrah, rastis, sulmoj, rastis, qëllon.
♦ Godet (qëllon) *larg (dikush). Goditi (qëlloi) në *shenjë (dikush). Më goditi në *zemër (dikush a diçka).
GRI/J vep., ~VA, ~RË kal. 1. Copëtoj imët diçka me thikë, në makinë, në rende etj.; grimcoj. Grij duhan. Grij lakra (qepë). Grij mishin.
2. vet. v. III E gërryen, e bren. Soda i grin rrobat.
3. bised. Vras shumë njerëz a kafshë; dëmtoj në masë, shfaros. I griu me mitraloz (me shpatë). I griu kolera (murtaja).
4. fig., vet. v. III Më dhemb shumë diçka; më shqetëson a më ngacmon shumë; më bren përbrenda. Më griu barku. Më griu uria. Na grinë mushkonjat. I griu malli për vendlindjen.
5. fig., bised. Bëj që të shpenzojë shumë, faroj. E griu nga lekët.
6. fig., bised., keq. Flas shumë e pa përgjegjësi, llap. Grin gjithë ditën. Grin lakër (sallatë) thotë gjepura, flet kot.
7. bised. E zotëroj a e di shumë mirë një lëndë. Të grin në gjuhë.
8. fig., bised. Fitoj shumë. Grinte para.
✱Sin.: lakanis, lakëroj, brej, bluaj, pres, vras, shfaros, shuaj, fitoj, llomotis, llap.
♦ Grin *lakra (dikush). Grin *sallatë (dikush). Më grijnë (më gërryejnë) *zorrët. *Korr e grin (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë