Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BRÁZD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vijë e gjatë që hapim në arë me plug ose me një vegël tjetër bujqësore, hulli. Brazda e parmendës. Brazdë me shat. Brazda pa kokë hulli pa farë drithi. Ujitje me brazda. Hap (bëj) brazda. Hedh farën në brazdë. Dhe kau i mirë, po s’e shpove, nuk tërheq brazdë. (folk.).
2. Vijë a thellim pak a shumë i gjatë në sipërfaqen e diçkaje; rrudhë. Brazdat e ballit. Brazda e lundrës në ujë. Brazdat e trurit. Trung me brazda në lëkurë.
3. fig. Vijë a rrugë në të cilën ecën ose zhvillohet diçka; gjurma që lë diçka; përshtypje, mbresë e thellë. Brazdë e pashlyeshme. Brazdat e jetës.
✱Sin.: hulli, vijë, vazhdë, zagën, trap, rrudhë, palë, zhubër, zhubël, tutël, mbresë, gjurmë, vragë, efekt.
♦ Ra në brazdë (në hulli) (dikush) erdhi aty ku duhet, mendon a bën atë që duhet; pranoi diçka a u mor vesh me dikë për diçka, u pajtua me të; ra në ujdi; kund. doli nga brazda (nga hullia). Ra në një brazdë (me dikë) u morën vesh; ra në ujdi. Doli nga brazda (nga hullia) (dikush) nuk sillet e nuk bën më si duhet, është shmangur nga rruga e drejtë, nuk vepron mirë, ka shkarë; kund. ra në brazdë (në hulli). I shkon për brazde (dikujt) shih i shkon (i vete) pas avazit (dikujt). E vë (e fut) në brazdë (në hulli) (dikë) e vë në rrugë të mbarë dikë që ka shkarë e sillet a vepron keq, e bëj të sillet mirë. Erdhi në brazdë (në hulli) (dikush) vihet në rrugë të mbarë dikush që ka shkarë e sillet a vepron keq, nis të sillet mirë.
GJÚRM/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shenjë që lë shputa e këmbës së njeriut ose thundra a putra e kafshëve; shenjë mbi diçka nga prekja nga një goditje, nga diçka që lëviz a që rrëshqet etj. Gjurmë të reja. Gjurmë këmbësh. Gjurmë kali. Gjurmët e rrotave. Shkoi pas gjurmëve. Gjurma e kërmillit.
2. Shenjë, njollë etj., që ngel mbi sipërfaqen e diçkaje nga prekja e një lënde ose nga shtypja e një sendi; diçka që ka mbetur në sipërfaqe prej një lënde. Gjurmët e gishtave. Gjurmët e goditjeve. Gjurmët e lagështirës. Gjurmë gjaku. Gjurmët e avionëve reaktivë. Mbledh këmbët për të fshehur gjurmët bëj gjoja sikur tërhiqem ose sikur pendohem për të fshehur veprimet e këqija.
3. kryes. sh. Shenja të veçanta, që dëshmojnë se diçka ka qenë a gjendet aty; shenja a dëshmi të mbetura nga diçka e së kaluarës; pasojat e një veprimi, e një dukurie etj.; shfaqje e jashtme e diçkaje; gërmadhë; rrënoja. Gjurmët e mineralit. Gjurmët e ujit. Gjurmët e qytetërimit ilir. Gjurmët e tërmetit. Gjurmët e sëmundjes. Gjurmët e lodhjes. Unë them “ja ujku”, ti kërkon gjurmët (kur ke ujkun, mos i kërko gjurmët!) (fj. u.) kërkon të fshehësh diçka që duket fare qartë; kërkon të vërtetën jo aty ku ajo duket qartë, por aty ku ajo mbulohet e errësohet.
4. kryes. sh., fig. Frytet e një veprimtarie; përshtypje, mbresa; rruga ose shembull i mëparshëm që ndiqet nga dikush. La gjurmë në shkencë (në histori). Në gjurmët e rilindësve. E drejtë e gjurmës (etnogr.) e drejtë kalimi vetëm për këmbësorë. E ndjek (e marr) gjurmën mbrapsht e nis keq një punë a diçka tjetër.
5. kryes. sh., bised. Gjurmashka. Një palë gjurmë.
6. Masë gjatësie sa shputa e këmbës, këmbë. Është dhjetë gjurmë.
7. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje bimësh. Gjurmë mushke (lat. Tussilago farfara) bimë barishtore njëvjeçare, që rritet në vende të lagështa dhe përdoret si bimë mjekësore; thundërmushkë. Gjurmë e ujkut zhabinë.
✱Sin.: fërkem, dire, trivë, vragë, mbresë, tragë, vazhdë, ravë, pasojë, përshtypje.
♦ Bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje) e zbuloj dikë a diçka, mësoj se ku ndodhet, e diktoj; i gjej gjurmët (dikujt a diçkaje); i marr gjurmën (dikujt a diçkaje); i bie në erë (dikujt a diçkaje); kund. humbas gjurmët (e dikujt a të diçkaje). I gjej gjurmët (dikujt a diçkaje) shih bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje). I humb (i mbulon, i fsheh) gjurmët (dikush) i mbulon të gjitha shenjat për të mos u zbuluar një veprim që ka kryer, fsheh çdo shenjë, çdo të dhënë etj. që mund ta zbulonte; nuk ia gjen (dot) këmbët (dikujt). I humbi gjurma (dikujt a diçkaje) nuk duket më asgjëkund, nuk është më, nuk gjendet më; i humbi traga; iu shua ylli. Humbas gjurmët (e dikujt a e diçkaje) nuk jam më në gjendje ta ndjek më tej, nuk e di më ku është, shkëputem nga lidhjet me dikë a me diçka; humbas tragën; kund. bie në gjurmë. E kërkoj në gjurmë të kalit (dikë a diçka) e kërkoj gjithandej, nuk lë vend pa kërkuar. Lë gjurmë (të thellë). 1. (diçka). Bën përshtypje (të thellë) diçka; nuk kalon pa u ndier; kujtohet. 2. (dikush). Lë prapa punë e vepra të mira, lë një shembull të mirë për t’u ndjekur; lë mbresa; lë tragë. I marr gjurmën (dikujt a diçkaje) e mësoj se ku ndodhet sipas shenjave që ka lënë, e diktoj se ku është; e ndjek pas për ta zbuluar; bie në gjurmë (të dikujt a të diçkaje); i bie në erë. Ndjek gjurmët (e dikujt) veproj sipas shembullit të dikujt, vijoj punën a veprën e tij, bëj si ai; eci nëpër rrugën që ka shkelur ai; shkel në gjurmët (e dikujt); shkoj (eci) pas gjurmëve (të dikujt). E ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme) (dikë a diçka) shkoj pas dikujt, e ndjek këmba-këmbës e bëj si ai; e ndjek diçka pa iu ndarë; e ndjek në çdo hap; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap. Shkel në gjurmët (e dikujt) shih ndjek gjurmët (e dikujt). Të shkelsha gjurmën! mallk. vdeksh! E shkel në gjurmë (dikë) e do, e respekton shumë dikë; e ka mbi krye e sipër. Sa shkëmben gjurmën (dikush) shumë ngadalë, me hapa të vegjël, sa nuk takon gjurma gjurmën. Shkoj (eci) pas gjurmëve (të dikujt) shih ndjek gjurmët (e dikujt). (U zhduk, humbi) pa lënë gjurmë (dikush a diçka) nuk dihet fare se ku gjendet, nuk dihet se ç’është bërë; u zhduk pa lënë asnjë shenjë, s’mbeti asgjë prej tij a prej saj; nuk i duket (i humbi) boja (diçkaje); s’i duket (s’i gjendet) binaja (dikujt a diçkaje).
PLÁG/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Vend në trup i çarë, i prerë a i shpuar me plumb, me thikë ose me ndonjë send tjetër; vend i vrarë nga një goditje e fortë; vend i operuar që nuk është mbyllur ende; vend i infektuar a i qelbëzuar. Plagë e rëndë (e lehtë). Plagë e hapur (e gjallë) plagë që nuk është mbyllur. Plagë e mbyllur (e përtharë). Plagë plumbi. Shenjë plage. Lidh (mjekoj) plagën. U shërua (u mbyll, vuri kore) plaga. I rrjedh plaga. Iu acarua plaga. I dhemb plaga. Plaga shërohet, po fjala e hidhur s’harrohet. (fj. u.). Plaga e ligë (veter.) plasja e gjësë së gjallë. Tërfil plagësh (bot.) luleleshe. Më zi plaga e gjuhës se plaga e pushkës. (fj. u.).
2. E prerë a e çarë në trungun e një bime; vendi i dëmtuar në një bimë, që shkaktohet nga goditja me diçka të fortë. Plagët e trungut (e rrënjës). Iu mbyll plaga qershisë. Nga plaga e breut derdhet rrëshira erëmirë. (fj. u.).
3. fig. Dhembje e madhe shpirtërore, brengë; diçka që të lëndon zemrën, të pikëllon a të shkakton vuajtje; vuajtje e thellë. Plagë e vjetër. Ia hapi (ia lëndoi, ia ngacmoi, ia trazoi, ia cingërisi) plagën dikujt. Më ka mbetur plagë. Ia la plagë në zemër. E preku në plagë. Dhembjet bëhen plagë e plagët zënë kore. (fj. u.).
4. fig. Diçka e keqe, nga e cila vuan tërë shoqëria, e keqe shoqërore që zgjat e mezi zhduket. Plagë shoqërore. Plagë shekullore (e pashërueshme). Plaga e emigrimit.
5. si mb. I plagosur, me plagë; si plagë. E ka kurrizin plagë. I kishte këmbët plagë. Ia bëri trupin plagë.
✱Sin.: varrë, plagomë, lavomë, e vrarë, zdrëmë, brengë, vragë, çarje, prerje, e prerë, e çarë, shembje, e shpuar, vurratë, dëmtim, traumë, dhembje, pikëllim, vuajtje, fatkeqësi.
♦ M’u bë plagë (plaçkë) në sy (dikush a diçka) nuk mund ta shikoj dot, nuk e duroj dot; e kam halë në sy. M’u bë plagë (lungë) në zemër (në shpirt) u brengosa shumë; u preka thellë; m’u bë zemra (shpirti) plagë. M’u bë zemra plagë vuaj shumë, jam vrarë shpirtërisht nga një humbje, nga një fatkeqësi etj.; më vjen shumë keq; m’u bë zemra (shpirti) copë; m’u bë plagë (lungë) (në zemër); e kam zemrën plagë; m’u bë zemra shpellë. Ma bëri zemrën plagë (dikush a diçka) shih ma plagosi zemrën (dikush a diçka). I gërvishti (i ngacmoi) plagën (dikujt) i kujtoi dikujt një fatkeqësi a një ngjarje të hidhur, që ai e kishte fashitur; e ngacmoi aty ku i dhemb e s’duron, e preku në diçka që e shqetëson; e preku në plagë (dikë); ia lëndoi plagën; i ngacmoi dregëzën. I hap plagën (dikujt) e lëndoj duke i kujtuar diçka të hidhur, që e ka vuajtur më parë dhe që është fashitur disi; i çel jaki të keqe; kund. i mbyll plagën. Është *melhem për plagë (dikush). E kam plagë (në zemër) (diçka) më ka shqetësuar shumë, më ka hidhëruar shumë dhe e kujtoj gjithnjë, më ka lënë një mbresë të thellë e nuk e harroj kurrë (një humbje, një fatkeqësi etj.); m’u bë zemra plagë (nga diçka); e kam dregëz në zemër; e kam peng (në zemër); e kam thikë në zemër; e kam gozhdë në zemër; e kam pikë në zemër; nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja. E kam zemrën plagë kam pësuar një tronditje të thellë shpirtërore nga diçka që më bën të vuaj, jam shumë i brengosur e i pikëlluar; m’u bë zemra plagë; e kam zemrën (shpirtin) të vrarë; e kam zemrën pleh. Ia lehtësoi plagën (dikujt) ia zbuti dhembjen shpirtërore, ia lehtësoi vuajtjet; e qetësoi, e ngushëlloi. Ia la plagë në zemër (në shpirt) (dikujt) e bëri dikë të ketë një dhembje shpirtërore a brengë të madhe, e bëri të vuajë thellë e për një kohë të gjatë. Ia lëndoi plagën (plagët) (dikujt) ia shtoi brengën a dhembjen shpirtërore, duke i kujtuar fatkeqësinë që i ka rënë, e preku dikë atje ku i dhemb; i gërvishti (i ngacmoi) plagën. Lëpijnë plagët (çibanët) (e njëri-tjetrit) keq. mbulojnë të metat a fajet e njëri-tjetrit, mbrojnë a qetësojnë njëri-tjetrin. Mori një plagë (të rëndë) (dikush) pësoi një fatkeqësi të rëndë dhe ka një brengë të madhe a një vuajtje shpirtërore të thellë, u plagos rëndë shpirtërisht nga një ngjarje e hidhur. Më mbeti plagë në zemër (në shpirt) (diçka) më la mbresë të thellë në shpirt, më pikëlloi a më bëri të vuaj, jam i plagosur rëndë shpirtërisht; e kam brengë (në zemër). I mbyll plagën (dikujt) e qetësoj, duke ia zbutur pasojat e këqija ose të rënda, ia përmirësoj gjendjen; e bëj të harrojë një fatkeqësi; ia fashit një dhembje shpirtërore; i shëroj plagën; kund. i hap plagën. M’u mbyll plaga u qetësova, m’u zbut a m’u fashit dhembja e madhe shpirtërore a brenga që kisha, i harrova vuajtjet a fatkeqësitë; m’u përtha plaga. M’u përtha plaga m’u zbut një dhembje shpirtërore; m’u fashit një kujtim i hidhur; m’u mbyll plaga. Plagë e hapur dhembje shpirtërore a fatkeqësi që nuk ka kaluar e nuk është mbyllur, vuajtje e thellë a brengë që nuk është fashitur; kund. plagë e mbyllur. Plagë e mbyllur dhembje shpirtërore a fatkeqësi që ka kaluar dhe është mbyllur, vuajtje e thellë a brengë që është fashitur; kund. plagë e hapur. Si plaga qelbin me vështirësi të mëdha, me shumë lodhje e mundime (zakonisht për të mbledhur para e ushqime). Preku në plagë (dikush) përmendi atë që është më e rëndësishme, më thelbësore a më e dhimbshme për dikë, preku aty ku duhet; preku pikën më delikate të një çështjeje, zbuloi gjënë më shqetësuese; gjeti pikërisht atë që e mundon dikë; vuri gishtin në plagë. E preku në plagë (dikë) i përmendi a i kujtoi atë dobësi ose atë fatkeqësi të rëndë, që i ka shkaktuar një dhembje të madhe shpirtërore a një brengë, e preku atje ku s’duron dot; i gërvishti (i ngacmoi) plagën (dikujt); e preku në dregëz; i shkeli në kallo (dikujt); e goditi në zemër; i ra nenit të këmbës (dikujt). I shëroj plagën (dikujt) ia heq një dhembje shpirtërore e ia largoj një brengë që e mundon; i mbyll plagën. Vuri *gishtin në plagë (dikush). Ka zënë *dregëz (plaga). Ka zënë *kore (plaga).
PËRSHTÝPJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Mbresë që na lë në ndërgjegjen tonë diçka që shohim a dëgjojmë, diçka që përjetojmë dhe që zakonisht ruhet për një kohë të gjatë. Përshtypje e thellë (e madhe). Na bëri (na la) përshtypje shumë të mira (të këqija). Nuk i bëri asnjë përshtypje.
2. Mendimi që kemi formuar për dikë a për diçka, pasi e kemi parë, pasi jemi njohur nga afër me të etj. Përshtypja nga muzeu (ekspozita). Përshtypjet e të huajve për vendin tonë. Krijon përshtypjen se... Kam përshtypjen se...
3. Shënime rreth dikujt a diçkaje, që përmbajnë mbresat që na ka lënë, mendimin e vlerësimin tonë për të. Përshtypje udhëtimi. Libri i përshtypjeve.
✱Sin.: mbresë, gjurmë, vragë, efekt, ide, ndijim, brazdë, jehonë, bujë, mendim, kujtim.
SHÍT/Ë,~AI f. 1. mit. Ndëshkimi që u bënin zanat njerëzve, shuplakë nga zanat, të shituarit. - Të rëntë (të shitoftë) shita! (mallk.) E zuri shita.
2. Shigjetë e vogël dhe e hollë (kryesisht në ligjërimin e grave). E përshkoi shita. Maja e shitës. Lëshoi shitën.
3. veter. Sëmundje e bagëtive të imëta, nga e cila çalojnë; shkepëz, çalë. U ka rënë shita bagëtive. Sëmundja e shitës. Parandalimi i shitës. Bar shite (bot.) (lat. Polygonatum officinale) lloj bari që përdoret për mjekimin e shkepëzës. I duhej të gjente pak bar shite.
3. Goditje me dorën e hapur, pëllëmbë, shpullë, shuplakë. I dha një shitë. Nuk e priste atë shitë. Mbeti si i trullosur nga shita. Shita nuk po i mbyllej.
4. Vend i vrarë në trup, plagë, çarje, varrë. Shita e plumbit. Mjekoj shitën.
✱Sin.: çalë, shkepëz, shkeptyrëz, pëllëmbë, shpullë, shuplakë, çarje, lavomë, plagomë, prerje, varrë, vragë.
TRÁG/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Vijë që lë një rrotë e një mjeti. Traga e qerres. Shkoj (eci) pas tragës tragëzoj. Lë tragë. E gjeti rrugën me traga.
2. fig. Gjurmë. Traga e gjakut. Eci pas tragës. E humbi tragën.
3. Udhë e ngushtë dhe e vështirë në mal; dhiare, vragë. Tragë e fshehtë. Tragë e verbër udhë e ngushtë që herë shquhet e herë nuk duket fare. Tragë mali. Humbi tragën.
4. fig. Drejtimi që merr një punë, një ngjarje etj.; rrugë, hulli, vijë, brazdë. S’di ç’tragë do të marrë. E futi në tragë.
5. Mend; mendje. Njeri me tragë. S’ka tragë. I iku traga.
✱Sin.: vijë, shenjë gjurmë, udhë, dhiare, monopat, vragë, rrugë, hulli, vijë, brazdë.
♦ Humbas tragën. 1. shih humbas gjurmët. 2. Hutohem pas dikujt a pas diçkaje, nuk di ç’të bëj, shastisem. I humbi traga (dikujt a diçkaje) shih i humbi gjurma (dikujt a diçkaje). Iku nga traga (dikush) u çmend, lajthiti, shkau; lajthiti nga mendtë; luajti mendsh (nga mendtë); ka dalë nga binarët. Nuk ka tragë (dikush) nuk ka ndërmend të bëjë diçka, nuk ka qëllim a nuk synon të bëjë diçka; nuk ka syII 1; nuk e ka syrin. Lë tragë (të thellë) (dikush a diçka) shih lë gjurmë (të thellë) (dikush a diçka). Shkoj pas tragës (së dikujt) shih shkoj (eci) pas gjurmëve (të dikujt). E vuri në tragë (dikë a diçka) shih e vuri në udhë (të mbarë) (dikë a diçka). U vu në tragë (dikush a diçka) shih u vu në udhë (të mbarë) (dikush a diçka).
VÁRR/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Plagë e bërë me plumb, thikë a që është goditur me mjete të forta. Varrë e lehtë (e rëndë). Varrë pushke (thike). Iu infektua varra. I lau varrën. Ia lidhi varrën...
2. fig. Brengë, hidhërim, diçka që të lëndon dhe të bën të vuash. Më ka mbetur varrë. E kam varrë në zemër (në shpirt). Varra e fjalës është më e rëndë se varra e pushkës. (f.u).
✱Sin.: çarje, lëndim, lavomë, vurratë, plagomë, vragë.
♦ Të ha *arrat e të bën varrat (dikush) keq.
VÁZHD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shenjë, gjurmë a vijë e zgjatur që mbetet në një sipërfaqe pasi kalon nëpër të një njeri a një mjet ose zvarritet diçka; shenjë a gjurmë që mbetet diku dhe dëshmon për diçka, vragë. Vazhdat e qerres. Vazhdë gjaku. Vazhdë tymi (avulli). Vazhda mbi dëborë. La pas një vazhdë. I shkoi pas vazhdës. E humbi vazhdën. Një vazhdë pluhuri.
2. Rrugë e ngushtë në një vend të thyer a në dëborë; udhë dhish, dhiare, monopat. I çoi dhitë nëpër vazhdë. Nëpër ato rrëpira gjendej vetëm një vazhdë dhish për të kaluar.
3. Hulli, brazdë; diçka që zgjatet si shirit a si rresht; vijë; varresht; gjurmë: Vazhdë e barit të kositur. Hoqi një vazhdë me plug në arë. Mblodhi vazhdën e barit të kositur. La pas një vazhdë.
4. Vija në mes të dy dërrasave të mbërthyera njëra pranë tjetrës. Vazhdat e dyshemesë (e tavanit). Dyshemeja prej druri kishte vazhda të dukshme. Vuri re vazhdat e tavanit prej dërrase.
5. fig. Gjurmë. La pas një vazhdë. Shkoi pa lënë vazhdë.
✱Sin.: tragë, ravë, vjaskë, vanë.
♦ E ka bërë vazhdë (diçka) shih e ka bërë vijë (diçka). E vë në vazhdë (dikë) shih e sjell në rrugë të drejtë (të mbarë) (dikë).
VÍJ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Shenjë e zgjatur nga një pike te një tjetër, që bëhet në një sipërfaqe ose që është pjesë e një vizatimi; çdo gjë që ka trajtën e kësaj shenje. Vijë e hollë (e trashë). Vijë e shtrembër. Vijë e ndërprerë. Vijë anësore (fundore) (sport.) Vijat e pantallonave. Vija e flokëve. Vijat e fushës së futbollit. Vijat e forcës (fiz.) Fletore me vija.
2. Rrip i ngushtë ngjyre në diçka; çdo gjë që ka trajtën a pamjen e një brezi. Fustan (fanellë, shall) me vija. Qilim pa vija. Mozaik me vija.
3. gjeom. Kufiri anësor i një sipërfaqeje, i cili ka vetëm përmasën e gjatësisë; shenja e këtij kufiri në një sipërfaqe; drejtëz. Vijë e drejtë (e lakuar, pingule). Vijë e thyer vijë që zgjatet në drejtime të ndryshme. Vija paralele. Heqim një vijë.
4. Kufiri që ndan diçka ose që shënon caqet e një sipërfaqeje a hapësire; shenja që paraqit një kufi të tillë në hartë. Vija kufitare. Vija bregdetare. Vijë ndarjeje edhe fig. Vijë ujëndarëse. Vija e horizontit. Vija e ekuatorit (gjeogr.) Vija e frontit (usht.). Vija e zjarrit (usht.). Vija e mbrojtjes (usht.). Vija e armëpushimit (e ndalimit të zjarrit) (usht.).
5. E thelluar e gjatë dhe e ngushtë, që hapet në tokë për të kaluar uji; rremë e vogël uji në arë etj. Vijë ujitëse (kulluese). Vijë uji. Vija e mullirit. Një vijë uji. Hapën një vijë. E zgjeruan (e thelluan) vijën. Ujitin me vija.
6. Hullia e plugut, e parmendës etj. në arë. Vijat e traktorit. Vijat e plugut (parmendës). Bënë vijat.
7. Gjurmë a shenjë që lë diçka mbi një sipërfaqe; vragë. Vijat e qerres. Vijë gjaku. Vijat e ullakut (shiut).
8. E thelluar në trajtë vjaske në një sipërfaqe; rrudhë e ngushtë në diçka. Vijat e dorës. Vijat e ballit.
9. Rrugë komunikacioni që lidh dy a më shumë vende, qendra a pika të caktuara; sistem telash a kabllosh për të përcjellë rrymën elektrike ose për lidhje telefonike e telegrafike; linjë. Vijë hekurudhore. Vijë ajrore (ujore, detare). Vijë lundrimi. Në vijën Tiranë-Gjirokastër. Në vijën Tiranë-Prishtinë. Në vijën ajrore Tiranë-Romë. Në vijën detare Durrës-Bari.
10. Varg njerëzish a sendesh njëri pas tjetrit; varg lojtarësh të caktuar me një detyrë kur luajnë me top (në një ndeshje futbolli, volejbolli etj.); rresht, kolonë. Vija e parë. Vija e sulmit. Vija e mbrojtjes. Në një vijë (në dy vija).
11. Drejtimi i diçkaje. Vija e shikimit (e të parit). Vijë shënimi (usht.). Vija e fluturimit të plumbit.
12. fig. Mënyrë veprimi; rrugë që ndjek një parti, qeveri etj.; mënyrë si mendon, vepron, drejton a udhëheq ajo. Vija e drejtë (parimore). Vija e përgjithshme. Vija themelore. Shkeli vijën.
13. Vijueshmëri e rregullt e notave a e toneve në muzikë. Vija melodike (muzikore).
✱Sin.: drejtëz, vizë, vijëz, rruvijë, vizgë, hulli, prijë, vijëzim.
♦ E ka bërë vijë (diçka) po e përsërit gjithnjë, e ka bërë gjë të zakonshme; e ka bërë vazhdë. I hoqi (i vuri) vijë (*vizë) (dikujt a diçkaje). Është në vijë. 1. (diçka). Është në rregull, shkon mirë, ecën mirë e po zgjidhet; është në rrugë të drejtë (të mbarë). 2. (dikush). Sillet e punon mirë; e ka në vijë; është në fije. S’ka gjë në vijë (dikush) s’po i ecën puna ashtu si duhet, nuk ka shpresë të arrijë diçka; s’ka gjë në torbë; s’ka gjë në të. E ka në vijë (dikush) i ecën mirë çdo gjë dikujt; s’ka asnjë problem a shqetësim; e ka në terezi; i ka qiqrat të mbara; i shkon tymi drejt (dikujt); kund. s’ka gjë në vijë (dikush). I ka në vijë (punët etj.) (dikush) i shkojnë mbarë e mirë punët, çdo gjë është në rregull; s’ka përse të shqetësohet. Nuk nxjerr gjë në vijë (dikush) shih nuk e nxjerr në krye (dikush). Një nga *dhia e dy nga vija (dy nga vija e një nga dhia). *Varg e vijë (e vistër). E vuri (e solli) në vijë (dikë a diçka) shih e vuri në udhë (të mbarë) (dikë a diçka). Erdhi në vijë (dikush a diçka) shih erdhi në udhë (dikush a diçka). Në vijë të drejtë. 1. Në lidhje të pandërmjetme gjaku, me prejardhje të drejtpërdrejtë (në marrëdhëniet farefisnore). 2. (për diçka). Ashtu siç është a si ka rrjedhur, duke lënë mënjanë ndryshimet që ka pasur. Në vijën e parë në punët më të vështira ose atje ku rreziku është më i madh; në ballë të punës a të njerëzve; përballë rreziqeve a vështirësive, pa iu shmangur asgjëje; ballazi e me trimëri. Me një vijë pene shih me një të rënë të lapsit. Në vija të trasha në përgjithësi, pa hyrë në hollësira; në gjërat thelbësore; e la trashë (diçka).
VRÁG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Rrugë e ngushtë nëpër një pyll ose në fushë për kafshë a për kalimtarë; dhiare. Vragë e parrahur. Vragë e verbër udhë e ngushtë në pyll a në mal që mezi dallohet, që herë duket e herë zhduket a që nuk të nxjerr gjëkundi. Hapi një vragë (nëpër dëborë...). Ndjek vragën.
2. Vija që lë rrota e qerres a diçka tjetër në sipërfaqen e tokës. Vragat e qerres. Vragat e biçikletës. Vraga e kërmillit.
3. Shenjë në trupin e njeriut a të kafshës nga një plagë, nga të goditurit me shkop etj.; gjurmë. Vragat e plagëve. Ia bëri një vragë me shkop. Në kurrizin e lopës dukej një vragë e thellë dhe e gjatë e bërë nga brirët e kaut.
4. fig. Mbresë, përshtypje, gjurmë; plagë. Lë vragë të thellë. I çeli një vragë në zemër. Mbetet vragë e pashlyer.
✱Sin.: dhiare, monopat, gjurmë, vijë, shenj, vrajë, plagë, vurratë, përshtypje, mbresë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë