Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FSHÉHTAZI ndajf. Fshehtas, fshehur. Bëri çdo gjë fshehtazi.
✱Sin.: fshehtas, fshehur, fshehurazi, tinëz, tinëzisht, vjedhurazi, vjedhurisht, vjedhas, përvjedhurazi, kusarisht, hajdutërisht.
HAJDÚTÇE ndajf. 1. Fshehurazi, si hajdut, hajdutërisht; vjedhurazi. Hyri hajdutçe. Iku (u largua) hajdutçe. E mori hajdutçe.
2. vjet. Kaçakçe.
✱Sin.: fshehurazi, vjedhurazi, hajdutërisht, hajnisht, kusarisht.
HAJDUTËRÍSHT ndajf. Fshehurazi, si hajdut, hajdutçe. Hyri (u fut) hajdutërisht. Iku hajdutërisht. E bëri hajdutërisht.
✱Sin.: fshehurazi, tinëz, kusarisht, vjedhurazi, vjedhtas, përvjedhtas, hajnisht.
HAJNÍSHT ndajf. 1. Hajdutërisht, kusarisht.
2. Fshehurazi, tinëz. U largua hajnisht. Kemi ardhur hajnisht!
✱Sin.: fshehurazi, tinëz, kusarisht, vjedhurazi, vjedhtas, përvjedhtas, hajdutërisht, hajdutçe.
PËRGJ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Rri fshehur diku e dëgjoj a vëzhgoj dikë për të marrë vesh çfarë thotë, çfarë bën etj.; ndjek fshehurazi veprimet e dikujt, vëzhgoj pa më parë kush. Përgjonte me kujdes. Përgjonin çdo lëvizje të shpendëve shtegtarë.
2. Vështroj dikë a diçka tërthorazi, e shikoj vjedhurazi. Përgjon me bisht të syrit.
3. Ruaj dikë që ta zë në befasi a të papërgatitur, e ndjek për ta kapur, për ta dëmtuar, për ta sulmuar etj. E përgjonte si macja miun.
4. I rri pranë një të sëmuri rëndë, e ruaj; kaloj natën pranë një të sëmuri që është duke vdekur; ruaj një të vdekur. E përgjuan gjithë natën.
5. Pres që të vijë dikush; pres me padurim dikë a diçka. E përgjuan deri vonë. Përgjonin urdhrin e sulmit.
✱Sin.: gjurmoj, gjuaj, ruaj, ajgëtoj, veshtoj, survejoj, përbuj, pres, vëzhgoj, ndjek, vigjiloj, mbikëqyr, gjej, tragëzoj, spiunoj.
RE em. palak. Trajtë e shkurtuar nga roe, që përdoret vetëm në togfjalëshin vë re.
♦Vë re (dikë a diçka). 1. E shoh; e shikoj; ma zë (ma kap) syri; më bie në sy (dikush a diçka).
2. E rrok a e kuptoj diçka që nuk e kisha parë më përpara; nis ta shoh dikë.
3. Vëzhgoj; gjej a zbuloj nga një shqyrtim; e nxjerr në shesh (diçka).
4. Shoh me kujdes; dëgjoj me vëmendje; i vë mendjen (diçkaje); i vë veshin (diçkaje).
5. Kujdesem për diçka a për dikë, tregoj kujdes.
6. moh. Nuk më bën përshtypje, nuk e ndiej; nuk i jap rëndësi, nuk i kushtoj aq vëmendje; nuk më vjen keq për atë që thotë a që bën dikush, e lë të kalojë, bëj sikur s’e shoh a s’e dëgjoj. Pa u vënë re pa tërhequr vëmendjen e të tjerëve, pa u diktuar; fshehurazi, vjedhurazi; pa rënë në sy.
SHIK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Drejtoj sytë nga dikush a diçka, hedh vështrimin mbi të. - Çfarë po shikon? - Kë po shikon?
2. kal. Bëj përpjekje të dalloj a të zbuloj diçka me anën e të parit; e ndjek me sy dikë a diçka, vështroj. Shikoj semaforin (orën, termometrin). Shikoj me syze (me dylbi, me mikroskop, me teleskop). Shikonte njerëzit që kalonin. E shikoi nga koka (deri) te këmbët. E shikoi me vëmendje (me trishtim, me gëzim, me kujdes). - Shiko sa vajti ora! – Shiko, a duket autobusi! E shikoi derisa i humbi nga sytë.
3. kal. Kundroj diçka me ëndje për një kohë të gjatë, sodit. Shikojmë malet me dëborë. Shikoj natyrën.
4. jokal. Shoh në një drejtim të caktuar, i kam sytë të kthyer drejt diçkaje; e vështroj dikë a diçka në një mënyrë të caktuar. Shikonte me bisht të syrit. Shikoi vjedhurazi (shkarazi, fshehurazi). Shikonte rreth e rrotull. - Shiko këtu (drejt)! - Mos shiko prapa. Shikoj përjashta. Shikon nga qielli. Shikoj nga shumë afër (larg).
5. jokal. Kam aftësinë të perceptoj me anën e shqisës së të parit, shoh. Shikoj mirë me syze. Shikoj keq pa lente.
6. jokal., fig. Kontrolloj, zbuloj se cilat janë mundësitë e mia. - Mos u ligështo, por shiko përpara.
7. kal. Këqyr a vërej me kujdes diçka, shqyrtoj. E shikoj hollë diçka. E shikoi çështjen shtruar. E shikoi kërkesën tënde.
8. kal. Lexoj a kontrolloj diçka për të gjetur atë që më intereson. Shikoj listën e aplikuesve (zgjedhësve).
9. kal. I hedh një sy duke e lexuar. Shikoj celularin (postën elektronike). Shikoj gazetat (revistat). Shikon gjithë ditën portalet.
10. kal. Vëzhgoj, këqyr; kontrolloj mirë për të gjetur diçka a për të marrë vesh çfarë ka; provoj; rrëmoj. Shikoj dosjet një nga një. Shikoj në çantë (në raft, në sirtar). - Shiko nëpër shtëpi (prapa derës, nën tryezë)! - Shiko nëpër xhepa! Shikojmë me shqetësim se... - Shiko mirë ku vë këmbën. Shikoj gjellën për kripë. Shikoj dyqanin për ushqime. Shikoj bibliotekën për një libër. - Shikoje veten si pasqyrë! - Mos shiko se ç’thotë, po shiko se ç’bën në botë! (fj. u.). Mos i shiko gunën, po shikoji punën! (fj. u.).
11. kal. Krijoj një mendim a opinion për dikë. E shikon me sy të mirë (të keq, të shtrembër). E shikon me dashamirësi. E shikon me syrin e njerkës tregohet i padrejtë, e trajton ndryshe dikë.
12. kal. edhe jokal. Ka një pozicion të caktuar gjeografik, është me pamje nga veriu, lindja etj. Dritaret shikojnë nga jugu. Nuk e shikon dielli.
13. kal. Shoh diçka a dikë. Po shikonin lajmet. E shikoj rrallë. Shikon shumë ëndrra.
14. kal. Vizitoj, shkoj për të parë diçka apo dikë. Shikoj ekspozitën. Shikoj filmin e ri. Shikojmë shfaqen e re. Shkova ta shikoja në spital.
15. kal. edhe jokal. Dëgjoj me vëmendje dikë, i vë veshin, i marr në konsideratë këshillat; kam kujdes. - Shiko këtu! Sakrifikojmë për ty. - Shiko se ç’thotë! - Shiko mos afrohet te pusi! - Shiko mos rrëzohesh (mos biesh, mos shkasësh)! - Shiko mos i ka ndodhur ndonjë gjë! - Shiko mos harrosh! - Shiko, mos u nxito! - Shiko, mos e bëj se do ta pësosh! - Shiko të dalësh i pari! - Shiko mirë, se do të pendohesh! - Shiko na bëj një ëmbëlsirë të mirë. Bëj atë që duhet, mos shiko se ç’thuhet! (fj. u.).
16. kal. Mbaj nën mbikëqyrje dikë a diçka, e ndihmoj, e shoh, e vështroj; ruaj. - Shiko djalin! - Shiko bagëtinë! - Shiko gjellën mos digjet! - Shiko shifrat! - Shiko fëmijët mos rrëzohen! I shikonte shumë pleqtë. E shikon si sytë e ballit. - Ia kam shikuar gojën e kam ushqyer mirë. E shikon shumë gojën kujdeset shumë për të ngrënë. E shikon me tërë të mirat. - Mos shiko vetëm rehatin (interesin) tënd! - Shiko punën (rrugën) tënde! kujdesu për detyrat e tua dhe mos u merr me gjëra që nuk të përkasin!
17. si pasth., bised. Shfaq habinë e folësit për diçka, tërheq vëmendjen e dëgjuesit për të thumbuar a për të tallur dikë. - Shiko ç’trima që janë! - Shiko ç’trup (ç’sy, ç’flokë)! - Shiko si e bëj unë! - Shiko, shiko, koha paska ikur pa e kuptuar. - Pa, shiko, shiko! - Kushëriri yt, hë? - Shiko si mburret (si lëvdohet)! - Shiko kush qenka! - Shiko, shiko, sa i zgjuar!
18. si pasth., bised. Shpreh paralajmërim a kërcënim për dikë. - Shiko, hap sytë! - Shiko, mos e fli mendjen! - Shiko, herë tjetër mos e përsërit!
19. kal. edhe jokal., fig. E vlerësoj dikë a diçka në përputhje me rrethanat, çmoj, shqyrtoj; shfaq një ndjenjë, dëshirë. E shikonin si rival. E shikoj me sy kritik. E shikoj me sy të mirë. Shikoje punën drejt. Do ta shikojmë në mbledhjen e radhës këtë çështje. Nuk shikoj ndonjë gjë shqetësuese (ndonjë rrezik, ndonjë të keqe). E shikon të arsyeshme. E shikoj me përparësi. Shikoj mundësitë. Dua t’ju shikoj të lumtur. Shikon t’i bëjë bisht punës i shmanget një pune a një detyrimi.
20. kal., fig. Bëj përpjekje të lexoj të ardhmen, fatin. Shikon filxhan. Shkoi të shikojë filxhanin.
✱Sin.: vështroj, shoh, sodis, ndjek, këqyr, vëzhgoj, kundroj, vërej, qyr, dalloj, hetoj, diktoj, gjej, quaj, vlerësoj, kuptoj, zbuloj, shqyrtoj, kontrolloj, ndihmoj, ruaj.
♦ Shikoj *derën (portën). Ta shikosh me *dylbi (diçka) iron. Shikon *filxhanët (dikush) mospërf. Shikon nga *krushkat (dikush) tall. Shikon *përpara (dikush). Shikon nga *qofkat (dikush) iron. E shikoj në *sy (diçka).
TÍNZA ndajf. Tinëzisht, fshehurazi, vjedhurazi, tinëz. Erdhi (iku) tinza.
TÍNËZ ndajf. Pa e parë, pa e dëgjuar a pa e ditur njeri, fshehtas, dinakërisht, tinëzisht. Erdhi tinëz. Zvarritej tinëz. Iku (u nis, u largua) tinëz. Shikonte tinëz. Kush flet tinëz, i bie shpinës. (fj. u.). Qeni i keq të kafshon tinëz. (fj. u.). njeriu i keq të bën dëm prapa krahësh.
✱Sin.: fshehtas, dinakërisht, tinëz, tinazi, tindrazi, tinëzash, tinëzisht, vjedhtas, vjedhurazi, hajnisht.
TULÁTRAZ ndajf. Duke u tulatur, fshehurazi, fshehtas, vjedhurazi, pa rënë në sy. Ecte tulatraz. E rrëmbeu tulatraz. E hëngri tulatraz.
✱Sin.: fshehurazi, fshehtas, tinëz, vjedhurazi.
VJÉDHTAS ndajf. Vjedhurazi.
VJÉDHURAZI ndajf. Përdoret për të treguar mënyrën e një veprimi; në mënyrë vjedharake; si vjedhës; pa u vënë re nga të tjerët, fshehurazi. Ia mori vjedhurazi. Hyri (u afrua, iku) vjedhurazi. E shikoi vjedhurazi.
✱Sin.: fshehtas, fshehurazi, tinëzisht, hajdutërisht, vjedhas, kusarisht, vjedhurisht, hajnisht, hajdutçe, kaçakçe, cubnisht.
VJEDHURÍSHT ndajf. Vjedhurazi. E ka mësuar zanatin vjedhurisht. E kishte mësuar kitaren vjedhurisht.
✱Sin.: vjedhurazi, vjedhaz, vjedhazi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë