Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÇÁRK,~U m. sh. ~QE, ~QET 1. Mjet si kafaz a në forma të tjera për të kapur minj, zogj ose kafshë të egra, që ngrehet zakonisht duke i vënë pak ushqim dhe që shkrehet me forcë; kurth. Çark i ngrehur. Çark minjsh. Çark zogjsh. Çark ujqish (dhelprash). Ngreh çarkun. Vë çarqe. Zë në çark. Si miu në çark në gjendje shumë të vështirë, shumë ngushtë, pa rrugëdalje.
2. fig. Grackë që ngrihet për të kapur dikë; kurth. I ngre çarkun. Bie në çark. E fut në çark. Je si në çark dhe nuk ke asnjë rrugë shpëtimi.
3. Mekanizëm i thjeshtë që shërben për të mbledhur diçka, për të vënë në rrotullim një pjesë tjetër ose për një punë të caktuar; pjesa që rrotullohet e këtij mekanizmi. Çark dore (këmbe). Çark dërstile. Çarku i poçarit. Çarku i mullirit (i tezgjahut). Çarku i sharrës me ujë. Çarku i pusit çikrik. Çark për mprehje. Mbledh litarin (fillin) në çark.
4. Shkrehësi i armëve me strall që ndez barutin; mekanizmi i shkrepjes. Çarku i pushkës (i çiftes). Pushkë me çark. Heq çarkun. Ngreh (shkreh) çarkun. S’i ndezi çarku. Në shtëpi kishim tri pushkë, dy të thyera e një pa çark.
5. Vegël e thjeshtë me një thikë, që përdoret për të grirë duhanin. Çark duhani. Thika e çarkut. Duhan çarku. Mpreh çarkun. Grij me çark.
6. Kornizë druri që rrethon diçka; rreth druri; skelë druri që shërben për të mbajtur diçka. Çarku i dritares. Çarku i vatrës. Çarku i dyshemesë. Çarku i çatisë. Çarku i qerres. Çark për të mbajtur.
7. vjet. Vegël që përdorej për t’i marrë gjak një njeriu të sëmurë; vizgator. Merrnin gjak me çark.
8. anat., bised. Vargu i eshtrave të trupit, nyjë e eshtrave, kyç. Çarku i kokës. Më dhembin çarqet. Më ftohen çarqet.
9. bised. Rreshti i dhëmbëve në gojë, dhëmbë të vënë. Çarku i dhëmbëve. Vë çark.
10. si mb. I harkuar, si hark. Me vetullat çark.
✱Sin.: kurth, grackë, dhokan, çikrik, vizgator, kyç.
♦ Ra në çark (dikush) shih ra në grackë (dikush). Çark i ngrehur njeri i rrezikshëm, që është gati të dëmtojë dikë. Ia di çarkun (dikujt) shih (e njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë). E futi këmbën në çark (dikush) ra në një rrezik dhe e pësoi keq; ra në çark; ra në grackë; ra në kurth. Jam çark më çark (me dikë) nuk shkoj mirë me dikë, i kam marrëdhëniet shumë të acaruara me të; jam majë më majë. E ka në çark (dikush) e ka çdo gjë në rregull, nuk ka pse shqetësohet; e ka diçka në gjendjen e duhur; e ka (i ka punët) në vijë. E mban gishtin në çark (të pushkës) (dikush) qëndron gjithmonë gati për t’u mbrojtur nga dikush a për të goditur dikë; i rri gati dikujt për ta sulmuar; e mban syrin në shënjestër. I mbeti (i rri) goja çark (dikujt) iron. shih s’i mbyllet (s’i rri) goja (dikujt). Si *miu në çark (në qyp, në poç). I ngre çarkun (dikujt) shih i ngre një kurth (kurthe) (dikujt). I ngre veshët çark (dikush) shih i ngre (i bën) veshët bigë (dikush). Ngriu çark u habit shumë, shtangu. Iu prish çarku u çrregullua një punë, nuk shkon mbarë. *Pushkë (dyfek) me çark mospërf. Rri me *gisht në çark (dikush). I erdhi grifsha te çarku (dikujt) shih i erdhi lepuri në qerre (dikujt). I zuri çarku *kokën (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë