Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PÁMJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Paraqitja e jashtme e njeriut ose e fytyrës së tij, dukë; dukja e jashtme e njeriut si shprehje e gjendjes së tij fizike ose shpirtërore. Pamje e çelur (e zymtë, e vrenjtur). Me pamje të qeshur (të zemëruar, të hidhëruar). Ka pamje burrërore (të rreptë, të vrazhdë). Ishte i rëndë nga pamja. Dukej që në pamje. I ndryshoi (i ndërroi) pamja.
2. Ana e jashtme e diçkaje ashtu si duket; trajta, shfaqja ose mënyra se si del para syve diçka; paraqitja. Pamje e përgjithshme (e pjesshme). Pamje nga përpara (nga pas, nga sipër). Pamja e mallrave. I mirë nga pamja. Ka pamje të keqe (të shëmtuar). Shtëpi me pamje madhështore. Dielli mund të mbulohet nga retë vetëm në pamjen e një syri të vogël. (fj. u.).
3. Pjesë e natyrës ose e vendit që shtrihet para syve; ajo që rroket nga vështrimi nga një pikë e caktuar. Pamje e bukur (tërheqëse). Pamjet madhështore e bregdetit. Fushë pamjeje (fusha e pamjes) (usht.). Këndi i pamjes (i vështrimit) (usht.).
4. Gjendja e përgjithshme e diçkaje si paraqitet nga ana e jashtme, si vështrohet nga një kënd i caktuar ose sipas përshtypjes që të lë; anë, aspekt; tablo. Pamja e vërtetë. Pamje e gëzueshme. Pamje e mjerueshme. Pamja politike (ekonomike). Ia ndryshoi rrënjësisht pamjen vendit.
5. Shëmbëllim i sendeve, i natyrës ose i punës në fotografi, në film, në pikturë etj. ose në një krijim artistik.
6. Përfytyrim mendor i një shëmbëllimi të sendeve, të natyrës ose të punës. Pamje e gjallë. Pamje nga jeta (nga puna). Pamje nga vendi ynë. Jep një pamje nga e kaluara. I dilnin para syve pamje frymëzuese.
7. teatër. Nënndarje e një akti të veprës dramatike, në të cilën zakonisht ndryshon dekori i skenës.
8. Të parët, shikimi; mundësia për të parë sendet dhe mjedisin përreth, fusha e shikimit. Çrregullime të pamjes. Ka errësim të pamjes. E humbi pamjen. I zuri pamjen. Ka pamje të kufizuar. Iu zhduk nga pamja.
✱Sin.: paraqitje, dukje, dukë, të parët, pah, figurë, fizionomi, fytyrë, hije, farkë, re, biçim, petk, çallmë, çehre, paraqitje, formë, sy, peizazh, tablo, visore, skenë, panoramë, aspekt, anë, shëmbëllim, shëmbëllesë, shëmbëlltyrë, ninëz, bojë, ngjyrë, faqe, nur, trajtë, shfaqje, mënyrë, sarkë, përfytyrim, vështrim, shikim, fushëpamje, fushëshikim, nënndarje, rrethanë.
♦ *Fushë pamjeje (fusha e pamjes) libr. Në pamje të parë sipas përshtypjes që kemi nga ana e jashtme, pa i hyrë në brendësi a në thelb, në dukje.
PEIZÁZH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pamje e natyrës a e një vendi që rroket nga syri, pamja e natyrës që na del para sysh. Peizazh i bukur (i mahnitshëm, i zymtë). Peizazh shqiptar. Peizazh pranveror (dimëror). Peizazh vjeshte. Sodit peizazhin. Peizazh malor (urban). Arkitekturë e peizazhit degë e arkitekturës që merret me planifikimin, me projektimin, me ndërtimin dhe me mirëmbajtjen e parqeve publike e të mjediseve të gjelbëruara familjare. Arkitekt peizazhi arkitekt që merret arkitekturën e peizazhit.
2. art. Vizatim a pikturë që paraqet një pamje nga natyra ose pamjen e një vendi a mjedisi. Peizazh i bukur. Peizazh industrial.
3. let. Përshkrimi i natyrës në një vepër letrare. Mjeshtër peizazhi. Peizazhet e romanit “Lumi i vdekur”.
✱Sin.: visore, panoramë, pamje.
VISÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Vend i hapur që e zë syri të gjithë; pamja e përgjithshme e natyrës së një vendi të caktuar; peizazh. Visore malore. Visoret veriore. Visoret e bregdetit.
2. Pikturë a vizatim që paraqit një pamje nga natyra; peizazh. E mbaroi një visore. Një visore e bukur e derdhur në telajo, me pamje nga natyra.
3. let. Përshkrim i një vendi a i një dukurie natyrore në një vepër letrare, peizazh. Visore (letrare) artistike. Visore e goditur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë