Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KALIVÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Tra i vendosur horizontalisht në oborrin e shtëpisë, ku varen për t’u tharë vargje me misër, me gjethe duhani etj. Kalivare me kallëpe misri.
2. Varg uji që rrjedh poshtë, rrjedhë lëngjesh; vija a gjurma që lë kjo rrjedhë. Kalivare uji (djerse) në faqe.
✱Sin.: bistak, veshul, kalavesh, kalivaç, vijëz.
VÍJ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Shenjë e zgjatur nga një pike te një tjetër, që bëhet në një sipërfaqe ose që është pjesë e një vizatimi; çdo gjë që ka trajtën e kësaj shenje. Vijë e hollë (e trashë). Vijë e shtrembër. Vijë e ndërprerë. Vijë anësore (fundore) (sport.) Vijat e pantallonave. Vija e flokëve. Vijat e fushës së futbollit. Vijat e forcës (fiz.) Fletore me vija.
2. Rrip i ngushtë ngjyre në diçka; çdo gjë që ka trajtën a pamjen e një brezi. Fustan (fanellë, shall) me vija. Qilim pa vija. Mozaik me vija.
3. gjeom. Kufiri anësor i një sipërfaqeje, i cili ka vetëm përmasën e gjatësisë; shenja e këtij kufiri në një sipërfaqe; drejtëz. Vijë e drejtë (e lakuar, pingule). Vijë e thyer vijë që zgjatet në drejtime të ndryshme. Vija paralele. Heqim një vijë.
4. Kufiri që ndan diçka ose që shënon caqet e një sipërfaqeje a hapësire; shenja që paraqit një kufi të tillë në hartë. Vija kufitare. Vija bregdetare. Vijë ndarjeje edhe fig. Vijë ujëndarëse. Vija e horizontit. Vija e ekuatorit (gjeogr.) Vija e frontit (usht.). Vija e zjarrit (usht.). Vija e mbrojtjes (usht.). Vija e armëpushimit (e ndalimit të zjarrit) (usht.).
5. E thelluar e gjatë dhe e ngushtë, që hapet në tokë për të kaluar uji; rremë e vogël uji në arë etj. Vijë ujitëse (kulluese). Vijë uji. Vija e mullirit. Një vijë uji. Hapën një vijë. E zgjeruan (e thelluan) vijën. Ujitin me vija.
6. Hullia e plugut, e parmendës etj. në arë. Vijat e traktorit. Vijat e plugut (parmendës). Bënë vijat.
7. Gjurmë a shenjë që lë diçka mbi një sipërfaqe; vragë. Vijat e qerres. Vijë gjaku. Vijat e ullakut (shiut).
8. E thelluar në trajtë vjaske në një sipërfaqe; rrudhë e ngushtë në diçka. Vijat e dorës. Vijat e ballit.
9. Rrugë komunikacioni që lidh dy a më shumë vende, qendra a pika të caktuara; sistem telash a kabllosh për të përcjellë rrymën elektrike ose për lidhje telefonike e telegrafike; linjë. Vijë hekurudhore. Vijë ajrore (ujore, detare). Vijë lundrimi. Në vijën Tiranë-Gjirokastër. Në vijën Tiranë-Prishtinë. Në vijën ajrore Tiranë-Romë. Në vijën detare Durrës-Bari.
10. Varg njerëzish a sendesh njëri pas tjetrit; varg lojtarësh të caktuar me një detyrë kur luajnë me top (në një ndeshje futbolli, volejbolli etj.); rresht, kolonë. Vija e parë. Vija e sulmit. Vija e mbrojtjes. Në një vijë (në dy vija).
11. Drejtimi i diçkaje. Vija e shikimit (e të parit). Vijë shënimi (usht.). Vija e fluturimit të plumbit.
12. fig. Mënyrë veprimi; rrugë që ndjek një parti, qeveri etj.; mënyrë si mendon, vepron, drejton a udhëheq ajo. Vija e drejtë (parimore). Vija e përgjithshme. Vija themelore. Shkeli vijën.
13. Vijueshmëri e rregullt e notave a e toneve në muzikë. Vija melodike (muzikore).
✱Sin.: drejtëz, vizë, vijëz, rruvijë, vizgë, hulli, prijë, vijëzim.
♦ E ka bërë vijë (diçka) po e përsërit gjithnjë, e ka bërë gjë të zakonshme; e ka bërë vazhdë. I hoqi (i vuri) vijë (*vizë) (dikujt a diçkaje). Është në vijë. 1. (diçka). Është në rregull, shkon mirë, ecën mirë e po zgjidhet; është në rrugë të drejtë (të mbarë). 2. (dikush). Sillet e punon mirë; e ka në vijë; është në fije. S’ka gjë në vijë (dikush) s’po i ecën puna ashtu si duhet, nuk ka shpresë të arrijë diçka; s’ka gjë në torbë; s’ka gjë në të. E ka në vijë (dikush) i ecën mirë çdo gjë dikujt; s’ka asnjë problem a shqetësim; e ka në terezi; i ka qiqrat të mbara; i shkon tymi drejt (dikujt); kund. s’ka gjë në vijë (dikush). I ka në vijë (punët etj.) (dikush) i shkojnë mbarë e mirë punët, çdo gjë është në rregull; s’ka përse të shqetësohet. Nuk nxjerr gjë në vijë (dikush) shih nuk e nxjerr në krye (dikush). Një nga *dhia e dy nga vija (dy nga vija e një nga dhia). *Varg e vijë (e vistër). E vuri (e solli) në vijë (dikë a diçka) shih e vuri në udhë (të mbarë) (dikë a diçka). Erdhi në vijë (dikush a diçka) shih erdhi në udhë (dikush a diçka). Në vijë të drejtë. 1. Në lidhje të pandërmjetme gjaku, me prejardhje të drejtpërdrejtë (në marrëdhëniet farefisnore). 2. (për diçka). Ashtu siç është a si ka rrjedhur, duke lënë mënjanë ndryshimet që ka pasur. Në vijën e parë në punët më të vështira ose atje ku rreziku është më i madh; në ballë të punës a të njerëzve; përballë rreziqeve a vështirësive, pa iu shmangur asgjëje; ballazi e me trimëri. Me një vijë pene shih me një të rënë të lapsit. Në vija të trasha në përgjithësi, pa hyrë në hollësira; në gjërat thelbësore; e la trashë (diçka).
VÍJËZ,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vijë e hollë dhe e vogël, që është pjesë e një figure gjeometrike, e një vizatimi etj.; vizë. Me vijëz në mes. Vijëz e hequr lehtë.
2. Gjurmë a e thelluar e hollë dhe e vogël që lë diçka në një sipërfaqe; vijë. Vijëz gjaku. Vijëzat e fytyrës (e dorës). Me vijëz në mes.
✱Sin.: vizë, vijë, drejtëz.
►VIJËZ/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR vet. v. III 1. vetv. Zgjatet diçka si vijë, formon një vijë. Vijëzohet fusha e futbollit. Rrudhat i vijëzohen në ballë nga mosha a mundimet e shumta..
2. fig., vetv. Shfaqet menjëherë diçka me disa shenja; duket paksa. Iu vijëzua një buzëqeshje. I vijëzohej një shprehje gëzimi në fytyrë.
3. pës. e VIJËZÓJ.
✱Sin.: vijëzohet, përvijohet, ravijëzohet. vijoset, vizohet.
VIJËZ/ÓJ vep., ~ÓVA ~ÚAR 1. kal. Bëj një vijë a disa vija në diçka; bëj skicën e diçkaje; e bëj a e mbush diçka me vija. Vijëzoj buzët e pllakës. Rrudhat ia vijëzuan ballin.
2. fig., kal. E paraqit diçka në vija të përgjithshme, e vizatoj. Vijëzoi portretin e heroit. Ka vijëzuar anët e mira (tiparet kryesore).
3. kal. Vizatoj. Vijëzoj një hark. Vijëzoj një rreth.
✱Sin.: vizatoj, vizoj, vijos, vizas, përvijoj.
VÍZ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Shenjë e zgjatur dhe e hollë që bëhet mbi diçka me laps, me penë etj., vijë. Vizë e drejtë (e lakuar, gjarpëruese). Vizë lidhëse (gjuh.), vizë e shkurtër që shërben për të lidhur dy pjesë të një fjale. Vizë ndarëse (gjuh.), vizë e shkurtër që shërben për të ndarë fjalën në fund të rreshtit. Viza e dialogut. Heq një vizë. Shkruhet me vizë në mes.
2. E thelluar a e çarë e ngushtë në diçka, vijë. Vizat e dorës. Vizat e ballit.
✱Sin.: vijë, drejtëz, vijëz.
VJÁSK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. E thelluar e ngushtë në sipërfaqen e diçkaje; e çarë, plasë, çallatë. Vjaskat e pëllëmbës së dorës. Vjaskat e trungut të drurit. Gur me vjaska.
2. usht. Vija të thella në trajtë spiraleje brenda tytës së pushkës a të një arme tjetër zjarri, që shërbejnë për t'i dhënë predhës lëvizje dhe shpejtësinë rrotulluese. Vjaskat e pushkës (e tytës).
3. Gjurmë si vijë që mbetet në një sipërfaqe pas kalimit nëpër të të diçkaje, vazhdë e hollë. Vjaskë gjaku. Vjaskat e lotëve.
✱Sin.: kanal, fillesë, vijëz, e çarë, plasë, tragë, çallatë, ravë, vazhdë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë