Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AUTOKÁMER/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT tek. Kamerë regjistruese e vendosur diku; videokamerë. Autokamerë mbikëqyrëse e rrugës. Autokamerë për qëllime artistike. Autokamerë e parme (e pasme). Autokamerë shumë e vogël. Autokamerë në veturë.
AUTOMOBÍL,~I m. sh. ~A, ~AT Automjet që shërben për qarkullim personal ose publik, për mbartjen e udhëtarëve ose të mallrave, për gara sportive etj. Automobil sportiv. Automobil udhëtarësh. Boria e automobilit. Rrugë automobili. Sallon automobilash. Udhëtoj (shkoj) me automobil. Ngas automobilin. Hipi në automobil. Frenimi i automobilit.
✱Sin.: automjet, makinë, veturë.
AUTOTRANSPORTÚAR (i, e) mb. Që është mbartur me anë të automjeteve, që ka përfunduar procesin e autotransportimit. Veturë e autotransportuar. Mall i autotransportuar. Pajisje të autotransportuara. Njësi e autotransportuar.
EKSTERIÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT arkit., dizajn. Mjedisi i jashtëm i një ndërtimi (shtëpi, vilë, pallat etj.); ana e jashtme e një objekti; kund. interier. Dera përdoret më shpesh në eksterier. Veturë e kompletuar edhe në eksterier. Eksterieri është i lidhur me artin e filmit. Eksterieri i shtëpisë është kryesisht në dru. Projekte për interier dhe eksterier.
KATËRVÉNDËSH,~E mb. Që mban a nxë katër veta; me katër vende; katërsh. Veturë katërvendëshe.
KERR,~I m. sh. ~E, ~ET Makinë, veturë. Erdhi me kerr. Ndezi kerrin.
MAKÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Mjet mekanik ose elektrik i përbërë nga një tërësi pjesësh të fiksuara e të lëvizshme, ku secila kryen një rol të caktuar dhe të gjitha së bashku bëjnë një punë të veçantë duke shfrytëzuar transmetimin ose modifikimin e energjisë. Fabrikë për prodhimin e makinave. Inxhinier makinash. Makina bujqësore. Makina udhëtimi. Makinë elektrike (kibernetike). Makinë me avull (me motor).
2. Pjesë e parë e emërtimeve për lloje të ndryshme makinash që kryejnë funksione të veçanta: Makina bluese makinë që shërben për të bluar drithin a diçka tjetër. Makinë grirëse makinë ose pajisje që shërben për të grirë diçka. Makinë fshirëse makinë që shërben për të fshirë rrugët. Makinë për grirjen e mishit pajisje që shërben për të grirë mishin. Makinë korrëse makinë bujqësore që shërben për të korrur prodhimin. Makinë kositëse makinë bujqësore që shërben për të korrur barin, drithin etj. Makinë larëse lavatriçe, rrobalarëse. Makinë llogaritëse pajisje e vogël dore që punon me bateri dhe shërben për të bërë llogaritje me numra. Makinë mbjellëse makinë bujqësore që shërben për të mbjellë farat ose filizat. Makinë ngjyrosjeje makinë që shërben për të ngjyrosur rroba a diçka tjetër. Makinë qepëse makinë që shërben për të qepur rroba. Makinë rroje pajisje e vogël dore që përdoret nga burrat për të rruar mjekrën; pajisje e vogël dore që shërben për të rruar qimet e trupit. Makinë shirëse makinë bujqësore që ndan drithin dhe farat e tjera nga pjesa tjetër e bimës. Makinë shkrimi pajisje tipografike me çelësa që shërben për të shtypur shkronja, numra dhe simbole në një letër të futur në rul. Makinat e tezgjahut makinë tekstile që shërben për të thurur pëlhura. Makinë tharëse pajisje që shërben për të tharë rroba, fruta etj., tharëse.
3. Automobil, veturë, automjet. Makinë e re (e vjetër). Makinë ushtarake (civile). Makinë e hapur (e mbyllur). Makinë e madhe (e vogël). Makina e zjarrfikësve (e ndihmës së shpejtë, e policisë rrugore). Rrotat (gomat) e makinës. Timoni i makinës. Rrugë makinash. Ndez (fik) makinën. Hipi në makinë. Ngas makinën. Udhëtoj me makinë. E zë makina.
4. Pjesë e parë e emërtimit për makinat e zakonshme që përshtaten dhe kthehen në mjete luftarake: Makinë bombë makinë e pajisur me bombë që shpërthen kur aktivizohet me telekomandë. Një makinë bombë shpërtheu në sheshin e qytetit.
5. fig. Tërësi organesh a institucionesh që punojnë si një mekanizëm i vetëm, në mënyrë të rregullt e të bashkërenduar, për të kryer një detyrë a për të zhvilluar një veprimtari të caktuar. Makina shtetërore. Makina e luftës. Makinë propagandistike.
✱Sin.: automobil, veturë, automjet.
PISTÓN,~I m. sh. ~A, ~AT tek. Pjesë e një motori, e një pompe, e një kompresori etj. në trajtën e një shtage, të një disku ose të një kupe, që lëviz e puthitur brenda një cilindri. Piston automjeti (automobili). Veturë me tetë (me gjashtë, me katër) pistona. Motor me dy pistona. Pistona unazorë prej çeliku. Lëvizjet e pistonit.
UL vep., ~A, ~UR kal. 1. E zbres dikë a diçka nga lart poshtë, i zvogëloj lartësinë; e vë të mbështetet diku, e zbres në tokë; kund. ngre, çoj. Ul flamurin. Ul aeroplanin. Ul barrën (drutë, kovën). Ul vigun (tezgën). Ul shportën në shesh. Ul dorezën e telefonit. Ul fëmijën.Ul përdhe (përtokë).
2. Përkul teposhtë, anoj ose var pjerrtas; e drejtoj poshtë; kund. ngre. Ul kokën. Ul kurrizin (shpatullat). Ul vetullat. Ul duart (krahët, grushtin). Ul degët. Ul strehën e kapelës. Ul sytë (vështrimin).
3. E kaloj nga qëndrimi pingul në gjendje të shtrirë; e bëj të shtrihet teposhtë diçka që është e kapur nga njëra anë, lëshoj; kund. ngre, çoj. Ul kapakun. Ul perden. Ul jakën e palltos. Ul mëngët. Ul pëlhurat Ul perden. Ul jakën e palltos. Ul mëngët. Ul pëlhurat e barkës mbledh velat.
4. E bëj të rrijë; e vë të rrijë diku. E uli në karrige (në tryezë). E uli në prehër. E uli në gjunjë. E uli në karrocë (në veturë). E uli pranë (afër) vetes.
5. E bëj më të vogël, i pakësoj madhësinë, vlerën, masën a shkallën, zvogëloj; kund. rrit; ngre. Ul temperaturën (shtypjen, trysninë). Ul ngarkesën. Ul fitilin. Ul çmimet. Ul shpenzimet (koston). Ul rrogën (pagesën). Ul qiranë. Ul shpejtësinë (ritmin). Ul prodhimin (rendimentin). Ul moshën. I ulën një notë (notën e sjelljes). Ia ulën dënimin.
6. E bëj të ndriçojë ose të dëgjohet më pak, e bëj më të ulët, dobësoj. E uli dritën (llambën). E uli zërin. Ule pak radion!
7. I pakësoj vrullin ose shkallën e shfaqjes a të zhvillimit, e bëj të bjerë, i zvogëloj forcën, madhësinë, e dobësoj. Ul forcën (vrullin). Ul ndjeshmërinë. Ul dhembjen. Ia uli inatin (zemërimin, gjakun). Ul ngarkesën. Ul temperaturën.
8. I pakësoj rëndësinë, cilësinë ose vlerën, e zbres në një shkallë më të ulët. E ka ulur stilin (mjeshtërinë). E ul nivelin e shfaqjes (e veprës).
9. E zbres një shkallë më poshtë në detyrë ose në përgjegjësi. E ulën në detyrë (në përgjegjësi).
10. I cenoj vetitë morale ose i zvogëloj meritat në sytë e të tjerëve; poshtëroj. Ul veten. Ul autoritetin (prestigjin). I ul nderin. E ul përpara të tjerëve (në sytë e botës).
✱Sin.: zbres, rrëzoj, lëshoj, përkul, përul, fal, anoj, var, rrëzoj, shtrij, zvogëloj, pakësoj, platis, fashis, mpak, pulis, zbus, qetësoj, shtroj, paqësoj, dobësoj, kapis, poshtëroj, përul, prozhmoj, zhburrëroj, zhburrnoj, fyej.
♦ *Ngre e ul (dikush). Ul *bishtin (dikush) përçm. Uli *flamurin (dikush). I uli (i ftohu) *gjakrat (dikush). E uli *hundën (dikush) iron. Ia uli *hundën (dikujt). E uli *kokën (kryet) (dikush). Uli kryet (*kokën) (dikush). E uli *kurrizin (shpinën) (dikush). Përkul (ul) *mesin. Ul e ngre (dikush) thotë vazhdimisht të njëjtën gjë, s’ka muhabet tjetër, përsërit po atë gjë; ngre e ve; bjer e çohu. I uli *pendët (dikush). E uli (e rrëzoi) *përtokë (dikë a diçka). I uli *puplat (dikush). E uli (e shtroi) *qafën (zverkun) (dikush) përb. E uli (e shtroi) shpinën (*kurrizin) (dikush) përb. I uli (i vari) *veshët (dikush). E ul *zërin (për dikë a për diçka). Ia ul *zërin (dikujt). E uli (e shtroi) zverkun (*qafën) (dikush) përb.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë