Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►AKAPAR/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR vet. v. III 1. vetv. Përvetësohet diçka për përfitim vetjak me rrugë të dyshimta, të paligjshme ose të padrejta; përfitohen në mënyrë të padrejtë pasuri, burime, pushtet; monopolizohet. Akaparohet pasuri e paluajtshme. Akaparohet padrejtësisht pozitë e lartë në administratë.
2. pës. e AKAPARÓJ. U akaparuan votimet.
✱Sin.: përvetësohet, përvetohet, shpërdoret, vidhet, uzurpohet, abuzohet, monopolizohet.
AKAPAR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR keq., kal. 1. Marr, zotëroj, shtie në dorë ose grumbulloj në sasi të mëdha një mall a diçka tjetër për përfitim vetjak me rrugë të dyshimta, të paligjshme e të padrejta; përfitoj në mënyrë të padrejtë pasuri, burime, pushtet; monopolizoj. Akaparon drithin (tokat). Akaparoj pronat. Akaparojnë votat. Akaparoi pozitën pushtetore. Kompania akaparoi tregun.
2. fig., keq. Bëj për vete diçka në mënyrë të palejueshme; bëj timen diçka padrejtësisht. Akaparoj vendin e punës. Akaparoj një shtëpi.
✱Sin.: përvetësoj, përvetoj, monopolizoj, uzurpoj, shpërdoroj, abuzoj, vjedh.
ANDRONÍM,~I m. sh. ~E, ~ET gjuh. 1. Emri ose mbiemri vetjak i një gruaje, i prejardhur ose i motivuar nga emri, mbiemri ose pseudonimi i burrit ose i babait të saj.
2. Emri i një burri që përdoret për të emërtuar një vend, një institucion, një rrugë, një objekt etj., zakonisht në nder të një personaliteti historik, politik, kulturor, shkencor etj. Universiteti ynë u emërtua me një andronim që nderon figurën e tij historike.
ANKÓJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT keq. Njeri që ankohet vazhdimisht, ai që qahet për çdo gjë orë e çast, zakonisht pa të drejtë a për të arritur një përfitim vetjak; qaraman. Është një ankojë e mërzitshme. Është një ankojë e keqe. Moj dhelpër, moj ankojë, shumë armiq zure në gojë! (iron.) thuhet për një njeri që e ka zakon të ankohet vazhdimisht me qëllim që të ketë ndonjë përfitim.
ANTONOMAZÍ,~A f. sh. ~, ~TË poet. 1. Figurë stilistike metonimike, kur emri vetjak i dikujt zëvendësohet me një epitet apo një shprehje, p.sh. Plaku i Vlorës për Ismail Qemalin; Plaku i Maleve për Bajram Currin etj. Antonomazi antike. Antonomazi e mirëfilltë. Tipat e antonomazisë. Antonomazia si nënlloj i metonimisë.
2. Përdorimi i një emri vetjak si emër i përgjithshëm; p.sh. donkishot, jago, judë, shvejk etj. Figurshmëria e antonomazisë. Antonomazia e emrave familjarë.
ANTROPONÍM,~I m. kryes. sh. ~E, ~ET gjuh. Emër vetjak; emri e përveçëm i një njeriu. Antroponim ilir. Antroponimet shqipe. Antroponimet e reja.
AUTOKRITÍK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. Akt vetëvlerësimi kritik; vlerësimi, analiza dhe shqyrtimi i veprimeve vetjake për të përcaktuar dhe për të pranuar gabimet, mangësitë ose sjelljet e gabuara me qëllim përmirësimin vetjak ose profesional; qëndrimi vetjak kritik kundrejt të metave në punë, në sjellje etj.; vetëkritikë, vetëreflektim. Autokritikë parimore (formale). Autokritikë objektive. Autokritikë e sinqertë. Në frymën e kritikës e të autokritikës. Bëj autokritikë. Autokritika si mjet reflektimi. Autokritika në kontekstin politik. Paaftësi për autokritikë. Mungesë autokritike.
✱Sin.: vetëkritikë, vetëqortim, vetëgjykim, vetëreflektim, vetëkorrigjim.
AUTOTRANSFUZIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET mjek. Procedurë mjekësore kur dhënësi e marrësi i gjakut është i njëjti person, për të shmangur ndërlikimet e mundshme nga transfuzioni tradicional, si reagimet imune, reagimet alergjike ose infeksionet; transfuzion vetjak. Përfitimet e autotransfuzionit. Autotransfuzioni para operacionit. Autotransfuzioni gjatë operacionit. Autotransfuzioni pas operacionit. Autotransfuzioni për pacientët me grup gjaku të rrallë.
AUTOTRANSPÓRT,~I m. 1. Mbartja e njerëzve dhe e mallrave me anë të automjeteve që janë në përdorim të një personi, një institucioni ose një ndërmarrjeje që ka nevojë për transportimin; formë e transportit me mjetet e veta, pa u mbështetur te palë të treta ose nga kompani transporti. Autotransport i brendshëm. Autotransport vetjak. Autotransport privat. Shpenzimet e autotransportit. Autotransport i automjeteve. Autotransport me automjete të specializuara. Autotransport ndërkombëtar. Autotransporti i ushtrisë. Autotransport për shpërndarjen e prodhimeve në treg.
2. kryes. sh. ~E, ~ET Tërësia e automjeteve dhe e pajisjeve për mbartjen e mallrave; dega e transportit me anë të automjeteve. Shërbimet e autotransportit.
BLO/G,~GU m. sh. ~GJE, ~GJET inf. Faqe ose platformë elektronike në internet për të shkruar a për të bërë postime të ndryshme, si artikuj, fotografi, video etj.; ditar vetjak në internet; revistë elektronike. Blog zyrtar (personal). Krijimi i blogut. Shkëmbejnë informacione në blog. Blogje interesante. Postim në blog. Epoka e blogut.
BUXHÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. fin. Plani financiar kryesor i një shteti, shuma e parashikuar e të ardhurave dhe e shpenzimeve të një shteti sipas degëve të ndryshme dhe për një kohë të caktuar; pasqyrë që jep këtë parashikim. Buxheti vjetor. Buxheti shtetëror (i shtetit). Buxheti kombëtar (shtetëror). Buxheti i investimeve. Buxheti për zhvillimin e ekonomisë. Buxheti për arsimin e kulturën. Fonde (financime) nga buxheti. Detyrimet në buxhet. Pasqyra e buxhetit. Mundësitë e buxhetit. Miratohet (shpallet) buxheti. Derdh në buxhet.
2. bised. Të ardhurat e një familjeje, të një njeriu etj., që prishen në një kohë të caktuar për të përballuar jetesën. Buxheti familjar (vetjak). Rregulloi buxhetin.
►DEZINFEKT/ÓHEM (DISINFEKT/ÓHEM) jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Bëj pastrimin vetjak të veshjeve, të armëve etj. nga mikrobet ose nga lëndët helmuese, pastrohem me dezinfektues; kund. infektohem. Ushtari dezinfektohet me shpejtësi.
2. pës. e DEZINFEKTÓJ.
FILIGRÁN,~I m. Punim argjendarie, në trajtën e një dantelle, të thurur me fije të holla e të dredhura ari, argjendi, bakri etj. për të bërë sende të ndryshme të përdorimit vetjak (kuti duhani, stoli etj.), për të zbukuruar veshjet, dorezat e shpatave etj.; telish. Filigran i artë. Kuti (pipë) filigrani.
IMUNITÉT,~I m. 1. biol., mjek. Veti mbrojtëse që ka një organizëm për t’u bërë ballë disa mikrobeve ose për të mos u dëmtuar nga disa helme; aftësi mbrojtëse e organizmit për të mos u prekur nga një sëmundje. Imunitet i lindur (i vetvetishëm, i fituar). Imuniteti i fëmijëve. Ka humbur imunitetin. Jep imunitet (sëmundja, vaksina). Fiton imunitet (organizmi).
2. drejt. E drejtë e veçantë që i njihet një përfaqësuesi të huaj me detyrë të posaçme për të mos iu nënshtruar disa ligjeve shtetërore të një vendi; e drejtë që gëzon sipas kushtetutës një deputet ose një person tjetër i zgjedhur në një detyrë të rëndësishme për të mos u arrestuar ose për të mos u ndjekur penalisht pa pëlqimin e organit kompetent; paprekshmëri, pacenueshmëri, padhunueshmëri. Imunitet vetjak. Imunitet diplomatik. Imunitet parlamentar. Imuniteti i banesës. Ka (gëzon) imunitet. I hiqet imuniteti.
3. fig. Aftësia për t’i bërë ballë diçkaje të huaj e të dëmshme dhe për të mos u prekur prej saj, mbrojtje paraprake ndaj çdo gjëje të dëmshme; të qenët i paprekshëm ose i mbrojtur nga diçka e huaj dhe e keqe. Fitoj imunitet.
✱Sin.: mbrojtje, paprekshmëri.
INDIVIDUÁL,~E mb. 1. Që është karakteristik për një njeri të vetëm, që e dallon një njeri nga të tjerët, që është vetëm për atë; Që ka të bëjë vetëm me një njeri, i veçantë për secilin. Cilësi (aftësi, veti, tipare) individuale. Jetë (botë, psikologji) individuale. Përgjegjësi individuale. Shfaqje individuale.
2. Që ka të bëjë me një njeri të vetëm; që i përket një njeriu, që e zotëron një njeri, që është pronë e një individi; që nuk është i përbashkët, që nuk është shtetëzuar, vetjak; kund. i përbashkët; kolektiv. Pronë (ekonomi) individuale. Kopsht individual.
3. Që është vetëm për një njeri; që bëhet ose që prodhohet nga një njeri i vetëm; i veçantë për secilin, që bëhet për secilin më vete. Punë (detyrë) individuale. Plan individual. Lojë (garë) individuale. Lexim (mësim, studim) individual. Ndihmë individuale. Pagë individuale. Klasifikimi individual për femra (për meshkuj). Në mënyrë individuale.
4. Që punon si individ. Bujk (zejtar, tregtar) individual.
✱Sin.: vetjak, vetmor, privat, personal.
INDIVIDUALÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që vë interesat e veta mbi ato të shoqërisë, ai që sheh vetëm a më shumë se çdo gjë interesin vetjak, ai që shfaq individualizëm në punë, në sjellje etj. Individualist i madh. Qëndrim (veprim) prej individualisti.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë