Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MBRÓJTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur mbroj dikë a diçka ose kur mbrohem. Mbrojtja e vendit (e lirisë, e pavarësisë). Mbrojtja e pronës (e pasurisë). Mbrojtja e nderit (e të drejtave). Mbrojtja e pemëve (e bimëve). Mbrojtja e tokës (e ujërave, e natyrës). Mbrojtja e diplomës. E drejta e mbrojtjes.
2. Mjetet e mënyrat që përdoren për t’u mbrojtur nga dikush a nga diçka; mbështetja e përkrahja që i jepet dikujt për t’u mbrojtur, ndihmë kundër një rreziku etj. Mbrojtja në punë. Njeri pa mbrojtje. Kërkon mbrojtje. Nuk ka mbrojtje.
3. usht. Tërësia e forcave të gjalla, e armëve dhe e mjeteve që përdoren për t’u mbrojtur nga armiku; veprimtaria që kryhet me këto forca e mjete për t’u mbrojtur; fusha e veprimtarisë dhe e organizimit shtetëror, që ka për detyrë të përgatitë njerëzit dhe të sigurojë mjetet për të mbrojtur vendin nga armiku. Mbrojtja popullore (civile). Mbrojtja tokësore (detare, ajrore). Mbrojtja bregdetare (kundërajrore). Mbrojtje e fuqishme (aktive, pasive). Mbrojtje unazore (rrethore). Mbrojtja dhe sulmi. Ministria e Mbrojtjes. Këshilli i Mbrojtjes. Shtabi i mbrojtjes. Forcimi i mbrojtjes. Mbrojtja e popullit (hist.) organ i posaçëm që kryente funksionet e Sigurimit të Shtetit në Shqipëri në vitet 1944-1946.
4. drejt. Fjala e avokatit mbrojtës para trupit gjykues; pala që mbron një të pandehur në gjyq. Avokati i mbrojtjes. Leximi i mbrojtjes. E mori fjalën mbrojtja.
5. sport. Lojtarët e një skuadre futbolli, basketbolli etj., që kanë për detyrë të zmbrapsin sulmet e kundërshtarit e të ndihmojnë sulmin e skuadrës së vet; organizimi dhe loja e tyre për të mbrojtur portën a fushën e vet. Mbrojtje e fortë. Mbrojtja shkodrane (durrsake). Mbrojtjet e të dyja skuadrave luajtën mirë. Forcuan mbrojtjen.
6. shah. Mënyrë e veçantë loje në shah për t’u mbrojtur nga sulmet e kundërshtarit. Mbrojtja indiane (sllave, holandeze).
✱Sin.: ruajtje, vetëmbrojtje, pruajtje, përkrahje, mbështetje, mburojë, strehë, mbulim, gardh.
PLESHT,~I m. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Pulex Pulex irritans) Kafshë parazitare me trup shumë të vogël e në ngjyrë kafe të errët, që kërcen shumë, pickon e thith gjak. Pastronte pleshtat. Sa një plesht shumë i vogël. Kishte zënë pleshta. Kërcen si plesht. Pleshti tropikal. Pordhi pleshti, u prish vreshti. (fj. u.) (iron.). U hap dheu, doli një plesht. (fj. u.). Me kërcimin lëvdohet pleshti. (fj. u.). Për pleshtin djeg jorganë. (fj. u.). Mos digj jorgan për të vrarë pleshtin. (fj. u.). I zoti i di kërthizën pleshtit. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje kandrash të vogla, me madhësi dhe ngjyra të ndryshme, që dëmtojnë zakonisht gjethet e perimeve, të pemëve etj.: Pleshti pambukor i ullirit (lat. euphyllura olivine) plesht që me sekrecionet e tij prodhon një masë të bardhë si pambuk për qëllime vetëmbrojtje, nga insektet e tjerë predatorë dhe nga kushtet e motit. Pleshti i bletës morri i bletës. Pleshti i dardhës (lat. Psylla pyrisuga, Psylla pyricola). Pleshti i fshikakuqit (lat. Aphis evonymi, Psylla evonytni). Pleshti i gjelbër kandërr e vogël me ngjyrë të gjelbër në të verdhë, që bren e dëmton zakonisht trangujt, jonxhën etj. Pleshti i kolzës (lat. Psylliodes chrysocephala). Pleshti i lakrës (lat. Psyllotreta undulate). Pleshti i zi i lakrës (lat. Psyllotreta nemorum). Pleshti i lepurit (lat. Spilopsyllus cuniculi). Pleshti i lirit (lat. Longitarsus parvulus). Pleshti i maces (lat. Ctenophalides felis). Pleshti i miut (lat. Xenophylla cheopis). Pleshti i mollës (lat. Psylla mali). Pleshti i panxharit (lat. Chaetocnema concinna). Pleshti i qenit (lat. Ctenocephalides canis). Pleshti i rërës (lat. Tunga penetrans) kandërr si pleshti i zakonshëm, por që nuk kërcen. Pleshti i tokës (lat. Haltica, Phyllotreta) kandërr si pleshti i zakonshëm, me trup vezak e ngjyrë hiri, që dimëron në të çarat e tokës, në gjethet e thata etj. dhe që dëmton gjethet e lakrës, të rrepës, të panxharit të sheqerit etj. Plesht uji (lat. Haltica, Phyllotreta) gaforre e vogël, që jeton në ujëra të ëmbla e lëviz duke kërcyer.
3. fig. Njeri jo i mirë, i paqëndrueshëm e i mërzitshëm. Ishte një plesht ai! Mos i hap syrin atij pleshtit!
✱Sin.: i paqëndrueshëm, i mërzitshëm, i bezdisshëm, bezdisës.
♦ M’u bë plesht në jorgan (dikush) shih m’u bë plesht në vesh (dikush). M’u bë plesht në vesh (dikush) m’u ngjit e më mërziti shumë; më ngacmon pa u ndarë; më është bërë i padurueshëm; m’u bë rriqër; m’u bë rrodhe; m’u bë mizë kali; m’u bë molë. E bën pleshtin (mizën) *buall (dikush). E bën pleshtin (mizën) *ka (dikush). Ia dogjën pleshtat (dikujt) tall. e bënë të shpenzojë shumë; e dëmtuan ekonomikisht. Fut pleshta në thes (dikush) iron. ia hyn një pune që s’bëhet; është e pamundur të bëhet diçka; përpiqet të bashkojë a të mbledhë në një vend njerëz që s’merren vesh kurrsesi ndërmjet tyre; mbledh pleshta; (bën) stan me lepuj. I futi (i shtiu) pleshtat (në vesh) (dikujt) e ngacmoi dikë për diçka, e bëri që të shqetësohej, s’e la të qetë; i futi (i shtiu) mizat. Një *grusht pleshta tall. Deri në *gju të pleshtit shak. I hynë pleshtat (dikujt) filloi të shqetësohej e ta hante meraku për diçka; i hynë mizat. E ka plesht në vesh (dikë) shih e ka halë në sy (dikë). Kërcen si pleshti në dhallë (dikush) ndërhyn në çdo gjë, merr pjesë me vend e pa vend në të gjitha punët ose ndërhyn në të gjitha çështjet, edhe kur s’është e nevojshme; përzihet atje ku nuk i takon ose ku nuk pritet; fut hundët; e fut lugën në çdo gjellë përçm.; është bira e dreqit keq. Kërkon pleshta në kashtë (dikush) kërkon diçka që nuk gjendet; kërkon gjilpërën në kashtë. I kërkon pleshtit *syrin (dikush). Më marrsh pleshtat! mospërf. bised. nuk ke se ç’më bën, s’pyes për ty; më marrsh të keqen!; më marrsh të ligat! Mbath pleshtin me potkonj (dikush) përpiqet të bëjë diçka të pamundur e s’bën asgjë; ia hyn diçkaje që nuk shkon; bën një vrimë në ujë (në qiell, në shoshë). Mbledh pleshta (dikush) iron. përpiqet të bashkojë a të mbledhë disa njerëz që nuk duan të rrinë ose të punojnë bashkë; përpiqet të pajtojë disa vetë, që s’merren vesh kurrsesi ndërmjet tyre; fut pleshta në thes; (bën) stan me lepuj. Iu ngjallën pleshtat (dikujt) shaka. u përmirësua nga shëndeti, u gjallërua; nuk është i lodhur më si më parë; filloi të bëjë prapësira (zakonisht për një fëmijë); iu ngjallën krimbat; iu ngjallën morrat. Nxjerr (kërkon) *dhjamë nga pleshti (dikush). Për një plesht djeg jorganin (dikush) prish diçka me vlerë për një gjë fare të vogël, bën dëme të mëdha për diçka shumë të vogël. Qeth *leshtë e pleshtit iron. Më shtiu pleshtat (dikush) më nxori telashe e ma prishi rehatinë; më vuri në një gjendje të vështirë. *Thes me pleshta tall. I vë pleshtit *fre (dikush). Vë pleshtin ndër *këmbë (dikush) tall. I vë pleshtit *zile (dikush).
VETËMBRÓJTJ/E,~A f. 1. Mbrojtja e vetvetes ose e vendit nga një armik, nga një sulm a nga një rrezik, mbrojtja me forcat e mia e me ato mundësi e mjete që kam; përpjekja që bën dikush për t'u vetëmbrojtur. Ndjenja e vetëmbrojtjes. Veproi për vetëmbrojtje. Vetëmbrojtje me armë. Masa për vetëmbrojtjen. Njësi vetëmbrojtje.
2. Prirje e aftësi natyrore dhe e vetvetishme (instinktive) që ka njeriu a kafsha për të kundërvepruar menjëherë përballë një rreziku, me qëllim që të mbrojë veten. Instinkti i vetëmbrojtjes. I shtyrë nga instinkti i vetëmbrojtjes.
VETËRÚAJTJ/E,~A f., libr. Ruajtje a mbrojtje e vetvetes; vetëmbrojtje1,2. Instinkti i vetëruajtjes.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë