Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKUASKÚTER,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Mjet vetëlëvizës njëvendësh, me platformë si një dërrasë të zgjatur, me një timon në lartësi e që shërben për të rrëshqitur mbi ujë në liqen, në det etj. Akuaskuter elektrik. Zuri vendin e parë në garën me akuaskuter. U rrëzua nga akuaskuteri.
AUTO-II fjalëform., libr. 1. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që ka kuptimin: “vetëlëvizës, që lëviz me motor të vetin” (p.sh. autokombajnë, automjet, autoqerre etj.).
2. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që ka kuptimin: “automatik, që punon në mënyrë automatike” (p.sh. autopilot, autotimonier etj.).
AUTOGRÉJDER,~II m. sh. ~Ë, ~ËT tek. Makinë e specializuar motorike që përdoret në ndërtimin e rrugëve, për përgatitjen e terreneve për ndërtim ose për mirëmbajtjen e rrugëve të paasfaltuara; mjet vetëlëvizës me rrota. Autogrejder i vogël (madh). Autogrejder standard. Modeli i ri i autogrejderëve. Autogrejder modern.
AUTOKÁRRO,~JA f. sh. ~, ~T Mjet transporti që përdoret në logjistikë dhe tregti, kryesisht për mbartjen dhe shpërndarjen e mallrave në largesa të vogla ose të mëdha, furgon i hapur, kamion; mjet i rëndë vetëlëvizës me motor, i ndërtuar për mbartje mallrash në sipërfaqe të sheshta ose të pjerrëta pa rimorkio. Autokarro elektrike. Autokarro kompakte. Autokarro me motor nafte (benzine). Autokarro me platformë të ulët. Autokarro me vinç të vogël.
MEKANÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT 1. tek. Tërësi veglash që përbëjnë një makinë, një aparat etj. ose një pjesë të tyre, me një ndërtim të brendshëm e me lidhje të tillë që të vënë në lëvizje njëra-tjetrën. Mekanizëm vetëlëvizës. Mekanizmi i orës. Mekanizmi i shkrepjes (së armës, së topit).
2. Ndërtimi i brendshëm i një makine, i një aparati etj. dhe mënyra si punon. Ka mekanizëm të thjeshtë (të ndërlikuar).
3. fig. Sistemi i brendshëm i ndërtimit dhe mënyra se si e zhvillon veprimtarinë e vet një shtet, një organizatë etj.; tërësia e veprimeve që kryhen kur ndodh një dukuri fizike, kimike, fiziologjike etj. Mekanizmi i trurit. Mekanizmi i asistencës sociale. Mekanizmi financiar (shtetëror, qeveritar). Mekanizmat institucionalë. Mekanizmi i votës (bised.) votimi kur organizohet në mënyrë të tillë që të arrihen qëllime të caktuara me shumicë mekanike votash pa përfillur gjendjen e vërtetë.
VÉTË- fjalëform. 1. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, me kuptimin “vetë”; “i vet, i vetvetes”; “veten”; “për veten ose kundër vetvetes etj.” (p.sh.: vetëdashës “që do vetë”; “që do vetveten”; po ashtu: vetëdemaskohem, vetëdorëzohem, vetëfajësohem, vetëfinancohem, vetëflijohem, vetëgënjehem, vetëhelmohem, vetëkënaqem, vetëkritikë, vetëkontroll, vetëlavdërohem, vetëmashtrohem, vetëmbrohem, vetëmburrem, vetëpëlqim, vetëpunësohem, vetëqetësohem, vetëruajtje, vetësugjestionohem, vetëshpall, vetëtherori, vetëvlerësim, vetëvrasës, vetëvritem, vetizolohem etj.).
2. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra që tregon se veprimi kryhet vetiu ose pa ndihmë nga jashtë, me kuptimin “vetë” (p.sh.: vetëdigjet “që digjet vetë”; po ashtu: vetëngurtësohet, vetajroset, vetëkomandohet, vetëkuptohet, vetëkurdiset, vetëlind, vetëlëvizës, vetëmbushës, vetëndizet, vetëngarkohet, vetëpërhapet, vetëpjalmim, vetëpllenim, vetëregjistrues, vetërregullues, vetërrjedhje, vetëshkarkohet, vetëshkrehës, vetëshlyerje, vetëshuhet, vetëshumëzohet, vetëzhvillim, vetushqyes etj.).
VETËLËVÍZËS,~E mb., spec. Që lëviz vetë; që vihet në lëvizje me anë të një motori a të një burimi energjie të vendosur brenda në të (për mjetet e transportit etj.); që lëviz mekanikisht ose automatikisht. Vagon (ekskavator) vetëlëvizës (spec.). Artileri vetëlëvizëse (usht.).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë