Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BUSHURDÍS vep., ~A, ~UR kal. Spërkat (duhanin, rrobat etj.) me ujë duke e lëshuar me forcë nga goja. Bushurdis duhanin.
✱Sin.: spërkat, stërkit, stërkat, pikëloj, pikalos, pikoj, pik, pikat, cirkoj, cirkëloj, cirkat, cërkoj, çikëloj, çikërroj, çikoj, vesoj, vesetoj, vesit, përfik, përfiktoj, mek, lëmek.
LAG vep., ~A, ~UR kal. 1. Hedh ujë mbi dikë a mbi diçka; spërkat me ujë një njeri a një gjë, e bëj me ujë; e njom një gjë me diçka të lëngët, e bëj të qullet.; kund. thaj; ter. Lag duart (fytyrën). Lag flokët. Lag dyshemenë (shkallët, oborrin). E lagu shaminë me lot. E lagu shiu.
2. E zhyt diçka në ujë a në një lëng tjetër për ta zbutur, për ta regjur etj., bëj që të thithë ujë a një lëng tjetër, e njom; kund. thaj; ter. I lagu rrobat që në mbrëmje. Lag shollën (lëkurët). Lag zhukat (litarët). Lag koret e bukës. Lagu pak pambuk me jod (me alkool).
3. bised. Ujit. Lag tokën (arën). Lag misrin. Lag lulet.
4. vet. v. III E prek drejtpërdrejt, është i puqur me të (për ujërat). Deti lag pjesën perëndimore të vendit.
5. Pi fare pak ujë, verë etj.; ha fare pak pemë; pi ose ha sa për të njomur gojën. Lagëm gojën me qershi. Lagu fytin (gurmazin, grykën). Sa lagu buzët. Sa për të lagur gojën.
6. bised. kryes. sh. Pimë raki, verë etj. me rastin e një feste a gëzimi. Do ta lagim sonte.
7. Mbush me ujë ose lëng tjetër për të krijuar ngopje, një objekt ose substancë thith një lëng për të arritur një shkallë të caktuar ngopjeje. Lag peshkun në marinadë për t'i dhënë shije. Lag biskotat në qumësht para se t'i përdorni.
✱Sin.: njom, lëmek, spërkas, jargos, lagësoj, lëngoj, vesoj, vesit, ujis.
♦ Ia lagu *bishtin (dikujt). E lag me *djersë (diçka). Ia lagu (ia njomi) *dorën (dikujt). Lag (njom) *fytin. Ia lag *gojën (dikujt). Lag (njom) *gojën. Lag (njom) *grykën. Lag (njom) *gurmazin. S’i ka lagur *këmbët (dikush). Lag e korr shih shkel e shko. E lagu s’e lagu *bishtin (dhelpra). I lagu *sytë (dikush). Të *rruan pa lagur (dikush). S’e lag *shiu (dikë).
NJOM vep., ~A, ~UR kal. 1. Shtie diçka në ujë a në një lëng tjetër me qëllim që të zbutet, të bëhet e lagët ose të fitojë ndonjë veti tjetër të nevojshme. Njom bukën. Njom rrobat. Njom shollën. Njom farën. Njom lirin. Njom kashtën. Njom litarët.
2. Lag pak, hedh pak ujë mbi dikë a mbi diçka, spërkat me ujë a me ndonjë lëng tjetër; kund. thaj. Njom peshqirin. Njom rrobat para se t’i hekuros. Njom duhanin para se ta grij. Na njomi shiu. E njomi me lot (shaminë, tokën, bukën).
3. bised. Ujit pak. Njom lulet. Njom bostanin. Njom arën.
4. Ngjyej në një lëng për të thithur një pjesë të tij. Njomi furçën në bojë. E njomi pambukun në alkool. E njom kafshatën (bukën) me qumësht.
5. Pi fare pak (ujë a ndonjë pije); ha fare pak (zakonisht pemë). Hëngri (piu) sa për të njomur gojën (buzët). E njomi fytin (grykën, gurmazin).
✱Sin.: lagështoj, lagësoj, lag, mek, lëmek, mekëtoj, rij, përfik, pik, vesoj, vesit, qull, ujit, laj.
♦ Ia njomi (ia lagu) *dorën (dikujt). Njom (lag) *fytin. Njom (lag) *gojën. Njom (lag) *grykën. Njom (lag) *gurmazin. E njomi *zorrën (dikush) bised.
SPËRKÁT (SPËRKÁS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Lag lehtë përsipër duke i hedhur pikla uji a të një lëngu tjetër; stërpik. Spërkat rrobat (dyshemenë). Spërkat duhanin e grirë. Spërkat me ujë (me kolonjë). Spërkat me dorë (me furçë).
2. I hedh një lëndë kimike të lëngët në trajtë vese një bime për ta mbrojtur nga sëmundjet ose një pellgu me ujë të ndenjur për të zhdukur mushkonjat etj. Spërkati hardhinë (pemët). E spërkati me pompë. I spërkatën vreshtat me gurkali.
3. Ndot me pika balte ose të diçkaje tjetër, çikëloj. E spërkat me baltë (me bojë). Na spërkati me pështymë.
✱Sin.: stërpik, stërkit, cërkoj, cirkoj, cirkëloj, çikoj, përfik, pikoj, pik, pikëloj, pikalos, pikas, vesoj, përfik, përfiktoj, rij, lag, përlyej, lyros, njom, mek, lëmek, lëngoj, lëngështoj, bushurdis.
♦ E spërkat me *ujë trëndafili (dikë a diçka).
VES/ÓJ vep., ~OVA, ~ÚAR 1. jokal., vet. v. III Bie vesë. Gjatë natës kishte vesuar.
2. jokal., vet. v. III Bie shi i imët e i lehtë, rigon. Filloi (nisi, zuri) të vesonte. Jashtë vesonte.
3. kal. E spërkat diçka lehtë me ujë, e stërpik; e njom a e lag pak nga sipër; vesit. Vesoj lulet (barin). I vesoj qepët që të mos thahen. E vesoi me lot pajën.
✱Sin.: rigon, vesit, vesëton, lagështon, njom, njomështoj, spërkas, stërpik.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë